Shqiptarët në Detroit për 100 vjetorin e Pavarësisë

Në një bisedë  me Don Fran Kolen, famullitarin e Kishës Katolike të Shën Palit, e njohur si një qendër atdhetare dhe kombëtare, u mësuam me projektidenë e  tij, që e kapercen famullinë. Mendimi i Don Franit është ende në koken e tij, por së shpejti ai do ta parashtroj në komunitet për të marrë miratimin e atyre me të cilët do të punojë për ta  bërë realitet. Duke e parë Pavarësisnë dhe 100 vjetorin e saj si ngjarjen më të rëndësishme politike dhe historike të këtij viti, Don Frani, me të drejtë kërkon që me një rreth të gjërë intelektualësh, të cilët punojnë e jetojnë në Amerikë të takohet dhe të bisedojë, se si mund të realizohet  projekti i titulluar “ Ditët e Pavarësisë”, duke filluar me 26 dhe përfunduar me 28 Nëntor të këtij viti, ditën kur në Vlorë u ngrit flamuri, si dhe nxitjen e kësaj fryme gjatë gjithë vitit.

Ndryshe nga vitet e tjera, në këtë 100 vjetor, këto ditë të rrezatojnë kulturë, atdhedashuri, përmbajtje kombëtare dhe cilësi njerëzore për të cilat e pa të cilat nuk mund të shkohet përpara. Këto ditë, me një ide të qartë, Don Frani mendon të jenë të programuar sipas një plani, me të cilin do të njihemi së shpejti. Për të realizuar këtë ide, ai nuk mendon të shkohet larg. “ Forcat intelektuale të të gjitha fushave i kemi krejt afër, me ta rrimë çdo ditë, disa prej tyre mbajnë grada shekncore, disa kanë ardhur të formuar nga Atdheu, cilido vend qoftë, Shqipëria politke, Kosova, Malësia, Çamëria apo  Maqedonia. Ata janë ta gatshëm të   kyçen në këto ditë festive, që ato të bëhën sa më të prekshme dhe në funksion të të gjithëve.”- na thotë Don Frani.  Besimi që ka në këto forca, e bën idenë e tij më të qartë, duke i dhënë edhe siguri në realizim e saj sa më me cilësi.

Në ditën e pare, mendon t’u flitet fëmijëve dhe të jepet një program për ta e për prindërit. Në ato qendra ku funksionojnë shkollat, të njoftohen që me datën 26 Nëndor, ditën e hënë 3-4 orë të mbrëmjes t’u kushtohen fëmijëve, që t’u mësojmë sadopak se çdo të thotë të jeshë shqiptar e cili është flamuri i Atdheut tonë. Ky të jetë një program kulturor dhe në një qendër asnjanse. Për këtë duhet koordinuar veprimtaria jo vetëm me qendrat fetare të komunitetit, ku në emigrim janë më shumë se qendra fetare, por edhe me shoqatat që veprojnë aktivisht në jetën komunitare. Aktiviteti u duhet besuar përsonave të përshtatshëm, të cilët mund të realizojnë një mbrëmje për nivelin e  tyre, e cila të ketë edhe vleren edukative dhe atdhedashëse. Është brezi që ka më shumë nevojë t’i përkushtohemi me këmbëngulje, për të mbajtur gjallë frymën kombëtare dhe dashurinë për prejardhjen e tyre.

Në ditën e dytë, po në një qendër ansjanëse, në koordinim me qendrat fetare dhe shoqatat, të mbahet një  mbasdite   kulturoro-historike ku të flitet, recitohet e këndohet për Pavarësinë, për  etapat në të cilat kaloi ky kalvar historik deri në themelimin e shtetit shqiptar, një fakt shumë i vonuar, krahasuar me vendet e tjera. Një grup pune i veçantë për këtë duhet zgjedhur nga intelektualet në komunitetin tonë, të cilët e pranojnë si një angazhim të vështirë, por krejtësisht të realizueshëm. Aktiviteti i kësaj dite të merret seriozisht dhe të realizohet si simpozium serioz, prej të cilit edhe të mund botohen materialet e paraqitura.

Ndërsa në ditën e tretë, e cila mendohet si akti final i kësaj feste, të projektohet një sallë për më shumë se dymijë shqiptar, të cilët të festojnë Ditën e Flamurit, siç i ka hije një kombi të formuar mbi baza solide kulturore dhe historike. Një ndër grupet muzikore më të mira të komunitetit të argëtojë të pranishmit, duke pasë në programin e tij këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare në emigracionin e këtushëm. Një ndër aktivistët dhe intelektualet më të njohur të komunitetit të përgatis fjalën festive, e cila nga një anglishtfolës/e   të lexohet edhe në anglisht, pasi në këtë natë duhet të kemi të ftuar edhe përsonalitete të politikës dhe kultures Amerikane. Ne jetojmë në Amerikë dhe duhet të bashkëveprojmë me Amerikanët.

Veç këtyre, gjatë gjithë këti viti, të gjitha aktivitetet do të bëhën në frymën e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Festivali i 4 Korrikut që bëhet çdo vit në Qendren e Shën Palit do të ketë konkurim të vlerave dhe të nënshkruar “ 100 vjetori i Pavarësisë”.

Një festival sportive, i cili mendohet për muajn Shtator, do të ketë gjithashtu një  kupë të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Tetori dhe Ditët e Letërsisë Shqipe, që i organizon Revista “ Kuvendi” prej më shumë se dhjetë vitesh, do të ndihmohen dhe përkrahen që të kenë këtë frymë dhe një konkurs të veçantë me krijime për 100 vjetorin e Pavarësisë

Pothuajse për të gjitha pikat, Don Frani flet me një besueshmëri, sikur të ishte një institucion që i ka të gjitha mundësitë profesionale edhe financiare të detajuara, pasi në të vërtetë edhe janë mundësitë për një kremtim të tillë.

Në lidhje me projektet  kulturore në funksion të edukimt Atdhetar dhe në kuader të 100 vjetorit të Pavarësisë, Don Frani së shpejti mendon të realizojë Bibliotekën e parë Shqiptare në Amerikë, në Qendren e Shën Palit, e cila do të funksionojë për të gjitha moshat dhe si një bibiotekë e  organizuar me seksione dhe skedime kompjuterike e fizike, me një fond të kosiderueshem librash, ku secili të ketë mundësinë ta formojë veten edhe në këtë fushë, në formën më efikase të mundur. Veç kësaj, biblioteka në të arthmen mund të funksionojë edhe për nevojat e botimeve, redaktimeve dhe përgaditjes së librave, si dhe aktiviteteve kulturore, jo vetëm në kuadrin e kësaj qendre.

Për të gjitha këto e të tjera, Don Frani do të ketë mbështetjen edhe të komunitetit, por më së afërmi të aktivit të palodhur të kësaj Qendre fetare dhe kombëtare të një rëndësie të veçantë. Ai do t’u drejtohet edhe dy ambasadave dhe konsullatave shqiptare, që të ndihmojnë në realizimin e një programi festiv, i cili së shpejti do të publikohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *