Një letërkëmbim i panjohur i viteve ’50 mes shkrimtarit dhe bashkëpunëtorit të tij, Karl Gurakuqi.
Figura e politikanit Ernest Koliqi, ministrit të qeverisë fashiste, ka penguar për gati 50 vjet të dëgjohet zëri i shkrimtarit Ernest Koliqi, bashkëthemeluesit të letërsisë moderne shqipe. Biblioteka shqiptare u varfërua prej mungesës sistematike të veprës së tij letrare dhe kulturologjike, vendin e veprës e zuri përkufizimi politik, zërin individual të Koliqit e zëvendësoi heshtja. Njëzet vitet e fundit, falë nostalgjisë së shkrimit, “mallit të shtampës”, në thurjen e përjetshme shqiptare mes misionit dhe pasionit, zëri i shkrimtarit e mjegulloi politikanin, autori autoritetin.
Më 20 maj mbushen 110 vjet nga lindja e Ernest Koliqit, shkrimtar e politikan shqiptar. Ndonëse ngjan si kohë e mjaftueshme për të njohur gjithçka rreth veprës dhe personalitetit të një autori, prej krijimtarisë së Koliqit shpërfaqet edhe një herë diçka e re e ruajtur jo rastësisht në heshtjen e një arkivi, të arkivit të Karl Gurakuqit, kultura klasike epistolare e të cilit shpëtoi disa nga dokumentet që i japin dritë periudhës së Koliqit në mërgim. Mrekullia e këtij arkivi na grish të përfytyrojmë arkivin e vetë Koliqit për të cilin dihet ende shumë pak. Prej informatave që na vijnë nga shkrime të tjera, presim të gjejmë aty dorëshkrimin e një historie të letërsisë shqipe, ndoshta një kopje të fjalorit të gjuhës shqipe të Mustafa Krujës, të depozituar edhe në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, trashëgimtar “me emën të ndrrue natën” i Institutit të Studimeve Shqiptare themeluar prej Koliqit, madje edhe përgjigjen e Karl Gurakuqit për letrat që sot po botojmë.
Letrat e mëposhtme janë letra personale që Koliqi i dërgon mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të përhershëm, Karl Gurakuqi, letra të mikut për mikun, letra të sinqerta e të mbushura herë me mllef e herë me vlerësime. Në filtrin subjektiv të Koliqit në dhjetëvjeçarin e parë të largimit të tij nga Shqipëria kalojnë në revistë e gjykohen ngjarje, marrëdhënie, konflikte, personazhe e personalitete të jetës politike e kulturore shqiptare. Në këndvështrimin e tij vijnë pushtimi fashist, marrëdhënia dhe reflektimi personal për të, zhvillimet politike të diasporës shqiptare në Itali, grupimet dhe kundërshtitë, aksioni diversionist brenda Shqipërisë komuniste, Kosova ose “Shqipnia e madhe” konceptuar që në zanafillë si “precedent në histori të Ballkanit” etj. Në letrat që po botojmë këtu, na vjen zëri i drejtpërdrejtë i Koliqit pa ndërmjetësimin e veprës letrare, pa ndërmjetësimin e kritikës dhe sidomos pa ndërmjetësinë e interpretuesve të historisë. Ky është zëri intim i tij, zëri që dëshmon vetveten. Leximi ynë i sotëm i mbivendoset në një distancë gjysmëshekullore leximit afektiv të mikut Karl Gurakuqi, të të birit, Gilbertit, të pasardhësit Romeo Gurakuqi, që me dashuri e respekt për rrëfimin epistolar dhe autorin e tyre i ruajtën me përkushtim dhe i shndërruan këto letra në një trashëgimi historike.
Pensione Flora
Asiago (Provinca Vicenza)
18-VII-1952
I dashur Karl,
S’ka tri dit qi erdha këtu me familje. Jam si gjymsë i ftuem prej Lodo Pistullit, kushrinit t’em, qi banon në nji qytet afër: në Bassano del Grappa. Vend i freskët Asiago, rrethue me male plot halë. Erë rrëshine ndiehet n’ajr e mushkënit zgjanohen. I solla fëmijt këtu m’u prinë në shëndet e shpresoj se nji muej ndejë në kët rrafshnaltë do t’u bâjë mirë. Ka 20-ta e gushtit do të kthëthej në Romë.
Edhe un kishem nevojë për pushim në qetësi e në bjeshkë. Jeta plot kuçkarike e Romës më ka lodhë. Kundërshtarët s’po na lanë m’u marrë me punë t’onë, por na perzihen gjithkund. Nuk u mjaftojnë rrogat e majme në dollarë, apartamentat luksoza qi s’i kanë pa as n’ândër, mikeshat të cilave u bajnë sevda e u blejnë gjoje në vend qi me ndihmue vllazënt në skam, por na versulen me terbim a thue se u kemi nxânë dritën e diellit. E pave numrin e fundit të Flamurit? Kapidanin, Kolë Bibën, Cordinianon e shkretë, t’an e dekun t’Ismailit, mue na sulmojnë poshtërsisht. I shpallin botës se jem qenë fashista! Po kush e ka mohue? Qellimi asht tjetërkund: me i a mbushë menden të huejvet të fuqishëm se 7 prilli asht nji krim i kryem nga Gjon, nji Kolë, nji Ernest: nga katolikët. Përmendin Shefqet Verlacin pse i biri bashkëpunon me ne. Mos të qindronte me ne, do t’a zgjidhshin edhe ate fajesh si Mustafa Kruen qi i u perul Zogut, Hasan Dostin pse u nëshkrue në Ball, si njiqind të tjerë qi u kërtylen në të mira në kohën e Italis dhe sot i biejnë mohit. Përpiqen kopilin e trathtis me na e lanë në derë të katolicizmit. E përkrahsa në kët shtrembënim të historis kanë mjerisht edhe do priftën katolikë kryekcyem. Druen se heroizmi i krahinave katolike, në kohën më të mënersheme qi kaloi vendi ynë, mos të miret se er parasysh nga të huejët. Atëherë përpiqen me hjedhë baltë mbi prisat e atynë krahinave, Kapidanin e Mirditës dhe Kol Binën, qi e kanë fitue me gjak të njerzvet të tyne të drejtën me qenë në prijsi të çdo veprimtaris kombtare. Nuk lëvizë ma ndër shkodranë ai dell krenar qi e ndriti emnin e qytetit t’onë dikur. Përndryshej do t’u çonte dikush me protestue. Kishte m’u lypun qi Kapidanit e Kolë Bibës, çdo Shkodran e Shqiptar i ndershëm t’i shkruejshin, tue stigmatizue veprën ç’njerëzore të Ballit e tue pohue energjikisht qi kush prekë ata prisa prekë në nderë të maleve, përbuzë flijen e qindra fatosave antikomunistë, mohon burrnin e fisnikërin e rracës s’onë, qi ata me plot të drejtë simbolizojnë e përfaqësojnë.
Po atyre horave së……. nuk do t’u ecin gjithmonë kungulli mbi uj. Kjo veper e fundme në vetvete, tregon ligështin se pozitave të tynë pranë të Huejvet qi i mbështesin. Këtyne (të huejvet-shënim i redaksisë); kanë nevojë me iu kujtue se na jem qene kundërshtarët e demokracis. Shifet se ballistat agrarë janë në dijeni se Blokut (Bllokut Kombëtar Indipendent-shënim i redaksisë) po i naltohen akcjonet. Sidoqoftë, telegramet dergue Musolinit janë qene me qindra e jo vetëm tre. Ai i Kapidanit, mbasandej, dihet se asht falsifikue prej Giro-s. Kapidani n’Asemble, qi u mblodh me 12 prill 1939, qe i vetmi qi me guxim i qortoi Italjanët për fjalë të hangme. Tha, mjesa të gjithë prisnim heshteshin, se fjalët ishin qenë me zevendësue Zogun me nji Princ të Shtëpis Savoja. Po të kishte nënshkrue Kapidani në kallnduer 1939 kërkesën për Viktor Emmanuelin në fron të Shqipnis, si mujte në prill me përmendë premtimin e nji Princi? Në kallnduer 1939, Duçeja nuk e kishte çpikë ende formulen e bashkimit të kunoravve!
Telegrami i em asht autentik, por i drejtuem Duçes me 13 prill, mbas zbarkimit të trupave italjane (7 prill), mbas vendimit t’Asamblesë me i ofrue kunoren e Skanderbeut Mbretit të Italis (12 prill). Prandaj un konfirmohem në gjendje të krijueme, s’kërkoi as ndrrime as ndërhymje. Telegrame si i emi janë nisun me mija nga Shqipnija: prej çdo Bashkije e prej çdo njeriu në nji funkcjon pak si të lartë.
Ata qi shkruejnë kundra nesh, të gjithë kanë veshë divizën fashiste dhe i kanë shërbye regjimit, sot të shamë, deri në ditën e tij të fundit. Asnjani nuk dha dorhjekje. Patriotizmi i tyne filloi kur në Stalingrad Hitleri ngeli. Deri n’at ditë, na u lëvyrshin e na brohoritshin.
Ti e din mirfilli se na këta i kemi pasun në dorë me i asgjansue; përkundrazi u kemi ba nderna, i kemi gradue, ndihmue me bursa e me shpërblime të jashtëzakonshme. Shifi, tashti si siellen me ne! Mbahen si fituesa të luftës, ndersa Enveri po e shqynë kombin t’onë, Enveri qi e muer fuqin me ndihmën e këtynë patriotave të mëdhenj! Na, s’paku, bame Shqipnin e Madhe: ngjati pak vjet, po ai fakt i madhnueshëm do të jesi si preçëdent në histori të Ballkanit. Ata shka bane? U kruhet fundi i shpinës në deshir të nji kulltuku. Plasen m’u ulë në nji shkamb sundimi. Kalojnë mbi kufomen e t’et për me arrijtë në nji post ministri!
Po me P. Cordignano-n e shkrete, tash qi ka dekë e hy në dhe, ç’kanë? Ajo punë, q’i ndjeri bani, u harrue. Pse m’ngjallë? Nji artikull, qoftë edhe i pavend, nuk mund të rrzojë vlerën e sa e sa vëllimeve të çmueshme qi pasunojnë studimet albanologjike dhe zdrisin thesarin e kultures shqiptare. Le qi s’kanë ndiesi në zemër, as për të gjallë as për të dekun, pra nuk u kanë mbetë dy fije tru në kaptinë: të tillë shkrime na ulin para të huejvet dhe lanë gjurmë të damshme në shpirtnat të Shqyptarvet. Ty si të duken këto punë?
Nderime Hannit. Te fala Gilbertit dhe djelmvet aty.
Ty të përqafoj
Ernesti