Në vend te një urimi


(Fjala e piktorit )

                  

Pashk  Përvathi

 

Ekspozitë e re
Në 55-vjetorin e lindjes, piktori i njohur i peizazheve, Pashk Përvathi, vjen me ekspozitën e tij të 34-t. Është një rast që, siç thotë piktori, jo vetëm të prezantojë punët e tij të paekspozuara më parë, por edhe për t’u takuar me miq e për të ndarë eksperienca sa të ngjashme, aq edhe të veçanta. Ekspozita, e cila do të hapet ditën e mërkurë me 27 Shkurt 2013, në galerinë “Kledio”, do të ketë 38 punime. Mes tyre janë 11 portrete, 7 natyra të qeta dhe 20 peizazhe. Peizazhet mbajnë ngjyrat e Valbonës, Prishtinës, Gostivarit, Cinque terre, Romës, rrethinave të Tiranës etj. Ndërsa në portrete shquhet ngjyra e zeshkët dhe gjallëria në sytë e ciganeve. Të shtatë natyrat e qeta janë me trëndafila në dritë dhe kompozime të ndryshme. Të gjitha punimet janë realizuar në vitin 2012.

“Vjeshta e kuqe”

Ishte nëntor i vitit 1989. Kishte mbërritur vjeshta dhe ato ditë kërkoja gjithandej vendet se ku mund të pikturoja. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe doja të sigurohesha qysh më parë për motivin e gjetur. Një ndër motivet ishin edhe pemët e hurmave. Fillimisht i kisha hasur kur udhëtoja me tren në afërsi të Kasharit, në krahun e djathtë të vajtjes për në Tiranë. Pati qenë një gjendje që për shumë kohë nuk e hoqa nga përfytyrimi im, se një ditë do të gjendesha përballë tyre. Gjendja e krijuar në pemët e hurmave në vjeshtë gjithnjë kishte qenë mbresëlënëse. Doja që këtë motiv ta hidhja kësaj vjeshte në telajon time. Në kërkim të këtij motivi, këmbët që pedalonin biçikletën tip 26-tëshe, më dërguan në kodrat e Saukut. Nga rruga kryesore, brenda një reparti ushtarak dallohej një njollë e kuqe në portokalli që llamburiste nën rrezet e diellit. Me siguri që ishin hurma. Ishte paradite dhe kjo më dukej koha më e përshtatshme për ta fiksuar në telajo. Kisha gjetur më në fund vendin që e kërkoja prej kohësh. E kisha ndjesinë se ishte vendi i duhur. I përgatitur shpirtërisht për një vepër të mirë, bashkë me shokun tim të grupit, Arben Priftin, ditën e nesërme marrim rrugën për në drejtim të Kodrave të Saukut. Ora 9:00 paradite na gjeti te dera e repartit ushtarak. Pasi e njohëm shefin e shërbimit të rojeve të postbllokut për qëllimin tonë, ata na lejuan të futemi brenda territorit të repartit. Oficeri i rojës na shoqëroi për tek operativi. Edhe atë e njohëm me qëllimin e vizitës në repart. Shefi operativ nuk e mori kurajën të na jepte leje qëndrimi, por na shoqëroi për te shefi i shtabit të repartit. Me sa duket, ky ishte njeriu që e kishte këtë kompetencë, për të dhënë ose jo leje qëndrimi për disa orë në ambientin e repartit ku ne donim të pikturonim. Na priti gjithë mirësjellje dhe na u drejtua me fjalët: “Hë, si mund t’ju ndihmojmë?”. I shpjegova se “ne jemi studentë të Institutit të Arteve. Studiojmë për Pikturë. Kësaj radhe na ka pëlqyer të pikturojmë këto hurmat e skuqura nga gjethet që janë në repartin tuaj. Për këtë kërkojmë lejen tuaj”. Shefi i “madh” vuri buzën në gaz dhe me shumë xhentilesë na tha: “Patjetër, patjetër. Kjo është gjë fare e vogël”. Buzëqeshi përsëri dhe vazhdoi: “Unë mendova se doni ndonjë gjë tjetër”, dhe na shkeli syrin, duke lënë të kuptonte se këtu ka gjëra shumë më të rëndësishme sesa një copë territor me dy-tri pemë të skuqura, që donim të hidhnim në telajot tona. U gëzuam për lejen që morëm. Shefi i “madh” na la përshtypjen e një babaxhani. Operativi thirri një ushtar që të na shoqëronte për në vendin e zgjedhur prej nesh. Unë këtë vend e kisha parë vetëm prej së largu, por mendoja se përsëri bukur do të ishte edhe kur t’i afroheshim. Kur shkuam aty, vërtet qe vend që të frymëzonte për një vepër të mirë. Nxitova për ngritjen e kavaletit dhe shtrydhjen e ngjyrave. Doja të filloja sa më parë. Por jo. Diçka më mungonte. Kisha lënë te biçikleta ime, në hyrje të repartit, leckat e fshirjes së penelave dhe vajin e linit. Nisem për t’i marrë. Kisha bërë disa metra në afërsi të zyrave të komandës, ku befas u ndesha me një të papritur të madhe. Fjalët që dëgjoja pa dëshirën time, ishin të pabesueshme. Shefi i “madh” po i bërtiste shefit operativ të repartit. “Përse m’i solle tek unë për leje? Pse, çfarë do t’u thosha unë atyre! Ti nuk duhet t’i kishe lejuar të hynin në mjediset tona”. Kur i bërtiste vartësit të tij, ai nuk kishte parë se unë po kaloja përbri tyre për të shkuar te biçikleta ime. Unë e dëgjova të gjithën atë bisedë. Qe një zhgënjim i madh për mua. Si ishte e mundur që shefi i “madh” luante kështu me dy fytyra. Më erdhi keq për atë njeri, sepse sapo kisha menduar mirë për të. Kur u ktheva në vendin e pikturimit, Arbeni sa kishte filluar të hidhte penelat e parë. Ushtari i shërbimit, që ishte caktuar të na shoqëronte, ishte i pajisur me armë. Isha i traumatizuar nga fjalët që kisha dëgjuar vetëm pak minuta më parë, por shpejt kjo gjendje do të transformohej në një gjendje entuziaste. Peizazhi që kishim përballë, ishte i rrallë. Kurrë më parë nuk kisha pasur një vjeshtë të këtij lloji përpara syve të mi. Dita ishte me diell e në raste të tilla, ngjyra e gjetheve të hurmave flakërinë në të kuqen, portokallinë e të verdhat indiane. Prania e diellit ndikon shumë në ngritjen e potencës së ngjyrës në gjethet e hurmave. Aq më tepër kur diellin e ke përballë. Mua së brendshmi dhe vetvetiu më lindi edhe një ide që ta transformoja ngjyrën e tokës poshtë gjetheve të atyre hurmave. E kuqja e gjetheve do të rrinte në harmoni me të umbrën e errët të tokës. Toka e trajtuar në umbra, blu parisiene dhe Van Dyk, do të ishte e rëndë. Do të krijonte me të kuqen e gjetheve simbolikën e flamurit tonë kombëtar. Kjo ishte një situatë qe lindi vetvetiu. Por kur pikturoja, herë mbas here më duhej të dëgjoja edhe pyetjet idiote të ushtarit që rrinte me armën në krah. “Po, përse i pikturoni? Këto gjethe janë dhe po bien”. Herë mbas here na hiqte vërejtje që të mos shikonim nga pjesa perëndimore e repartit. Kur ne e bënim si pa dashje, aty dallonim grykat e topave që dilnin jashtë bunkerëve të mëdhenj.
Dita e pikturimit të hurmave në mjediset e atij reparti pati ulje-ngjitjet në situatën shpirtërore tonën. Por ne, megjithatë ia kishim arritur qëllimit. Kur u kthyem në shkollë, shokëve të kursit patëm mundësi t’u tregojmë dy peizazhe që edhe atyre u lanë mbresë të veçantë. Jo nga unë, por nga vizitorët dhe artdashësit, kjo vepër më vonë mori emrin e saj, “Vjeshta e Kuqe”. Ky ishte pagëzimi më i mirë që mund t’i bëhej një vepre. Emrin ia zgjodhën të tjerët, por që mua më ka pëlqyer gjithnjë.
Ditët e asaj vjeshte ishin për mua ditë që duheshin shfrytëzuar. Ndihej në Tiranë dhe në rrethina se vjeshta e atij viti ishte ndryshe nga ato të viteve të kaluara. Parku i Liqenit Artificial mbetej vendi ku gjithnjë në vjeshtë do të përballeshe me gjetje figurative të pëlqyeshme për t’i trajtuar në peizazh. Përsëri me shokun tim të kursit, Arbenin, marrim rrugën në drejtim të Parkut të madh të Tiranës. Thellë, në dalje te tij, aty ku fillon pjesa e dushqeve, menduam se ishte vendi për të ndaluar. Vendin e pikturimit gjithnjë e zgjidhja unë. Beni ishte në moshë 10 vite më i ri sesa unë, por në të shumtën e rasteve gjithnjë e merrja me vete. Do të pikturonim duke vendosur kavaletat në qendër të rrugës së dushqeve. Nga prania e gjetheve shtresa e rrugës ishte bërë në ngjyrë okër në kafe. Ne peizazhin tim vendosa në planin e parë me shpinë në ecje edhe një figurë veterani pensionist, me kapotë të madhe dhe një kasketë në kokë. Ai thjesht po bënte shëtitjen e tij qetësisht. Por në fundin e rrugës vendosa edhe dy figura të vogla të një çifti të ri që vinte përballë nesh. Këto nuk i vendosa me asnjë qëllim të caktuar. Thjesht të pasuroja tablonë e t’i jepja pak më shumë jetë. Prania e këtyre njerëzve mendoja se i bënte mirë peizazhit. Vite më vonë, në një ekspozitë, një kritik i njohur do të shkruante frazën që unë as që e kisha menduar ndonjëherë kur e kisha realizuar këtë vepër. “Njeriu që del nga koha dhe njerëzit që vijnë në kohë” (Nga koha dilte plaku me shpinë në ikje, ndërsa çifti i ri ishin njerëzit që vijnë në kohë”.) Bashkë me “Vjeshtën e kuqe”, ky peizazh mbeti ndër më të realizuarit e gjithë krijimtarisë sime të deritanishme. Është në fondin tim të “paprekshëm” dhe e mendoj gjithnjë si bashkudhëtar në rrugëtimin tim të mëtejshëm. Ne cepin e kornizës, poshtë, në krahun e djathtë të pikturës, ka të vendosur një rrumbullak të vogël të kuq, që do të thotë “vepër e pashitshme”. Viti 1989 vetëm prej këtyre dy veprave është vit i veçantë në të gjithë jetën time krijuese.

(Shkëputur nga libri autobiografik “Rrugëtimi im”).

 

One thought on “Në vend te një urimi

  1. Urime Pashk, edhe njeqind vjet te tjera. Jam nje adhurues i pikturave tua. Jetoj ne Prizren. Pres doren dhe syrin tend per ta pa Prizrenin ne pikturen tande.
    Tung!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *