PREND DOÇI, RILINDËSI I MADH PA PIEDESTAL

PREND DOÇI, RILINDËSI I MADH PA PIEDESTAL

(Kujtesë në 100-vjetorin e Pavarësisë)

 

NDUE DEDAJ

 

Shumë figura kombëtare kanë nisur të ridimensionohen në këtë periudhë, por na duket se ende kjo nuk ka ndodhur me Prend Doçin, një nga rilindësit tanë të spikatur. Problemi është si në të gjitha rastet e tjera kur vihet re ngadalësi, apo më keq harresë, për t’i vënë në piedestal ata që i ka ndaluar gjer tash konteksti ideologjik shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Por ka ardhur viti i njëqindtë i Pavarësisë dhe vetëdija jonë është kthyer atje, tek themelet dhe themeltarët e shtetit shqiptar. Kohë më parë në një mjedis intelektual në Tiranë po flitej pikërisht për figurën e Imzot Doçit, në 95-vjetorin e vdekjes së tij. Por dhe në Shkodër e Mirditë ndodhte e njëjta gjë me të tjerë njerëz të kulturës e mediave. Teksa dhe në shtyp ishte botuar ndonjë shkrim historik që pasqyronte rolin e Abat Doçit dhe të disa rilindësve të tjerë të mëdhenj për Pavarësinë, si Ndoc Nikaj, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi, Dom Nikollë Kaçorri etj. Vëmendja e këtyre rretheve intelektuale, si në një forum në distancë, ishte përqëndruar më shumë tek Doçi, mbase si më i pavlerësuari ndër rilindasit e tjerë, më e pakta, pa një monument ndokund në dheun e tij. (Duke qenë ndër poetët nismëtarë të Rilindes, ai pati shkruar dhe vjershën atdhetare “Dheu em”.) Doemos që bashkësia kulturore shqiptare ka përgjegjësi, kur një figurë kombëtare e këtij kalibri, poeti tribun i “Nji kushtrim shqiptarëve”, është ende pa piedestalin e merituar. Po a mundet që një kolos i tillë, kreu i shoqërisë së mirënjohur letrare e gjuhësore “Bashkimi” në Shkodër (1899) të mbetet sërish “minor” dhe në njëqindvjetorin e Pavarësisë?

A e dinë shqiptarët historinë e tij të pazakontë, nëpër kontinente, vetëm e vetëm për t’iu gjetur një ditë dheut të vet? Ai është misionari pelegrin i pashoq, që më shumë se misioni fetar, fati prej shqipëridashësi të pashembullt, e bëri të shkelë në tre kontinente në shekullin e 19-të, Europë, Amerikë e Azi, për të ardhur me më në fund me 1888 e për t’u përkushtuar kombit të tij. Ai ishte rilindës me plot kuptimin e fjalës, që rilindjen e dheut të vet e kishte jo vetëm ideal, por dhe aksion politik, ani se i veshur me rroben priftërore të rangut ipeshkvnor. Ai ishte në relacione me arbëreshët e shquar Dhimtër Kamarda e De Rada apo Dora D’Istrian e të tjerë njerëz të shquar të letërsisë, kulturës e diplomacisë së kohës. Imzot Doçi shihej si mjaft i rrezikshëm nga perandoria osmane, prandaj dërgohet gjer në Alaska, në një nga qoshet më të largëta të botës, si në një tribu, për t’i shërbyer kishës katolike atje. Ishte padyshim presioni i Stambollit që ky shqiptar me veladon të mbahej sa më larg tokës së tij amëtare, ku kishte qenë zënë rob gjatë një kryengritjeje antiosmane të mirditasve në vitin 1876. Por perandoria nuk e kishte parashikuar energjinë e pashoqe të tij, i cili në shërbesën ndaj atdheut mund të hynte vetëm përmes altarit të kishës shenjte. Vetëm kur premtoi se nuk do të merrej me politikë, u lejua që të merrte drejtimin e Abacisë së Oroshit, që e gjeti me dy famulli dhe shumë shpejt e bëri me 16 të tilla, duke ringjallur abacinë e fundit të shqiptarëve, sa dimë e fundit dhe në krejt Ballkanin. Sipas studiuesve, jashtë vendit ai kishte mësuar funksionin e shoqërisë së organizuar, si kombëtarsi dhe jo më si traditë fisnore, ku përvoja amerikane do të linte gjurmë në formimin e Imzot Doçit, pasi atje ai pati rastin të njihte shtetin e së drejtës, rolin e kulturës në ndërgjegjësimin e popullit drejt lëvizjeve për liri etj. Këtu qëndron dhe thelbi i formimit dhe vizionit të tij kombëtar. Abati, sipas Ndoc Nikajt, ishte “ma i madhi kombëtar i maleve tona.” Por atij i duhej një “pedanë” për t’u hedhur lart e për t’u shtrirë në trevat e tjera, dhe më e përshtatshmja asokohe ishte Mirdita me përpjekjet e saj për autonomi nga Porta e Lartë, si dhe Princi i saj historik, Preng Bibë Doda, i njohur në mënyrë të dyfishtë, si nga shteti turk, si nga Vatikani, ku pas tij nuk pati më një të atillë, një figurë komplekse që meriton vëmendjen e historiografisë moderne.

Meritimet e Prend Doçit në disa lëmenj ende nuk njihen e përmenden as pas një shekulli. Për paradoks, ai ka mbetur sërish si atëherë, në kohën e tij, kur Shahin Kolonja e cilësonte “shumë i përmendur, por pak i njohur.” Ai ishte njëri nga organizuesit e mbledhjes së fshehtë antiqeveritare të vitit 1893 në famullinë e Shkrelit (Malësia e Madhe), që synonte formimin e i një lidhjeje kombëtare. Për të mos u zbuluar prej qeverisë otomane, drejtuesit e saj e shpallen si një lëvizje që kishte të bënte thjesht “me të shkruemit në giuhen shqype”. Në atë mbledhje, Nikaj dhe Doçi ishin zotuar se do të merreshin me afrimin e shqiptarëve të dy besimeve: katolikë dhe myslimanë, që ishte ndihmesa më e madhe për përgatitjen e kryengritjeve antiosmane, deri në shpalljen e pavarësisë, si dy ndër kalorësit më të zellshëm të saj. Ata të dy dhe të tjerë atdhetarë shpallen pragramin kulturor kombëtar në punët e diturisë, duke krijuar për këtë qëllim shoqërinë “Bashkimi”, kryetar i së cilës qe Doçi, duke marrë nismën e pazakontë të botimit të një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në gjuhën shqipe, rreth 30 tituj, fjalorit shqip-italisht me 1908 etj. Ai ishte në bashkëveprim të frytshëm me Gjergj Fishtën dhe të tjerë personalitete të ardhshme, që bekimin në misionin kulturor kombëtar e morën prej tij, si në rastin e kurorëzimit të alfabetit të gjuhës shqipe etj. Tri ishin përmasat e veprës së Doçit: punët e diturisë, diplomacia dhe organizimi politik-luftarak i shqiptarëve. Edhe pse i përmbahej formalisht paktit për të mos u marrë me politikë, ai nuk do të mund ta mishëronte veprën e tij atdhetare pa këtë, përderisa misioni i tij madhor ishte bashkimi politik i shqiptarëve. Për këtë qëllim Imzot Doçi pati letërkëmbim të hershëm me Ismail Qemalin, kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, diplomatë perëndimorë etj. Por deri tani duket se asgjë nga këto nuk ka mjaftuar që ai të vihet në piedestalin e nderit.

Doçit, në të kaluarën, i njihej vetëm meritëza si poet “minor” i Rilindjes, ani se me gjysmë zëri dhe ajo, duke u kujdesur për t’i vënë fill në dukje mëkatet politike. Pas 90-ës iu njoh dhe merita e të qenit Abat, meqë tashmë ishte feja lejuar. Por nuk i është njohur ende merita si burrë shteti, përmasë pa të cilën ai nuk mund të kuptohet dhe që në njëfarë mënyrë i kushtëzoi gjithë jetën e tij. Pra, roli si ideolog kombëtar, shtetformues e diplomat; prijës kulturor nismash arsimore, gjuhësore, botuese dhe ideator kuvendesh e kryengritjesh rajonale me rezonancë kombëtare etj. Në fillim të viteve ’90 iu dha një dekoratë nga Presidenti i Republikës. Sheshit të Rrëshenit iu dha emri i tij. U botua dhe një monografi kushtuar tij. Por sigurisht që këto ishin të pamjaftueshme për një figurë si ai që nuk mund të “rrudhej” vetëm në Mirditë, pasi sa ç’ishte Abat i saj për 30 vjet, aq ishte dhe një prej njerëzve më të fuqishëm të elitës së Shkodrës e më gjerë. Ai konsiderohej “burrë shteti” dhe nga diplomacia austro-hungareze e kohës. Një figurë unike, shumëplanshe, e papërsëritshme e Pavarësisë, që me 1912 shihet në fotografi, në kalanë e Shkodrës, duke valëvitur me madhështi flamurin e Skënderbeut, që sapo ishte ngritur në Vlorë nga Ismail Qemali. Është, më në fund, rasti për t’i vënë në panteon figura të tilla historike, vërtet të parefuzuara me “dekret”, por dhe të padekretuara shtetërisht e kombëtarisht.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *