CAMAJ DHE KOHA

Nga Vasil Vasili

 

Poezia e Martin Camajt ruan në gjakun e saj mbetëza të kolektivitetit dhe të etnografisë. Zëri i poetit që e bazon poezinë edhe në përbërës të tillë, do të jetë përpjestimisht edhe korral. Ai e ka synuar ta përcjellë në indet e poezisë entografinë dhe gjeografinë e fisit (Malësinë). Me qindra detaje të tilla i janë thadruar në moshë të njomë në psikikë. Ai sikur e ka peng ta çlirë këtë mbresëlënie që ndryshon pak nga shëmbëllesat e të tjerëve.

Moraliteti i poezisë të Camajt i nënështrohet në një masë jo të papërfillshme mendësisë tradicionale.

Camaj është në kapërcyell të mendësisë tradicionale dhe asaj individualiste. Unin poetik ai e ka të ndrojtur si malësorët, të matur, historik. Si ndërgjegje e kolektivitetit të kallur në poezi, uni poetik është i pjekur. Unin subjektivist, ai shpesh, e fsheh nën parzmin e fisit.

Bota shpirtërore e poezive të Camajt ka ngjashmëri me botën e amshuar me rregullime të përjetshme, me rend gjërash të dhëna nga kohët, të parlindura, moraliteti i saj është i pacënuar.

Njeriu i kësaj poezie e di rendin e gjërave, prandaj përsëritja e tyre është e pranueshme. Ky është pajtim i shpirtit me lëndën, ku dyshimi ekzistencial nuk njihet për arsyen e thjeshtë, se koha e poezisë së Camajt, s’ka mbërritur  kohën e ndryshimit të rendit të gjërave dhe të mospajtimit të rendit të gjërave me inpulset shpirtërore.

Koha e poezisë së Camajt është kohë e pjekur, kohë e lumtur, kohë në zenitin e saj, e paplasaritur nga brejtjet ekzistenciale. Ajo s’është një kohë antike e lëvizjeve dhe e formimit të etnive, dokeve, moraleve, luftrave, etj. Ajo i përngjan një kohe më të vonë, ku jeta vullkanike ka rënë e fashitur dhe fisi është pjekur, është qytet-shtet dhe, ka nxjerrë nga përvoja mendësinë, të cilën e mbarështron dhe ruan.

Kjo qenie kolektive, e dalë në histori nga marrëveshja e njeriut të lirë, kjo principatë, flamur etj., vëmendje të veçantë i kushton bukurisë së femrës, afrimit oborrtar drejt saj me status mbrojtjeje, pa mbrritur në intimitetin e dashurisë.

Shpesh kjo kohë, për plotësinë, duket si e nxënë në universitete popullore dhe fillesën dhe kohën poetike, i ka moshatare me simotrën që ka krijuar Lukreci në poemën traktat shkencor dhe filozofik, “Mbi natyrën”.

Ka vijuar kjo kohë e poezisë së Camajt, gjer në mesjetën e vonë, pa mbrritur në kohën e ashtuquajtur qytetërim, ku plasin brenda pjekjes së tij individualitete që e bëjnë moralin e shoqërisë të bërë të vjetër, me dyshimet për pavërtetësinë e rendit të gjërave, që nisin e vuajnë nga morali i kahershëm dhe shoqëria, në saj të vetëzhillimit, nis të vuajë nga e kaluara psikologjike, ende e pranishme me qyrkun e trashë të moralit, po e pranishme ende si kohë poetike ideale. Kjo kohë poetike ideale, te Camaj, ka brenda edhe fillesën e dyshimit intuitiv poetik. Fakti, që në poezinë e tij me kohë ideale, s’ka vend për diktaturën, tregon për besimin që duhet të ketë patur Martin Camaj te ingranazhet coptuese të jetës tradicionale, që nga koha e Lukrecit, Xhon Lokut, Deklaratës për Pamvarësi të Amerikës, se një ditë, kjo kohë, do të thërmojë kohën e diktaturës. Camaj është përfaqsues i kohës së lumtur të fisit, është idealist. Këmbëngul me forcën poetike të ringrejë kohën e lumtur me afshin e një tradicionalisti, prandaj, një prej poetëve më të afërt shpirtërisht ka patur Lasgush Poradecin, i cili ishte i shënuar nga metafizika. Zgjedhjen për Poradecin, ja ka shprehur edhe bashkëshortes së dytë, gjermanes Erikë. Po aq të dashur për Camajn kanë qënë edhe Mjeda, Azem Shkreli, Anton Pashku tek të cilët është përbërëse e rëndësishme, koha e përherëshme.

Te Camaj, vuajtja poetike s’vjen nga dyshimi për mosrregullimin e rendit të gjërave, ajo është gjer në kufijtë e kqyrjes së lumturisë metafizike, që ndonjëherë i mbyll shtigjet për mirëni.

Besimi në kohën e përjetëshme, në fuqinë e rendit të gjërave, e ushqyer nga marrëdhëniet që pati me vendlindjen në rininë e parë, me Shkodrën, e ushqyer nga fuqia e qytetërimit perëndimor për të mposhtur diktaturat, e ushqyer nga miqësia dhe bashkëpunimi me E. Koliqin, I. Kodrën, Gj. Gjokën, arbëreshët etj., i ruajti një drejtëpeshim shpirtëror të shkëlqyer dhe të përkorë për ta parë atdheun në kohën e shkuar (të përjetëshme), për t’i kthyer atij pasqyra të jetës me thellësi kohe, që ai i kishte ruajtur si rrallëkush në letrat shqipe.

Metafizika e poezive s’është aq asnjanjëse sa duket së jashtëmi edhe pse e fshehur me një natyralitet lirik spontan. Jeta e njeriut Martin Camaj zgjon jetën e poetit Martin Camaj, por edhe kryengritja te Camaj, është lirike.

Jeta e njeriut M. Camaj shpiet në kufijtë e mosqenies për t’ia lënë vendin një kategorie më të plotë, më përfaqsuese, jetës së një populli, i cili nënkuptohet në fatin historik. Camaj e modelon këtë fat historik të popullit me detaje, historinë e kthen në poezi, madje në lirikë.

E sotmja, nëpërmjet detajeve metafizike që ndërfut shpesh, humb konkretësinë dhe lidhet me kohën e kaluar. Ndërfutja e kohës metafizike në kohën e sotme, e anasjelltas, është kaq fine, aq e natyrshme, sa përngjan si një trup.

Koha asnjëherë s’ngutet. Fryma njerëzore i jep asaj shpejtësi më shumë se sa e ka lëvizjen e përfyturuar ajo apo e lë në pezulli.

Në poezinë e Camajt, koha s’është as në lëvizje me ngut, as në pezulli. Për atë mund të thuhet se ajo si koha asnjëherë s’ngutet. Ky pajtim i ritmit të poezisë me ritmin natyral të kohës i jep ligjërimit poetik trajtën e të qënit në çdo çast në kohë. Koha, që s’ngutet asnjëherë, jepet me një sintaksë, që ka për bazë vendosjen e fjalëve me një gramatikë normative, pa fjali të ndërkallura, pa gjymtyrë të çvendosur.

Koha e dlir historinë. Të njëjtën gjë mund të thuhet edhe për Martin Camajn. Poezia e tij lirike e dlir njeriun.

Koha e përjetëshme, që ai e ka në indet e ligjërimit dhe dlirësia poetike e bëjnë Camajn emblemë në letrat shqipe.

 

 

Memaliaj, shkurt 2006.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *