MBAHET EDICIONI I XVI I FESTIVALIT NDËKOMBËTAR TË POEZISË “DITËT E NAIMIT”

Prej 18–21 tetor, do të mbahet në Tetovë, Prizren dhe në Prishtinë. Edicioni i XVI i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky shenjues kulturor e letrar zhvillohet në jubileun e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe me PEN-in e Kosovës Në këtë edicion janë paraparë të mbahen një sërë aktivitetetesh letrare, artistike dhe kulturore. Ardhjen në këtë edicion e kanë konfirmuar 30 poetë nga vende të ndryshme të botës si: SHBA, Argjentinë, Finlandë, Norvegji, Danimarkë, Holandë, Gjermani, Itali, Francë, Spanjë, Senegal, Marok, Izrael, Palestinë, Indi, Lituani, Ukrainë, Algjeri, Bullgari, Turqi, Slloveni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe nga e gjithe hapsira shqiptare, pastaj aktore, gazetarë e dashamirë te poezisë, të Festivalit, të Naim Frashërit – tha drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu.

Çelja festive e siparit të Edicionit të XVI do të bëhet me anë të ndezjes së fishekzjareve para Qendrës së Kulturës, më 18 tetor (e enjte), në orën 19.30. Në fillim nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme letrare, arsimore, politike e fetare do të vendosen kurrora lulesh para shtatores së poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri” që ndodhet në qendër të Tetovës, të cilin Drejtoria Festivalit e pat ngritur në 100 vjetorin e vdekjes së tij. Pastaj, në foajenë e Qendrës së Kulturës, do të hapet ekspozita ‘Pelikani’ me titull ‘100 Vjet Pavarësi e piktorit Miftar Mehmeti.

Në Sallën e Madhe do të bëhet hapja solemne e Programit të Edicionit të XVI të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, nga ana e Drejtorit të Festivalit, Shaip Emërllahu. Këtë edicion me një fjalë përshëndetëse do tu drejtohet të pranishmëve kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe atdhetari i njohur, Adem Demaçi dhe rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ahmeti.

Ndërkaq, në orën letrare ‘Globi poetik’ poetët e shumtë do të lexojnë krijmet e tyre në dy gjuhë: shqip-anglisht, ndërsa do të jepen edhe disa performanca muzikore.

Brenda kësaj ore, Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, do t’ia dorëzojë çmimin e madh ‘Naim Frashëri’ dhe titullin Anëtar Nderi të Festivalit laureates nga Finlanda, Tua Forsstrom, që kohë më parë u shpall nga Juria e Festivalit.

Po ashtu, Drejtoria e Festivalit në këtë jubile të kurrorëzimit të përpjekjeve të shqiptarëve për mëvetësi ka shpallur Anëtar Nderi të Festivalit figurën poliedrike dhe emblematike shqiptare z. Adem Demaçi. Të theksojme se, titullin Anëtarë Nderi të Festivalit deri me sot e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare, Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA) etj .

Në ditën e dytë të Programit, në orën 10.00, në amfiteatrin e USHT-së, do të përurohet laureatja, Tua Forsstrom. Për veprën e saj do të flasë kryetari i Jurisë, Ymer Çiraku, ndërsa rektori Vullnet Ahmeti do tia ndaj asaj logon e Universitetit.

Më pas, poetët do të vizitojnë Teqen Arabati Baba në Tetovë, ku drejtuesit shpirtëror të kësaj teqeje do të shtrojnë një drekë për nderë të poetëve.

Pjesën e dytë të Programit do ta realizojnë në Kosovë, përkatësisht në Prizren dhe në Prishtinë. Në Prizren do ta mbajmë orën letrare ‘Poetë dhe vargje’, ndërsa në Teatrin Kombëtar në Prishtinë do të mbahet nata e mbylljes së Festivalit, ku ata do t’i përshëndes Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Memli Krasniqi. Në Prishtinë, Festivali organizohet në bashkëpunim me PEN e Kosovës. Atje pas performancave leximore të poezive do të ndahen edhe çmimet tjera letrare të Festivalit, siç janë: ‘Ditët e Naimit’, ‘Menada’, ‘Oaeneumi’ dhe ‘Qiriu i Naimit’.

Drejtoria edhe në këtë edicion ka botuar antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës ‘Ëndërr e shituar’, të përgatitur nga Shaip Emërllahu dhe librin poetik të poetit algjerian Nouar Abidi, me titull ‘Tetova, kjo grua e bukur’, që siç shkruan në hyrje të librit ia kushton ‘Popullit të zellshëm shqiptar të Tetovës’.

Hapja e Edicionit të XVI të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të transmetohet si gjithmonë drejtëpërsëdrejti në Televizionin shtetëror të Maqedonisë – Programi në gjuhën shqipe, kurse mbylljen e Festivalit, i cili do të mbahet në Prishtinë do ta transmetojë Radiotelevizioni i Kosovës.

Festivali mbështet nga Ministria e Kultures e Maqedonisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, pastaj nga sponzorët ‘T mobile’, ‘Emka’, ‘Arbi’, ‘Euro Proekt’, ‘Dino’ dhe ‘Hit Oil’.

Artan Arsllani

Tetove, 15 tetor 2012

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *