Fjala e përshëndetëse e Don Fran Koles ne takimin me Presidentin Nishani
I nderuar President i Republikes se Shqipërisë, Bujar Nishani!
I nderuar Ambasador Galanxhi,
I nderuar Konsull i Nderit, Bardha,
Te nderuar klerikë,
Motra dhe vellezer te pranishem,
Ju përshëndes në emër të Komunitetit Katolik të Shën Palit, duke falenderuar Zotin dhe gjithë anëtarët e kësaj Famullie të njohur që, me në fund, Dega e Detroitit e Panfederates “VATRA” u kujtua të propozoi nderimin e kësaj bashkësie nga më vitalet në Diasporën Shqiptare.
Duke ju uruar mirëseardhjen në Komunitetin tone, i nderuar President dhe përsonalitete që e shoqëroni Presidentin në këtë vizitë, deshiroj t’u falnderoj sinqerisht dhe të vë në dukje disa nga vlerat e Komunitetit Katolik të Shën Palit , këtu në Detroit.
Kisha e Shen Palit u themelua vonë, por kjo nuk do të thotë aspak se nuk ishte e themeluar në zemrat dhe mendjet e katolikëve shqiptar që kishin lënë Aatdheun dhe, sidomos, të malësorëve besimtarë e bujarë, të cilët kishin lëshuar trojet e tyre masivisht për një jetë më të lirë e më të mirë, me mendimin se diçka po ndryshon, me shpresen për t’u rikthyer prapë.
Ishin vitet e vrullshme të nëpërkëmbjes masive të të drejtave të shqiptarve të Kosovës,kur u hodhen themelet e kesaj qendre, bash në vitin 1980. Demostratat e përgjakura nga makineria ushtarake Jugosllave, vitet e dhunimit të besimit, të lirisë së fjalës e pronës në Shqipërinë komuniste, nxiten disa besimtarë katolikë këtu në Michigan të ndërtonin Qendren e Shën Palit, e cila ka një kontribut të pakrahasueshëm me asnjë Qendër tjetër në veprimtarinë atdhetare, kombëtare dhe fetare.
Inaugurimi i sajme 29 Qershor të vitit 1981 u kthye në një festë të vërtetë, me pjesëmarrjen e mijëra vetëve për tri ditë radhazi. Që në fillim u profilizua atdhetarizmi i kësaj Qendre të vërtetë shqiptare, si një vyrtit moral i rëndësisë së veçantë, mishëruar edhe në veprimet konkrete të famullitarit të parë të saj, Dom Prek Camaj e vazhdimin e mëpasëm nga Don Anton Kçira. Roli i Qendres së Shën Palit ishte i papërshkrueshëm, falë shpirtit patriotik të malësorëve legjendarë , si dikur i kishte përshkruar i pavdekshmi At’Gjergj Fishta, shqiptarë të devotshëm, besimtarë të mrekullueshëm, trima e të vendosur si çmos kush tjetër.
Në Qendren e Shën Palit e kanë nismën të gjitha veprimtaritë patriotike dhe atdhetare, duke filluar nga dhjetra e qindra demostrata për lirinë e Kosovës nga zgjedha serbe, për lirinë e shqiptarëve nga komunizmi më i egër dhe ekseprimental, grevat e urisë në përkrahje të minatorëve të Trepçes e deri tek demostratat e fundit për lirimin e të burgosurve politik të Malësisë, njohur me emrin famëkeq “Fluturimi i Shqiponjës” dhe levizjet e tjera për barazi dhe të drejta njerëzore të malësorëve nën Mal të Zi.
Në të gjitha këto veprimtari, kjo qendër është mbështetur edhe nga Teqja Bektashjane e vet Baba Rexhepi, nga Xhamia dhe përsonalisht Imam Vehbi Ismaili, nga patriotët Ferdin Toptani, Petrit Butka, Viktor Çako, Tajar Shaska, Ekrem Bardha e shumë e shumë të tjerë, pamarrë parasysh besimin, mjafton të punohej në të mirë të Shqipërisë.
Qendra e Shën Palit është dalluar në përkrahjen dhe njohjen e gjithë vendimeve në të mirë të Shqipërisë e Kosovës, duke i festuar ato, e duke ndihmuar për të arritur deri te realizimi i tyre në të gjitha format. Prej këtu nisen ndihmat financiare të Luftës Çlirimtare të Kosovës, ndërtimi i Institucioneve të besimit në Shqipëri, dhjetra raste sëmundjesh e ndihma të tjera humanitare. Po kjo Qendër, është ndër më të organizuarat për mësimin e gjuhës shqipe, për aktivitetet kulturore dhe grupet artistike, për ndihmën e botimeve e aksioneve të tjera kombëtare, si përkujtimin e ngjarjeve historike, që në vitet 80 e këndej, pa asnjë ndërprerje. Në këtë Qendër gjinden simbolet kombëtare më të spikatura, si Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skenderbeu, Nënë Terezës, salla me emrin e Gjergj Fishtes etj.
Pokështu, këtë Qendër e kanë vizituar e vlerësuar të gjithë përsonalitetet e politikës së lartë shqiptare dhe të Kosovës, si dhe senatorë e kongresmenë amerikanë nga më të njohurit, heronj te demokracisë e lirisë, si të ndjeret Ibrahim Rugova, Pjeter Arbnori e Azem Hajdari.
Të gjitha këto e shumë veprimtari të tjera, që ndoshta nuk është vendi as koha t’i themi në detaje, janë realizuar falë dashurisë së madhe për atdheun tonë, në respektim të Institucioneve Demokratike dhe në mbështetje të vazhdueshme të bërjes së Shqipërisë Evropiane, në rindërtimin e Kosovës Institucionale, si një shtet i mirëfilltë, në kërkimin e vazhdueshëm të të drejtave të vëllezerrve tanë, që jetojnë në tokën e tyre, por nën shtetin malazez, në kërkesat e pareshtura për Çamërinë Shqiptare, si dhe të bashkimit e të njojhes, të ndihmes e përkrahje së çdo shqiptari kudo që ndodhet në botë.
Faleminderit!
Don Fran Kola
Famullitar i Kishës së Shen Palit
Troy, Michigan
Hotel Marriot, 22 Shtator 2013