Ç’ PO NDODH ME LIQENIN E PRESPËS?!

Mr. Fejzulla ABDULLAI

 

 

Ç’ PO NDODH ME LIQENIN E PRESPËS

 

NJË GJYSMËSHEKULLI LIQENI VAZHDIMISHT

ËSHTË DUKE E HUMBUR UJIN

 

Liqeni i Prespës për nga formimi bën pjesë në tre liqenet tektonikë në Ballkan të pozicionuar në trojet shqiptare, dhe sipas madhësisë vjen në vendin e tretë, pas Liqenit të Shkodrës dhe atij të Ohrit. Në të kaluarën faktorët natyrorë-gjeografikë kanë ndikuar që ky liqen të dallojë në disa karakteristika nga liqenet e tjerë. Kjo, p.sh., mund të shihet mirë në dallimet që  ekzistojnë në mes këtij liqeni e atij të Ohrit. Në fakt për çka bëhet fjalë? Sipas të dhënave morfometrike shihet se Liqeni i Prespës është i pozicionuar në lartësi absolute prej 853 metra, kurse ai i Ohrit në 695 metra. Ky i fundit është për 158 metra më poshtë se i pari. Dallimi i këtillë ka ndikuar në kushtet klimatike, hidrografike, në ndryshimet termike të ujit, më tutje edhe në biodiverzitetin e tyre. Liqeni i Prespës është në liqenet e rrallë në botë që nuk ka ujra rrjedhëse sipërfaqësore. Madje aty ekziston edhe një dukuri tjetër që liqenin e bën të veçantë. Këtu bëhet fjalë për zvogëlimin e masës ujore, përkatësisht për oshilimin e nivelit të ujit liqenor. Dukuria e këtillë është në varësi të plotë të faktorëve natyrorë-gjeografikë. Pikërisht këtu do ta qëndrojmë vemendjen tonë në këtë shkrim.

 

Në kohën e fundit shumë po parashtrohen pyetje lidhur me kete dukuri. Ç’po ndodh me liqenin që vazhdimiasht po e humbet ujin? Pse këtij liqeni vazhdimisht po i ulet niveli, gjer kur do vazhdojë ulja e këtillë dhe çfar do ndodhë në të ardhëshmen me këtë liqen? Do zhduket tërësisht apo do të ekzistojë në përmasa më të vogla? Këtyre dhe pyetjeve të tjera që mund t’i ketë me numër,  në sajë të literaturës përkatëse shkencore dhe të dhanave të tjera, do të orvatemi  të japim një sqarim të hollësishëm me qëllim që ta nxjerrim pak a shumë të vërtetën mbi këtë dukuri e cila mund ta vërë në pyetje të ardhëshmen e liqenit.

 

 Furnizimi me ujë dhe oshilimi i nivelit të liqenit

 

Varësisht nga faktorët që e ushqejnë liqenin me ujë, regjimi i nivelit liqenor si element morfometrik në të kaluarën ka qenë jostabil. Akuatoria liqenore është në varësi të plotë nga faktorët pluvionivalë. Në fakt liqeni me ujë furnizohet nga lumenjtë, nga të reshurat, burimet sublakustrikë (burime në bazamentin e liqenit) dhe nga tretja e dëborës në fillim të stinës së pranverës. Ndërsa ujin e humbet me avullim dhe nëpërmjet drenimeve nëntokësore që kanë lidhje me Liqenin e Ohrit, i cili është për 158 metra nën nivelin e këtij liqeni. Ujëra rrjedhëse sipërfaqësore sikurse që ka Liqeni i Ohrit ose ai i Shkodrës prej ku mund të largohet uji, ky liqen nuk ka.

 

Në Liqenin e Prespës nga të katër anët derdhen një numër afluentesh sipërfaqësorë dhe nëntokësorë që e ushqejnë liqenin vazhdimisht me ujë. Lumenjtë burimin e tyre e kanë në hapësirat e larta të shpateve të Pelisteri ku reshjet janë në formë të dëborës. Në stinën e pranverës me tretjen e dëborës kur lumenjtë regjimin ujor e kenë më të lartë, liqeni  furnizohet më tepër me ujë. Madje rol të rëndësishëm e përcaktues në sasinë e ujit të liqenit ka vëllimi i ujrave që grumbullohen nga pellgu, i cili ka një sipërfaqe të përgjithshme për 3.5 herë më të madhe se ajo e vetë pasqyrës së ujrave të liqenit.

 

Për nivelin e liqenit në fillim dhe gjatë shek. 20 qenë interesuar shumë autorë (gjermanë e sllavë) të cilët japin të dhëna kronologjike mbi këtë dukuri të këtij liqeni e cila dallon dukshëm nga Liqeni i Ohrit, edhe pse të dy kanë lidhje hidrografike nëntokësore. Sipas të dhënave të një autori gjerman, gjatë shekullit 19 nivele të lartë liqeni ka patur gjatë viteve 1830, 1874 dhe 1899. Vitin 1899 ky autor e quan vit më humid të këtij shekulli. Me vlera të larta cilësohet edhe shekulli i 20. Gjatë këtij shekulli, në dallim të shekullit 19,  intervalet kohore me vlera më të larta tregojnë tendenca më të shkurta. Në shekullin e kaluar nivele të larta liqeni ka patur gjatë viteve 1917, 1938, 1948 dhe 1963. Pas vitit 1963 kur mbrihet maksimumi, niveli i liqenit fillon gradualisht të ulet duke i lënë pasoja të rrënda fushëgropës së Prespës, posaçërisht në uljen e nivelit të ujrave nëntokësore. Minimumin absolut për gati 50 vjet, liqeni e arrin gjatë verës së vitit 2002. Tash sipërfaqja liqenore është për 436 cm nën kuotën normale. Me të dhëna morfometrike lidhur me nivelin e liqenit disa autorë disponojnë edhe për shekullin e 10 e të 11. Për nivelet ekstreme të liqenit gjatë shek.10, në fillim të shek. 20, një autor thotë: “Megjithatë Liqeni i Prespës nuk është ulur vetëm ritmikisht prej gjendjes më të lartë gjer në të sotmen. Mundemi me siguri të vërtetojmë se niveli i tij gjatë fundit të shek. 10 dhe fillimit të atij 11 ka qenë më i ulët prej të sotmit; duket se në atë kohë i tërë bazamenti i liqenit, i cili është mbi izobatën  e sotme prej 10 metra, ka qenë rrafshirë e thatë”. Po i njëjti autor vë në dukje se liqeni për gjatë10 shekuj ka patur disa oshilime ekstreme.

 

Në kohën e fundit duke parë gjendjen alarmante të liqenit, përkatësisht kur uji vazhdimisht është duke u larguar dhe duke lënë pas pasoja të paparashikuara ekologjike, interes  kanë treguar disa studiues zviceranë dhe austriakë. Ata në studimin që janë duke bërë prej fillimit të muajit gusht të këtij viti (2012) kanë konstatuar se niveli i liqenit ka rënë për 10 metra. Sipas tyre, nga 54 m që ka qenë thellësia e liqenit, pas matjeve të bëra me mjete të sofistikuara dhe bashkëkohore, kanë konstatuar se aktualisht thellësia e tij është 44 metra. Këtë ulje drastike të nivelit, sipas tyre,   e ka sjellë një çarje në tabanin e liqenit të cilën e kanë vërejtur  gjatë studimeve nënujore.  Studiuesi me emrin Johan Peklaner është i mendimit se rënia e nivelit të këtij liqeni do të ketë pasoja edhe për Liqenin e Ohrit, i cili rreth 60% të furnizimit me ujë e ka nga Liqeni i Prespës. Nga kjo fatkeqësi natyrore, gjithashtu, do të preken burimet në Tushemishtë dhe në Shën Naum. Për gjendjen e këtillë të liqenit interes po tregojnë edhe autoritetet shqiptare. Në kohën e fundit është vendosur që të ngrihet një komision shkencor, i cili do të ketë për detyrë të vendosë se çfar duhet të ndërmerret më tutje nga autoritetet shqiptare për ngadalësimin e kësaj fatkeqësie natyrore.

 

Rrugët e largimit të ujit të liqenit në konstatimet e mëparshëme shkencore

 

Për këtë fenomen natyror që po ndodh në këtë liqen, interes është treguar edhe mëparë, përkatësisht në fund të shekullit 19 dhe fillimin e shek. 20 e më vonë. Ndër më të dalluarët kanë qenë studiuesit gjermanë e pastaj ata sllavë. Është konstatim se liqeni ujin e humbet nëpërmjet avullimit dhe drenimit të ujrave nëntokësore. Në këtë kohë me kërkimet e voazhdueshme që i patën bërë atorët e huaj, qe konstatuar se bazamenti i liqenit nuk është i rrafshtë, por i përbërë prej shumë zbrazëtirave dhe plasaritjeve të ndryshme të cilat vazhdimisht e lëshojnë ujin të drenojë nëntokë dhe pastaj të derdhet në ndonjë vend tjetër me lartësi absolute më të ulët. Format e këtilla (sublakustrike) në studimet e mëparshëme është konstatuar se janë krijuar në fazën paralimnike, përkatësisht kur në pjesën gëlqerore perëndimore të rrafshirës prespare (në atë kohë fushëgoropat në Ballkan nuk qenë krijuar) kanë qenë të përfshirë proceset karstike. Më vonë me krijimin e fushëgropës, pastaj edhe me liqenizimin e saj, format e krijuara në formë të hinkave ose vorbulave gjenden në tabanin e liqenit dhe si të tilla patën mundësuar drenimin e ujrave.

 

Ku shkakrkohen ujrat e liqenit?

 

Në sajë të fakteve të shkruara në literaturën shkecore, mund të konstatohet se ky liqen regjimin e nivelit të ujit vazhdimisht e ka ndryshuar. Shumë herë në periudha të caktuara kohore pat ardhur në rritje të nivelit, ndonjëherë në ulje, varësisht nga faktorët që kanë ndikuar  në ndryshimet e këtilla. Mirpo në kohën e fundit disi ky fenomen po zgjat shumë më tepër, për gati një gjysëm shekulli liqeni vazhdimisht është duke e humbur ujin. Ndaj ky fenomen zgjoj një interes të veçantë në shkencëtarët e huaj të cilët janë angazhuar që definitivisht të konstatojnë se ku qendron shkaku i humbjes së ujit në një periudhë kohore kaq të gjatë.

 

Ky liqen në aspektin limnologjik bën pjesë në liqenet e mbyllur. Perj tij nuk ka ujra rjedhëse sipërfaqësore. Atëheren, prej ku e humbet ujin me sasi kaq të madhe? Është konstatim se ujin e humbet nëpërmjet avullimit dhe drenimeve nëntokësore. Drenimi i ujrave nëntokësore (sublakustrike) është e mundur pasi pjesa perëndimore e akuatorisë liqenore dhe malet e lartë që e ndajn nga Liqeni i Ohrit, janë të përbërë prej gëlqerorëve të cilët përshakak të proceseve kimike dhe plasaritjeve të ndryshme, mundësojnë që uji i liqenit vazhdimisht të largohet nëpërmjet kanaleve të ndryshme nëtokësore dhe të shakarkohet në Liqenin e Ohrit (ky liqen është për 158 metra më i ulët  se i Prespës).

 

Edhe pse, siç përmendëm, ky liqen bën pjesë në liqenet e mbyllur, përsëri ekziston në pjesën jugore një derdhje ndonëse e vogël sipërfaqësore. Kjo ndodh kur niveli i liqenit është i lartë, atëheren uji prej këtij liqeni nëpërmjet një lumi të shkurtër (Lumi i Perovës) kalon në Liqenin e Vogël të Prepës në territorin Grek dhe prej aty nëpërmjet një gryke të shkurtë me emrin Gryka e Ujkut, derdhet në lumin  Devoll, në territorin shqiptar.

 

Ndikim të dalluar në largimin e ujrave të liqenit, përkatësisht në uljen e nivelit, kanë patur proceset karstike. Me proceset e këtilla është krijuar ponori i vjetër në vendin Glubin, pastaj edhe ponori Zavir dhe Vragodupka. Në fazën paragrabene është krijuar vorbula e Stenjës e cila në fazën liqenore është zgjeruar dhe e gërshetuar me plasaritje të numërta. Ponoret e përmendura me kalimin e kohës uji vazhdimisht me procese kimike i ka zgjeruar. Në këtë mënyrë janë hapur rrugë që uji nga i Prespës të derdhet në Liqenin e Ohrit. Shumë autorë në të kaluarën kanë qenë të mendimit se ponori Zavir është rrjedhja më e madhe nëntokësore nëpër të cilën shkarkohen ujrat e liqenit dhe në këtë mënyrë rregullohet niveli i tij. Mirpo me këtë nuk është priashtuar mundësia e ekzistimit të rrugëve të tjera të drenimeve nëntokësore. Ndërkaq, në kohën e fundit, kërkimet e shkencëtarëve të huaj kanë konstatuar se në tabinin e liqenit ekziston një çarje e madhe nëpërmjet të së cilës ekziston mundësia që uji të drenojë me sasi më të madhe (për këtë konstatim të fundit nuk ekzistojnë konfirmime të plota shkencore).

 

 Sasia e ujrave që shkarkohen nga liqeni dhe

sasia e tyre që derdhen në Liqenin e Ohrit

 

Autorët që janë marrë me këtë dukuri, janë orvatur që të japin edhe disa të dhëna lidhur me sasinë e ujit që shkarkohet nga ky liqen. Autorët shqiptarë në sajë të matjeve  që i kanë bërë, kanë ardhur në konstatim se nga Liqeni i Prespës shkarkohet një sasi uji prej rreth 16 m kub/sek. që i përgjigjet një moduli vjetor prej rreth 12,2  l/sek. për km katëror.Disa autorë sllavë janë të mendimit se prej liqenit shkarkohet një sasi më e madhe uji. Kjo mund të jetë në varësi të plasaritjeve në tabanin e liqenit të cilat, përshkak të erozioneve kimike dhe mekanike, janë vazhdimisht duke u zgjeruar, gjë që mund ta dëshmojnë edhe konstatimet e fundit.

 

Pasi Liqeni i Ohrit ndodhet për 158 metra më ulët se ai i Prespës, atëheren kuptohet se është e mundur që ujrat e këtij të fundit mekanikisht të shkarkohen në të Ohrit. Ujrat derdhëse në këtë liqen paraqiten në formë të burimeve sipërfaqësorë dhe nënliqenorë (sublakustrikë). Në pjesën juglindore të liqenit ekzistojnë rreth 80 burime, prej të cilëve dallon gurra e Drinit të Zi afër manastirit Sh. Naum e quajtur me emrin “Ostrovo”. Disa autorë të mëparshëm janë të mendimit se burimet japin 15-20  herë më tepër ujë se gurra e Drinit të Zi. Mirpo se sa mund të jetë  prurja e këtyre ujrave që derdhen në Liqenin e Ohrit, është vështirë të konstatohet ngase numri më i madh i tyre shkarkohen nën nivelin e liqenit dhe nuk ka mundësi që të bëhet ndonjë matje. Rasti këtillë është edhe me gurrën e përmendur. Aty derrdhen 30 burime nënsipërfaqësorë dhe 15 gjenden në pjesën bregore, uji i të cilave përzihet me ujin e gurrës menjëherë në vetë plasaritjet bregore në tabanin ujor. Megjithatë është bërë një tentativë ku mund të shihet sasia e ujit që derdhet në liqen nëpërmjet të gurrës. Në studimet e vjetra (në fillim të shek.20) shihet se prurja mesatare sillet rreth 30-40 m. kub ujë në sek., kurse në studimet e mëvonshëme matjet tregojnë se në liqeni derdhet 6-7 m. kub ujë në sek. Mirpo, edhe në vlerësimet e mëparshëme edhe në ato të mëvonshëme, nuk është dhënë ndonjë sqarim se në çfar mënyrë është ardhur në këto të dhëna. Me matjet e Entit hidrometeorologjik të Maqedonisë është kostatuar se prurja mesatare në liqen nga kjo gurrë është 8.45 m. kub ujë në sek. Shumë autorë janë të mendimit se sasia e ujrave që shkarkohen në këtë gurrë janë përafërsisht konstante, ndaj edhe niveli i saj është i pandryshueshëm.

 

Si është e ardhshmja e liqenit?

 

Që do zhduket liqeni nuk ka dyshim, por pyetja është: sa është e gjatë jeta e tij? Duke u nisur nga fakti se liqenet janë objekte të shpeshta hidrologjike-morfologjike në sipërfaqen e tokës dhe në pikpamje gjeologjike kanë jetë afatshkurtër, atëheren mund të pritet se ky liqen do vijë dita që do zhduket. Kështu ka ndodhur në të kaluarën gjeologjike. Me formimin e fushëgropave në truallin e Ballkanit nga lëvizjet vertikale tektonike, sistemi hidrografik morri kahje të kundërt, përkatësisht ujrat filluan t’i mbushin me ujë fushëgropat dhe në këtë mënyrë aty u krijuan liqene me origjinë tektonike. Mirpo, më vonë me lëvizjet neotektonike paraqitet përsëri ulja e tokës në pjesën jugore të gadishullit gjë që mundësoj uji i  liqeneve në përmjet grykave të largohet dhe të derdhet në detin Egje. Në këtë mënyrë liqenet e asaj kohe që jetuan një kohë të gjatë u zhdukën. Kështu pra do ndodhë një kohë me Liqenin e Prespës sepse edhe ky e ka jetën e vet.

 

Liqenet gjatë jetës së vet kalojnë në katër stade. Së pari do t’i tregojmë stadet e pastoj do shohim se në cilin stad të jetës së vet gjendet Liqeni i Prespës. Stadet: stadi i rinisë, i pjekurisë, i pleqërisë dhe stadi i zhdukjes së liqenit. Në stadin e parë relievi i liqenit është i pandryshuar; në të dytin paraqitet krijimi i teracave lakustrike dhe thepisjeve, kurse gropëzat e ndryshme në tabanin e liqenit akoma nuk janë të mbushura; në të tretin, përshkak të shtresimeve, tabani i liqnit është tërësisht i rrafshtë dhe, në të katërtin, është zhdukja, liqeni fillon të zvogëlohet të bëhet më i cekët, në brendësi fillojnë të rriten kallamishte të ndryshme dhe në këtë mënurë liqeni shndërrohet në kënetë. Tani të shohim se në cilin stad ndodhen ky liqen. Shumë autorë janë të mendimit se ky liqen ndodhet në fund të stadit të dytë. Këtë ata e konstatojnë në sajë të teracave të krijuara në fazat më të larta dhe thepisjeve të krijuara gjatë lëshimit vertikal të liqenit. Madje edhe me tabanin e liqenit, i cili akoma nuk është i rrafshuar nga shtresimet të bajturinave me origjinë potamogjene të cilat mund t’i rrafshojnë gropëzat e ndryshme.

 

Mirpo, megjithatë, tek ky liqen është një rast specifik që rrallë ekziston në liqenet e tjerë. Ky liqen , siç përmendëm më lartë, pjesën perëndimore e ka me përbërje gëlqerore ku mundësohet largimi i ujit nëpërmjet drenimerve nëntokësore, kurse me ujë ushqehet nëpërmjet ujrave derdhëse dhe reshjeve. Kushtet e këtilla mundësojnë që jeta e liqenit të zgjatet ose të shkurtohet. Në gjendjen e tanishme, kur liqeni është duke humbur ujë më tepër se sa pranon, mund të thuhet se nëse vazhdon edhe më tutje në këtë mënyrë, jeta e tij do të jetë më e shkurtë. Ndaj shumë shkencëtarë të huaj e vendas të fushës limnologjike, janë të brengosur për jetën e këtij liqeni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *