Në New York u festua madhështore 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë


Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar,
Zoti e bekoftë Amerikën
Nga Pierre-Pandeli Simsia
 
 Në New York u festua madhështore 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar përkrah Flamurit Amerikan
Përgatitjet e shqiptaro-amerikanëve për të festuar madhërishëm 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në qendër të Manhattanit gjigand, në zemrën e kryeqytetit të botës dhe fjalës së lirë, në New Yorkun marramendës, llamburitës, në SheshinTime Square të famshëm, në atë shesh që është kryeqendra e milionave turistëve të shumtë, sheshi ku festohet madhërishëm ndërimi i viteve, u realizuan me suksesin dhe madhështinë më të madhe që kemi parë ndonjëherë, bashkimi i shqiptarëve nga vende dhe troje të ndryshme…
Nuk e kishim parë asnjëherë Time Square-n me kaq shumë bashkatdhetarë të ardhur për të festuar festën e madhe të pavarësisë, sa ç’e pamë atë të mërkurë më 28 nëntor, 2012. Dhjetëra mijë shqiptarë kishin mbushur plot e përplot sheshin.
Sado që të shkruhet për atë atmosferë kaq festive e të gëzueshme, nuk mundem dot të përshkruaj ndjenjat, emocionet, gëzimin, përlotjen e gjithë motrave dhe vëllezërve të një gjaku që kishin mbushur plot atë shesh.
Ditën e mërkurë, 28 Nëntor, 2012 qendra e New Yorkut, u vesh kuq e zi; për disa orë me radhë ishte qendra e shqiptarëve. Gëzime, brohorima, përqafime, këngë, valle popullore shqiptare, shpalosje flamujsh të shumtë shqiptarë dhe amerikanë në qiellin njujorkez… kjo ishte atmosfera festive e datës së shënuar 28 nëntor.
Dy gëzime, dy festime në dy sheshe të ndryshme të New Yorkut për të njëjtin qellim; për të ngritur Flamurin Kombëtar Shqiptar në sheshin Bowling Green dhe për të shkuar më pas në Time Square.
Në sheshin Bowling Green, që ndodhet pranë Bashkisë së New Yorkut, tashmë është bërë traditë disa vjeçare që çdo 28 Nëntor të bëhet ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar i cili valëvitet përkrah Flamurit Amerikan dhe qendron për pesë ditë resht.
Ajo ceremoni që në nismën e saj të parë edhe këtë vit u organizua nga Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Artit, Instituti Shqiptaro-Amerikan “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, në bashkëpunim me Fondin e Përbashkët Shqiptar me seli në New Jersey dhe Shoqata Shqiptare “Hasan Prishtina”, Waterberry, Connecticut.
Qindra bashkatdhetarë me veshjet kuq e zi dhe me flamuj shqiptarë në duar u mblodhën në sheshin Bowlen Green.
Në tribunën e improvizuar pas fjalës përshëndetëse nga drejtuesit e programit, u mbajt një minutë heshtje në kujtim të gjithë patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë që në këto 100 vjet kanë dhënë kontributin e tyre për çështjet e mëdha të Kombit Shqiptar.
Më pas përshëndetën zotërinjtë: Mark Gjonaj, Anëtar i Ansamblesë së New Yorkut, Dritan Mishto, Konsull i Shqipërisë në New, York, Fatmir Zajmi, Konsull i Kosovës në New York, Prof. dr. Skënder Kodra, Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Artit, Rrape Ruci, President i Institutit “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, Z. Pikolo, Përgjegjës dhe mirëmbajtës i Parkut në Sheshin Bowling Green, Kryetari i Shoqatës “ÇAMËRIA” Prof. Sali Bollati, Musa Paçuku…
Në fillim u ekzekutua Himni Kombëtar Amerikan dhe më pas, nën tingujt e Himnit Kombëtar Shqiptar, u ngrit Flamuri Shqiptar nga Dafina Domerolli dhe Drilon Veliu.
Ato çaste ishin edhe më emocionantet.
Aktori i talentuar Astrit Sulo, me ndjenjë dhe me talentin e tij prej artisti recitoi vargje poetike të krijuara nga ai vetë për Flamurin tonë të shenjtë.
Edhe bashkatdhetari tjetër, Destan Demo, recitoi vargjet e tija “Krenar të jesh Shqiptar.
Vogëlushi Adem Kaliqi nga Fondi i Përbashkët Shqiptar, i veshur me kostume kombëtare shqiptare, emocionoi të gjithë të pranishmit me zërin e tij të fuqishëm kur këndoi këngët: “O sa mirë me ken shqiptar” dhe “Këngë për Adem Jasharin”
Dy grupe të ndryshme valltarësh, të gjithë të rinj në moshë, interpretuan vallen e mirënjohur “Festë të Madhe ka sot Shqipëria” dhe vallen me motive çame, nën tingujt e këngës së mirënjohur “Turman kuqe”
Në fund u bë edhe prerja e tortës së madhe që kishte pamjen e flamurit tonë kombëtar, fusha e kuqe dhe në mes shqiponja dykrenore e zezë, e përgatitur nga “Black Eagle, Energy Drink”.
Komunitetit tonë në atë festë iu bashkuan edhe turistë të shumtë, meqenëse aty pranë ndodhet edhe bualli i famshëm… aq i lakmuar për turistët e shumtë, për ta prekur dhe për të dalë fotografi në të.
Kështu përfundoi ceremonia e ngritjes së flamurit tonë në Sheshin Bowling Green për të shkuar më pas në Sheshin e famshëm Time Square.
Pjesëmarja e shqiptarëve, gëzimi, festimi i 100 vjetorit të Shpalljes së pavarësisë në Time Square, dë të mbahet mend për shumë kohë të gjatë.
Është për t’u vlerësuar dhe për t’u falenderuar, Bashkia, Policia e New Yorkut, për ndihmën dhe kontributin e saj të madh që dhanë duke na lejuar të festojmë në atë shesh, si edhe për regullin e tyre korrekt që treguan.
Falenderojmë popullin e kulturuar amerikan, si edhe turistët e shumtë në shesh, që jo vetëm na përkrahën, por edhe u bashkuan me ne për të festuar.
Shoferët dhe pasagjerët e makinave të shumta që lëviznin rastësisht në rrugët anësore të sheshit, na përshëndesnin dhe na uronin në të njëjtën kohë.
Kështu u mbledhshim përherë me njëri tjetrin në festa dhe në gëzime.
Rroftë 28 Nëntori.
Rroftë 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar.
Zoti e bekoftë Amerikën.
Foto Nga Piere-Pandeli Simsia:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *