Ernest Koliqi, në 110-vjetorin e lindjes së tij, tregoi dhe njëherë se është një personalitet që duhet ridimensionuar. Nëse ka patur e ka qendrime të ndryshme përsa i përket rolit të tij politik, askush s’e vë në dyshim se kemi të bëjmë me një nga lëvruesit e parë të prozës moderne shqiptare. Por ai është dhe autor, editor e botues i rrallë visaresh kulturore shqiptare, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, çka ende nuk është thënë siç e meriton.
Shqiptarët kanë patur shpesh herë ngjarje kulturore, përsa i përket shtypit të botuar në ngulimet e tyre jashtë, apo në diasporë, qysh në shekullin XIX, nga “Flamuri i Arbërit” i De Radës te “Albania” e Faik Konicës etj. Kjo e fundit, si revistë politiko-kulturore-letrare, që doli fillimisht në Bruksel dhe më pas në Londër (1897-1909), siç është thënë, u bë organi më i rëndësishëm i Rilindjes, që propogandoi programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, por qe dhe një enciklopedi e vërtetë mbi historinë dhe kulturën e popullit tone, e botuar në gjuhën shqipe, frënge e pjesërisht atë turke. Po ashtu dhe mozaiku i gazetave e revistave të para shqipe që u botuan nga rilindësit në Bukuresht, Sofje, Stamboll etj. Gazeta “Dielli” e Bostonit që erdhi më pas e që vazhdon të botohet prej 104 vitesh do të ishte një flakadan i pashuar për breza të tërë shqiptarësh në Amerikë, që siç dihet pati si pararendëse gazetën “Kombi” të Sotir Pecit. Nuk është e rastit që tribunat e para shqipe mediatike ishin dhe në italisht, frëngjisht, anglisht etj. Por nuk është fjala për një histori shtypi në këto pak radhë. As për të thënë se e meritojnë nga një medalje të gjithë ata korifenj të kulturës sonë, që me anë të penës e krijuan atdheun e munguar atje ku ishin, pasi për këtë me siguri ka njerëz që mendojnë në shtetin shqiptar. Çështja është sa ne e kemi bërë pjesë tonën atë çka u publikua jashtë vendit për njëqind vjet, si në “Buletini Katolik” i Gjon Sinishtës, “Shejzat” e Ernest Koliqit etj. Nga ana tjetër, sa njihen e vlerësohen sot botimet shqiptare jashtë, që bëhen me shumë pasion e përpjekje, si gazeta “Illyria” që del prej më se njëzet vjetësh në Nju Jork, revista “Kuvendi” në Detroit etj.
Për herë të parë nën një okelio qeveritare u vunë në dukje përmasat e personalitetit letrar, kulturor të Ernest Koliqit, por ai mbase meriton një konferencë më vete vetëm për “Shejzat”, revistën që krijoi në Romë pas Luftës së Dytë Botërore, nga 1957-a deri me 1978-n, rreth së cilës për 18 vjet u tubua elita krijuese, studimore jashtë vendit, e cila ishte përjashtuar nga regjimi komunist. Ajo do të vazhdonte hullinë e traditës së pandërruar, duke i thelluar dijet dhe studimet shqiptare, pa fillin ideologjik marksist-leninist. Kemi falë kësaj nisme të shquar të Koliqit dy paralele kulturore albanologjike, njëra zyrtare e ideologjizuar brenda Shqipërisë, dhe tjetra autentike, kombëtare jashtë saj, kryesuar tashmë nga shqiptarët, por në bashkëveprim me albanologët e huaj. Koliqi zgjodhi Martin Camajn për kryeredaktor të së përkohshmes “Shejzat”, që ndonjëherë e quan “familje”, kurse doktorimin e tij në albanologji në Universitetin e Mynihut e cilëson “një darsëm intelektuale”. Kjo ishte fryma e përçimit kulturor dhe sqima e kësaj reviste zëmadhe. “Shejzat” ishte një revistë me karakter kulturor, shoqëror dhe artistik që u themelua mbi “vetëdijen historike” të shqiptarëve dhe për të. Vetë Koliqit (shpesh shkruan dhe me pseudonimin “Hilushi”) i pëlqente të merrej me “shkoqitje e pleqnime” mbi botën arbnore, në humusin e së cilës ai depërtoi si rrallëskush ndër autorët shqiptarë. Kushdo që e ka shfletuar këtë revistë sheh klasin e saj, lëndën e mbarështruar nga të gjithë “lamijet kulturorë”, kalibrin e bashkëpunëtorëve, si Giuseppe Valentini, Karl Gurakuqi, Martin Camaj, Luigj Marlekaj, Gerhard Grimm, Zef Skiroi, Georg Stadmuler, Vasil Alarupi, Anton Logoreci, Zef Vorf Nekaj, Peter Bartl etj.
Por hullia e fjalës shqipe ndër shqiptarët jashtë nuk pushon. Rrethanat kanë qenë ato që e kanë kushtëzuar shtypin shqiptar atje dhe në kohë të vona. Shkrimtari Pjetër Jaku, autor i tre librave poetik, dy romaneve, disa librave publicistik e studimor, botues i revistës së përmuajshme informative dhe kulturore “Kuvendi”, e cila del në Detroit që nga muaj maj i vitit 2001, është një veprimtar i pashoq i komunitetit shqiptar të Michiganit. Njerëz të tillë sikur kanë lindur për të mos pushuar asnjëherë përsa i përket kontributit të tyre në lëmë të kulturës. Në vitin 1994 Pjetri pati krijuar shoqërinë botuese “Kuvendi” në qytetin e Lezhës, pjesë e së cilës ishte dhe revista me të njëjtin emër, e ideuar e frymëzuar nga kuvendet shqiptare në shekuj, veçanërisht nga Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës 1444; i cili kur emigroi në Amerikë e mbarti me vete me një mijë mundime “Kuvendin” e tij të Lezhës, për ta bërë atje ku do të ngulej “kuvendin” letrar dhe social-kulturor të komunitetit shqiptar në Detroit e më gjërë. Në pak kohë revista bëri bashkë elitën intelektuale shqiptare në kontinentin e largët duke u bërë një zë i saj. Mund të duket e habitshme që në kohë kaq të vona të jetë i nevojshëm një organ mediatik, për më tepër në një vend si Amerika, ku shqiptarët e kanë gjetur me kohë veten, por mbase pikërisht në kohë të tilla moderne, sipërmarrje kësodore janë më të nevojshme se kurrë. Edhe pse tashmë rrjetet sociale janë bërë gazetëza e revista më vete dhe shtypi online është një realitet i ri i jashtëzakonshëm komunkimi. Teksa revista “Kuvendi” ka krijuar fondin dhe arkivin e saj, ti mendon: a do të mund të gjendej guximi për punë të tilla, nëse nuk do të ishte modeli kulturor i Koliqit me “Shejzat”?
Por ndoshta ky model nuk është funksionues vetëm për botimet jashtë, por dhe për ato në Shqipëri. Në pamje të parë duket se shtypi është përqendruar i tëri në Tiranë dhe se në rrethe nuk ke se ç’kërkon e se ç’pret. Por nuk është kështu. Mjafton të kujtosh revistën “Hylli i Dritës” që pas 90-ës pati dalë pak kohë në Shkodër dhe disa revista të tjera që dalin në këtë qytet në vazhdimësi, si “Kumbona e së Diellës”, gazetën “Koha Jonë” që u botua për së pari në Lezhë, gazetën rajonale “Java” në Jug, gazetën lokale “Mirdita” në Rrëshen etj. Në këtë panoramë shtypi “province” meriton një vëmendje revista “Emathia”, që del prej gjashtë vitesh në Burrel, e që ka tërhequr metropolin atje. Në vitet ’60 nëpër katundet e Matit vente e vinte gjithë kohën një studiues i pasionuar vendës, Dilaver Kurti, që gërmonte, skedonte, përshkruante çdo gjë të vjetër arkeologjike, etnografike, muzeore nga treva e tij. Nisur dhe nga ky model i “brendshëm” i spikatur, punëtorët e kulturës, krijuesit dhe studiuesit e Matit zunë të botonin revistën e tyre kulturore, që e marrim vazhdimisht falë mirësisë së botuesit të saj, Artan Kurti, që është i biri i studiuesit të dikurshëm që sapo e zumë në gojë, që nuk rron më. “Emathia” është tribuna matjane e historisë pa paragjykim, shpalimit të traditave etno-kulturore, letërsisë dhe arteve, ku janë bashkë akademikët nga Tirana që kanë dalë nga ky rreth me letrarët e talentuar të gjimnazit të Burrelit. Ruajtja dhe rikultivimi i vlerave të trashëgimisë së trevës nga bjerrjet e “globalizmit” është ajo çka ky botim periodik mëton të kryejë. Kjo e përbashkon në njëfarë mënyre me “Shejzat” e të tjera edicione të ngjashme.
***
Kështu ndodh kur shtypi nuk jep vetëm lajme, por përben dhe vetë lajm. Si në Shqipëri, ashtu dhe në disporë. “Illyria” është gazeta shqiptare amerikane që del dy herë në javë në Nju Jork me 40 faqe dhe shpërndahet në gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo numrin e 28 Nëntorit 2012 doli me 200 faqe duke vendosur një rekord në historinë e shtypit shqiptar. E meriton një falënderim mbarëshqiptar për këtë, e ndoshta dhe ndonjë dekoratë nga Shqipëria e Kosova.
Nuk rreshtin, pra, as sot e kësaj dite “Shejzat” e Koliqit, siç nuk rresht “Albania” e Konicës së ardhuri drejt nesh.