Nikoliq: Nëse Prishtina provokon, Kosovën do ta marrim edhe me luftë
Beograd, 20 korrik – Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq nuk e ka përjashtuar opsionin e luftës për “ta kthyer Kosovën”, nëse, siç u ka thënë ai medieve serbe, “imponohet një gjë e tillë nga Prishtina dhe kryeministri Hashim Thaçi”.
“Nëse ndokush e sulmon dhunshëm veriun e Kosovës duhet ta ketë parasysh se edhe Serbia mund ta ndjekë të njëjtën rrugë për ta kthyer Kosovën. Pra, kush është ai që në një rast e justifikon forcën e në tjetrin jo”, është shprehur Nikoliq, duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari serb se si do të reagonte ai si komandant i Ushtrisë së Serbisë, nëse Hashim Thaçi ndërmerr ndonjë hap të dhunshëm kundër serbëve në veri.
“Qytetërimi bashkëkohor nuk është mirë që të jetë indiferent ndaj dhunës që ushtrohet mbi serbët në veri të Kosovës. I kam bindur të gjithë faktorët e bashkësisë ndërkombëtare, me të cilët kam biseduar, se kjo do të ishte e pakuptimtë. Këtë Serbia nuk mund ta durojë, ngase OKB nuk e kanë dërguar KFOR-in në Kosovë që të pushtojë territore”, tha ai.
Por, Nikoliq përkujtoi se për zgjidhjen e çështjes së Kosovës duhet të tubohen të gjithë faktorët që janë të rëndësishëm në Serbi, në mënyrë që përfundimisht të hartohet një platformë e mbështetur në Kushtetutë dhe në interesat e qytetarëve, duke insistuar që në negociata të përfshihen edhe Kombet e Bashkuara.
Në pyetjen se a ka plan konkret për Kosovën kur bën thirrje për tubimin e të gjithë faktorëve relevantë, kryetari serb u përgjigj: “Sa herë që dikush të vërsulet ndaj nesh dhe të bëjë trysni, ne nuk do të lejojmë që shteti i vetëshpallur i Kosovës të bëhet anëtar i OKB. Kjo është arma jonë më e fuqishme. Nëse për këtë arrijmë që ta bindim Prishtinën dhe bashkësinë ndërkombëtare, e sidomos ata që po bëjnë presion ndaj nesh, atëherë bisedimet do të zhvillohen më lehtë”, transmeton lajmeshqip.
Kryetari i Serbisë tha se është i gatshëm që të propozojë një zgjidhje, e cila tashmë ka gjetur zbatim edhe në vendet tjera, siç është statusi i gjermanëve në Belgjikë dhe në Tirolin Jugor. “Pra, ka zgjidhje që edhe mund ta ruajë sovranitetin e Serbisë e edhe t’i kënaqë shqiptarët”, përfundoi Nikoliq.
Koha Ditore, 20 Korrik 2012