Letra dhe kujtime nga Ali Podrimja

Yllka Filipi me poetin Ali Podrimja ( 2011 )

 

Dr. Yllka Filipi

 

Ishin ca ditë të ftohta nëntori, tipike alpine, kur me rastin e Javës së Albanalogjisë u gjenda në Prishtinë.  Duke u çlodhur në ambjentet e barit të RTK-së, takohem me lirikun e madh, 3-ditë me radhë. Me Podrimjen njiheshim vetëm përmes shkrimeve letrare. Unë, me vargun e tij që në bankat e shkollës, ndërsa ai me shkrimet e mia, nga periodiku letraro-artistik. Ishte bërë kureshtar, pasi pothuajse shumë shpesh kishte rastisur që shkrimet tona të botoheshin në të njëjtën faqe të cilën e ndanim në dy pjesë të barabarta… Doja patjetër të takohesha me këto Zanat e Shqipnisë që shkruajnë vargje, – më thotë. Ky ishte Atdheu i tij i mbërthyer në arkë…-mendova unë. Thjeshtësia që e karakterizonte e vishte me velin e madhështisë. Ndjenja e lehtë e humorit, vështrimi i humbur gjithnjë diku, zëri i ulët, menjëherë e evidentonin si një grimcë përjetësie në atomin universal të letrave.

Pasi më pyeti për Shqipërinë, shumë shpejt më ra në duar bashkë me autografin e Tij, vëllimi “Kush do ta vrasë ujkun”, botim i Alb-Ass 2002, të cilin e kisha lexuar me kohë, por e shfletova me shumë dëshirë, edhe njëherë: Aty ku përziehet drama e kombit, metafora dhe simbolika mitiko-antike, shpirti, raca njerëzore, filozofia emocionalo-figurative, etniciteti, pikëllimi, e nesërmja, gjithë humanizmi mbarë i mbledhur në Lumin që rrjedh brenda vargut të Podrimjes, e mbi të gjitha sfida ndaj vdekjes, unë pashë njeriun e tretur nga dhimbja, por të urtë, që mbante veshur me dinjitetin më të madh, kostumin stoik të jetës. Ky është Poeti prej Guri- mendova. Ja pse, ky trup i vogël është një Ngrehinë kaq Hijerëndë…një Kullë Magjike që vret Lugetërit:

Hija e vdekjes/ ma paska mbuluar kullën…                                                     (Beteja e Kosovës, fq.81)

Duke shkëmbyer adresat e e-mailit më kujton mes një përhumbjeje dhe pikëllimi njëherësh, gjë e cila i pasqyrohej në ngecjen e vështrimit për një çast në letër e moslëvizjen e gishtërinjve gjithashtu: – E dini që unë kam pasur (të krijohej ideja se përdorimi i së shkuarës kam pasur sfidohej nga nënteksti i së tashmes kam dhe i së ardhmes do të kem), një djalë me emrin Lumi? – Eh, Lum Lumi,- (miratoj unë në heshtje brenda vetes, pa nxjerrë zë)… – Dhe ndaj A-ja e emrit tim, dhe Po-ja e mbiemrit, përzier me Lumi-n, në hotmail.com, janë adresa ime, ku mund të shkëmbëjmë ca thashetheme letrare…

Në të mijtën e sekondës m’u statujëzua në sy portreti trupimët i lirikut me vështrim të thellë, të cilin ikja para kohe e djalit, e vrau, por nuk e rrëzoi dot: Erdhe në jetë/…/ këtë gur ta hedhësh më larg se unë/…/ derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi  në ajër / në kohë/ në kozmos…/ Mund ta kalosh natën në Kullën timë të vetmuar/ në botë…/…/ dhe si të duash Ti Lumi/…/  bashkëudhëtari im…                                                                              (Me jetue/ Tim bir Lumit, fq.59)

Poeti nuk pajtohet me tragjedinë: Re e zezë shtëpinë tonë mbështoll … (Pikëllimë, fq70); Lum Podrimja vdiq më 29 shtator1982/, por unë nuk mund ta nënshkruaj vdekjen tënde/…/ vdekjen tënde nuk mund ta nënshkruaj vogëlush!/ varrmihësit le ta qesin emrin…                                                                                         (Fletë e bardhë, fq.73, Ulpianë, tetor 1982)

Shoh engjëllin e zi që nuk mund ta mundni/ Ku nxitoni shoferë të vdekjes/…/në ankth mbani botën…                                                                                                             (Shoferët e mortit, fq.89)

    Pasi ka flakur tej çelësat e vetmisë dhe   ka braktisur “Oqeaninë”, në këtë millenium të sertë, Podrimja i njehsuar si Robinson Cruso e më pas si misionari Konica, lexon në një pergamenë fatin e ishullit të Shqipërisë dhe bijve të shqipeve që: dhe kur vdisnin/ vdisnin/ duke kënduar oi, oi…                 (Shqiptarët, fq.108, Feldafing, ’92):

 Më tej vetëpërfshihet: të ëndërronim nuk guxonim/…/varur rrinim në një fije merimange/ herë na hidhnin tej gropave të zeza…                                                                                     (Pasqyra e thyer, fq.760

Shqipëri moj/ mos qofsh e zeza/ ime!                                    (Negativi i fotografisë/ Ulqin, qershor ’97, fq.77)

Poetët që  kanë arritur  pjekurinë artistike, kanë një shenjë hyjnore në ballë, shenjë që ndoshta jo të gjithë arrijnë ta dallojnë. Përhumbja e tij ishte një lloj përpjekjeje për t’ju larguar vetmisë. Cung i vetmuar që faron vetveten… dhe prapë vetëm rreth flakës… (Pa folje, fq.127) Rreth asaj vetmie që të sjell humbja e njeriut të shtrenjtë. Midis asaj këmbënguljeje për të qenë njeri i zakonshëm, tek Poeti i pikëlluar spikaste etja për jetë. Më erdhi ndër mend një shprehje e Aristotelit : Quod dolore vacat, non quod suave est, perse quitur vir prudens! (I dituri nuk kërkon kënaqësitë, por mungesën e dhimbjes. “Etika Nikomakea”)

Nga e majta: gazetari Shaqir Foniqi, Ali Podrimja dhe Yllka Filipi duke marre me autograf librin “ Kush do ta vrasë ujkun?”

Artikulimi poetik i Podrimes sjell mesazhe të fuqishme për të gjithë brezat. Në një drithmë poetiko-patriotike, Ai shkruan: Në Kosovë/, vetëm vdekja/ nuk vonon (Mynih 1999, fq.42). Apo më tej: Fati im në duar të mia/ dhe vdekja ime në duar të mia/ (Fati im në duar të mia, fq.45). Sfida ndaj vdekjes përcjell mesazhin filozofik të mos-harrimit, së gjalli e së vdekuri: /…/ nuk na ndan vdekja plaku im/ na ndan harrimi…/ (Mbreti im i vdekur Dioklecian, fq.47) Nëpër kohë të errëta të historisë me dhembje në shpirt e forcë të pamposhtur në zemër, poeti vajton: Jeta seç më iku/ pa ja parë kulmin shtëpisë…/ (Pa titull, fq.56) Më tej: Brenda frymës që përplaset në dhomën e vdekjes/…/ Zoti s’është i zi/ s’është i zi Zoti/ (Në dhomën e vdekjes, fq.61) Vijojmë: Shkove një bregu që ndante/ jetën dhe vdekjen…(Fillikat vetëm, fq.71) Herë pas here poeti klith, pa rënë në dëshpërim: Oh, Zot/ a më sheh kund? (Zot, a më sheh kund, fq.91) Më tej: Një mace e zezë më ndjek/ në udhëtimin tim… (Macja e zezë, fq.100)

      Vargu  i prerë, konsolidimi i korpusit figurativ, impulset filozofike, ironitë, sarkazmat dhe anatemat, reflekset ezotopike, ritmi, eufonia, lakonizmi, e bëjnë poetin një gur themeli në thesarin universal të vlerave të letërsisë. Ja si shprehet Dr. Mensur Raifi (në librin në fjalë që më dhuroi poeti, fq.24): Ali Podrimja… nuk lëshon klithje dëshpëruese… nuk jepet pas dhimbjes e pikëllimit… e tejkalon dhe e neutralizon tmerrin. Është këtu një vrull i hatashëm njerëzor… Këtu pavdekshmëria, nuk është një iluzion i ikjes nga defetizmi për t’u futur  në legjendë, por qëndrim burrëror ndaj vdekjes që inicon një mësim për jetën.

Poeti  që digjet për tragjeditë e kombit, duke u frymëzuar, shqetësuar dhe prekur gjithnjë edhe për fatin e diasporës shqiptare, (A ju dëgjon harrimi?- vetëtoni derisa bubullon në botë), pasi kishte shkëputur prej vëllimit tim të fundit Post Hekuba, një cikël poezish, më shkruan sërish:

E nderuara poeteshë, t’i kam zgjedhur këto poezi për shtypin shqiptar që vazhdon të botohet dhe të shumohet në hapësirën arvanitase. Poezitë mua më kanë pëlqyer dhe poetët të cilët i kam prezentuar atje, kanë qenë tepër të nderuar. E nderuara Yllka, e kam lexuar librin tënd dhe më ka pëlqyer shumë. Besoj se edhe me ndonjë libër tjeter që do ta botosh do ta gëzosh lexuesin shqiptar dhe të gjithë miqtë e tu. Me nderim e çdo të mirë, Ali Podrimja.                        23/01/2012                                                                                                                                                                                                                                  

Disa ditë pasi unë isha takuar me Poetin, m’u desh të kapërceja Oqeanin për t’u vendosur përfundimisht në Amerikën e largët. Në letërkëmbimin tonë, i thoja midis të tjerash: Miku im i shtrenjtë! Lumturia këtej nuk ka aromë atdheu!… Dhe Ai, me humorin e tij karakteristik, më shkruante sërish duke më inkurajuar:

      E nderuara poeteshë dhe zonjë që bredh rrugëve të Nju Jorkut! … Por mua më gëzon kur Ju nuk mund të shkëputeni nga atdheu dhe populli yt. Unë do të bëj përpjekje me ca shokë që me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të botojmë një Antologji të Fjalës Shqipe. Aty i kam vendosur dhe ca poezi të cilat arvanitasit t’i kanë botuar dhe në Athinë. Pra, fjala jonë deporton nëpër hapësirat që dikur ishin të zymta për ne. Të fala e çdo të mirë Ty dhe familjes suaj. Ali Podrimja.                                                                                                             30/01/ 2012                                                                                                                           

Nuk kishte kaluar as gjysma e vitit që nuk ishim parë, dhe papritur nga kronikat televizive merret vesh lajmi se Poeti kishte 3-ditë i humbur … dhe më pas fakti i hidhur i ndarjes nga jeta… larg atdheut, s’di s’e ku…, në Francë. – E humba… e humbëm… Ishin ca ditë të hidhura e përvëluese korriku:

… bërtisja në ankth…/…/megjithëse Parisi varrosej nga ankthi/…/ mos isha send i harruar në udhë?/…/ dhe përplasesha për muri korridoreve të ftohta/ të errëta, të pafundta/…/ ikja…/ net të tëra nuk flija/ zhantiji i humbur në hapësirën gëlltitëse/ të tmerrshme, të vdekur… e nën dritare digjej Parisi…                                                                                        (Nën dritare digjej Parisi, fq.81)

Nuk ka rëndësi cilët janë Ata ose Ato që e vrasin njeriun në jetë çdo ditë pak e nga pak, ose njëherë e përgjithmonë: Ndarjet, vetmia, humbjet, dramat, pikëllimet, tragjeditë, harrimi, armiqtë, miqtë, kombet, shtetet, Zotat apo vetë Njeriu, jeta apo vdekja, e shkuara apo e ardhmja, drita apo hija, trupi apo shpirti… asnjë nga këto nuk ka rëndësi:

Thotë poeti: Vdiset vetëm njëherë e Zoti/ nuk i pranon viktimat e zymta/ (Në teatrin e ri, fq.101); Pranë meje diku fqiu i zbehtë vazhdon të hapë/ varrin tim/ edhe për nja 13 cm… (Përditshmëria ime, fq.102); Më tej: Unë bredh fjalëve/ baladave/ ëndrrave/ Nuk lënë korbat ta shoh qiellin. (Drenica, fq.105) Podrimja konstaton vagëllimthi: Na vrasin të na bëjnë të pavdekshëm/…/ një herë në njëqind vjet (Reçaku, fq.107)

Poetin e thirri Lumi, Lum Lumi! Aty ku të thërrasin ujërat, i ka rrënjët amshimi. Vetëtimthi më përshkoi në tru ideja se Podrimja, pasi e mposhti vdekjen, shtegtoi në përjetësi, duke na lënë pas   amanetin e shërimit shpirtëror të brezave, nëpërmjet fuqisë magjike të vargjeve.

New York’ korrik 22, 2012    U.S.A

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *