Mrekullia e fiksionit

Ne foto Flora  Durmishi

Në kohën tonë, kur gjendja e letërsisë për të rritur është  përkeqësuar, librat e mirë të  letërsisë   për fëmijët janë shpresë e vetme, streha e vetme.” ~Isaac Bashevis Singer Isaac Bashevis Singer

Intervitë me profesoreshën universitre, poeten, publicisten dr. Qibrije Demiri-Frangu

Profesoreshë, dua vlerësimin tuaj për krijimtarinë letrare për fëmijë të periudhës se para luftës dhe për gjendjen e saj të sotme  në Kosovë?

Pyetje me vend, pyetje me vend pikërisht pse edhe arti “përjetoi” luftën dhe po i jeton pasojat e saj. Para luftës, është e ditur, as letërsia nuk frymonte lirshëm. Letërsia për fëmijë  pavarësisht botimeve të shumta dhe të themi të rregullta ( vazhdimisht Redaksia e Botimeve të Rilindjes kishte një plan botues), ajo zhvillohej brenda kornizës së sistemit, një letërsi shpesh me një estetikë ideologjike dhe të shpeshtën, letërsi që i zihej fryma me moralizime dhe didaktizëm. Përkundër atmosferës së tillë ajo kohë vuri themele të mira të kësaj letërsie dh krijoi breza krijuesish, duke i lënë kësaj letërsie një kontingjent të mirë veprash të cilat edhepse  disa prej tyre kanë ngarkesa të ndryshme të kohës, vazhdon të jetë ende pjesë e lekturës shkollore, e  mbetur ashtu si ka qenë para sa decenieve.  Sot, kjo letërsi, për absurd, është pjesë e kaosit kulturor, është në valën e tallavasë së përgjithshme të jetës sonë, e degraduar si shumë vlera tjera dhe po e jeton indiferencën, mosvlerësimin, mosfinancimin  dhe injorimin total. Ajo po  gjallëron përmes librave të përkthyer (kryesisht botime që vijnë nga Shqipëria) si dhe  përmes ca emrave më të hershëm, që jo gjithnjë janë në frekuenca të kohës dhe botës së fëmijëve të sotëm.  Ende nuk e kemi një letërsi si formë komunikimi dhe parasegjithash si kuptim estetik.

Letërsia Shqipe, e në veçanti Letërsia për Fëmijë, është e vërshuar nga botimet me dhe pa kriter. Si studiuese e letërsisë si e shihni këtë trend?A ka sot kritikë objektive, këtu e në të gjitha hapësirat shqiptare?

Jetojmë në një kohë të një krize  ku kultura, përkatësisht letërsia, shfaqet me vlera të përulta, në këtë kontekst duhet shikuar edhe kritikën letrare, e cila s’është gjë tjetër veç vrojtim, shqyrtim dhe pasqyrim estetik i imponuar nga prodhimi letrar; i nivelit dhe vlerave që sjellë libri e  shpeshherë edhe nën nivelin e librit. Bindja se kritiku është lexuesi më ideal i librit, është bartur edhe në kohën tonë, por shtrohet çështja është kështu apo jo. Nuk besoj se sot mund të flitet për një idealizëm në kontekst të asaj që e thamë, ndërsa është shumë e qartë që në jetën tonë letrare sot thuajse libri nuk shënon ndonjë ngjarje kulturore, ndaj nuk mund të presim që si i tillë të përcillet me një kritikë të mirëfilltë. Përmbysjet e mëdha ideologjike që si pasojë sollën edhe rrënimin e sistemit të vlerave çfarë i kishim deri vonë, bën që të krijohet një atmosferë konvertive, e cila në esencë ndërtohet me metodat dhe skemat e njohura, që nuk kanë si të mos reflektojnë në plan të parë bartjen e një logjike të tejkaluar. Praktika e përdorimit të veprave letrare për qëllime extraletrare vazhdon të jetë mbizotëruese edhe sot. Edhe sot janë të hapura tendencat që mendimi kritik të udhëheqë çështjet e shijeve dhe të gjykimit. Nuk mund të thuhet se nuk kanë funksionuar dikur në Kosovë dhe së voni edhe në Shqipëri modalitetet e ndryshme të kritikës, por gjithashtu nuk mund të thuhet se kemi ndërtuar një nivel kualitativ të të menduarit kritik, e sidomos kritika që merret me letërsinë për fëmijë.

Në këtë kohë të krijimit të vlerave të përulta s’kemi si të mos ndeshim botimin e veprave pa kriter, mbase edhe pa një procedurë të zakonshme. Kjo ka bërë që edhe informacioni për të të jetë i tillë. Ndoshta krizën e mendimit kritik për librin duhet kërkuar në mungesën e përkujdesjes institucionale dhe në logjikën  e  ndërtimit të tregut të librit. Nëse libri tash ka kuptimin e një malli të zakonshëm që del në treg për të gjetur blerësit e vet, shitësit e tij, përkatësisht editorët e shtëpive botuese, e ambalazhojnë atë me ndonjë mendim të ndonjë krijuesi të afirmuar nga një sistem vlerash tashmë i rrënuar dhe në formë preference i veshin edhe gjykimin kritik për të. Krizën e mendimit kritik si rrjedhojë të krizës së librit në përgjithësi duhet kundruar edhe nga aspekti i interesimit të lexuesit. Lexuesi ynë gjithnjë e më shumë po orientohet nga librat e përkthyera që vijnë nga letërsi të popujve të ndryshëm, nga librat të ashtuquajtura bestseler, që në hapësirat tona vijnë si mall me vlerë të stabilizuar dhe të verifikuar nga miliona lexues. Në një konkurrencë të tillë tash më mirë se kurrë e shohim nivelin e prodhimit tonë letrar, i shohim motivet ekstraletrare që një libër propagandohet. Shtrohet çështja se përse këto përkthime të veprave kulminante nuk përcillen edhe nga kritika jonë!? Kjo vetvetiu nxjerr në pah shumë dilema dhe shumë arsye për të besuar se kritika jonë sot vuan edhe nga kompleksi i inferioritetit mbase edhe nga neglizhenca.

Gazetat dhe revistat që merren me çështje të letërsisë nuk ofrojnë ndonjë mendim kritik për të qenë. Kryesisht ndeshim mbresa për librin ose shpjegime për përmbajtjen e tij, autorë të të cilave janë kryesisht të ashtuquajturit   kolegë të + krijuesit, të autorit të librit.

Pozitës së kritikës letrare sot vërtet i është dashur një debat profesional, jo se ky debat do t’i bëhej terapi, por mbase së paku do të identifikonte këtë fenomen si një çështje të nëpërkëmbur, të diletantizuar deri në masën e mosekzistencës së saj reale. Kjo është sepse në këto vitet e fundit materiali dhe prodhimet letrare janë bërë një mall që krijon stoqe që pakush i eksploaton dhe fare pak kush merret denjësisht me to dhe vlerësimin e tyre.

Por, botimet individuale, shpesh edhe ato pak libra  që financohen nga institucionet, të shpeshtën janë krijime  që nuk kalojnë nëpër redaktorë  e ndonjëherë botohen edhe me gabime gjuhësore. Këta libra, ç’ është më e keqja shpërndahen edhe nëpër shkolla përmes lidhjeve me drejtorë shkollash dhe në këtë mënyrë shpesh kontaktet e para fëmijët i bëjnë me këtë kategori librash, më pas për t ‘mos lexuar më kurrë. Thënë drejtën, pavarësisht interesimit vështirë është edhe ta përcjellësh këtë lloj botimi, ngase edhe distribuimi bëhet në mënyrë të egër. Pastaj nuk ka as kritikë që e përcjellë këtë botim.

Jeni përfshirë në disa antologji poetike. A jeni e kënaqur me përzgjedhjen e bërë nga përpiluesi? A ju kanë konsultuar për përzgjedhjen e poezisë…?

Zakonisht antologjitë janë zgjedhje e përpiluesve, të shpeshtën kam qenë e kënaqur me përzgjedhjen e bërë, kam qenë e kënaqur edhe me konkurrencën brenda antologjive. ( Antologjia e poeteshave të Kosovës Kafshimi i mollës, Renesansa, Prishtinë,1996; antologjia e shkrimtareve Take të larta,Sfinga ,2000 përpiluar nga A.Podrimja;Në antologjinë për fëmijë të O.Grillos Xhaketa e kuqezi,2002; Në antologjinë e poezisë moderne shqipe në gjuhën gjermane të përpiluar nga F.Laholli  (Anthologie der modernen albanischen Lyrik ; prezantimi në përzgjedhjen   e mendimit kritik shqiptar  Letërsia jashtë kopshteve tanë, Ars,Tiranë, 2004 tj.) e tj.

Kritika ju ka vlerësuar sigurisht por, a mund ta kujtoni fjalinë  më të bukur qe kanë thënë për ju dhe poezinë tuaj?

Jam e kënaqur me përcjelljen e krijimtarisë sime nga kritika.  Mund të them se ka pasur mjaft shkrime, por shkrimi i prof.Agim Devës dhe vlerësimi  A. Bishqemit më mbeten më të besueshmit dhe më stimuluesit për punën time. Studiuesi  R. Musliu, duke folur për poezinë time për fëmijë, thotë: …kjo poezi është plot e përplot metafora funksionale, lirizëm të motivuar, ndjenja e mendime që s’pretendojnë  të shndërrohen në formula didaktike.(R. Musliu, Eskurs në letërsinë për fëmijë, fq.139)

Ç’autorë kanë ndikuar në formimin tuaj?

Që nga përrallat e gjyshes e deri te Cohelo e Roëling e Harry Potterit. Është thuajse një jetë e tërë lexim. Njeriu nuk lexon për të emituar dikë në të shkruar, unë nuk ndjek ndonjë model për ta përvetësuar, kultura e leximit shkrihet e bëhet një kulturë e veçantë shkrimi dhe do të duhej krijuar një model origjinal, natyrisht .Edhe rastësia e profesionit më ka bërë që të udhëtoj  me fjalën e bukur- nga Gilgameshi e deri te Kadare . Jam e lumtur për këtë dhe leximin e marrë si një proces të vazhdueshëm. Libri im i parë që kam lexuar është libri ilustrativ Llampa e Alajdinit, dhuratë për sukses në kl. e parë fillore, e më pas kjo llampë sikur më ka bërë dritë vazhdimisht ’i gjej librat e tjerë. Fiksioni është një mrekulli  që të impresionon  në çdo kohë. Më mirë se në vepra askund nuk konservohen ndjenjat dhe mendimet, ndaj edhe shkruaj krahas leximit.

Kur rishikoni krijimtarinë tuaj, cili është libri që e keni më për zemër dhe pse?

Secili është i mirë- më duket, për kohën kur është shkruar. Në secilin ndjej veten time dhe pjesë nga esenca ime. Në realitet i shoh shkarjet e librave të parë e të fundit, por poezia është prodhim i çasteve, momenteve të caktuara, kur : o është dashur të shkruhen  o s ‘ka bërë ndryshe. Ç’e do, janë ato momente kryeneqe. Jo rastësisht të vije të shkruash, është një moment që të zgjon, që të atakon diku në brendi dhe ti reagon, në këtë rast me poezi.

Vitet e fundit keni botuar një libër studimor dhe një libër me poezi. Cilat kane qene sfidat  (letrare, psikologjike, logjistike) për sjelljen e këtyre librave në jetë?

Libri Letërsia për fëmijë- gjeneza, fenomene, autorë, është një libër që më ka marrë mjaft kohë. Në realitet si profesoreshë që mbaj këtë lëndë krahas tjerave, më duhej të bëja diçka për studentët e mi, që këtë lloj literatura e kanë mjaft të mangët. Ata autorë i kisha edhe për zemër, me veprat e tyre isha rritur, por kur i shikon me syrin e vlerësimit kritik, ata bëhen tjerë. Ndër sfidat kryesore ishte grumbullimi i botimeve, i kritikës së shkapërderdhur nëpër revista e libra të ndryshëm dhe natyrisht botimi është një problem tjetër-edhe financionar. Por jam e kënaqur që kam sfiduar veten. Mendoj t’i rikthehem dhe ta plotësoj edhe me autorë të tjerë të cilët mendoj se kanë shënuar së paku diçka në këtë letërsi.

Profesoreshë, krijimtaria juaj është përkthyer. Kush e ka bërë këtë?

Pas përkthimit të disa poezive në gjuhë të rajonit, libri Kur  bie shi mbi det, u përkthye në suedisht nga krijuesi ynë Lum Haxhiu (Hajdin Abazi) në bashkëpunim me krijuesen e njohur suedeze Karin Lenz, e cila ka bërë edhe një parathënie për librin. Parathënia thënë drejtën më pat motivuar shumë për punën time, ajo heton shumë gjëra që nuk i kanë vërejtur kritikët tanë. Ky përkthim ishte gjë e mirë edhe për arsyen se libra të autorëve shqiptarë në suedishte numërohen në gishtërinj. Një shtëpi botuese gjermane ma kërkoi librin, por duke menduar se është e përkthyer në gjermanisht. Meqë s ‘kisha mundësi t’ia dërgojë të përkthyer, mbet jashtë botimit për fëmijët gjermanë.

Kam vërejtur se nuk ka një program dhe strategji nga institucionet shtetërore për të nxjerrë letërsinë që krijohet në Kosovë edhe jashtë kufijve te saj, përveç ndonjë iniciative  private. Si e komentoni ju këtë?  

 Për këtë punë duhen shumë mekanizma institucionalë, të cilët mungojnë. Te ne mungojnë edhe përkthyesit. Mundësitë e kontakteve me përkthyes të huaj janë minimale. Disa autorë tanë që përkthehen, janë meritë e menaxhimit individual dhe e interesave  të përkthyesve,  flitet që shumë nga këto pak përkthime të autorëve tanë, janë bërë me pagesa nga vet krijuesit ose me shkëmbime të ndryshme interesash.

Lexoni autoret femra dhe cilat ju do t’i veçonit?

Tani ato nuk janë pak dhe kanë  dëshmuara vlera edhe si   të përkthyera. Çmoj pa masë poezinë e Luljeta Leshanakut e Mimoza Ahmetit,  prozën e  Elvira Donesit e Hida Halimit. Edhe  Naime Beqiraj e Ilire Zajmi kanë bërë udhë të mirë e  suksesshëm po ecin. Letërsia e huaj ka shumë emra edhe nobeliste dhe kjo të inkurajon.Natyrisht si grua nuk mund ketu pa permendur S.Beauvoir, M.Yourcenar, V.Vulf apo edhe A. Kristin.

Cila është përshtypja juaj, sa lexohen librat e autorëve të rinj e veçmas letërsia e autorëve femra?

Thënë drejtën unë provoj ta përcjell letërsinë e të rinjve, në një mënyrë ata edhe janë shumica ish studentë të mi, ndaj nuk e kam vështirë këtë. Kohëve të fundit janë 4-5 emra që janë dëshmuar që në fillim me poezi, prozë e edhe kritikë. Nga krijueset femra, janë dy tre emra, por që kanë nisur e duhet pritur dëshmime.

Çfarë po bën dhe ku është intelektuali i vërtetë?

Intelektuali po heshtë, ndoshta po vrojton e ndoshta edhe po vuan apo po lufton për ekzistencë, e disa po e jetojnë komoditetin e servilizmit. Dhe të gjitha këto nga margjina e jetës shoqërore. Në këtë mënyrë askujt  s’ mund  i thuhet intelektual, derisa nuk janë aktiv e kritik ndaj trendeve të akuluturimit. Sikur  i ka kapluar   një vetëkënaqësi e pajustifikueshme, sepse intelektuali në çdo rrethanë i vëren hapësirat boshe të një shoqërie -e  nuk ka shoqëri pa gropa të tilla boshe, e lere shoqëria jonë që po kalon fazën e tranzicionit. Sa për krijuesit, mendoj se gjendjen e sotme të letërsisë duhet marrë si një sfidë, ndaj duhet reaguar doemos në mënyrë permanente përmes veprimeve letrare.

Si e mbushni kohën dhe me cka?

Eh! Do të doja që ajo të jetë ding e mbushur me të mira. Ashtu edhe provoj. Njeriu e realizon veten ashtu si është i ndërtuar, në bazë të koncepteve dhe prioriteteve të veta. Vazhdimisht, në rrethana tona primare mbetet familja sepse vet jeta jonë është thuajse e konservuar brenda saj. Pak merret shoqëria me qytetarin dhe pak ka kushte që të realizohemi diku, pos vendit të punës dhe familjes. Koha ime është një mozaik i bukur: familja, studentët, miqtë dhe librat. Pak udhëtime, pak fluturime. Natyrisht nuk e harroj praktikimin e asaj pak prirjeje krijuese që kam  edhepse motivimi krijues është shumë kompleks dhe jo i përhershëm. Duke u nisur edhe nga fakti se stimulimi krijues vjen nga leximi i vazhdueshëm, natyrisht një kohë të madhe ma merr leximi.

Me çka apo si do ta përmbyllim këtë intervistë ?

Me dëshira të mira për fatin e artit, për jetën tonë kulturore, për shpirtin tonë krijues!

Dr.Qibrije Demiri-Frangu u lind, në vitin 1957, në fshatin Sazli të Ferizajt.

Shkollimin fillor dhe gjimnazin i kreu në Ferizaj, ndërsa studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Më 1986 magjistroi në shkencat filologjike me temën, Gruaja në prozën e Jakov Xoxës, ndërsa në vitin 2006 doktoroi

me temën, Proza e Rilindjes Kombëtare. Në vitin 1986, u pranua asistente, ndërsa më

vonë ligjëruese në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Një kohë ishte ligjëruese e angazhuar, kurse nga maji i vitit 2003 është ligjëruese e rregullt në lëndën Letërsi Shqipe I, në Degën e Gjuhës Shqipe dhe në lëndën Qytetërimi Shqiptar dhe Letërsi për Fëmijë dhe të Rinj, në Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë.

Ka botuar këto vepra: “Buzëqeshja s’është larg”(1981),“Flurudhë”(1985) “Ta shoh botën si gotën”(1987), “Gjithësia si qershia”(1989),“Këmbët e erës”(1995), “Prekja e vdekjes”(2000),

“Nar det regnar over havet” (“Kur bie shi mbi det”)“ADRS”, Malme(2002) “Shpirti i luleve”(2007), “Tallje e bukur” dhe një libër studimor me titull “Letërsia për Fëmijë, Gjeneza, Fenomene e Autorë” . Si krijuese është prezantuar në Antologjinë e Poezisë Shqipe për Fëmijë të Odhise Grillos “Xhaketa Kuq e Zi”, në Antolpgjinë e Poeteshave të Kosovës “Kafshimi I Mollës”, poashtu në Antologjinë e shkrimtareve shqiptare të përpiluar nga Ali Podrimja me titull “Take te Larta” si dhe në Antologjinë e Poezisë Shqipe, të përpiluar, nga Ferdinand Laholli, në gjuhën gjermane, etj.

 

Flora Durmishi, Radio Kosova, 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *