SHQIPONJA DIELLORE E TUZIT

 Foto: Ne te majte te njeriut me flamur, Ndue Dedaj

Reportazh

Ndue Dedaj

SHQIPONJA DIELLORE E TUZIT

(Mes shqiptarëve në Malin e Zi, në kremtimin e Pavarësisë)

 

1

Shqiponja dykrenore e flamurit tonë kombëtar ka patur një hijeshim të paparë dhe një laryshi të pazakontë shpalimesh në këtë jubile. Padyshim që është krijuar albumi më i madh e më mrekullues i saj. Ka një meritë të posaçme Qeveria e Shqipërisë në shenjimin e festës më së miri, por për kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë “qeveri” ka qenë sidomos atdhetaria, pa kufij. Është domethënëse që gjatë udhëtimit tënd verior, në Lezhë e Shkodër, në dy kalatë të kundrosh pamjen diellore të shqiponjës. Kurse në breg të Fanit, në Rubik, një shqiponjë e pikturuar në anë të Rrugës së Kombit, është mbase e para që hapi siparin e “shqiponjave” gjithandej. Gjimnazistët e Rrëshenit, shpendin e tyre jubilar e bënë krejt të veçantë, në një pllajë të qytetit, krijuan një shqiponjë tokësore prej flakësh të buta, rreth së cilës shihen në foto vetë ata veshur me bluzat kuqezi. Është një traditë e lashtë kjo e xhamadanit kuqezi, që prodhohej herët nga artizanët në Gjakovë, Shkodër, Krujë, Gjirokastër, Prevezë, thurur me fije ari. Ishte xhamadani i dasmave shqiptare, nga ka lindur dhe kënga që u bë hit kombëtar “Xhamadani kuqezi”, me poezi të Alfred Çapalikut dhe muzikë të Zef Çobës. Ai xhamadan kishte qenë aq i shitur dikur dhe burrat e dheut e mbanin për t’u bërë dhëndra me të, por dhe për të vdekur me të. Rapsodi i njohur, Frrok Haxhia, tregon se si në vitin 1970 e kishte siguruar xhamadanin e vjetër me shqiponjë. Do të jepej një koncert qeveritar në Tiranë për Pavarësinë dhe ai donte të ishte sa më autentik (etnikisht) nga veshja, vargjet, çiftelia, ndaj ngjitet deri në Bardhet, ku rronte plaku njëqindvjeçar Ndue Paluca, i cili e ruante atë xhamadan prej motesh. “Plaku i Qafës së Malit, siç quhej ndryshe ai, njëqindvjeçar, ma dha xhamadanin duke më uruar “Sa rrofsh, o bir, i këndofsh flamurit”.

I sjell në kujtesë këto detaje në vigjilje të 28 Nëntorit, teksa je duke udhëtuar drejt Tuzit, nëpër rrugën e re të asfaltuar për bukuri, nga Shkodra në Han të Hotit. Në “Benz”-in me të cilën udhëtojmë, me dy këngëtarët popullorë, Fran Preçi dhe Nikollë Deda kemi veçse një lajtmotiv, shqiponjën. Ajo ka qenë aq e pranishme në traditën shqiptare, gdhendej në gurë, në qoshet e shtëpive, porta kullash e në oxhakë; në tavanet e drunjta malësore, por dhe në baker, në objekte zbukurimi, veçanërisht për të huajt. Kohët e fundit e kanë “qendisur” shqiponjën jo vetëm me pe si Marigoja, por dhe me korrra gruri, orizi e gjer fara luledielli. Pa folur për shqiponjat gjigande në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj. Na kanë thënë se dhe në Tuz kanë bërë një shqiponjë të veçantë. Mezi presim ta shohim se si do të jetë ajo.

 

2

Duke shkuar për në Tuz, sytë në venë gjithkund brigjeve të liqenit të Shkodrës, se mos shohim ato famullitë e moçme, gjysmëmjegullore, ku Buzuku shkroi “Mesharin”, apo lahutat e historisë që i frymëzuan Fishtës “Lahutën” e tij epike. Të përhihet Oso Kuka si një luftëtar akilian. Në vitin 1862 ai mbeti i rrethuar në ishullin e Vraninës, në këtë liqen, nga malazezët e komanduar nga Princ Nikolla. I mbetur vetëm, pa municion, ai hodhi në erë kullën ku gjendej, duke u vrarë bashkë me shokët të tij, por dhe armiqtë. Nga kjo, thotë Fishta, i mbeti “Oso Baroti”. E jo vetëm “Lahuta e Malcis”, po dhe “Iliada” të ngjajnë të afërta në kohë, ende shungullojnë, pasi heronjtë janë ende gjallë. Malësia në këto anë nuk është një emër i përgjithshëm, si për çdo malësi tjetër shqiptare, por një territor i përvçëm, që nis në këto brigje dhe kulmon në malin e Deçiqit, majën e Bratilës, ku 101 vite më parë Dedë Gjo Luli ngriti flamurin, si një pararendje e asaj që do të ndodhte në Vlorë me 1912. Prej asaj dite ky vend trimëror e ka për nder të thirret “Malësia e Dedë Gjo Lulit”. Portreti i tij është kudo, si një shenjëtor i lirisë. Deda dalëngadalë u shndërrua në mit. Ashtu si Isa Boletini, Abdyl Frashëri, Bajram Curri. Prandaj këndej rapsodia nuk sos kurrë, qysh prej Homerit.

Në faqen historike të portalit “Malësia.org” të trevës lexojmë: “Malësia e Madhe është pjesë e trojeve shqiptare dhe shtrihet në lindje të Podgoricës (Mal të Zi) e vazhdon deri në pjesën veriore të liqenit të Shkodrës, duke perfshirë një pjesë të mirë të rrethit Malësi e Madhe në Shqipëri. Është zonë malore me lartësi mbidetare midis 800 – 1700 metra. Në gjithë këtë hapësirë rrjedh lumi i Cemit, i cili buron nga Alpet Shqiptare (Bjeshkët e Nemuna) dhe derdhet në lumin Moraçë. Kjo krahinë shqiptare shtrihet në pjesën veri-përëndimore të Shqipërisë, që nga Shala deri te Shpella e Berishës në brigjet e Moraçës. Në Mesjetë ky regjion njihet si Pulti ose Pulati në dokumentat bizantine. Ka një popullsi autoktone shqiptare. Qendrat kryesore janë Tuzi në Mal të Zi dhe Kopliku në Shqipëri.” Malësia e Madhe sepse na kujton Hasin e Thatë, gjithashtu i përgjysmuar mes shqiptarësh për njëqind vjet, nga kufiri politik i Fuqive të Mëdha të 1913-ës. Prej viteve ‘70 shumë bij të Malësisë kanë bërë fole në Amerikë, por vendlindjen e kanë muzën e tyre të përditshme e të përjetshme. E dëshmojnë këtë dhe këngët, festat e bjeshkës, ritet e bukurisë, videot, fotografitë, shkrimet historike, kujtimet, intervistat e intelektualëve në faqet e revistës “Kuvendi”, që botohet në Detroit nga shkrimtari Pjetër Jaku.

3

Flamuri është kryefjala e këtij viti jubilar. Shqiponja e tokës dhe e qiellit. E vetmja pasuri shqiptare në gjithëpronësi. “Kahdo shkojmë, shqipe në thonë”, është njëra nga këngët që ka çelur koncertin e festës tuziane. Nuk mund të harrohet sivjet veçanërisht shqiponja “e ndezur”, flakëruese e Tuzit, që u shpalua furishëm në sallën e koncerteve të qytetit të vogël me botë të madhe, me 22 nëntor. Ansambli artistik rinor “Shqiponja” kerceu vallen e flamurit, ku fëmijët me anë të shkronjave që mbanin në duar formuan emrin “Vlora”. Është Vlora më e bukur që ke përjetuar ndonjëherë, që nga ajo e Ismail Qemalit, Luftës së Vlorës, lirikave të Ali Asllanit, detëzimit poetik të Fatos Arapit etj. Në skënën e Tuzit janë ngjitur artistët nga Mirdita, si me 1978-ën në kalanë e Gjirokastrës, kur fituan flamurin e Festivalit. “Porsi krahët kur hap shqiponja/ Xhamadanin hap Mic Sokoli” nis kënga lapidare. Po cili ishte ky hero mitik më tepër se real? Njëri nga lavdimëdhenjët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që me 20 prill 1881 u hodh në sulm kundër ushtrisë osmane në betejën e Slivovës në Kosovë ku dha jetën, për të mos vdekur kurrë, siç shkruan Kristo Frashëri. “Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokoli” kumbon njësoj si atëherë vargu i famshëm i poetit Gjok Beci në mbyllje të kësaj kënge. Nuk është çudi që prapë sonte është Mrikë Trumshi që e këndon dhe pas 34 vjetësh këtë këngë emblematike. Njëri nga bashkëbiseduesit tanë kujton vitin 1979 kur ansambli “Mirdita” pati qenë  në turne në Mal të Zi. Por jo dhe në Kosovë.

Dy bashkorganizatorët e koncertit të Tuzit kushtuar Pavarësisë janë: njeriu energjik dhe fort miqësor Pal Dreshaj (Tuz) dhe Gjergj Marku (Mirditë), drejtues kulturor dhe gazetar. I pari është kujdesur për të gjitha detajet, që nga mirëseardhja e artistëve mirditorë në lokalin “Troja” deri te harmonizimi i këngëve dhe valleve të tyre me ato të ansamblit vendës “Shqiponja”, i dyti, përpos se sendërtues i programit muzikor, ishte dhe paraqitësi i koncertit të përbashkët. Duke e kryer prej shumë vitesh këtë rol, ai tashmë ka nuhatjen e skenës, njeh tempin të saj, çastet kur salla duhet përfshirë në ritmet e shfaqjes. “Ky është një koncert zemre”, thotë Gjergji një frazë që nuk e shqipton shpesh në skenë. E shënoj në bllokun tim, teksa Aleksandër Ndoja, gazetar dhe shef i marrëdhënieve me publikun në bashkinë Rrëshen, shkrep aparatin fotografik si për të fiksuar pikërisht këtë ngjyresë emocionale. Gjergji vazhdon të thotë se “janë këngët ato që kanë ngjizur ashtin shqiptar” dhe ua përcjell mikrofonin, njërit pas tjetrit, këngëtarëve të pasionuar: Prena Beleshi, Arlinda Gjoni, Kastriot Kola, Ndue Picaku, Kurt Lika etj. “Në Kosova ndërroi epoka” është vargu i një kënge të Gjok Becit për pavarësinë e Kosovës, i denjë për t’u shkruar me shkronja kapitale mbi traun e doganës së Morinit, a mbi vetë kreshtën e lartë të Sharrit. Por jemi ende në skenën e Tuzit, ku kanë luajtur një instrumentale të shkëlqyer artistët e rinj të këtushëm dhe Gjergji iu zgjat mikrofonin. E pyet njërën nga vajzat kërcimtare në skenë, nëse mund të kishte nuse me xhubletë në këto anë dhe ajo pasi mendohet pak ia kthen: “Pse jo?” Tonin Ujka, një gazetar i ri vendas, këndon këngën “Gëzuar 100-vjetorin”. Edhe Ornela, që i është bashkuar koncertit si “nuse” e dasmës mirditore, studion për gazetari në Universitetin e Shkodrës.

4

Nuk kemi dalë ende nga skena. Janë  duke bërë të gjithë fotografi aty, para shqiponjës së ndriçuar nga mijëra llambushka, artistë dhe autoritete të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi; Tahir Tahiri, kryetar i këtij forumi me bashkëshorten; Saubih Mehmeti, sekretar i LDK të Malit të Zi, Ulqin; Hajredin Kovaçi, poet dhe veprimtar politik në Anën e Malit etj. Zoti Tahiri ka uruar “Qoftë i bekuar flamuri”. Unë i them Besës, nxënëse e klasës së pestë, të bëjmë një foto së bashku me shqiponjën e Tuzit dhe vogëlushja pranon. Natyrisht që nuk njihemi, por është shqiponja që na njeh. Është e vogël kjo sallë për këso ngjarjesh, dhe pse me rreth 400 vende. “Nuk ka patur një shfaqje të tillë këtu në Tuz”, na thotë një djalosh simpatik. Është kremtimi i Pavarësisë, për herë të parë në këto përmasa. Është Tuzi, Ulqini, Kraja, Plava, Rrozhaja, krejt Malësia që rrezellin brenda teje sa herë gjendesh këndej Hanit të Hotit, por sonte është kjo shqiponjë që nuk ka qenë kurrë me parë kështu, njëqindvjeçare, që mundet të fluturojë e lirë deri në Bratilë, pa leje, pa vizë, pa gjyq… Akujt kanë shkrirë. Por se si të vjen që në njërën nga kioskat e shtypit në Tuz nuk ka tituj në gjuhën shqipe. E tillë, shqipe, është vetëm vajza gjithë sharm që shet mallra malazese dhe pret të vetmin botim në gjuhën e saj, gazetën “Koha ditore”, një herë në javë. Tuzi i vogël ruan brenda vetes një thesar të madh. Është biblioteka albanologjike e At Vinçens Malajt, për të cilën pyetëm me të vënë këmbën në Tuz, por është vonë e në kuvendin françeskan na duhet të vijmë një herë tjetër. At Vinçens Malaj dhe Dom Simon Filipaj sikur kanë dalë nga veladoni i Gjon Buzukut, për të vazhduar misionin e tij në kohë moderne.

***          Kur po ktheheshim në doganë, kishte dy orë që kishte kaluar mesnata. “Sikur të venim dhe në Preshevë me këtë udhë”, thotë njëri nga bashkudhëtarët tanë. Për shqiponjën e 100-vjetorit dhe atje…

 ARDHJA E “MESHARIT” NE FAMULLINË E VET

(Dhe një kujtesë për prelatët e shkrimtarisë dhe diturisë kombtare)

 

Me siguri nuk ka shqiptar, në dhjetë milionë bashkëvëllezër, që nuk ka parë ëndrra me “Mesharin” në duar, që nuk e ka përfytyruar autorin e tij përmes një shëmbëllese mitike, në mungesë të fotografisë dhe të ca rreshtave biografie, pos pak fjalëve në pasthënien e librit, që ai, Don Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, kishte pas nisur ta shkruante veprën e tij meshtarake me 20 mars 1554 dhe e kishte përfunduar me 5 janar të vitit 1555. Libri i tij do të kishte një fat më se të çuditshëm, do të mbërrinte deri në cakun e fundit të ekzistencës, po të mos kishte qenë një dorë e mbarë, që një kopje të tij ta çonte në Bibliotekën e Vatikanit. Ky do të ishte një fat i pazakontë për autorin, por dhe për krejt letërsinë e kombit të tij, e cila do ta kishte atë libër në rrënjët e veta, si gurin themeltar. Por libri emblematik, aq sa do të dëshmonte praninë e shkrimtarit të parë shqiptar dhe të shqipes së shkruar, në atë fazë parake të shkrimit të saj, aq enigma do të linte pas, për shkak të mungesës së fletëve të para, ku duhej të kishte sadopak të dhëna biografike për autorin, si datëlindja, vendlindja, famullia ku kishte shërbyer, vendi i shtypjes së librit, në Venedik a Kroaci, etj. Janë ata, pra, treguesit e frontespicit, që kur del libri kalohen me një shikim, po që më pas qëllon që fitojnë vlera të pashoqe. Sa studiues kanë thënë: “Ah, sikur të ishin ato fletët e para të “Mesharit”, puna do të ishte ndryshe. Njohja do të ishte më e plotë. Në ato 32 faqet e munguara doemos që do të kishte diçka më shumë, përfshi dhe titullin origjinal të librit. Por si duket fati i shkrimtarit të parë shqiptar, përsa i përket “humbjes” së vendlindjes në shtjellat e trazuara të kohës, ndiqte fatin e Heroit Kombëtar.

Autori as që e kishte shkuar ndërmend, kur e kishte botuar librin, se cili do të kishte qenë statusi i tij më pas. Nuk e kishte menduar rrugëtimin e librit të tij të “cunguar” nga njëri shekull në tjetrin, zbulohu e humb dhe për më tepër, se do të vinte një përvjetor madhor, që do të ishte i njëqindti i Pavarësisë së vendit të tij, kur ai, libri monumental buzukjan, do të shtegtonte nën masa të rrepta sigurie drejt tokës amë, me protokollin strikt të dy shteteve, për më tepër përkundretjt një shume parash jo të pakta si garanci për ruajtjen e tij, që ai si prift malesh shqiptare nuk i kishte patur kurrë nëpër duar, mbase dhe e gjithë dioqeza e tij asokohe. Kështu, libri i tij kishte ardhur duke u mitizuar, çka e kishte bërë atë të paprekshëm. Kishin qenë vetëm tre shqiptarë që e kishin prekur me dorë “Mesharin” atje në Vatikan. Zbuluesit dhe kopjuesit e tij fatlumë.

Pas vitit 1555, kushedi se në ç’rrethana, libri ishte humbur, duke u shndërruar për afro dy shekuj në një vepër të panjohur, strukur si një i paemër dikund në skedarët e Romës mesjetare. Vetëm një Zot e di se si mund të ishin përpirë nga dheu a flaka, nga urditë pushtuese të orientit të gjitha kopjet të tij, për të mbetur vetëm një, ajo që me 1740 e zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi, nga Gjakova. Zbulimi doemos që bëri jehonë të madhe, sepse ishte libri i parë në gjuhën shqipe, ndaj ai shpejtoi t’ia jepte lajmin e gëzueshëm arbëreshit Gjergj Guzeta, themelues i seminarit të shqipes në Palermo, të cilit i dërgoi një fotokopje. “Meshari”, siç dihet, ishte i shtypur me alfabetin latin, duke u shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Veçse libri i parë shqip, aq fort i mirëseardhur, do të mbetej prapë në harresë, përhumbje dhe për një shekull tjetër, krejt si një humbës i madh, deri në vitin 1909, kur e rizbulon arbëreshi Pal Skiroi, gjithnjë në Bibliotekën e Vatikanit, ku gjendet edhe sot. Duket se humbjeve të tij po u vinte fundi. Ama kishte ndodhur Rilindja Kombëtare, ishte krijuar shteti shqiptar e prapë dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX nuk e kishin sjellë “Mesharin” këndej detit, nga ai pati pas shtegtuar shekuj më parë, ashtu si Zoja e Shkodrës etj. Nuk mund të ishte i qetë veçmas gjuhëtari i spikatur dhe prelati i ndritur At Justin Rrota, një nga ata shqiptarë diturakë që shihte ëndrra me “Mesharin” në sy, prandaj me 1929 ai niset drejt Romës, e rigjen librin e bekuar, e fotografon në tre kopje, njëra nga të cilat gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Qoftë dhe vetëm për këtë akt kulturor, At Justini e meriton në këtë Jubile titullin “Nderi i Kombit”, duke bërë i vetëm në atë kohë sa një shtet i tërë. Dihet pastaj puna e pamatë e gjuhëtarit të shquar Eqerem Çabej, që me 1968 botoi studimin shkencor të veprës së Buzukut. Është më të vertetë diçka e magjishme, që “Meshari”, pagëzohet nga shqiptarë të gjithandejshëm, nga Gjakova, Shkodra, Gjirokastra, si dhe nga arbëreshët e Italisë. Mbase nuk mund të ndodhte ndryshe me një libër si ai, që do të mbetej abetarja kulturore e kombit; për vlerat gjuhësore, letrare, religjioze.

E megjithëse “Meshari” ka shkruar historinë e letërsisë e të gjuhës shqipe, në do të ishim gati ta “sakrifikonim” sërish, nëse do të ndodhte mrekullia që një tjetër Gjon Nikollë Kazazi të zbulonte një tjetër meshar, më të vjetër se ky, dy a tre shekuj para tij. Por dhe nëse nuk do të ketë një meshar më të hershëm, një gjë është e sigurtë, që dioqezat e moçme shqiptare, në rrënoja dhe arkiva, nuk janë shterruar plotësisht nga kërkimi shkencor. Nuk ka qenë vetëm një famulli, ajo e Gjon Buzukut, ku u përkthye e shkrua një libër në shqip. Kanë qenë dhe ato të Bardhit, Budit dhe Bogdanit. Të Lekë Matrangës, Jul Varibobës etj. Kanë qenë dioqezat e Veriut që hapen shkollat e para shqipe, në Pllanë, Blinisht, Velë dhe Kurbin me 1632 e mbrapa. Ka qenë dhe Merqia e Lezhës, me të cilën lidhet një nga ngjarjet më kulmore historike të kulturës shqiptare, “Kuvendi i Arbnit” me 1703. Në kohën e Rilindjes do të hapeshin shkolla: në Orosh nga Prend Doçi, në Zllokuqan nga  Shtjefën Gjeçovi, në Stubëll të Karadakut nga Dom Mikel Tarabulluzi etj. Me famullinë e Kuklit do të lidhej “Andrra e Jetës” e Ndre Mjedës. Me Ndërfanën “Fjalor i ri i shqipes” (1908) i Dom Dodë Kolecit dhe shoqërisë “Bashkimi”. Nëpër famulli të Shkodrës, si ajo e Shkrelit e të tjerë, u shkruan romanet e para shqiptare dhe historia e parë e Shqipërisë prej Dom Ndoc Nikajt, veprat gjuhësore të Dom Nikollë Gazullit etj. Tradita e shkrimit famullitar, siç do të na pëlqente ta quanim, si për çudi vazhdoi deri vonë, dhe kur ishin krijuar institute shkencore dhe akademitë e shkencave në Tiranë e Prishtinë. Në vitet ’70 të shekullit XX në famullinë e vogël të Shën Gjergjit, në anën e tejme të Bunës, i mirënjohuri Dom Simon Filipaj, do të përkthente Biblën në gjuhën shqipe. Ashtu si në Tuz, At Vincens Malaj, do të merrej me botimin shkencor të “Kuvendit të Arbnit”, ku do të ngrinte dhe një bibliotekë albanologjike model. Por dhe sa e sa vepra të tjera kulturologjike, të një rëndësie kombëtare, dalë prej famullive të maleve tona, i bëjnë ndër këtij njëqindvjetori të madhnueshëm. Janë kuvende, abaci, dioqeza, famulli të shumta: Durrës, Delbinisht, Sapë, Lis, Troshan, Kallmet, Pult, Rubik, Orosh, Tiranë, Vlorë, Elbasan, Mertur, Milot, Zym, Kryezi, Lurë e të tjerë, që kanë lënë gjurmë në etnokulturën shqiptare. Se ç’ka qenë një famulli në botën e shkencës dhe të dijes, mjafton të sillet në vëmendje një skicë e veçantë e Faik Konicës, kur ai e viziton Gjeçovin në kishën e tij në Gomsiqe. Ishte gjithsesi ajo, e para, famullia e Buzukut, që i lindi këto të tjerat. Ajo famulli që studiuesit na thonë se ishte diku në Krajë, buzë liqenit të Shkodrës, apo në Mjedë, ku motit gjendej një nga qytetërimet e vjetra më në zë.

Ka qenë në natyrën e urdhrave kishtarë dhe sqimën e vetëdijen e këtyre prelatëve, të ishin tej maset modestë. Nuk thanë kurrë një fjalë për veten. Pa thënë se shpesh veprat e tyre botoheshin pa autorësi. Por nëse ata ashtu e kishin mënyrën e shpërfaqjes, nën një autorësi institucionale, më shumë se sa vetjake, neve na bie barra t’i çmojmë e nderojmë emër për emër. Në këtë 100-vjetor vërtet erdhi “Meshari”, por nuk erdhen meritueshëm pasardhësit e Buzukut. Nuk dimë të jetë vënë dhe një pllakë përkujtimore në ndonjë famulli historike shqiptare, që të tregojë se aty shërbeu aksh shkrimtar i mirënjohur françeskan, apo jezuit, u hap shkolla e parë shqipe e krahinës, u shkrua një vepër e shquar, ta zëmë, “Lahuta e Malcis” etj. Me të vërtetë që deri më 28 Nëntor nuk mund të bëhen të gjitha ato që pritej të bëheshin, por deri në Krishtlindje ka ende dhe një muaj kohë, dhe viti kremtues natyrisht vazhdon deri me 31 dhjetor, ndaj dhe përnderimi për prelatët e kombit mund të vazhdojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *