GJETO COKU, KRYETARI I QEVERISË SË PARË TË LEZHËS, I LËNË NË HARRESË

(7 tetor, 99 vjet nga vrasja e kryetarit të parë të qeverisë së Lezhës)

 

Viti 2012 është cilësuar si vit i vlerësimit të ngjarjeve dhe figurave kombëtare, pasi është viti i 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ngjarje historike e rëndësishme për të gjithë popullin shqiptar, por edhe cdo rreth i vendit ka historinë e tij si në ngritjen e flamurit ashtu edhe në krijimin e qeverisë së parë.

Lezha është një ndër qytetet me vlera të  mëdha historike që nga lashtësia. Jo vetëm Kuvendi i Besëlidhjes, por dhe shumë ngjarje të tjera pasuan më pas duke lënë gjurmë të thella në histori qoftë dhe ngritja e flamurit të shpalljes së pavarësisë në Lezhë, një ngjarje kjo e rëndësishme për Lezhën, por e panjohur deri më sot nga qytetarët lezhjan dhe më gjerë, së cilës as nga autoritetet nuk i është kushtuar ndonjë rëndësi e vecantë në asnjë vit.

Jo kush do e di, që në Lezhë flamuri është ngritur për herë të parë nga njëri prej vëllezërve Coku, pikërisht nga Gjeto Coku, i cili ishte edhe kryetari i qeverisë së parë të Lezhës. Me 7 tetor 2012, mbushen 99 vjet nga vrasja e kajmekamit të Lezhës, ai që ngriti flamurin në Lezhë, dhe që udhëhoqi betejat e bregamatasve.

Por kjo figurë nuk është vlerësuar nga qeveria qëndrore dhe lokale. Eshtrat e tij prehen në Shënkoll të Lezhës, dhe jo në varrezat e dëshmorëve që ndodhen në qytetin e Lezhës.

Ndonëse ka një vendim që është shpallur dëshmor, Gjeto Coku vazhdon të jetë i pavlerësuar si i tillë.

Sipas nipit të tij Nikoll Coku është përgatitur dhe dorëzuar prej vitesh në Komisionin e Vlerësimit të figurave pranë Këshillit të Qarkut, dosja me dokumentacionet përkatëse, por deri më sot nuk është rivlerësuar si Dëshmor i Atdheut, ndonëse ekziston një vendim konkretisht në të citohet:

“Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Lezhë Nr.107/1, datë 15.10.1984 Gjeto Cok Preka (Gjeto Coku) është shpallur dëshmor i luftës për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë”. Ndërkohë që dy vjet më parë, në 17.11.1982 me dekretin Nr.6660, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH e kishte dekoruar atë pas vdekjes me medaljen “Për veprimtari patriotike” , me motivacionin “Për ndihmesën e dhënë në luften për clirimin kombëtar dhe për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare.

…………

Kush është Gjeto Coku?

Gjeto Coku lindi në Shëkoll të Lezhës. Që në moshën 19 vjecare, në vitet 1878 kur dhe u kurorëzua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Gjeto Coku rrëmbeu armët duke luftuar në krah të malësorëve bregamatas.

Ky bir i denjë i malësor, ishte një nga udhëheqësit luftarak më popullor, organizator kryesor i kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane të vitit 1912, të malësorëve në krahinën e Bregut të Matës të Qarkut Lezhë. Në vitet 1899-1904, veprimtaritë antihosmane nën drejtimin e Gjeto Cokut bëhen më të shpeshta,ndaj administrata turke mori masa të rrepta duke e internuar në Izmir në vitet 1904-1908.

Shtypi i kohës shkruan se Gjeto Coku takohet t me Ismail Qemalin, e ndihmohet nga ai të kthehet në atdhe në vitin 1908, duke ndërhyrë pranë qeverisë turke, por edhe me të holla.

Sapo është kthyer Gjeto Coku organizoi kryengritjet e armatosura të Bregut të Matit. Ai u vu në krye të lëvizjes antiturke në veri të Shqipërisë. Kryengritjet e viteve 1911 në Malësi të Madhe  në Shkodër dhe në Rrilë të Lezhës, duke shtypur forcat turke.

Ndërkohë në 22 qershor 1912 është organizuar nga Gjeto Coku, vëllai Dedë Coku si edhe Llesh Nik Daka beteja më e përgjakshme në breg të Matit, ku u shpartallua ushtria turke.

Vetëm pak ditë pas ngritjes së flamurit në Vlorë, në Lezhë pikërisht në 3 dhjetor 1912 vëllezërit Gjeto e Dedë Coku me 40 të “Besëlidhurit” e tjerë ngriten flamurin kombëtar.

 

Ishte merita e patriotit të zjarrtë Gjeto Coku, që në kështjellën legjendare dhe historike të Lezhës historike ngriti me plot nder dhe lavdi Flamurin e Lirisë të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, atë Flamur Kuq e Zi, të larë ndër shekuj me gjak trimash shqiptarë. Kjo ngjarje e rëndësishme për qytetin e vogël të Lezhës vinte menjëherë disa ditë pas aktit historik të Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit shqiptar në Vlorën e Ismail Bej Qemalit më 28 nëntor 1912..

Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, Qeveria e Lezhës, me në krye Gjeto Cokun, u bashkuan menjëherë me Qeverinë e sapoformuar të drejtuar plaku i urtë i Vlorës historike, kryeministri i parë Ismail bej Qemali. Ai nuk pranoi propozimet e Preng Pashës dhe Esat Toptanit, për t’u shkëputur nga Qeveria e Ismail Bej Qemalit. Për këtë edhe e pagoi me jetën e vet më 7 Tetor 1913 në Lezhë.

 

Ka qenë Ismail Qemali, admiruesi dhe miku i tij i afërt që e nxiti të lartësojë simbolin e shqiptarëve në Lezhë, duke i dhënë një shembull të mirë të gjithë patriotëve shqiptarë që e kishin mbështetur në luftrat kryengritëse të organizuar nga vetë Gjeto Coku në krahinën e tij dhe në disa zona të tjera të Shqipërisë.

 

Menjeherë pas ngrites së flamurit në 3 dhjetor 1912 , krijohet qeveria e parë e Lezhës më në krye Gjeto Cokun. Gjeto Coku, kajmekam i Lezhës  në qeverisjen e tij një vjecare nga 3 dhjetori 1912 deri në 7 tetor 1913, kur edhe u vra, ka merita në organizimin e qeverisjes së Lezhës, sidommos për vendosjen e rregullit dhe disiplinës. Ai i kushtoi një rëndësi të vecantë pajtimit të gjaqëve, bashkimit të vëllazërimit të fiseve mirditore dhe malësorëve si dhe në mes gtë katolikëve dhe myslimanëve.

 

Gjeto Coku, asnjeherë nuk u pajtua me procesin e osmanizimit të detyruar, që do të thoshte thellim i metejshëm në hendekun e shkombëtarizimit të popullit tonë, nështrimin në të gjithë rrafshet e jetës së banorëve autoktonë, duke humbur të drejtën për të qenë shqiptar të lashtë pasues të denjë të të parëve tanë ilirë.

Ai u vra tradhëtisht në Lezhë nga agjentët e qeverisë serbe, të cilët me kokë kërkonin eleminimin e tij fizik, si një pengesë serioze për arritjen e synimeve të tyre shovinste ndaj tokave shqiptare në Veri të Shqipërisë.

 

Në lidhje me këtë vrasje shtypi përparimtar i kohës reagoi menjëherë nëpërmjet një sërë shkrimesh, ku vlerëson rolin e madh patriotik, që kishte luajtur patrioti i vendosur Gjeto Coku, ku, ndër të tjera, analizohet situata politike në Lezhë dhe Skuraj. Popullsia vendase dhe vetë administratorët e Qeverisë së Qarkut të Lezhës, ishin shumë të idinjuar për vrasjen e atdhetarit me vizione të pastra përparimtare.

 

 

……..

 

 Shënim “Hylli i Dritës”, nga Atë Gjergj Fishta

Lezhë. – Me 7 të tetorit, një rrezik i madh e gjeti Qeverinë e Lezhës, Malësinë e Madhe e, të thuesh, Shqipninë mbarë; pse në këtë ditë Gjeto Coku, kryetar i Qeverisë së Lezhës, qe vra në tradhti prej njëfar Preng Gjakove, një mirditas, dalë tash vonë në Gjakovë e shkrue, së mbami, në xhandarmëri të Lezhës.

Gjeto Coku qe i krishtenë imirë, atdhetar i njimendët e burrë i drejtë e trim. Pa qenë vetë nevoja e kujt e pa sopatë e drapën kurrë n’e huejën, qe buka e të gjithë shekullit (buka e të gjithë shekullit – kuptimi: qe mikpritës; në shtëpi të tij hanin bukë njerëz të shumtë, shënimi i redaksisë së revistës “Hylli i Dritës”); e as iu shit, as iu leçit kujt a për me u pri a për me u çelë shteg ushtrive; por, konden (i kënaqur) në atë okë e copë, në të cilat e pati vu Zoti, qe nderi i fesë, nami i Atdheut e miku i të gjithë të mirëve. – Arsyeja, për të cilën që vra, nuk dihet. – Në mort të tij u mblodh panagjyr i madh. Ndërsa të tjerë të huej, qe P. Severin Lushaj, P. Rrok Vataj, Baron D. Nopça e Miss Durham. Me 12 tetor u tha Mesha e dritës për shpirt të tij. në atë Meshë, qe delegati i arqipeshkvit të Shkodrës, D. Ndre Mjedja, si edhe D. G. Kukula, D. P. Ungrej. P. Engjëll Paliqi tha Meshën e P. Severin Lushaj bani predkun (fjala fetare që mban prifti në meshë)…”(f. 29)

 

……. 

Një këngë popullore, që këndohet me lahutë dhe çifteli brez mbas brezi, e ka përjetësuar kështu figurën e Gjeto Cokut, me trimat e tij besnikë në mbrotje të trojeve të vatanit:

 

Në çdo mbledhje kanë ngritur zanin

Me çdo kusht me mbrojt vatanin

Si në luftë kundra Turqisë

Në prag të Shpalljes së Pamvarësisë.

 

Qenë malësorët sokola malit

Në fshat Shenkollit në Breg të Zallit

Që ja vunë pushkën nizamit

Shumë ushtarë ja vranë Sulltanit.

 

Në krye të luftës së Pamvarsisë

Gjeto Cokun kishin prijës

Lëgjandar bashkë me malësorë

Ngreu flamurin vetë më dorë.

 

Disa trima lufta i mori

Me pushkë në dorë në mbrojtje këtij troi

Pjetër Bici, Gjergj Nikolla

Llesh Nik Dake, Pjetër Sokola,

Tuj luftua kundra Turqisë

Ranë si trima të Pamvarsisë.

 

Lindita Kokaj

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *