MBI PËRKTHIMIN NGA ANGLISHTJA NË SHQIP TË SONETAVE TË
UILLIAM SHEKSPIR
Abstrakt
Përkthimi letrar mbledh në gjirin e tij një pafundësi shkrimesh të letërsisë artistike botërore. Është ai që lexuesi përqafon me aq ëndje dhe kureshtje se çdo shkrim tjetër. Leximi i vargjeve poetike të përkthyera ose jo është si dashuria e parë, sado përvijime të penës të ekzistojnë poezia nuk shkulet prej shpirtit të lexuesit artist. E kush mund të kundërshtojë kur bëhet fjalë për vargjet Shekspiriane, ato që u strehuan në mijëra zemra për shekuj me rradhë, dhe nuk po flasim për Shekspirin dramaturg, por Shekspirin si poet lirik. Uilliam Shekspir, veçse dramaturgu më frymëzues i të gjitha kohërave dhe babai i civilizimit perëndimor, ishte edhe poet lirik. Ai i kushtoi plot 154 sonetë dashurisë, të cilat u botuan në vitin 1609, ndaj dhe soneti anglez apo elisabetian quhet ndryshe soneti Shekspirian. Qëllimi i këtij punimi është të analizojë dhe interpretojë sintetikisht vlerat e poezisë lirike apo sonetit gjatë përkthimit.
Ndryshe nga soneti klasik i Petrarkës, sonetit Shekspirian ka:14 vargje: tre strofa katër-vargëshe dhe një strofë dy-vargëshe mbyllëse, vargu 10 rrokësh, (pentametër iambik); strofat kanë rimë të kryqëzuar ndërsa 2 vargëshi i fundit rrimë të puthur:
ABAB CDCD EFEF GG
Strofa e parë: parashtron problemin
Strofa e dytë: analizon problemin
Strofa e tretë: zgjidhja
Dy-vargëshi: mbyllja
Mbi përkthimin në shqip të sonetit 1 të Uilliam Shekspirit
Parantezë
Soneti 1 nis vargun e sonetëve martesorë (deri tek i 17-i). Ai i referohet një të riu me cilësi të shquara intelektuale apo fizike, i cili duhet të martohet dhe të ketë fëmijë që të mund të kalojë në një stad më të lartë i cili do ta dallonte atë nga një fëmijë. Të veçantat e sonetit shkojnë prej rrëfimeve të ndjenjave të dashurisë, në zymtësinë e ndarjes e deri tek rëndësia e përcjelljes së të bukurës në pafundësi.
Vargjet 1 dhe 2:
“From fairest creatures we desire increase, / That thereby beauty’s rose might never die,”
“Qenieve më të pashme u urojmë trashëgimin, / Që lulja e bukurisë kurrë të mos vdesë,”
Nga leximi i vargut të parë dhe i vargut të dytë në gjuhën burimore dhe në gjuhën përkthimore, kapet ideja se ne dëshirojmë që njerëzit e përkryer si pamje dhe si shpirt të lindin fëmijë, me qëllim që bukuria e tyre e jashtme dhe e brendshme të përcillet brez pas brezi në rrjedhën e jetës.
Megjithatë, për emrin “increase”, barasvlerësi “trashëgimin” duhej të ishte vendosur në rasën dhanore të pashquar, në mënyrë që të ruhej kuptimi i tij përgjithësues, ose, në vend të tij, përkthyesi mund të kishte përdorur emrin “shtim”, duke u nisur nga urimi në shqipe “U shtofshi!”. Gjithashtu, për mbiemrin “fairest” në shkallën sipërore, duhej të ishte dhënë barasvlerësi “i përkryer”, kurse për emrin “creatures” në numrin shumës, duhej të ishte dhënë barasvlerësi “krijesa”, qoftë edhe për shkak të efekteve tingëllimore. Ndërkohë, përkthimi i emrit “rose” përmes barasvlerësit “lule”, dhe jo “trëndafil”, na duket i goditur, ngaqë ia shton fuqinë shprehëse aktit të ripërtëritjes, duke i dhënë atij vlera universale të pakufizuara.
Vargjet 3 dhe 4:
“But as the riper should by time decease, / His tender heir might bear his memory:”
“Por, kur me kohën ajo të vyshket, kujtimin / T’ia ruajë gjallë filizi që do të jesë:”
Nga leximi i vargut të tretë dhe i vargut të katërt në gjuhë burimore dhe në gjuhën përkthimore, kapet ideja se, sapo i moshuari të ndërrojë jetë, i riu, domethënë, pjella, duhet ta përjetësojë atë, duke e rimarrë si kujtim të mishëruar në pamje dhe në bëma.
Megjithëkëtë, në variantin shqip, bie ritmi poetik, si dhe zbehet thelbi i mesazhit qendror, sepse, për emrin “heir”, është dhënë barasvlerësi “filiz” në vend, ta zëmë, të “trashëgimtar”, për shprehjen foljore “might bear”, është dhënë barasvlerësi “t’ia ruajë gjallë” në vend, ta zëmë, të “të ruajë”, ndërkohë që shmanget përkthimit i mbiemrit “tender” përmes, të zëmë, barasvlerësit “hirplotë”, i cili ka rëndësi të posaçme kuptimore, sepse u referohet mbiemrit “fair” (“i përkryer”) dhe të emrit “beauty” (“bukuri”), përkatësisht në vargun e parë dhe në vargun e dytë.
Vargjet 5 dhe 6:
“But thou, contracted to thine own bright eyes / Feed’st thy light’s flame with self-substantial fuel,”
“Por ti, i tkurrur në sytë e tu të hijshëm, / Nga vetja flakën e dritës sate ushqen,”
Nga leximi i vargut të pestë dhe vargut të gjashtë në gjuhën burimore, kapet ideja se njeriu i dashuruar me bukurinë e vet shndërrohet në një të babëzitur që ushqehet me dritën e saj, duke mos e lënë këtë fundit të shpërndahet te të tjerët dhe të shijohet prej tyre.
Mirëpo, në variantin shqip, kjo gjë mezi kuptohet, sepse, për shprehjen “contracted to thine own bright eyes”, është dhënë barasvlerësi “i tkurrur në sytë e tu të hijshëm” në vend, ta zëmë, të “i ngujuar në sytë e tu të ndritshëm”, kurse, për shprehjen “with self-substantial fuel”, është dhënë barasvlerësi “nga vetja” në vend, ta zëmë, të “me zjarr krejt vetjak”.
Vargjet 7 dhe 8:
“Making a famine where abundance lies / Thy self thy foe, to thy sweet self too cruel:”
“Duke i shtënë zinë një kopshti të begatshëm, / Armik i vetes, veten sa mizorisht po e bren.”
Nga leximi i vargut të shtatë dhe i vargut të tetë në gjuhën burimore, kapet ideja se, duke i mohuar botës bukurinë, i cila i mjafton dhe i tepron për atë dhe për veten, njeriu bëhet armik i vetvetes; madje, duke mos lindur fëmijë për mbartjen e kujtimit vetjak, ai tregohet tejet çnjerëzor me unin e tij të ëmbël, të cilin e dashuron përtej çdo mase.
Edhe në këtë rast, duke gjetur barasvlerës të pagoditur si “një kopshti të begatshëm” për “where abundance lies”, në vend, ta zëmë, të “ku mbretëron begatia”, ose “vehten sa mizorshëm po e bren” për “to thy sweet self too cruel”, në vend, ta zëmë, të “i lig sa s’ka me veten e ëmbël”, përthyesi nuk arrin të sjellë me besnikëri te lexuesi përkthimor thelbin e mendimit poetik të synuar në zanafillë.
Vargjet 9 dhe 10:
“Thou that art now the world’s fresh ornament / And only herald to the gaudy spring,”
“Ti, që sot je stolia e kësaj bote / Dhe i vetmi borizan, që ka pranvera,”
Nga leximi i vargut të nëntë dhe i vargut të dhjetë në gjuhën burimore dhe në gjuhën përkthimore, kapet ideja se njeriu, duke qenë në një çast të caktuar, gjithsesi të përkohshëm, bukuria e kësaj bote, mishëron kësisoj lajmëtarin e pranverës hirplotë.
Mendojmë, se, për të ruajtur fuqinë shprehëse të origjinalit, përkthyesi, në vend të barasvlerësit “stolia e kësaj bote” për “world’s fresh ornament”, mund të kishte përdorur “stolia e njomë e kësaj bote”, kurse, në vend të barasvlerësit “borizan” për “herald”, duhej të kishte përdorur “lajmëtar”, si dhe nuk duhej të kishte shmangur përkthimin e mbiemrit “gaudy” përmes barasvlerësit “e hijshme”.
Vargjet 11 dhe 12:
“Within thine own bud buriest thy content / And, tender churl, mak’st waste in niggarding:”
“Ç’e ndrydh gjithë atë gaz te gonxhja jote, / Dhe kështu e hedh dëm duke e kursyer ngaherë.”
Nga leximi i vargut të njëmbëdhjetë dhe i vargut të dymbëdhjetë në gjuhën burimore dhe në gjuhën përkthimore, kapet ideja se njeriu, duke e groposur bukurinë në pusin pa fund të unit të vetëkënaqur, e vret atë përfundimisht përmes egoizmit të shfrenuar.
Megjithëkëtë, në shqipe ky kuptim paraqitet i vagët, sepse, për “buries”, është dhënë barasvlerësi “ndrydh” në vend, ta zëmë, të “varros”, për “bud”, është dhënë barasvlerësi “gonxhe” në vend, ta zëmë, të “syth”, për “content”, është dhënë barasvlerësi “gjithë atë gaz” në vend, ta zëmë, të “thelb”, për “makes waste”, është dhënë barasvlerësi “hedh dëm” në vend, të zëmë, të “çoi dëm”, për “in niggarding”, është dhënë barasvlerësi “duke e kursyer ngaherë” në vend, ta zëmë, të “me koprraci”, ndërkohë që është shmangur përkthimi i “tender churl” si, ta zëmë, “ti kurnac i dhimbsur”.
Vargjet 13 dhe 14:
“Pity the world, or else this glutton be / To eat the world’s due, by the grave and thee.”
“Ki keq për botën, ndryshe ti gllabëron / Tagrin e saj, në jetë e në varr ku e çon.”
Nga leximi i vargut të trembëdhjetë dhe vargut të katërmbëdhjetë në gjuhën burimore dhe në gjuhën përkthimore, kapet ideja se njeriu, në mos nga dashuria dhe detyrimi për botën, të paktën nga keqardhja për të, duhet të lindë fëmijë, përndryshe ai do të mbetet një tahmaqar i mjerë, që e merr me vete bukurinë dhe tretet bashkë me të në thellësitë e tokës.
Edhe në këtë rast fuqia shprehëse e këtyre dy vargjeve përmbyllëse përcillet në shqipe me nota të dobëta, sepse, për “this glutton be”, është dhënë barasvlerësi “ti gllabëron” në vend, ta zëmë, të “kurrë mos u ngopsh”, kurse për vargun “to eat the world’s due, by the grave and thee”, është dhënë barasvlerësi “tagrin e saj, në jetë e në varr ku e çon” në vend, ta zëmë, të “ti dhe varri e ngrënshi hakun e kësaj bote”.
Fundi i pjeses se pare…