At Zef Valentini
Nga Ndriçim Kulla*
Duke i këshilluar studiuesit të dilnin nga nebuloza e miteve patriotike dhe t’i përvisheshin argumentimeve shkencore, por edhe duke flakur tej vetes pohimet e disa etnologëve dhe linguistëve të huaj mbi Shqipërinë, At Zef Valentini filloi të bindej përditë e më shumë se ishte i pranishëm në një komb me fizionomi të veçantë. Dora-dorës zbulonte te ai elementë origjinalë dhe me intuitën që e karakterizonte, dallonte brenda tij një strukturë të fshehtë unitare. Megjithatë, me instinktin e shkencëtarit, ai donte që të gjitha këto cilësi të arrinin të shpalleshin shkencërisht. Synonte t’u vinte sa më shumë në ndihmë historianëve të Shqipërisë për të pikasur e përcaktuar si duhet konturet e qenies shqiptare, e për të saktësuar kështu qëndrueshmërinë dhe autenticitetin e vlerave origjinale të racës. Mirëpo çelësin për të zhbiruar hapësirat e fshehta të shpirtit shqiptar, atij ia dha kodi i maleve shqiptare, “kanuni i Lekë Dukagjinit” në të cilën përmblidhen rregullat dhe të drejtat zakonore, që organizonin jetën e këtyre njerëzve. Do të qe kjo një dashuri e re për jezuitin e pasionuar nga e cila s’do të shqitej dot gjer në fund të jetës. Që në vitet e para kur drejtoi revistën “Leka”, siç thekson Koliqi, “ai ndërrmori nji tendencë që synonte analizimin e së tashmes, rindërtimin historik të së shkuemes, e nji orvatje të guximshme me vendosë bazat e nji ardhmërije t’karakterizueme nga cilësitë e veçanta të shpirtit etnik, që janë dashunia për lirinë, lidhja e forte me traditat e shëndosha, ndjenja e naltë e nderit, ndjenjë që tek e fundja shkrihej në ndjenjën e dinjitetit e të drejtësisë, aq shumë të përhapun ndër shqiptarët nëpërmjet ligjesh të sakta gdhendun në Kanun”
Ndaj, nuk ke si të mbetesh i mahnitur përballë ndërmarrjes që ai i kushtoi studimit të kodit tonë zakonor, për t’i dhuruar kështu kësaj fushe të kulturës sonë, një korpus të tërë veprash monumentale. E filloi me “Mendime paraprake dhe të përgjithshme mbi kanunin” të botuar më vete në vitin 1942 në “Studime dhe tekste”, së cilës i shtoi “Fiset e Shqipërisë së Veriut: Shënime mbi organizimin e tyre shoqëror dhe politik” (botuar në vitin 1943). Pastaj vazhdoi me “Kanunin e Lek Dukagjinit sipas versionit të Mark Sadikut, të parit të djelmnisë së Shalës” (po në “Studime dhe tekste”);
Për ta përfunduar me ajkën e hulumtimeve të tij në lëmin e studimeve mbi kodin tonë zakonor, ku spikat një treshe e madhe; së pari do të fillojmë me “Familja në të drejtën tradicionale shqiptare” (Vatikan, 1945). Argumentet e trajtuara në këtë libër kanë të bëjnë me shoqërinë familjare shqiptare, ashtu siç ajo konsiderohet nga Kanuni e ashtu siç ajo njihet në doket dhe në zakonet civile. dmth. jo si një “bërthamë” natyrale (nënë, babë, fëmijë ose të afërm që jetojnë nën një çati), por në një kolektivitet prej shumë familjesh (natyrale) që jetojnë në të njëjtin vend, në udhëheqjen e një kreu, e që kultivojnë një pronë të pandarë, duke nxjerrë e duke marrë në mënyrë të barabartë frytet e saj”.
Vijon me “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare” (Firence, 1956), ku trajtohen gjerësisht parimet themelore të së drejtës publike shqiptare dhe në shtojca të veçanta jepet një informacion i bollshëm mbi fiset antike ilire dhe fiset shqiptare të mesjetës dhe kohëve moderne. Ja si shprehet autori për vijueshmërinë e tyre: ”
Botova në fillim një vepër të parë me titull “Familja në të drejtën tradicionale shqiptare”, me bindjen se, pavarësisht se nuk është e sigurtë që e drejta familjare është baza e së drejtës së Kanunit shqiptar, përsëri ajo është baza dhe parathënia e të gjithë mentalitetit të tij juridik, ashtu si e çdo populli tjetër. Kaloj, nëpërmjet këtij studimi, në përshkrimin e së drejtës së komunitetit, ose më saktësisht, të komuniteteve më të gjëra se familja, por jo të një gjendje të tillë të qëndrueshme si ajo, e krejtësisht të pavarur e sovrane. Ky vëllim do të përfshijë pjesën e përgjithshme të sudimit, pra do të përmbajë parimet e përgjithshme të së drejtës publike dhe tipet e ndryshme të komuniteteve; në shtojcat, për interes historik e për të krijuar bazën e nevojshme të metodës pozitive dhe induktive të përdorur për shqyrtim, kam paraqitur një përshkrim të të gjitha komuniteteve fisnore për të cilat arrrita të mbledh njoftime.
Ndërsa studiuesi i mirënjohur Peter Bartl do të miratonte përfundimet e tij:
Sidomos në monografinë më të fundit (bëhet fjalë për “Të drejtën e komuniteteve”) Valentini thotë me të drejtë se në botën e fisit ishte mungesa e një autoriteti të vërtetë shtetëror, ai detyrimi moral falë të cilit u krijuan normat tradicionale ligjore. Vendin “e bindjes” ndaj shtetit e zuri “besa” dhe një shoqëri demokratike në kuptimin më të vërtetë. Për historianët me interes të veçantë janë edhe listat e mëdha, të botuara si shtojca, të emrave të fiseve, bajrakëve dhe vëllazërive të ngushta ilire, antike dhe mesjetare si dhe moderne shqiptare, siç nuk janë në asnjë vend tjetër në këtë hollësi.
Për këtë listë fisesh, bajraqesh e vëllaznish mesjetare dhe moderne, shprehet me admirim edhe vetë Prof. Maximilian Lambertz duke thënë:
Valentini në veprën “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”, ka lënë listën më të plotë të fiseve dhe vëllaznive shqiptare, të shoqëruar me saktësime të çmuara mbi vendodhjen e tyre të sotme dhe dokumentimin e tyre historik. Përgjatë trajtimit të kësaj liste ai bën shpesh orvajtjen e lidhjes së emrave të fiseve shqiptare me ato të fiseve ilirike, hipotezë kjo që gjen miratimin tim të plotë”…
Është shumë e njohur nga të gjithë studiuesit e problemeve shqiptare, se në Shqipëri zakonet juridike përbëjnë, për komunitetin e çdo lloji dhe niveli dhe për vetë individët, normën e sigurt të jetës civile dhe familjare, madje një ligj të vërtetë të vetëdijes, të një karakteri organik dhe logjikshmërie të admirueshme.
Përshkrimet pak a shumë besnike dhe të arsyeshme të një të drejte të tillë zakonore deri tani kanë qenë të shumta. Të gjithë paraqesin si bazë të saj dhe të ligjeve dhe institucioneve të saj, parimin se çdo e drejtë dhe çdo detyrë është rregulluar nga tradita e trashëguar nga baballarët; dhe në të gjitha del në shesh bindja se bëhet fjalë për tradita shumë antike dhe të qëndrueshme.
Po pavarësisht se merrte parasysh qasjet, ngandonjëherë të rëndësishme, të historiografisë mbi të drejtën zakonore (Lik, Pukëvil, Bue, Koci, Ippen Thaloci, Durham, Baldaçi, Kordinjano, Gjeçovi, Casteleti, Vilari, Harapi), përsëri jezuiti debaton në mënyrë polemike me këta studiues të cilët:
Ose sepse injoronin, ose sepse ishin të dominuar nga supozimi se një e drejtë zakonore trashëgohet brez pas brezi vetëm gojarisht dhe jo me shkrim, janë kufizuar në përshkrimin e pastër të gjendjes aktuale në kohën e tyre, dhe nuk kanë tentuar që ta bëjnë një histori të dokumentuar, por vetëm kanë avancuar aty këtu ndonjë hipotezë historike.
“Duke pasë vënë re një boshllëk të tillë, gjatë punës sonë për përgatitjen e burimeve për historinë e Shqipërisë, pak nga pak që gjenim dokumente interesante për historinë e së drejtës, i mbanim shënim; e pastaj në vitin 1944 i sistemuam dhe botuam si një volum të parë provizor. Ndërkohë, e pastaj edhe më vonë, redaktuam disa studime për këtë lëndë, tashmë disa të botuara, të tjera të mbetura të pabotuara për mungesë të mjeteve. Veç të tjerave, meqenëse në rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kishim marrë numërimin e Arkivit të Shtetit të Venecias, kemi pasur mundësinë për të përmbledhur një shtojcë të mirë të dokumenteve të reja në dy përmbledhjet e vjetra, dhe i kemi vendosur në vendin e tyre në rendin kronologjik, me numërim unik. Për qartësi dhe përdorim më të mirë, kemi menduar që të pajisim secilën pjesë (copë) jo vetëm me indikacionet e zakonshme të datës, vendit, autorit, origjinës arkivistike ose bibliografike, por edhe për të nxjerrë në pah, në mënyrë shpjeguese indikacione të kapitullit ose të kapitujve të së drejtës tradicionale shqiptare të cilit dokumenti mund t’i referohet. Tekstet greke, sllave dhe shqiptare i kemi pajisur me përkthim latin, ato latine, italiane dhe franceze i kemi konsideruar të tepërt t’i përkthejmë; ato pak tekste anglisht dhe gjermanisht, të gjithë të epokës së fundit, i kemi përkthyer në italisht, duke kërkuar kështu për t’i sjellë, sa është e mundur, në një gjuhë unike me tekstet italiane; kjo sepse prej kohësh ka qenë zakon shumë i shpeshtë në Shqipëri për të hartuar dokumente juridike në italisht, e kështu aty është formuar një lloj tradite e gjuhës juridike italiane.
Në fund kemi shtuar edhe një fjalor juridik shqiptar, të kufizuar në më të domosdoshmen për interpretimin dhe përdorimin e dokumenteve
Lindi kështu, sipas fjalëve të parathënies së Valentinit, “Akte juridike shqiptare”, botuar në dy vëllime, në Munich në vitet 1968-1969, dhe kushtuar kujtimit të historianit me famë ndërkombëtare Franc Babinger; Është një vepër që përfshin një korpus interesant dokumentesh nga historia e së drejtës shqiptare në një periudhë të gjatë kohore. Janë rreth 320 tekste juridike, latine, greke, sllave, italiane, franceze e shqiptare, të mbledhura nëpër arkiva e koleksione të ndryshme e të përkthyera në latinisht, që shkojnë që nga shekulli V para.krishtit deri në vitin 1406. Krahas citateve nga autorë antikë vëllimi përmban edhe materialin arkivor, kryesisht të Venedikut dhe Raguzës.
Po të kalojmë në një fushë tjetër temash të koleksionve të shqyrtuera burimore, do të vinim në një tjetër vepër monumentale (të fundit nga treshja e sipërpërmendur) siç është “Ligji i maleve shqiptare” (Firence,1969), ku përmblidhet një bashkësi prej 252 dokumentesh mbi të drejtën tonë zakonore, të mbledhura e të strukturuara nga Zef Valentini, bazuar në kërkimet e bëra nga misionet e ndryshme jezuite gjatë viteve 1880-1932; Libri duket të jetë i një interesi të madh jo vetëm për atë që merret me historinë ballkanike, por edhe me studiuesin e folklorit dhe historianin e së drejtës.
Ja se si do të shprehej ai në parathënien e librit “Ligji i maleve”:
Kombi shqiptar, ruajtësi dhe vazhdonjësi i fiseve antike të rajonit thrako-ilir e të qytetërimit të tyre, në një nivel goxha të kënaqshëm, i paraqitet studiuesit me një aspekt kulturor e tradicional, deri më sot po kaq pak të njohur sa dhe interesant: atë të konceptit juridik dhe të zakoneve që i mishërojnë ato. Megjithatë, nga ana e studiuesve ai filloi të vërehej vetëm rreth mesit të shekullit të shkuar, shpesh me një përpikmëri të mangët e gati gjithmonë të palidhur me dokumentet e historisë të së drejtës, që në Shqipëri nuk mungojnë.
Duke pasur nga njëra anë në dispozicion një numër të madh kopjesh të dokumentacionit historik, të botuar e të pabotuar, dhe nga ana tjetër, një eksperience të mjaftueshme dhe të drejtpërdrejtë të zakoneve e dokeve të vendit, mendova t’i mblidhja ato në një “korpus” të dokumenteve të ndryshme juridike, antike, mesjetare dhe moderne, për të nxjerrë më pas një parashtrim sistematik historiko-përshkrueso-analitik, të gjithë fushës së gjerë të jetës dhe aktivitetit njerëzor të rregulluar nga këto zakone; Dëshirova kështu, t’i bëja një shërbim studiuesve të interesuar në këtë fushë e në të njejtën kohë edhe kombit shqiptar aq të dashur për mua, antikiteti, personaliteti dhe fisnikëria e të cilit demonstrohet nga mentaliteti i fuqishëm juridik, jo më pak e ndoshta më shumë se sa dhe vetë gjuha dhe poezia e tij”. Dokumentet e botuara nga Valentini përmbajnë një material interesant mbi administratën lokale dhe drejtësinë (mbledhjet popullore, e drejta e azilit, syrgjynosja, ujitja etj.) mbi zakonet e popullit (martesën, blerjen e nuses, varrimin, darkën e të vdekurit, lidhjen e ngushtë të gjakut etj.), mbi festat fetare dhe laike; sidomos në mënyrë të hollësishme flitet për institucionet e gjakmarrjes dhe konkubinatin e luftuar në mënyrë të ashpër nga misionarët. Krahas këtyre gjenden të dhëna mbi organizimin fisnor të Mirditës dhe sinkretizmin fetar në Shqipëri.
Janë këto 3 vepra të shqyrtuara maja më gjeniale e studimeve të tij në këtë fushë, që së bashku me përshkrimet e Gjeçovit e të misionarit italian Ernesto Cozzi mbi Kanunin, formojnë bazën themelore për njohjen e thellë dhe shkencore të këtij aspekti magjepës të traditës shqiptare.
Po ajo që ia vlen të nënvizohet është se në të gjitha këto punime, filli përshkrues i mendimit të tij ishte kundrimi jo i vlerës letrare të kanunit si diçka kalimtare, por i shpirtit të tij të pavdekshëm, për të vënë në lëvizje racën e vjetër, me qëllim që ajo t’i shërbejë krijimit të një shteti të ri e të pavarur drejt arritjeve të larta të qytetërimit, në përputhje me nevojat e kohrave të reja.
Kanuni, thelbësisht është një mentalitet i veçantë etik i themeluar mbi ndjenjën e nderit, besnikërisë dhe lirisë, pajisur me cilësinë e përgjegjshmërisë; në substancë, ai cakëzohet në pak parime të llojit statutor që paracaktojnë se cila është qeveria e komunitetit, monarkike në familje, republikane me senatin [e pleqëve] dhe gjyqësore (tribunale) për komunitetet më të shtrira; pjesa tjetër e tij, duke përfshirë gjithë bagazhin folklorik dhe ligjin mbresëlënës të gjakmarrjes, që janë përdorur aq shpesh nga shkrimtarë sipërfaqësorë për t’u dhënë sa më shumë “ngjyrime” kronikave të tyre; pra gjithçka tjetër, delegohet me të drejtë nga autori, si pjesë rastësore të Kanunit.
Duket që edhe në këtë fushë të veçantë studimore, ai nuk kaloi pa lënë vulën e tij origjinale, për nga lënda dhe metoda e shqyrtimit.
“Në Shqipëri gjejmë një tërësi traditash juridike edhe sipër së drejtës civile, edhe poshtë, në thellësi të saj, në mënyrë që duke ruajtur dhe shpjeguar parimet e përgjithshme ose normat e përgjithshme të së drejtës, dhe duke e bërë një gjë të tillë në mënyrë befasueshmërisht logjike e të pranueshme, ajo të na paraqesë spektaklin e një konceptimi të vërtetë e special juridik të ruajtur jo sipas asaj që njohim ne, për jo më pak se 16 shekuj”. Ky do të jetë përfundimi ku ai arrin, e në një artikull përmbledhës tëk “Shejzat, do të theksojë: “Fenomeni, nuk ka munguar të tërheqë vëmendjen e etnologëve dhe folkloristëve apo dhe studiuesve në përgjithësi, por gjithsesi në mënyrë të cakëzuar e në sektorë të caktuar, ata më të dukshmit, siç është ndërtimi dhe struktura fisnore (veçanërisht të shqueshme përmes Nopçës dhe Durhamit, për të mos cituar të tjerët veprat e të cilëve mbetën të pabotuara ose përbëjnë më tepër ripunime të materialeve të siguruara nga të tjerët) apo hakmarrja e cila tërhoqi vëmendjen në mënyrë pak a shumë romantike dhe pak a shumë të pasaktë”.
Po unë do të doja ta përqendroja vëmendjen e lexuesit në metodën historiko-kritike të inauguruar prej meje mbi lëndën në fjalë (të paraprirë vetëm në disa çështje të veçanta nga disa studiues të tillë si Shuflaj dhe Jireçek, që u interesuan më tepër për të drejtën e qyteteve bregdetare dhe atyre serbe), sepse nëpërmjet saj, përtej ndjekjes në mënyrë më të përpiktë të konceptit të institucioneve përmes zhvillimit të tyre historik, bëhet gjithashtu e mundur vërtetimi historik i vijimësisë së traditës juridike shqiptare të paktën deri në periudhën e Mesjetës së vonë duke paraqitur në një lloj mënyre edhe origjinalitetin e saj.
Nga ana tjetër, ky pohim origjinaliteti nuk duhet të na habisë, ashtu siç nuk duhet të na habisë edhe pohimi që po kërkoj të bëj, sipas të cilit populli ilirik dhe ai thrak pranë tij, e pas tyre kombi shqiptar, që është vazhduesi drejtpërdrejtë, janë mrekullisht të pajisur me dhuntinë e një kapaciteti special juridik; le të mendojmë vetëm se nga një trung i tillë kanë dalë ligjëvënës të tillë, si Dioklecioni, Konstantini, Justiniani, Vasile Lupuli i Rumanisë dhe shumë të tjerë. Dhunti speciale e traditës juridike shqiptare është logjiciteti rigoroz, ashtu siç besoj ta kem provuar në mënyrë konstante në botimet e sipërcituara, nëpërmjet zgjidhjes së kënaqshme edhe të antinomive më se të dukshme.
Do të mjaftonte leximi i këtyre frazave për të kuptuar se përse vallë studiuesi jezuit ishte kaq shumë i pasionuar dhe i joshur nga e drejta tradicionale shqiptare dhe nga ai sens i lirisë individuale dhe solidaritetit social që ai spikaste. Vitet e kaluara në Shqipëri, zakonet dhe traditat tona i mbetën të pashlyera në mendje dhe zemër për gjatë gjithë të jetës. Madje, tregohet se ai u zhyt aq shumë në njohjen e mentalitetit shqiptar të rrëfyer nga kanuni, e përqafoi atë me aq shumë entuziazëm, saqë shumë gjëra të jetës (qoftë edhe të përditshme) nisi t’i arsyetonte bazuar në parimet e këtij Kanuni. Është interesante të përmendim se sa herë flitej për cështjet shqiptare, shprehja e tij e përhershme nuk fillonte me fjalën “shqiptarët’, por me fjalët ‘ne shqiptarët. E po kaq kuptimplotë shfaqet edhe një episod i kujtuar nga Papas Ijnacio Parrino:
Një herë, pata disa dyshime për zgjidhjen e një situate të caktuar. E pyeta në mënyrë që ta kuptonte me intuitë se ç’kërkoja. Si përgjigjie, filloi të më jepte një leksion të gjatë mbi Kanunin, mbi besën, mbi nderin e mbi trimërinë. Ishte vërtet një kënaqësi të shikoje se si këto parime abstrakte të përputheshin aq mirë me një situatë konkrete. Kuptova kështu se shpirti dhe karakteri i Valentinit qenë mishëruar me parimet e Kanunit shqiptar, me ato veçoritë e tij më fisnike dhe më njerëzore.
*Botuesi dhe studiues i tij. Ndihmës i presidentit të Republikës