Sado e vogël të ishe, nuk mund të mos përjetoje pushkatimet që të detyronin të shihje në oborret e shkollës në Kavajë. Na nxirrnin jashtë për t’i parë, sado që përpiqeshim të mbyllnim sytë. Ndoshta shërbenin si shembuj, se një ditë të gjithë mund të kishim të njëjtin fat.Megjithatë, ju arritët t’i tejkaloni të gjitha sepse mundët të ndiqnit ëndrrën tuaj, të shkolloheni… Përveç se dëshirë e imja, kjo ishte një edukatë me të cilën na kishte ushqyer babai. Ishte brenda meje dhe do bëja gjithçka për ta arritur. Megjithatë, po të vijoja të jetoja në Lushnjë, nuk do arrija të shkoja përtej shkollës 8-vjeçare. Njerëzit e mamasë më morën në shtëpinë e tyre në Shkodër, kështu që munda të vazhdoj edhe gjimnazin. Por edhe pas kësaj kohe u ktheva në Kavajë, ku më duhej të flija sërish në një shtrat me disa njerëz. Punova në bujqësi, u përpoqa duke takuar Ramiz Alinë për t’i kërkuar shkollë, por pa i thënë se kush jam, sado që babai më tha se disa ndere ia kemi bërë, duhet t’i kishe thënë kush ishe. Pas vdekjes së tim ati shkova në Lezhë, ku për fat kishin nevojë për arsimtare. Në këtë kohë nisi një dashuri e re për nxënësit, dashuri e cila më shoqëroi gjithnjë. Bashkë me mësimdhënien nisa edhe plotësimin e dokumenteve për të ndjekur Fakultetin e Shkencave Natyrore për Biologji-Kimi, meqenëse në këtë degë kishte nevoja rrethi. U përqendrova vetëm në këto dy gjëra të reja të jetës sime dhe arrita t’ia dal më së miri. Studioja deri në agim, flija pak orë, e në mëngjes merresha me nxënësit, me ngritjen e laboratorëve, me edukimin e tyre dhe të vetes, derisa arrita të përfundoj studimet.Nuk është pak për “njollën” që kishit… Nuk është pak vërtet, por nuk ishte as e lehtë për ta arritur. I gjithë përkushtimi në studime më mori edhe kënaqësinë e krijimit të një familjeje, të cilën e realizova në moshë të vonë, kështu që pati gjithsesi kosto. Megjithatë, edhe me arritjet që pata, nuk munda të vazhdoj punën time pa u prekur. Në kohë të ndryshme mund të prekeshe nga lufta e klasave dhe në fakt më ndodhi një herë në ’67-n e mandej në ’75-n. Në këtë rast të dytë isha e para që u hoqa nga puna për të mos u rikthyer më deri në vitet e demokracisë. Për mua aty mbaroi gjithçka deri në rifillimin e jetës së lirë.Hajrie Mulleti: Nga komedia te skleroza e vdekja në kampet e Tepelenës
Krahas Qazim Mulletit, një emër tjetër real që prekej në komedinë “Prefekti”, ishte edhe ai i së shoqes, Hajries, e cila në gjithë vitet që njerëzit gajaseshin me dialektin a veprimtaritë e të shoqit, hante groshë me krimba në kampin e Tepelenës. Por cila ishte në të vërtetë kjo grua, përtej stereotipave të krijuar të komedisë? Martesa dhe lumturia e shkurtër Hajrie Mulleti ishte e lindur në Tiranë në një nga ato familjet po aq të vjetra e po me aq tradita sa të të shoqit. Pas fejesës me Qazim Mulletin, u martua me të në Vjenë më 1929. Meqenëse i shoqi ishte emigrant politik, Hajries iu desh ta rriste të birin e vetme në Shqipëri, duke shpresuar gjithnjë në mundësinë e një ribashkimi me të shoqin. Dhe në fakt ajo ditë erdhi pas nëntë vitesh, edhe pse zgjati fare pak. Ju duk gati si një rilindje, por gëzimi u pre shpejt në mes. Diktatura ishte pas dere, i shoqi, pas drejtimit të Bashkisë së Tiranës, për të shpëtuar veten, duhet të kthehej sërish nga kishte ardhur. Grabitja e pronave dhe internimi E nxorën me forcë nga shtëpia dhe iu grabit çdo gjë, përfshi dhe dhuratat që kishte marrë nga prindërit e saj. E internojnë bashkë me të birin, Reshitin 15-vjeçar, në kampin e Tepelenës më shumë bashkëvuajtës të tjerë. Flinin në kazermë bashkë me 200 veta të tjerë pa dallim moshe a seksi. S’kishin dritë, as ngrohje. Ushqimi ishte vetëm një copë bukë e zezë. Por për shkak të të birit duhej përballuar gjithçka. Duhet të duronte edhe dhimbjet e shpinës prej ngarkesës së druve që i vinin të transportonte, në vend të karrocës, për familjet e oficerëve. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Bashkë me të, ishin edhe motrat e vëllezërit e saj. Njëri u pushkatua i pari për shkak të bindjeve antikomuniste. Të tjerët ndoqën fatin e tij, u larguan nga jeta njëri pas tjetrit në internim, pa u parë a folur me të motrën. Natyrisht që nëse do të pranonte të bënte ndarjen nga i shoqi, fati do ishte më pak mizor, por këtë nuk e bëri kurrë. Sëmundja dhe vdekja
Punoi në bujqësi, me hipertension, për të rritur të birin, në ato kushte që jeta e kishte hedhur. Kjo ishte gruaja që komedia e bënte të çalë, injorante, qesharake, tek ajo numëronte kafshatat e munguara të bukës së të birit. Por duhet të kalonin shumë vite përpara se e gjithë kjo të dilte në dritë. Aq vite sa Hajria ishte plakur, bërë me sklerozë, në internim. Fjalët e vetme që mund të shqiptonte pas sëmundjes, kur e pyesnin, ishin: “Jam te shtëpia e babait tim, në oborrin me diell e plot lule, në dhomat e mëdha me jorganët e bardhë”. Imazhe këto që i kishin mbetur nga vajzëria e që shtynte netët e errëta të pagjumësisë. Vdiq në një barakë prej llamarine e dërrase, mes baltës së Myzeqesë, në vitin 1980 larg Tiranës së saj, së cilës iu largua 35 vite më parë, për të mos iu rikthyer kurrë. Pas largimit të së ëmës, i biri, Reshiti, vetëm qante, i mbetur tashmë i vetëm, pa të ardhme e me zemrën mbushur me plagë. Traumat e të birit Reshiti jetoi me të atin për fare pak vite. Edhe në kohën që ishin bashkë, për shkak të luftës e angazhimeve të të atit, momentet e tyre së bashku ishin të numëruara, kështu që kujtimet e tij ishin të lidhura vetëm me nënën. Kur një i ftuar, mik i familjes, e pyeti Qazimin se pse nuk e merr dhe djalin me vete, përgjigjja e tij ish se politikanët nuk merren me gra e fëmijë. Mbas vitit 1944 nënë dhe djalë i kishin arrestuar disa herë, duke i mbajtur në biruca të veçanta. Hajria pati presione të ndryshme në vitet pas largimit të të shoqit, për t’i grabitur pronat, ndërsa Reshiti akuzohej se shkruante parulla kundër komunizmit. Nuk mungonin as keqtrajtimet fizike nga shokët e shkollës, as herët kur kthehej i gjakosur në shtëpi. Kjo mënyrë jetese e përndoqi Reshitin në vitet më të mira të jetës, për t’i lënë kështu gjurmë të përhershme edhe kur koha do sillte të jetonte i lirë.







