FRANZ WINSAUER, MISIONARI AUSTRIAK I MIRDITORËVE

Ndue DEDAJ

–          “Projekt Albanien” kontribuon prej 20 vitesh në Shqipëri

për shkollat, spitalet  etj. –

 

F. Winsauer me bashkëpunëtorët austriakë dhe mirditorë, gjatë një interviste

 

Këtë fillimviti shkollor, nxënësit e shkollave të Mirditës nuk kanë si të mos nisin një falënderim të posaçëm drejt Austrisë, për zotin Franz Winsauer, njeriun që e kanë gjithnjë pranë dhe nëse në ditën e parë të shkollës ai nuk gjendet mes tyre. Ai është aty me gjithçka që ka bërë për ta në vite, pajisjet e sjella rregullisht për klasat ku ata mësojnë etj. Sapo është kthyer nga qyteti i Dornbirnit një grup i “Projekt Albanien” që ai drejton, me materiale të reja për shkollat e rrethit. Është një ritual bamirësie dhe ndihme prej njëzet vitesh për njerëzit në nevojë, pa pritur lëvdata nga qeveria, pushteti vendor etj. Jo, misionarit fisnik i mjafton buzëqeshja e fëmijëve të vendit të dalë, fillimisht nga diktatura, pastaj nga tranzicioni i gjatë. Dhe mos prisni që ky njeri i pabujë të shihet para kamerave, të japë intervista të gjata, aq më tepër të mbajë ndonjë fjalim, kjo nuk mund të ndodhë me të. Ngjan si e habitshme një sjellje e tillë tejet modeste, në një kohë kur njerëzit e këtushëm, po shpesh dhe disa të huaj që veprojnë në Shqipëri, e dëshirojnë fort “reklamën” e punës së tyre; drejtues shoqatash humanitare që vërtet kanë kontribuuar mes shqiptarëve, ama e kanë ngjitur emrin e tyre për çdo fasadë shkolle, ambulance fshati, qendre sociale ku kanë lënë gjurmë. Si duket F. Winsauer është ana tjetër e medaljes. I mjafton sinqeriteti fëminor dhe jo “dekoratat”. Dhurata më e fundit e austriakëve të landit të Foralbergut është rikonstruksioni i konviktit të shkollës së mesme industriale Rubik dhe pajisja e tij me gjithçka të re. Në filozofinë e këtij projejti nuk ka gjëra të mëdha dhe gjëra të vogla, por gjera që njerëzve u duhen, që nga godinat e shkollave e spitaleve që kushtojnë miliona, te autombulancat, zjarrfikset e deri te librat dhe çantat për fëmijët e familjeve të vobekta.

Ndër veprat e financuara nga “Projekt Albanien”, vitet e fundit, janë një varg objektesh në ndihmë të komunitetit në komunat më të largëta të Mirditës: dy spitale të rinj, njëri në Kurbnesh e tjetri në Fan, si dhe dy ujësjellës në këto dy komuna, një varg qendrash shëndetsore: në Shëngjin, Domgjon, Lufaj Kaçinar, Lurth, disa qendra sociale, rinore në Rrëshen, Reps etj. Vetëm një shtet mund të ketë një bilanc të tillë të suksesshëm veprash të reja apo të rindërtuara, më shumë se 50 të tilla në njëzet vite, gjysma e tyre shkolla. Fëmijët nën minimunin jetik, ata të kopshteve, çerdheve, konvikteve, gratë, të moshuarit, të rinjtë, të papunët, të sëmurët, familjet në zgrip janë kategoritë që kanë përfituar më shumë nga projektet humanitare austriake. Në Reps u investua dhe për një bibliotekë publike, mësuesit flisnin për nevojën e kthimit të të rinjve te libri, kurse Winsauer e mbështeste konkretisht këtë nismë, me krijimin e mjedisit të duhur dhe blerjen e librave. Komunat, bashkitë, organet arsimore dhe ato të shëndetësisë, shoqatat e ndryshme kanë bashkëpunuar me “Projekt Albanien”, që ndihmat dhe financimet e tij të zgjidhin problemet më të ngutshme të komunitetit mirditor. Natyrisht që ky nuk është kontributi thjesht i një njeriu, as vetëm i një Karitasi, por bujaria e Austrisë ndaj shqiptarëve; janë austriakët që ndihmojnë përmes këtij projekti, që e mbajnë atë gjallë e veprues, duke siguruar mjete, mallra dhe fonde për ne.

Ka patur dhe një traditë të hershme të çmuar bashkëpunimi mes Mirditës dhe Austrisë, që i paraprin krijimit të shtetit shqiptar me 1912. Kur niste ky mision i ri austriak në Shqipëri, mbase pak kush e dinte se po përsëritej historia. Shkollat e para në këto anë, duke nisur nga fundi i shekullit XIX, ishin financuar nga Austria, siç do të kishte disa djem nga këndej që do të studionin në Vjenë, Grac, Insbruk etj. Asokohe vepronte protektorati i kultit në Ballkan, që do të thoshte përkujdesje shpirtërore dhe mbështetje arsimore, kulturore e Austrisë mbi popullatat që kërcënoheshin nga shkombëtarizimi. Shkollat e kohës së Rilindjes, në Orosh, Rrëshen, Milot etj., të inicuara nga Imzot Prend Doçi, Abati i Mirditës, përmes shoqërisë së njohur “Bashkimi”, si dhe nga Nikollë Kaçorri, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi etj., janë disa nga veprat humanitare, civilizuese austriake të një shekulli më parë.

Ideali i tij: humanizmi dhe bamirësia

ndaj njerëzve në nevojë

 

Kur ndërmori misionin në Shqipëri me 1992, Franz Winsauer ishte thuajse 60-vjeçar. Tani është 80 dhe prapë nuk i ndahet vendit të shqiponjave. Ishte dhe në ditët e para të korrikut në Mirditë, si gjithnjë për t’i dhënë udhë ndonjë projekti të ri. Tashmë është berë si i shtëpisë mes banorëve të zonave rurale, në shtigjet më të largëta e grykat më të thella. Aty ku nuk vete shumëkush që e ka për detyrë, vete ai që në të vërtetë nuk është se e ka për detyrë. Por e ka bërë vetë këtë zgjedhje, t’u gjendet sot e mot njerëzve në nevojë. Është misioni i tij i dashurisë për ta. Ndaj ka sfiduar moshën, sëmundjen e pak viteve më parë. Tani ai mban dhe një shkop, por nuk është plakur dhe me sa duket nuk do të jetë ndonjëherë i tillë. Kanë kaluar vite qysh kur ai në vendin e tij u fliste njerëzve përmes Radios ku punonte, tani as ta dëgjojë radion nuk ka shumë kohë. Njëzet e një vite më parë do të ndërmarrte një mision ndihme e bamirësie në Veri të Shqipërisë, në Shkodër e Mirditë. Komuna që i kishte rënë për hise për t’i ndryshuar faqen ishte ndër më të thellat e vendit, ani se tash përshkohet nga autostrada Durrës-Kukës. Fani përtej “nëntë maleve”, me 15 fshatra dhe mbi 10 mijë banorë, kishte nevojë për një dorë të fortë dhe Franz Winsauer, miku i ditëve të vështira, ishte gjendur atje. Bashkëpunëtori i tij më i ngushtë do të ishte Gjon Markagjoni, që kishte shkuar jetën në kampet e internimit dhe tani vinte të bënte bamirësi në vendlindjen e tij. Bir i derës së njohur të Gjomarkajve, që regjimi i mëparshëm komunist e kishte rrëzuar me kulm e themel, atij i duhej mund me i rikthye derës së tij historike nderin dhe dinjitetin e marrë nëpër këmbë. Në Fan do të ndërtoheshin, apo rikonstruktoheshin, një varg shkollash, furra e bukës, kisha e vjetër e Shën Markut etj. Winsauer shkonte e vinte pareshtur nga Foralbergu në Mirditë, gjithnjë me projekte të reja ndryshimi.

Veprimtaria e misionit të tij, hap pas hapi, do të shkrihej dhe në komunën e Kaçinarit, Selitës, Oroshit, bashkinë e Rrëshenit dhe të Rubikut. Ai tashmë ishte kudo ku kishte nevojë për të. Shumë ia kishin dëgjuar emrin, kurse fytyrën pak ia kishin parë. Për më tepër emri i tij nuk ishte shënuar “bujarisht” në asnjë pllakë apo tabelëz mirënjohje dhe kur diçka e tillë ndodhi, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Rrëshen, ai nuk do të ndjehej mirë dhe ishte mbase e para herë që sytë e tij shprehnin qortim. Duku, mburrja, turri për të mbetur në “histori”, janë tipike për sojin e pushtetarëve pa lavdi, që nuk u mjaftojnë banderolat me fytyrat e tyre elektorale, paçka se sa i shërbejnë në të vërtetë popullit, për të cilin fort përbetohen e pak bëjnë.

 

“Projekt Albanien” – Guten Tag… Mirdita!

 

Projekti austriak në Mirditë (në dy vitet e para ka vepruar dhe në Shkodër) ka marrë jetë në qytetin e Dornbirnit të Foralbergut. Bashkëpunëtorët e tij në vite janë të shumtë, ku nuk mund të mos veçosh zonjën Daniela Thaler, e cila merret me problemet e familjeve në nevojë. Si nuk u lodh tash kaq vite kjo zonjë austriake duke u shërbyer njerëzve tanë deri në Arrëz e Lufaj? Tani ka disa familje të varfëra që kujdesohet për to. Zef Shtia, menaxheri i Projektit dhe prej 10 vitesh drejtor i Caritasit “Mirdita”, e njeh me pëllëmbë terrenin ku vepron, me të gjitha shqetësimet e banorëve. Dikur familja e tij ishte internuar nga Shkodra në Kurbnesh, por kjo nuk e ka bërë atë të urrejë, përkundrazi ai punon me përkushtim me të gjithë ata që vijnë në pushtet, demokratë, socialistë, pasi një mision humanitar nuk mund të mendohet ndryshe. Marie Biba, ish-kryetare e Bashkisë Rrëshen, me një edukatë pune model, drejton prej shumë vitesh qendrën e gruas “Mirditorja”, që ka zhvilluar kurse të shumta me gratë: kuzhine, rrobaqepsie, kompjuteri etj., tani me ide të reja për kurse në lëmin e turizmit.

Nuk është e rastit që faqja zyrtare në internet e “Projekt Albanien” ka vizitorë dhe nga Kina e Hon Kongu, por për vetë natyrshmërinë e tij. Fytyra të lodhura, të varfër, hallexhinj, të sëmurë shihen në imazhet e filmuara në fshatra vitet e para, që janë ndihmuar të dalin nga mbijetesa. Përgjatë njëzet viteve u përvijuan disa shoqata e qendra humanitare, si “Karitas Mirdita”, qendra e të sëmurëve mendorë, qendra e gruas, lidhja kulturore Austri-Mirditë (KÖM) etj. Në një fshat të thellë rronte një familjar i verbër, i moshuar me shumë fëmijë dhe ishin këta austriakë që i ndërtuan shtëpinë, ashtu si të tjerë individë u dërguan jashtë shtetit për kurim. Gjon Nikoll Deda nga Rrësheni ka qenë njëri ndër mirditorët që kishte shkuar në Austri, mik në shtëpinë e Winsauerit, ku i kishte rrëfyer atij për vitet e burgut politik në moshë të re. Kurse Ndue Frrok Gjeta, familja e të cilit gjithashtu kishte qenë e përsekutuar rëndë nga regjimi komunist, ka qenë ndër mikpritësit e z. Winsauer në vendlindjen e tij në Fan.

Pyetjes sonë se çfarë kujtoni nga dita Juaj e parë në Mirdita, pader Winsauer i përgjigjet: “Ishte ditë gushti e vitit 1992. Jemi takuar në Fan me ata që do të ishin bashkëpunëtorët tanë të ardhshëm. Karitasi Ndërkombëtar na kishte çuar në Mirditë. Organet e pushtetit në Rrëshen na thanë: “Në Fan kemi më shumë nevojë për ju”. Kështu që ne atë ditë u gjendem në komunën e Fanit. Dhe e dini si na thanë banorët: “Kanë ardhur shumë veta si ju me na pa, po asnjë nuk është kthyer më…” Nënteksti ishte i qartë, edhe ju si të tjerët do të bëni, do na lini shëndetin. Por jo, ne qëndruam atje. Kishte aq shumë nevojë për ndihmën tonë. E filluam me shkollat, në Petoq, Munellë e me radhë. Ndërtuam furrën e bukës, restauruam kishën, bëmë shtëpinë e murgeshave. Duhet thënë se në fillim gjendja atje ishte krejtësisht e paqartë, e panjohur për ne. Por na vunë në udhë me informacionet e tyre, Gjon Marka Gjoni dhe Frida Sadedini, dy njerëz që kishin vuajtur shumë nga regjimi i kaluar. Gjoni, që më pas u zgjodh deputet, ka luajtur një rol të madh për shumë vite në drejtimin e Karitasit, deri në vitin 2003 kur papritur u nda nga jeta, duke i lënë kujtimet e jetës së tij të vuajtur në një libër të botuar në shqip dhe në gjermanisht.

Dua të them se na ka pëlqyer shumë fakti që në Shqipëri kemi gjetur njerëz bashkëpunues dhe të interesuar për zhvillimin e trevës së tyre. Ne u sillnim ndihma që ata t’i përdornin për rimëkëmbjen e zonës dhe për të shkuar më përpara…”

“Po sot, kur shkoni në Fan, si ndiheni?” e pyesim sërish misionarin fisnik.

“Ndihem si në një ëndërr, aq i madh është ndryshimi. Rruga Durrës – Kukës që përshkon luginën e Fanit është supermoderne. Kurse matanë rrugës jeta shpesh ka mbetur aty ku ka qenë… Vërtet në anë të saj kanë nisur të ndërtohen vila, hotele, restorante, karburante etj., por ritmet lypet të jenë më të shpejta dhe sidomos të ndërmerren veprimtari prodhuese e jo gjera luksi. Për shembull, një drejtim i duhur do të ishte turizmi…”

Është në natyrën e Winsauerit dhe stafit të tij të bëjnë vazhdimisht dhurata për fëmijët në nevojë. Në Rrëshen është shtuar dhe një qendër e re, ajo e trajtimit të fëmijëve me probleme sociale. Sapo mbarojnë shkollën, rreth 20 fëmijë të tillë, jo pak prej tyre romë, i pret një  drekë e shijshme, në mjediset e qendrës së pastër e funksionale. Pastaj nën kujdesin e një mësuesje me përvojë mësojnë mësimet për nesër. Kështu këta fëmijë i ikin rrugës dhe janë më të lidhur me librat. Nuk duhet harruar, thonë kujdestarët e qendrës, që në fillim mjaft prej tyre ishin analfabetë, nuk dinin shkrim e këndim. Kjo është një tjetër vepër humane e këtij misionari, si gjithnjë të pabujë…

 

Fabian Barcata dhe Franz Winsauer,

dy misionarë austriakë për Shqipërinë

           

Kur Franz Winsauer shkeli në Mirditë me 1992 mbase nuk e dinte se njëqind vjet para tij këtu kishte qendruar për më se dhjetë vjet një bashkëvëlla i tij me zhgun, françeskani Fabian Barcata nga Tiroli i Jugut, në kapërcyell të shekullit XIX dhe deri në vitin 1907, kur largohet nga vendi ynë. Edhe ai do ta lidhte emrin e tij me Shkodrën, Lezhën, Mirditën, veçanërisht Rubikun, ku shkroi dhe romanin e mahnitshëm “Lule”, që qe botuar gjermanisht me 1924 dhe shqip me 1930 në Tiranë. Zoti Winsauer jo vetëm që sponsorizoi shtëpinë botuese “Mirdita” për ribotimin e këtij libri, por më kërkesën e autorit të këtyre radhëve, mundësoi dhe zbulimin në një manastir austriak të “Ditarit Shqiptar” të Barcatës, që më pas u përkthye e botua në shqip. Po nuk është ky qëllimi në këtë syth, por ngjashmëria mes personazheve dhe misioneve humane në kohë të ndryshme. Fabian Barcata ishte prift famillitar, mësues i seminaristëve të Rubikut, por dhe biolog, shkrimtar, piktor. Ai sillte ilaçe nga Vjena për të shëruar njerëzit e prekur nga lija, i mësonte bujqit vendas si të kultivonin disa nga kulturat e reja bujqësore, pra, bënte dhe mjekun dhe agronomin për ta. Ndërhynte dhe në shuarjen e gjakmarrjes. I nxiste njerëzit e Bulgërit e Kryezezit të hapnin shkolla shqipe, pasi vetëm ashtu ata do të mund të ishin vetvetja, të forconin identitetin e tyre kombëtar e kulturor. Gazeta “Shqip” ka botuar reportazhe e suplemente për këtë figurë tepër interesante dhe nuk është nevoja të zgjatemi, por rastin e tij e sollëm për të treguar se rruga e misioneve nuk ka të sosur, ani se dikur kishte nevojë për ilaçe kundra lisë e tash kërkesa të tjera. Veçse, si atëherë si sot, në fokus është njeriu, dimensioni i tij social. Në romanin “Lule” At Fabiani merakosej se bota po prishej nga hyrja e modernes me gjithë “lyzhdër” – dhe të mendosh se atëherë nuk ishte droga, terrorizmi, vërbimi nga teknologjia etj. Ashtu si Winsauer sot që sjell komjutera për shkollat, por nuk dëshiron aspak që nxënësit të marrosen pas botës virtuale. Misioni humanitar në thelb ky është, jo ndihmat materiale në rend të parë, por mirëqenia shpirtërore e njerëzve, veçmas fëmijëve.

 

Një fletë e re historie mes Austrisë dhe Mirditës

 

Në nderim të misionarit të mirënjohur, kohë më parë mirditorët nisnin një mesazh falënderimi drejt Dornbirnit: “Në kapërcimin e vështirësive të tranzicionit demokratik na është gjendur pranë “Projekt Albanien” dhe drejtuesi i përgjithshëm e tij, pader Franz Winsauer me bashkëpunëtorët. Ai erdhi në vendin tonë nga Karitasi Ndërkombëtar, kurse në Mirditë me rokomandimin e Ivan Diasit, asokohe ambasadori i Vatikanit në Shqipëri. Prisnin shkollat për t’u rindërtuar, nxënësit për t’u integruar. Shteti e kishte të pamundur të përballonte kërkesat e shoqërisë së re, pasi vendi dilte nga diktatura. Janë të papërshkrueshme ndihmat në vite, në bazë materiale dhe pajisje për shkollat, konviktet, kopshtet, çerdhet, spitalet. Ai ndjehet mirë kur njerëzve u bëhet mirë dhe ata i janë mirënjohës sa herë aty ku rrojnë ndodh diçka e re: një spital i ri modern në Klos, një qendër kulturore për të rinj e të moshuar në Reps, një ujësjellës në Selitë, një terren sportiv për të rinj në Fan, një urë fshati në Mashtërkor për të kaluar nxënësit, disa kabinete mësimore në gjimnazin e Rrëshenit, një lulishte dhe një kend lojërash për fëmijët e qytetit, kurse informatike, rrobaqepësie, kuzhine për komunitetin mirditor, shkollë verore për fëmijët e zonave të thella etj. Është e gjatë lista e veprave bamirëse të këtij misionari të shquar, shpallur tri herë “Qytetar Nderi”, në bashkinë Rrëshen, komunën Fan dhe Këshillin e Qarkut Lezhë. Por nderimi më i madh është ai i pashkruar.”

E pyesim zotërinë e moshuar se cila është e ardhmja e “Projekt Albanien”? Dhe ai na përgjigjet: “Edhe për aq kohë sa ne na duan njerëzit këtu”, çka do të thotë se mirditorët do të vazhdojnë ta ndiejnë dorën e tij atërore. “Fakti që punojmë prej 20 vjetësh tregon se ne shohim mundësi për zhvillim. Bëhen gjëra të vogla, pasi nuk ka shumë mundësi për të mëdha. Kjo na motivon që të vazhdojmë…”

Kanë kaluar kaq vite, por afron një çerek shekulli shoqëri e hapur dhe misionarët e huaj nuk do të rrinë gjithnjë mes nesh. Një ditë më shumë se ndihmat materiale që ata kanë dhënë do të mbetet përvoja se si ata punojnë. Karitasi nuk ka pse të vijë vetëm nga jashtë, “karitas” mund të ngrëmë dhe këtu, mjafton të kuptohet se duhet më shumë solidaritet me njerëzit në nevojë. Në logon e këtij Projekti shihen dy duar që shtrëngohen, ngjatjetohen, natyrisht një emblemë e përbotshme, që shpreh mirëkuptimin e atij që ka me atë që ka nevojë për të patur… mbështetje dhe dashuri.

Misioni i z. Winsaur nuk njeh lodhje. Ky është urdhri i misionarëve kudo në botë. Ata janë njerëz me shpirt Nënë Tereze dhe nuk reshtin asnjëherë për nga e mira, le pastaj të dinë të dorëzohen. Danke (Faleminderit), Herr Winsauer! Danke, Austria!

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *