KOSTANDINI I MADH KËTO DITË NË TIRANË
(DHE QASJA JONË NDAJ HISTORISË)
Sjellje e vakët me historinë e hershme…
Të shtunën në Tiranë mbahet një konferencë shkencore disi e veçantë mbi historinë. Ajo i kushtohet një personaliteti të rrallë historik për nga përmasat dhe rëndësia, siç është Kostandini i Madh, prej viseve iliro-shqiptare të Dardanisë. Një konferencë për këtë gjeni të njerëzimit mund të mbahet në Romë, Stamboll, Londër dhe në çdo vend tjetër të ish-perandorisë romake, por ndoshta pikë së pari ligjerata kushtuar tij iu përket të “parëve” të dheut amë, shqiptarëve. Konstandini i Madh ishte lindur në Naissus (Nishi i sotëm në Serbi). Ai ishte themelues i Konstandinopojës, si dhe i Ediktit të Milanos të vitit 313, kohë kur ky perandor kishte legalizuar Kishën e krishterë në botë. Ai ngriti pallatin e Shën Pjetrit në Romë, që më vonë do të bëhej selia papnore, ndaloi dënimin me vdekje në kryq, luftën e gladiatorëve, vendosi të drejtën e trashëgimisë, nxori dekretin për ndihmë dhe mbrojtje të jetimëve, të varfërve, vejushave etj. Reformoi rrënjësisht botën në aspektin e besimit dhe luftimit të dobësive të saj të deriatëhershme. Në vitin 325 perandori legjendar zhvilloi koncilin e parë ekumenik të Nikeas, ku u formulua doktrina kryesore e fesë, ajo e Trinisë së Shenjtë. Pushtetin perandorak e ushtroi në një hapësirë të pamatë, në Britaninë e Madhe, Gali e gjithandej Evropës, duke sunduar për 31 vjet perandorinë më të madhe të botës, që lidhi perandorinë e Lindjes me atë të Perëndimit. Konstandini i Madh hodhi themelet e kulturës dhe të qytetërimit evropian. Mjafon dhe kjo përmbledhje e shkurtër hartuar nga historianët për të kuptuar lexuesi i thjeshtë madhështinë e kësaj figure dhe atë se pse ai meriton të jetë “yni”.
Themi kështu jo për të përfituar nga historia e për t’u mburrur me kreshtat e saj më të larta, porse fqinjët tanë as në kohë moderne nuk heqin dorë nga përpjekjet për përvetësimin e disa prej figurave më të shquara të rruzullit që fati ka dashur të jenë prej dheut tonë. Mjafton të kujtojmë qoftë dhe vetëm sjelljen e maqedonësve pak vite më parë me Nënë Terezën (Gonxhe Bojaxhiun), që është kaq e vonë e që letrat e saj të lindjes e pagëzimit i gjejmë dhe sot në kishën katolike të Prizrenit. Historiani i njohur, Dr. Dom Nikë Ukgjini, jo pa shqetësim, shkruan: “Të habit propaganda serbe, se kinse Konstandini i Madh paska qenë serb duke harruar faktin se në kohën e tij dhe të Justinianit të Madh në Gadishullin Ilirik nuk kishte fare sllavë. Megjithatë, me porosi të Serbisë, Hollivudi, kohë më parë, ka realizuar një film për Konstandinin e Madh, ku këtë perandor e trajton si serb. Skenari është shkruar sipas romanit “Udhëkryqi i Konstandinit” të autorit serb Dejan Stojkoviq dhe për këtë Serbia ka dhënë mbi 100 milionë dollarë. Por a e dinë fqinjët tanë veriorë se Konstandini i Madh ishte dardan, paraardhës i shqiptarëve, për më të tepër që ndër emrat serbë asanjëherë nuk e ka patur Konstandin (!) Asnjë dokument bindës nuk ka që Konstandini i Madh ishte serb; shtypi atje mjaftohet me faktin që ai u lind në Nish, të cilin sot e kanë serbët, e prej kësaj Kostandini i Madh na qenka i kombësisë serbe?! Sipas kësaj logjike do të mund të bëhej lëmsh historia, nga një komb në tjetrin, sepse edhe Emanuel Kanti u lind në Konigsberg, por kjo nuk e bën atë rus. Kështu do të na përmbyseshin dhe plot maja të tjera të historisë sonë, ama De Rada u lind në Itali po nuk ishte italian, Papa Klement Albani u lind në Itali po ishte arbër dhe mbante zyrtarisht mbiemrin “Albani”. Mid’hat Frashëri u lind në Stamboll, por ai është ndër të mëdhenjtë e shqiptarëve. Vendlindja e Faik Konicës sot ndodhet në Greqi, por kush mund ta bëjë grek këtë personalitet të madh shqiptar?” vijon me argumentet e tij historiani Ukgjini. Polemika e tij, më tepër se me serbët, që duan ta “birësojnë” Kostandinin e Madh pas afro dy mijë vjetësh, duket se ka të bëjë me institucionet tona akademike e universitare të Historisë në Tiranë e Prishtinë, që këtyre punëve t’iu paraprijnë, jo duke paguar “qimet e kohës” Hollividit për ndonjë film, por me studime themelore për kolosët e përbotshëm me origjinë ilire, nga trojet shqiptare; perandorë, papë apo shenjtërorë, si Konstandini i Madh, Justiniani i Madh, Shën Jeronimi, Shën Niketa, Papa Klementi XI etj. Por dhe për figura të tjera të shquara mesjetare si Pal Engjëlli, Gjon Gazulli, Gjon Nikollë Kazazi, Jul Variboba etj. Ashtu siç me kohë mund të ishin mbajtur simpoziume shkencore akademike mbi Shtetin e Arbërit, Kuvendin e Arbërit etj.
…dhe e “nxehtë” me historinë politike
Për të gjithë ne historia e së kaluarës së largët është e ndritshme nga fleta e parë tek e fundit, kurse e tashmja në sytë e bashkëkohësve është gri nga mëngjesi në darkë. Po preke pak në historinë e vjetër bëhet kiameti, ngrihemi të gjithë në këmbë si një trup i vetëm për nderin e gjyshërve. Nga Rilindja e këndej jemi mësuar ta himnizojmë historinë, ta shohim atë të panjollë, të idealizuar. Rri aty miti ynë i origjinës, krenarisë së racës, qendresës e mbijetesës. Në këtë kuptim ne ende nuk kemi dalë nga ideologjia rilindëse si zgjim ndërgjegjeje, nga historia si ekzaltim e imitim, çka iu ka pëlqyer dhe regjimeve politike e qeverive nga 1012-a e deri më sot. “Princët” tanë në vazhdimësi kanë parë dhe mbi kryet e tyre një përkrenare si ajo e Kastriotit. Ndoshta ngaqë në vendet e pazhvilluara ka patur një prirje të ethshme për t’u krahasuar me të pakrahasueshmen. Vetëm me Jezusin nuk është krahasuar askush. Nuk është thënë për dikë ky është Zot. Përtej kësaj nuk ka mbetur figurë pa e këndellur në të madhërishmen e historisë me apo pa meritë. Ismail Qemali cilësohet si “babai i kombit”. Kombin e pati lakmuar dhe një parti nacionaliste gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u quajtur “Balli Kombëtar”. Të gjitha krahasimet zënë fill nga Heroi ynë Kombëtar. Për Enver Hoxhën qe thënë “burri më i madh i historisë pas Skënderbeut”. Vetëm pak kohë më parë Ahmet Zogu është qasur me Skënderbeun, gjë që e lakmonte dhe ai vetë në kohën e mbretërimit të tij. Por t’i lëmë paraardhësit tanë shkëlqimtarë në kohën dhe veten e tyre, pa i përdorur e keqpërdorur. Figurat e tyre prej europianësh nuk mund t’i ndihmojnë ca të sotëm të politikës për t’u dukur si ata, burrat në zë të historisë.
Të bën përshtypje se ndajmë të njëjtin vlerësim për Sami Frashërin, Pashko Vasën e Sulejman Vokshin, por jo dhe për Fan Nolin, Anton Arapin etj., thjesht se këta u përzien me politikën e kohës. Me historinë e shekullit XX ka sjellje e qëndrime të kundërta politike. E majta duket se ka më për zemër figurat revolucionare, të dala prej “internacionale do të jetë bota e re”, kurse e djathta figurat që janë të lidhura me traditën shqiptare konservatore. Disa të ideologjizuar të së majtës nuk e qasin Ernest Koliqin, përpos se si shkrimtar modern të talentuar, me mendimin se ai iu shërbeu fashistëve. As që dëshiron kjo kategori ta vërë në spikamë faktin se Koliqi kreu një nga aktet më të mëdha kombëtare, shtrirjen e arsimit për hërë të parë në Shqipëri e Kosovë, duke dërguar atje 200 mësues të njohur. Po në cilësinë e ministrit të Arsimit ai pati bërë shumë punë albanologjike pioniere, si vazhdimin e botimit të korpusit “Visaret e Kombit” etj. Ky personalitet i fuqishëm i letrave do t’iu linte trashëgimi shqiptarëve dhe një tjetër edicion botues, nga emigracioni politik ku gjendej në Itali, revistën e mirënjohur “Shejzat.” Ashtu si e djathta, që nuk ka ndonjë disponim ndaj figurash të së majtës liberale demokratike, si Sejfulla Malëshova, që i bën nder kulturës shqiptare, paçka bindjeve politike që kishte, çka nuk e shpëtoi as nga përsekutimi i vetë së majtës, asaj radikale. Nganjëherë nuk është lehtë të gjendet akordi mes studiuesve të bindjeve të ndryshme politike për figura që vërtet nuk mund të anashkalohen, si Lef Nosi etj. Këndvështrimi ideologjik vazhdon dhe për figurat më të vona të kulturës që i qenë “dorëzuar” politikës. Dëgjon ndonjë mendimtar të sotëm të botës akademike të lakojë oreçast Rilindjen, si një devizë për të sotmen, dhe nuk thotë një fjalë për tre liderët e kohës së re, Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti e Arbën Xheferri, me peshë në jetën politike të Kosovës e trojeve shqiptare, ku pa droje mund të thuhet se ishin ata që ua sollën rilindjen shqiptarëve atje.
Paragjykimet e historisë, prej politikës, nuk kanë të sosur. Rrallë figurë me rëndësi ka mbetur pa u “shkundur”. Veçse sa më shumë që ky popull dhe brezat e rinj t’i ikin kontekstit ideologjik në qasjen ndaj historisë, aq më fort do të marrin shkëlqim ngjarjet dhe veprat kombëtare, figurat historike, pavarësisht rrethanave kur vepruan e kahjeve politike që patën.