Po ktheheshim këto ditë nga Prizreni… Një rrugë nuk është vetëm asfalti që shkilet nga këmbësorët dhe makinat, që ta bën më të afërt një qytet, fshat apo bjeshkë. Është vetë fytyra e një qytetërimi. A nuk është Egnatia “fotografia” më e mirë e botës romake në shtrirjen e saj drejt Lindjes? A nuk është Karl Gega ynë simboli i progresit europian të hekurudhave malore, tuneleve mahnitëse, deri në atë kohë përtej imagjinatës së njeriut? Të gjithë biem dakord për progresin e shpejtë të veprave të mëdha, por shpesh pasi të ketë mbaruar së foluri politika. Por të vijmë te Udha e Kombit, që ka dhe një lexim përtej trasesë, urave e trafikndarësve. Leximin e saj si pavarësi. Përmes saj shqiptarët do të lëviznin si qytetarë europianë në radhë të parë mes të vetëve, se kufijtë politikë kishin rënë përgjithmonë dhe se kishte vetëm kufij shtetërorë, që mund t’i kaloje me një kartë identiteti, në njërën pikë kufitare, nga dy të tilla. Asgjë “shqiptaromadhe” nuk do të ndodhte nga kjo, veçse frymamarja e lirë një kombi do të ishte e patrazuar më nga avujt dhe shkulmet e së keqes. Kombi ishte i pavarur tani që nuk të duheshin më male pas malesh për të shkuar deri te vëllai yt matanë Morinit, por vetëm pak minuta dhe “fjalori” shqip-shqip.
Autostrada “Ibrahim Rugova” e Kosovës
17 shkurt, kremtimi i 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. RTK transmeton mes të tjerash dhe përshëndetjen e zotit Engël nga SHBA. Kujtesa na kthen prapa në majin e vitit 2009, kur në një reportazh në “Shqip” shkruanim: “Ishte këto ditë vizitor i Autostradës dhe kongresmeni demokrat amerikan Eliot Engël, i njohur si mbështetës i Pavarësisë së Kosovës. Ai tha se ky projekt do t’i sjellë Shqipërisë një të ardhme të vërtetë. Nga kjo rrugë nuk do të përfitojë vetëm vendi juaj, por i gjithë Rajoni, duke e bërë Shqipërinë një qendër progresi të tij…” Ndërsa sot, duke i uruar pavarësinë shtetit më të ri të Europës, zoti Engël thotë se po të kisha tani në dorë një gotë verë, do të uroja “Gëzuar Kosovë!” Dje ishte vetëm njëra pjesë e autostradës, sot është dhe pjesa tjetër. Udha e Kombit tani është si një trup i vetëm. Në vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u mblodhën në Isniq për Isa Boletinin, “kthimin e tij në vendlindje”, shqiptarë të shumtë, Presidentja Jahjaga, kryeministrat Berisha e Thaçi etj. Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, duke përmendur ngjarjet e shekullit foli dhe për Udhën e Kombit, autostradën “Ibrahim Rugova” si një ëndërr të liderit historik të Kosovës dhe pjesën e Shqipërisë, ku nuk mungoi të falënderonte atë që është quajtur si protagonisti i saj, Sali Berishën, i cili nuk e fshihte emocionin e asaj që po thuhej në atë tubim mbarëshqiptar, se Tirana me Prishtinën përshkohen në më pak se tre orë. Dhe e gjitha kjo në një sfond atdhetar rilindës, nën “hijen” e Isës së Pavarësisë. (Por dhe me një kritikë nga ana jonë, për t’i mbyllur disa punime në një copë Udhë, këndej Morinit, ca ura që presin dorën e fundit, që çudi si kanë mbetur ashtu përgjysmë prej më se tre vitesh!?)
Trau i kufirit që ndante dashuritë dhe bashkonte urrejtjet
Udha ka historitë e saj, përfshi dhe ndonjë histori të pazakontë, që lexuesit ia thonë më mirë se fjalët tona pse “pavarësia” kishte qenë bash kjo autostradë, që nuk do të kishte më atë traun e kufirit që ta këpuste në dysh, tra që do të ndante nënën me djalin, motrën me vëllain, burrin me gruan. Nuk di të këtë ndonjë këngë vaji për atë tra, plot mallkime Ajkune, por besoj se ai është larë me lot më shumë se çdo tra tjetër kufiri në Europë, për shkak të dramave jetësore që janë luajtur në të dy anët e tij. Pas Luftës së Dytë ishte koha e dashurisë së madhe mes Enverit dhe Titos dhe fillimisht lëvizej lirisht për në Jugosllavi. Aq e i ëmbël ishte mushti i asaj miqësie intenacionaliste, se mund të besoje se lëngu i saj nuk do të helmohej kurrë. Bile duke shëruar dhe plagët e travajët e së shkuarës. Por ky ishte veçse një iluzion. Profesor Zef Vorf Nekaj, një figurë e njohur e diasporës shqiptare, nga Domgjoni i Mirditës, pasi kryen Normalen e Elbasanit punon mësues në Gjakovë, Prizren etj. Ishte i martuar qysh prej vitit 1939 dhe bashkëshortja e tij, Dava, e priste në fshatin piktoresk buzë Munellës deri sa ai të kthehej, ose ajo të shkonte me të shoqin. Mirëpo pikërisht kur po thureshin ëndrrat e bukura të një çifti të ri, se si do të ishte jeta e tyre në epokën e re socialiste, befas bie trau i kufirit, për të mos u ngritur kurrë më për gjysmë shekulli. Kaq kishte qenë stina e brishtë e dashurisë midis dy qeverive komuniste. Tani kishte nisur furtuna mes tyre, që kishte këputur aq dashuri njerëzore në mes. Kishte ndodhur e pangjashmja do të thoshte rapsodi i motit. Burri me gruan e tij nuk do të mund të shiheshin më. Zefi kishte mbetur në Kosovë, nusja në Shqipërinë. Ajo e kishte pritur një jetë dashurinë e saj të humbur. Pastaj ai do të shkonte në Amerikë, ku do të bëhej pedagog në Kaliforni, kurse ajo do të vështrontë qiellin e saj mirditor që pikonte dhimbje. Çifti “mitik”, që dukej se vinte nga legjendat, do ta takohej vetëm pas 90-ës, kur ai ishte plak dhe ajo plakë, për të shtyrë bashkë vitet e pleqërisë. Kishte qenë ai trau i pa-lirisë e pa-pavarësisë që i kishte ndarë një jetë…
Tuneli i Kërrabës, porta moderne për në “Skampa”
Nëse Udha e Kombit do të ishte e vetme, atëherë për të do të flitej si për një gjë që ishte dje. Por ajo është si një trung që qet përditë degë të reja. Tuneli i Kërrabës, nën Kalanë e Petrelës, në juglindje të Tiranës, është i dyti “personazh” nga nëntoka rrugore shqiptare, që e kemi në sy. Është porta më e re nga ku do të hyhet për në Elbasan. Teknologjia i zhduk kufijtë e vendbanimeve, rretheve, krahinave atje poshtë. Thellë tokës nuk ka më kufij. Edhe ky tunel, pas atij të Kalimashit, përben lajm, por ndoshta jo më një i tretë. Kishte dhe më parë një tunel hekurudhor nën Qafë-Thanë, kur ndërtohej hekurudha Prrenjas – Guri i Kuq (Pogradec), por gjithësesi rrugëve shqiptare iu mungonin tunelet e mirëfillta, dhe pse disa galeri të stërmëdha, pa kurrëfarë mbrojtje e ndriçimi quheshin tunele, si bie fjala “Tuneli i Shkopetit”, që sot mund të duken muzeale, dhe se prapë përdorën. Tuneli i dytë është lajmëruar se do të përfundojë këtë pranverë dhe ne pastaj do të vemi lirisht drejt “Skampas”, drejt Jugut. Kjo autostradë e re është një zgjatim i Udhës së Kombit dhe drejt shqiptarëve të Ohrit, Tetovës etj., për t’ua bërë më të lehtë lëvizjen atyre andej nga u nis e nuk përfundoi “Korridori 8”. Ajo çka vlen te thuhet është se këto vepra kanë vendosur standardin bashkëkohor në ndërtimtarinë shqiptare.
Kreshta, mali i “kapërcyer” nga urbanizimi…
Por Udha e Kombit nuk është vetëm udha që përshkon qytetet… Mali i Kreshtës që ndan Kashnjetin me Zadrimën është i mbushur me plot histori migjeniane të së kaluarës. Në fillimet e shekullit të 20-të në majë të tij patën ngrirë një burrë dhe një grua, bashkëshortë, ngarkuar me thasët e drithit të blerë në Lezhë. Malësorët merrnin shtigjet nga grykat e thella për në portin e Shëngjinit apo pazarin e Gjakovës. Socializmi u ngjit në malësi me kooperativizmin duke e rrënuar pronën private (paçka se me shkolla, spital e shërbime sociale), por nuk çoi deri në Kashnjet atë që ishte a-ja, rrugën. Kreshtën nuk kishte mundur ta kapërcente asnjë regjim. Padyshim dhe tranzicioni ka lënë gjurmët e veta, por më e pakta një gjë ka shkuar në drejtimin e duhur, rruga e Kreshtës është “zbutur” nga traktori dhe fadromat, me kontributin e komunës së Ungrejt. E megjithatë prapë kashnjetorët presin atë që iu ka munguar historikisht, asfaltin. Aty ku shkon asfalti ka shkuar qytetërimi. Mbaron “epoka e gurit” për njerëzit e maleve. Kryetari i Këshillit të Qarkut të Lezhës, Pashk Gjoni, bën me dije se së afërmi do të nisë rruga e asfaltuar për në komunën Ungrej, 7. 5 km e gjatë, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Një rrugë malore nga më të vështirat që shpie drejt “Fushës së Mirë”, ku rrojnë njerëz që e kanë virtyt punën dhe progresin, që kanë investuar në bletari, blegtori, vreshtari etj., një zonë me pasuri pyjore, minerale, ujore, turistike, arkeologjike. Nëpër shtratin e rrugës së vjetër Lezhë – Orosh – Prizren. Ky është dhe kuptimi më i plotë i Udhës së Madhe, të ketë si vetja dhe udhët e tjera më të vogla të “bajrakut”… përkundër braktisjes e për kah integrimi rural.
***
Epilog. Detaj i komentit tonë do të ishte dhe fakti se po krijohet një toponimi e re kombëtare. Në Milot shoferi i autobusit i drejtohet njërit nga udhëtarët: “Ku do të zbrisni? Tek Udha e Kosovës?” Aty ku disa të tjerë thonë “te Arbëria”. Emërtimi i ri erdhi vetiu. U ngjiz në tre vjet. Makinat e kosovarëve ndalojnë për të blerë pije freskuese e fruta dhe vazhdojnë shtegtimin drejt Veriut. Kosovarët janë përditë aty, si në një stacion të ri, sidomos në verë kur më e pakta Shëngjini është plazhi i tyre. “Te Kthesa e Kosovës”. Mund të thuhej dhe te Kthesa e Milotit, Kthesa për Rrëshen, Burrel etj., por jo, është shënjuar me emrin më domethënës, që duket se nënkupton diçka më të madhe se një kthesë të zakonshme. Është si të thuash te kthesa e Kosovës për kah vetja. Në 5-vjetorin e saj të Pavarësisë, kur sapo është njohur nga shteti i 99, Egjypti, në pritje për t’u njohur dhe nga të tjerë.