Nga Frank Shkreli
Komisioni Për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork, botoi kohët e fundit një raport prej 53 faqesh në të cilin vë në dukje ”persekutimet e gjithanshme kriminale si dhe burgosjet e gazetarëve, përfshirë edhe perdorimin nga ana e qeverisë, të lloj lloj forma presionesh, për të detyruar krijimin e një atmosfere të vetcensurimit nga ana e gazetarëve.” Shkurt, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve, thotë se kufizimi i ”Lirisë së shtypit në Turqi ka arritur një nivel krize.” Raporti akuzon qeverinë e Kryeminstrit turk Rexhep Taip Erdogan se ”ka ndërmarrë masat më të egëra në botë kundër lirisë së shtypit, që mbahen mend në kohët e fundit”.
Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve akuzon autoritete turke se kanë ”burgosur gazetarë në masë me akuza terrorizmi ose për veprimtari anti-shtetërore dhe se kanë filluar me mijëra procedime ligjore me akuza të ndryshme kundër gazetarëve. Rapoti vazhdon duke thënë se vet kryeministri Erdogan ka kritikuar publikisht gazetarët dhe u ka bërë thirrje pronarëve të mediave të ndryshme që të disiplinojnë, ose madje edhe të pushojnë nga puna gazetarët që kritikojnë qeverinë.
Duke reagur ndaj raportit, autoritetet turke kanë thënë se vlerësimet e pavarura – siç është raporti në fjalë — të problemeve të lirisë së shtypit në vend, janë të ekzagjeruara. Autoritetet qeveritare kundërshtojnë numërin e arrestuar të gazetarëve duke thënë se shumica e atyre që janë të burgosur mbahen për krime serioze dhe se nuk kanë të bëjnë aspak me gazetarinë. Ministri turk i Drejtësisë, Z. Sadullah Ergin, në përgjigje ndaj raportit tha se ”Turqia po përpiqet të krijojë një balancë midis nevojës për të ndaluar lavdërimin e dhunës dhe propagandën e terrorizmit, me nevojën për zgjërimin e lirisë e fjalës. ”
Mirëpo, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Turqia është vendi numër një në botë për arrestimin e gazetarëve duke nënvijuar se në përgjithësi Ankaraja ka arrestuar më shumë gazetarë se Kina, Irani dhe Eritrea së bashku, vende këto që cilësohen si shtetet më shtypse në botë ndaj gazetarëve dhe lirisë së medias. Raporti mbi lirinë e medias në Turqi identifikon 76 gazetarë të arrestuar deri në muajin Gusht të këtij viti — që sipas raportit është numëri më i madh i gazetarëve të arrestuar në dhjetë vitet e fundit — dhe thotë se pas një shqyrtimi të secilit rast, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve, ka ardhur në përfundimin se 61 prej këtyre gazetarëve janë arrestuar për arsye të botimeve të tyre ose si rrjedhim i punës së tyre gazetareske. Sipas raportit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 30 për qind e gazetarëve të arressstuar në Turqi, janë të akuzuar për komplot me qëllim për të rrëzuar qeverinë. Ndërsa të tjerët janë kryesisht gazetarë e korrespondentë të minoritetit kurd, të cilët janë arrestuar nën akuzat se kanë mbështetur terrorizmin.
Qeveria turke e Kryeministrit Erdogan ka filluar bisedimet për antarësim në Bashkimin Evropian ç’prej vitit 2005 dhe krenohet me zgjërimin e demokracisë në vend, por raporti nënvijon shqetsimet serioze të orgnanizatës në lidhje me mos tolerancën e qeverisë turke ndaj kritikave në shtyp.
Në një letër bashkangjitur raportit, Drejtori Ekzekutiv i Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Xhoel Sajmën i bëri thirrje kryeministrit Erdogan që “të ndalojë sulmet e tij kundër shtypit dhe të sigurojë drejtësi për gazetarët, ndërsa në të njëjtën kohë, të ndërmarrë reforma dhe të garantojë lirinë e të shprehurit.’’ Në një raport të botuar në fillim të Tetorit, edhe Komisioni Evropian ka shprehur “shqetsime serioze’’, në lidhje me numërin e të arrestuarëve për mungesë të lirisë së të shprehurit në Turqi. Edhe nga mbrenda Turqisë ndëgjohen zëra kritike ndaj politikës së qeverisë së Erdoganit ndaj kufizimit të fjalës së lirë dhe arrestimit të gazetarëve që ushtrojnë këtë të drejtë universale. Nën-kryetari i Partisë Republikane Popullore turke në opozitë, Z. Erdogan Toprak, sipas gazetës Milliyet, e cilësoi raportin mbi lirinë e shtypit në atë vend si një provë se qeveria është duke u bërë më autokratike, dhe shton se qeveria, “ka ndërmarrë një operacion të madh presionesh dhe frikësimesh kundër gazetave, televizioneve, medias në përgjithësi, intelektualëve, artistëve dhe demokratëve.’’
Reagimet në lidhje me këtë raport të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve në lidhje me mungesën e lirisë së medias në Turqi kanë qenë të shumta në Shtetet e Bashkuara si edhe në Evropë. Në një raport nga Ankaraja, gazeta Nju Jork Tajms shkruan se “Nëqoftse qeveria (turke) do të mirrte një qendrim më të arsyeshëm ndaj sigurimit kombëtar dhe të tregonte më kujdes në lidhje me kriminalizimin e kërkesave të kurdëve për më shumë të drejta, atëherë edhe gazetarët do të trajtoheshin më mirë.’’ Ankaraja, sipas gazetës Nju Jork Tajms, “duhet të ndryshojë kodin penal, duke e bërë të qartë se protestat paqësore nuk përbëjnë krim.’’
Sipas raportit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, si rrjedhojë e kufizimit të lirisë së fjalës, edhe marrëdhënjet e ngushta midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara – të cilat të pakën pjesërisht janë ndërtuar e zhvilluar në imazhin e Turqisë si një vend model rajonal i demokracisë – mund të jenë në rrezik.
Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve përfundon duke i bërë thirrje Kryeministrit turk, Z. Erdogan dhe qeverisë së tij, “që të ushtrojnë vullnetin politik duke hequr dorë nga shtypja sistemike dhe sistematike e pikëpamjeve të kundërta dhe të shpartallojnë sistemin e gjithanëshëm të vendit që është ngritur për të shtypur fjalën e lirë dhe median.’’