E pyetën Saadin: “A do të ketë kiamet?” – “Po, u përgjigj ai. – Kiameti në këtë vend ka ardhur që kur drejtojnë budallenjtë.”
Ing. Ahmet Collaku
Gjeologun Dhimitër Gjenerali unë ua kam prezantuar shqiptarëve me kohë. Po mbajeni mend mirë: ai është më shumë se një gjeolog, ai është një institucion më vete, se ka vetëm një axhendë: naftën shqiptare. Kur atij i kujton naftën shqiptare, lotët i gremisen faqeve.
Si të gjithë ne tokësorët, edhe ai jeton në një sipërfaqe infinit të vogël, por shumë larg Shqipërisë. Ai thotë se është person që ambientohet lehtë kudo që shkon, por unë nuk e besoj. Te gjithë specialistët po humbasin të shpërndarë anë e mban botës, sepse kjo Shqipëri nuk i do, ajo i ka përzënë. Ne naftëtarët kemi shumë gjëra për të thënë për naftën. Ne vizatojmë, piketojmë, rënkojmë, po asnjë qeveritar, privat, shtetëror apo i huaj nuk pyet për ne; asnjë nuk na ka në listë, nuk duan të dinë çfarë bëhet me ne. As një qeveritar apo partiak, i majtë apo i djathtë. Të gjithë janë çmendur. Në Irak u bë kërdia, po fondet e naftës nuk pësuan asgjë, u mbrojtën nga trupa speciale, që qëndruan gjatë aty. Po në Shqipëri çfarë ndodhi dhe po ndodh akoma?
Shefi i diplomacisë dhe i kombit Rus, Vladimir Putin, para ca kohësh nxori një ligj, sipas të cilit rezervat e naftës janë sekrete dhe dënohet ai që nuk zbaton këtë ligj. Gjeneralin tim malli për Shqipërinë dhe dhembja për naftën po e ngurtësojnë, prandaj tani, me urtësitë e Nënë Terezës në dorë, po i lutet Zotit ta rregullojë këtë Shqipëri, të cilën të gjithë e kurvërojnë.
Ai është rrëfyer për naftën në disa intervista, me shumë se gjashtë. A e dini se këto lloj interviste për naftën nuk bëhen në vendet e huaja? Nuk bëhen sepse ato përmbajnë të dhëna që kushtojnë miliarda dollarë. Më shumë se sekretet atomike. Këto intervista janë poemat e tij, poema për hidrokarburet të llojit të Uollt Uitmanit. Ai i ka shprehur hapur mendimet e tij për naftën, ka thënë qartë, shqip ku është e ku nuk është dhe çfarë duhet të bëjmë që ta zbulojmë që të zhdukim këtë mjerim, por ky mjerim është njësoj si mjerimi i Migjenit.
Ka një simetri midis mjerimit të Migjenit dhe Gjeneralit. Edhe pas 100 vjetësh mjerim. Të mos kishim naftë, hajde. po ne kemi naftë për vete, për Kosovën, për shqiptarët e Maqedonisë, për shqiptarët e Malit të Zi, për shqiptarët kudo ku janë nëpër botë. A e dini fuqinë e naftës? Nafta është shumë potente, një fuçi naftë 159 litra është e barabartë me 25 000 orë pune të një njeriu. Të një qyteti. Ky informacion për naftën shqiptare i hedhur batiava për publik konvertohet me miliarda dollarë. Po, çuditërisht, asnjërit nuk i intereson të dijë ku është Gjenerali i naftës shqiptare, si është me shëndet, si t’ia marrim gjithë këtë eksperiencë. Nuk shfaqet dikush ta ftojë për bisedim apo t’i përcjellë një telefonatë për tungjatjeta, sepse edhe ai ka ditëlindje, ka evenimente, edhe atë e zë gripi, edhe ai plaket si të gjithë ne, edhe ai ka zemër, pret t’i trokasin në derë.
Egoizmi, makutëria, vandalizmi, vrasjet e përditshme – të gjitha këto nuk lënë askënd të gjejë pak kohë të lidhet me këtë gjeolog star, të diskutojnë për naftën shqiptare, e cila ka parë italianët, rusët, kinezët, por jo qeveritarë shqiptarë të dhembshëm. Veç mos harroni ama atë që thotë një analist botëror: kriza e naftës do të shpërthejë shpejt, po atëherë ju nuk do ta gjeni Gjeneralin, sado që do të endeni deri në rërat përvëluese të Saharasë. Intervistat e Gjeneralit vlejnë sa për qindra “Dimra” të Kadaresë. Po dijeni mirë: nuk do të ketë asnjë çmin “Nobël” pa iu kthyer nafta e tij popullit vakëf. Vetë nafta do të vendos rregullin, ligjin, do të akordojë çmime të larta, do të përcjellë vajza të virgjëra te burrat, do të çojë në litarë ata që po privatizojnë “Albpetrolin” apo ata të parët që i vunë zjarrin “Albpetrolit” dhe ikën nëpër botë.
Dhimitër Gjenerali është larg, në Amerikë, pa shokë, mbytur në vetmi dhe pezme si të gjithë ne, atje në Amerikë. Në Amerikë edhe gurët janë të vetmuar. Gjeneralin e merr malli për shokët. Më përmend plotë dhembje dhe nostalgji Koço Plakun, Kadri Ramën, Milto Gjikopullin, Behar Mehmetin, Ali Memën, Hazbi Shehun, Telon Velajn, Xhela Shehun, Spiro Kolonjarin, Sabodin Starovën, Kastriot Bejtajn… tregon ngjarje, ndodhira, incidente, të gjitha i ka të regjistruara. Dhe fletë e fletë derisa lodhet. “Po mjaft, se u lodhe!” – i them unë që këtej telefonit… Gjenerali është ministri im i naftës shqiptare, ai nuk do të bëjë armik, prandaj përmbahet si Nënë Tereza.
Ai do të shkruhet për naftën shqiptare, që populli të dijë të vërtetën. Me poston një çek prej 2000 dollarësh. Më poston amanetin e tij. Me këto 2000 dollarë ai do që unë të shkruaj një libër për naftën shqiptare, të botoj intervistat e tij dhe të shokëve tanë, ku shpjegohet perspektiva e naftës shqiptare.
Dëshira e shtetit shqiptar dhe e armiqve të të gjithë kallëpeve, bashkë me këta qindra ambasadorë, kryepleq në krye të vatrës shqiptare, është ta zhdukin Shqipërinë, këtë vend të vogël brilant pranë detit Adriatik. Ata janë të parët që lexojnë këto intervista të gjeolog Dhimitër Gjeneralit. “Nafta është 10% ekonomike dhe 90% politike”, – thotë historiani amerikan Daniel Jergin. Ashtu thotë edhe ish-zv.presidenti amerikan Dik Çeni. Pra, vetëm të huajt dinë t’i lëvizin letrat e naftës shqiptare, ata mendojnë për vete dhe për pasuesit, si ta gllabërojnë naftën tonë. Po çfarë do që të ndodhë, unë dhe Gjenerali nuk do të pushojmë së luftuari për të mbrojtur naftën tonë, këtë dhuratë të shenjtë.
Interviste me gjeologun e mirënjohur Dhimitër Gjenerali
Intervistoi Ing. Ahmet Collaku
– I dashur Dhimitër, si e mendoni situatën gjeologjike në drejtim të perspektivës për zbulimin e naftës?
– Lexova bashkëbisedimin tuaj me gjeologun e përgatitur e pasionant z. Kadri Rama. U entuziazmova! Sigurisht, nafta që ruan akoma nëntoka jonë është shumë herë më e madhe nga ajo që u zbulua me radhë deri me vendburimin e Cakranit. Është fakt që Cakrani u zbulua vetëm me puse, sidomos me të dhënat mikropaleontologjike nga kampionet e fundit të pusit “Ca-16”, që ishte shpuar vite më parë dhe ndalur rreth 100-150 m mbi gëlqerorët e vendburimit “me avari”. Kam jetuar nga afër shpimin e pusit “Ca-12”, që fontanoi i pari dhe është e vërtetë ajo që nënvizon z. Kadri Rama, se të gjithë specialistët nuk e kuptuan që pusi në gëlqerorët po shponte në vendburim. Në ato vite specialistët entuziazmoheshin nga gazifikimet dhe shenjat e naftës gjatë shpimit si në vendburimet me energji të kufizuar ose në zonat ujore me naftë e pak gaz të mbetur. Kjo padije solli në “Ca-12” (e 37) fontanat shkatërruese.
Është e qartë se ka qenë mbivlerësimi i metodave ndihmëse si seismika etj. Seismika në mjaft raste detekton format gjeometrike të shtresave gjeologjike, dhe shumë herë komandon si të thuash përpunimin elektronik me figurat e rreme dhe si pasoje kanë rezultuar dobët shumë puse. Kjo situatë në interpretimet gjeologjike në vendin tonë vazhdon akoma, dhe do të vazhdojë nëse nuk paraprijnë punimet gjeologjike të shoqëruara nga punimet direkte gjeologjike të kryera gjatë disa dekadave.
Vendburimet e zbuluara ndodhen të gjitha në jug të Shkumbinit duke filluar nga vendburimet e vetë zbuluara të naftës që kanë ngopur rërat dhe ranoret sipërfaqësore në Kuçovë, Patos, me Marinzën e fuqishme të Miocent të Mesëm dhe me morinë e vendburimeve të tavanit të gëlqerorëve duke filluar nga pishtari Gorisht e deri te kuçedra e Cakranit. Sigurisht, vendburime analoge rreth tyre ka mjaft si në Selishtë, Vlorë, Panahor, Osmëzeze-Sqepur-Ura e Kuçit- Lushnjë etj., gjithmonë relativisht cekët deri në 4000-4500 m.
Por veriu i Shkumbinit, ku vazhdojnë qartë brezat antiklinal të zonës jonike është një poligon i pa zbuluar akoma, megjithëse situata gjeologjike e tregon qartë ndërtimin dhe kapacitetin naftë mbajtës të kësaj zone. Gjeologët e kanë vlerësuar këtë poligon dhe kanë projektuar puse direkt sipas hartave gjeologjike. Për këtë së pari specialistët rusë argumentuan ndërtimin e rafinerisë së Cërrikut që ne e përdorëm për naftën më jugore të sjellë me vështirësi me tubacione. Pusi i Paprit i projektuar nga ata dhe i riprojektuar nga revizionimi i rilevimeve të kryera nga ne nuk u shpua. Vonë u shpua pusi Rova-1 në ngritjen e madhe antiklinale të Rovës me flish në sipërfaqe (rreth 4x8km) me ndërtim gati sundukor. Pusi u shpua afërsisht në pjesën kulmore, pak sa në lindje për simetrinë e lehtë që ka antiklinali. Ky pus u shpua rreth 3000m dhe ka kaluar vetëm në flish të varfër ne mikrofaune rrëfyese dhe është interpretuar një lloj si pusi Cakranit-16 me fundin e tij në Akuitanian të pasigurt për arsye të nivelit të atëhershëm të njohjes së komplekseve mikrofaunitike. Sigurisht ky pus duhet të jetë ndalur pranë gëlqerorëve naftë mbajtës. Po kështu pusi i shpuar në fushën e Durrësit që rezulton me ndërtim dykatësor u ndal për arsye të presioneve mbinormale pa arritur të shpojë në katin e poshtëm tektonik që kërkonte përgjigje. Puse të tjerë të projektuar për gëlqerorët rreth 4000m si në Golem-Kavajë etj., nuk janë shpuar. Sigurisht në territorin Bisht Pallë-Rodon vazhdon zona Jonike, ajo vazhdon bile më në veri akoma në detin Adriatik për tu harkuar (mbyllur) diku në thellësi të tij. Po strukturat nga më të mëdhatë në flish janë Papri dhe Rova (mjaft më të mëdha së Cakrani).
– Mund të thoni disa fjalë më shumë për objektin e Paprit, se mesa kemi dëgjuar përfshihet në objektet e kompanisë SHELL?
– Sigurisht, zona e Paprit me antiklinalin e saj ruan një vendburim serioz, por kapja e tij varet nga pikëpamja e projektueseve. Pusi “Papër-4”, ndodhet në qendër të vazhdimit jugor të sinklinalit Mollasik të Tiranës, dhe ka shpuar në shkallën që ulet midis nga zona Kruja në atë jonike. Vetë antiklinali gjigant (për zonën tonë gjeosinklinale) i emëruar “Papër” ndodhet në Paprin gjeografik dhe vrojtimet rilevuese nuk flasin për mbihipje të theksuara por për pak asimetri. Në qoftë se do të vazhdohet e njëjta metodë e interpretimit të valëve seismike, me siguri s’ka se si projektet të afrohen tek vendndodhja e ngritjes gëlqerore që paraqitet me interes serioz kërkimi.
Vendburimi i ardhshëm i Paprit sipas punimeve rilevuese të detajuara gjeologjike, duhet kërkuar konform ndërtimit gjeologjik që lexohet në sipërfaqe. Së pari, duhen restauruar pjesët e erroduara për të parafytyruar ndërtimin hapsinor në pjesën e dukshme dhe pastaj të kalohet me kujdes drejt objektit të tavanit karbonatik. Në asnjë mënyrë nuk duhet kaluar kuturu në kërkim të formave gjeometrike sipas reflektimeve seismike. Reflektimet e valëve seismike (kur janë reale), duhet të shërbejnë si konsultuese, por me kujdes të veçantë.
Por interes më të konkretizuar paraqet antiklinali i madh flishor i Rovës. Këtu ka mundësi që në kampionet e fundit të pusit “Rova-1” të jetë kapur zona Gl. Micra që në kohën e ndalimit të shpimit nuk njihej. Pra, situata këtu është identike me atë të ngritjes së Cakranit kur aty u ndaluan shpimet me “avarinë” teknike të pusit “Ca-16”, rreth 100-150 m mbi gëlqerorët.
– Konkretisht ç farë të dhënash gjeologjike solli shpimi i pusit “Papër-4”?
– Folëm më sipër se pusi “Papër-4” ndodhet me kilometra larg Paprit gjeografik dhe vetë antiklinalit të madh flishor të Paprit. Nuk e kuptoj përse pusi “Papër-4”, ka emërimin Papër. Ky gabim ftoh opinionin për të kërkuar në objektin e Paprit.
Sidoqoftë, siç do pus jashtë objektit, shpimi i pusit “Papër-4” orienton që të mos kërkohet në shtrishmëri të zonës por më në perëndim, pra në drejtimin tërthor, atje ku ngritja emërohet “Papër” nga hartuesit rilevues dhe ku propozohet prej tyre shpimi në thellësi rreth 3500 deri 4000 m.
– Gjithashtu SHELL, do të shpojë në Sqepur një pus me thellësi 5000 m. Si e vlerësoni këtë investim kapital?
– “Linja” antiklinale e Sqepurit që vjen nga Memaliaj, vazhdon me Osman Zezën, në Sqepurin gjeografik e në vazhdim me Urën e Kuçit. Ajo nuk ndodhet direkt në brezin Antiklinal të Beratit, por në perëndim të tij në një shkallë ulëse. Kjo linjë siç tregon pusi i shpuar në Memaliaj duhet t’i ketë gëlqeroret në brahirrudhat antiklinale gati në kuota të përafërta midis tyre siç i ka dhe vetë brezi antiklinal i Beratit ku gëlqerorët dalin në sipërfaqe. Në linjën Memaliaj-Osmëzezë–Sqepur. Ura e Kuç it i kërkon gëlqerorët rreth thellësive 3500 deri 4000m. Me shpime më të thella sigurisht gëlqeroret kapen më ulët anash e midis ngritjeve. Këta gëlqerorë të fundit sigurisht kanë manifestime nafte me pak gaz të tretur si kudo në sipërfaqen e mikropllakës ballkanike, por kurrsesi naftë me energji gazore të presuar. Vendburimet e mundshme në linjën Sqepur-Osmëzezë priten me hidrokarbure të tipit të Cakranit, me presione shumë më të larta se në Cakran, dhe lehtë të fontanueshme. Ngritja antiklinale e Sqepurit është vizatuar në të gjitha hartat gjeologjike, si ato regjionale dhe në ato të detajuara, në vazhdimin e monoklinalit flishor nga Sinja në Bistrovicë e më në veri të fshatit Sqepur. Erozioni në qafën e Sqepurit ka tregues të ngritjes antiklinale ku pjesa kulmore dhe krahu perëndimor mbulohen nga vendosja transgresive e mollasëve të Miocenit të mesëm. Por në këto mollase nuk ka shenja nafte (ngopje) mbasi erozioni nuk ka arritur deri te gëlqerorët. Sidoqoftë, ngritja antiklinale e Sqepurit me daljen e depozitimeve flishore lexohet në zonën e fshatit Sqepur në qafën morfologjike Sqepur. Më në jug kjo linjë ngritje vjen nga Osmëzeza në Sinjë e Bistrovicë. Qafat ndarëse midis brahinantiklinaleve të kësaj linje që duhet t’i veçojnë ato janë mbushur nga depozitimet flishore, ashtu siç tregojnë leximet sipërfaqësore në gjithë rajonet ku bërthamat karbonatike të ngritjeve dalin në sipërfaqe më pak të eroduara e të zhveshura nga Flishi.
Sidoqoftë, vlerësimi për te kaluar gëlqerorët me shpim-kërkime u bë mbas interpretimeve të punimeve seismike, mesa kujtoj nga koleget e pasionuar z. Hasan Bakia e z. Ali Mema. Nuk besoj që këtu të ketë vend fenomeni seismik i lakut si në Rabie në jug e në vazhdim të kësaj linje.
Emërtimi “Sqepur” s’ka pse spostohet shumë në jug-lindje ndën Shpirag, mbasi huazimi i emrave mjegullon situatën gjeologjike këtu dhe kudo. Sidoqoftë, në këto rajone si në gjithë zonën jonike nuk rezultojnë mbi hipje të mëdha por mjaftë të kufizuara siç tregojnë rilevimet sipërfaqësore të kontrolluara nga puset e shumtë të shpuar. Në sipërfaqe, bile dhe në zonën Kruja, që është më në lindje të zonës jonike, nuk lexohen antiklinale mbi antiklinale, por lexohet si relacionet Dajt-Makaresh, Leta-Kozan etj. Në zonën jonike mbihipjet janë edhe më të vogla si në Prisht, në vetë antiklinalin e Cakranit, bile në antiklinalin karbonatik të Palasës përbri dolomiteve Triasik të antiklinalit gjigand të Cikës etj.
– Kompanite e huaja kanë investuar në kërkim të naftës ne Shqipëri, por nuk kanë zbuluar ndonjë vend-burim. Si e shpjegoni?
– Situata fletë vetë: investitorët me ata pak specialiste që nxitojnë të angazhohen, shpejtohen pa i shkelur në detajë poligonet e servirura. Poligonet janë relativisht të vogla dhe nuk perceptohet kollaj ndërtimi gjeologjik i thellësisë së tyre pa njohur rajonet për rreth. Prandaj gjeologet kudo bëjnë punime regjionale, për të kaluar në punime të detajuara që orientojnë më tej ku duhet kaluar me shpim-kërkime. Specialistët e përgatitur po t’i hedhësh si me parashutë diku në një poligon dhe po të nxitojnë mund të blofojnë si në Rabie, në brendësi të diapirit klasik të Dumresë etj.
– Si i vlerësoni specialistët shqiptarë që janë të angazhuar në kompanitë e huaja?
– Sigurisht rezultatet e kërkimeve kanë lidhje me shumë faktorë. Së pari ata pak gjeologë që vazhdojnë të punojnë bien pre e teknikës dhe e volumit minor të punimeve seismike duke mos u udhëhequr nga vlerësimi direkt i gjeologjisë. Por rivlerësimi gjeologjik nuk është punë rutinë. Rivlerësimi gjeologjik përveç punës volumore në arshivat gjeologjike kërkon ribërje punimesh e jo thjesht ndonjë marshute të rastit.
Por është e qartë se gjeologët që angazhohen në kompanitë e huaja nuk shfrytëzohen prej tyre, ata shërbejnë vetëm për rutinë, pa e analizuar e vlerësuar mendimin e tyre, që edhe ai ka kusuret e veta të orientimeve të vjetra, të ish-organizmave shqiptare që gjeologjinë ia vishnin të ashtuquajturit kompleks punimesh me seismikën si bazë. Pra gjeologjia vazhdon të luaj rol plotësues ose zbukurues. Kjo situatë mbizotëroi në Shqipërinë socialiste dhe me ato bindje jo rezultative vazhdohet çuditërisht akoma e nuk duket se po ndryshon.
– E quani normale privatizimin e “Albpetrolit”, të kompanisë se vetme shqiptare?
– Ekonomia e tregut ku detyrohet të eci Shqipëria, nuk realizohet me një herë, do kohë. Do kalojnë disa etapa që do kenë dhe ndikime të përkohshme negative. Për këtë pyetje më bindi shpjegimi i z. Fatmir Shehu, njohës i pasionuar i problemeve të naftës në Shqipëri. Pra privatizimi, gradualisht zvogëlon investimet e ish shtetit tonë dhe problemet në naftë do vazhdojnë duke u drejtuar nga rentabiliteti në çdo investim. Në këtë drejtim privatizimi e riorganizimi në kompanitë aksioniere ka dhënë rezultate të dukshme në gjithë botën. Kompanie aksioniere dhe në Shqipëri do të fuqizohen gradualisht, por zigzage do të ketë ca kohë, siç shihet. Aksionerët nuk lejojnë shpërdorime. Kjo situatë e turbullt që vazhdon në vendin tonë do të ketë kthjellim gradual.
– A duhet të jenë të depolitizuar specialistët e naftës që punojnë aktualisht në Shqipëri?
– Ah, sikur të ishin të depolitizuar specialistët në përgjithësi të paktën në nivelin e tanishëm të shteteve të vjetra dhe të fuqishme perëndimore?
Por ne shqiptarët me gjithë se si shtet më vete jemi fare të rinj, kemi lënguar gjatë sidomos në organizimin ushtarak të diktaturës, rrjedhimisht duhet një kurim i gjatë ndofta për disa breza. Fatkeqësisht, deri tani nuk shihet ndonjë përmirësim i dukshëm në këtë drejtim. Bile shumë zëra të vëllezërve shqiptarë që jetojnë aty flasin për një gjendje kaotike që lejon të mendohet sikur në shumë drejtime ecet mbrapsht, pra në rrugën që largohet nga nivelet botërore, çka duhet të jetë e përkohshme, ndofta derisa të mos mbijetojnë të njëjtit idhuj e të njëjtit brez njerëzor, që janë mësuar e përgatitur nga diktatura.
Besoj se shqiptarët do ta shkundin frikën për të jetuar më mirë, sigurisht me guxim dhe durim kundër makutëve pa iu trembur pyetjes si mund të pasuroheni e të jetoni si princër, ku i gjetët burimet? Dashtë Zoti i madh që edhe Shqipëria jonë të dalë nga demokracia komuniste për të hyrë në demokracinë e ekonomisë së tregut që pastron vazhdimisht çdo lloj abuzimi dhe ku as që bëhet fjalë për politizim diktatorial.
– I quani të moralshme ekspertizat e disa kolegëve kundër kolegëve tanë në gjyqet e atëhershme me dyer të mbyllura?
– Lexova me kureshtje materialin e publikuar në “MAPO” mbi ekspertizat e mjaft kolegëve në gjyqin e mbyllur të quajtur grupi i parë armiqësor i L. Nashit, B. Alies, K.Plakut etj. (rreth 27).
U çudita, pothuaj të gjithë si argument për punë armiqësore quanin shkeljen e orientimeve të partisë e jo ndonjë argument teknik, këtë interpretim e paskan bërë armiqtë e grupit të dytë armiqësor z. P. Xhacka, E.Veizi dhe mjaft kolegë të tjerë si z. A.Mezini, T. Velaj, S. Starova, etj. Ky këndvështrim krijon opinion se specialistët e naftës në kohën e diktaturës vepronin si robotë të politikës partiake.
Sigurisht kur kolegu deponon për punë armiqësore kundër kolegut vetëm se dikton shkelje të orientimeve, jo vetëm që nuk është e moralshme por lë shteg për të dënuar një pjesë të tyre më vonë. Specialistët deponues që u dënuan në grupin e dytë armiqësor, me të dalë nga burgu kërkuan rigjykim e pafajësi për vete duke e quajtur veten shkencëtarë të rangut amerikan (z. P.Xhacka) dhe shkeljet e tyre teknike si gabime të mosnjohjes, duke pretenduar poste super-drejtuese në pushtetin e ri demokratiko-komunist.
– Keni qenë anëtar i këshillit shkencor të Institutit të Naftës?
– Gjatë kohës që punova në Drejtorinë e Kërkimeve, kam qenë anëtar i këshillit shkencor. Por ngaqë refuzova emërimin si kryegjeolog në ndërmarrjen komplekse gjeologjike të Sarandës më qarkulluan për një vit si gjeolog pusi, prandaj unë nuk pranova të rikthehem në Institutin e Kërkimeve të Naftës duke argumentuar ndryshimin e urdhrit të komandimit nga Instituti në Ndërmarrjen Seismike që ndodhej aty afër dhe merrej me ndërtimin e Hartave të Izodensitetit në planimetri dhe me densitogramat e shkëmbimeve të paraqitur në kolonën stratigrafike në vertikalitet që bëhej nga grupi gjeologjik i ekspeditës së Gravimetrisë. Por paralelisht kisha rënë dakord me kushtin që t’i përgjigjesha kërkesave për bashkëpunim në projektet për shpim-kërkime të institutit kryesisht për ndërtimin gjeologjik në thellësi sipas profileve seismik. Por ngarkesa më e madhe për mua ishin recenzat (vlerësimet në rangun e bashkëautorit) për mjaft përgjithësime ku projektoheshin puse. Në këtë angazhim më kishin vënë nofkën “tersi i Pojanit” pa dyshim vetë drejtuesit kryesor në rrethe e në dikaster të cilët më ftonin në çdo aktiv dhe konsultë teknike të kërkimit të naftës. Sigurisht ky qëndrim nuk më lodhte por më shlodhte.
– Specialistet e naftës janë të pa organizuar, mendoni se ata kanë humbur çdo lloj komunikimi dhe bashkëpunimi me njëri-tjetrin?
– Riorganizimet në fazën kalimtare të shtetit shqiptar i nënshtrohen enonomisë së tregut. Kompanitë e huaja që po menaxhojnë burimet tona natyrore kanë organizimin e tyre dhe kërkojnë “sa për këshillë” specialistë vendës. Me sa e kuptoj unë shteti mendon që dhe konjukturat shkencore, me në krye Akademinë me filialet saj të konsiderohen si gjysmë private dhe të bashkëpunojnë me shtetin për honoraret dhe titujt shkencor që akordon Akademia. Pasanikët e rinj pushtetar ngurojnë të krijojnë kompani kryesore me investimet e tyre, prandaj duke marrë aksionet kryesore por rrisin depozitat në valutë, thua se janë gati për t’u arratisur diku.
Këtu në kontinentin amerikan, shikoj se kolegët ruajnë pasionin profesional dhe komunikojnë me entusiazëm nëpërmjet kompjutarëve; kjo pa dyshim është shumë pozitive.
Kam përshtypjen se vlerësimi i specialistëve në emigracion nga institucionet shtetërore të vendit tonë mungon, thua se drejtuesit shtetërore në organizmat tekniko-shkencore, tremben nga njohuritë bashkëkohore që po fiton pjesa kryesore e inteligjencës shqiptare në emigracion, sidomos e brezit që u rrit apo po rritet në perëndim dhe njeh nga afër parimet edhe kërkesat e ekonomisë së tregut.
Në këtë drejtim duhet të kontribuoje vetë lobi shqiptar në emigracion, të paktën duke popullarizuar problemet tekniko-organizative me buletine. Në këtë drejtim le të shpresohet se do të bëhen hapa përpara në të mirë e në interes të atdheut tonë të dashur dhe të bukur.
Kam mendimin se shteti shqiptar mund të organizojë për mrekulli industrinë e naftës shqiptare, sepse ka specialistë me eksperiencë, shqiptare dhe të huaj, ka të ardhurat nga nafta që nxirret…
Për këtë problem aq të dëshiruar, ka vështirësi, së pari mungon potenciali ekonomik i shtetit dhe potenciali ekonomik i elementeve private që duket deri diku të arrijë në nivele serioze, po tani për tani nuk duket të aktivizohet, por në një të ardhme me ndihmën e Zotit këta do t’u sulen me aksione kompanive të rikonstuktuara të naftës. Por fatkeqësisht shteti i ri shqiptar vazhdon të jetë i dobët dhe arka shtetërore është bosh. Kjo për shumë arsye, por ndër më të dukshmet është sistemi i taksimit. Sistemi taksimit duket të jetë i shpërqendruar dhe shteti provizorisht nuk guxon të vërë dorë sepse masa kryesore e popullsisë është e varfër dhe në një masë të dukshme vazhdon të preferojë emigracionin.
Le të shpresojmë se situata do fillojë të ndryshojë në drejtimet kryesore ku shteti ka fuqinë në dorë, për të manaxhuar forcat e atdheut dhe të marrë vetë pjesë në aksionet në rritje për sektorët kryesorë të jetës.
– Ka interes bregdeti ynë për naftë dhe mund të bëhet analogji me Italinë?
– A zemra ime, NAFTA!
Ne nuk kemi mbaruar së kërkuari pjesën kontinentale të atdheut, ndofta as gjysmën e potencialit naftë-mbajtës nuk kemi zbuluar në zonën rezultative Jonike, nuk e kemi cingrisur akoma zonën perspektive Kruja për objektin e dukshëm naftëmbajtës nën evaporitet. Të dy këto zona gjeologjo-tektonike kanë objektet naftë-mbajtëse cekët deri në 4500m ose dhe 1000m më thellë. Zona Jonike e sidomos ajo Kruja që vazhdojnë në det ruajnë edhe atje kapacitetin naftë mbajtës në objektet që janë zbuluar vendburime nafte si tek ne, ashtu edhe më në veri (në bregdetin Dalmat me fener Dugi Otokun) e më në jug (në teritorin detar grek me pishtar rezultativ pusin nr.1 në ishullin e Paksosit).
Analogjia me bregdetin italian përsa i përket kapaciteteve naftë mbajtëse nuk mund të bëhet, kjo për arsye se faciet litologjike- stratigrafike kanë ndryshime të dukshme, çka lexohet qartë duke krahasuar zonën tonë Sazani (Karaburun-Sazan), që është tipike vazhdimi i asaj Priapuliane të Apenineve jugore me zonën tonë Jonike tektonisht ngjitur me të. Në zonën Sazani, facia e gëlqeroreve të Kretakut të sipërm është tipike kurrizore nën jugore me gëlqerorë organogjen makrofaunistik e mjaftë potente deri afërsisht 1500m te zbuluar. Por analogji të pjeseshme ose më saktë karakteristike strukturale të ngjashme si në gjithë zonat gjeosinklina mund të bëhen, po ato duhet të analizohen nga ana faciale dhe premisave naftë- gaz mbajtëse të tyre.
– Faleminderit
Ing. Ahmet Collaku