Liria akademike…

  1. Liria akademike, më e garantuar në shtetëror apo privat?

 

TONIN GJURAJ*

Liria akademike ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej çështjeve themelore të universiteteve, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Universitetet janë, përveç të tjerave, bastione të të drejtave dhe lirive demokratike dhe, si të tilla, ato duhet të bazohen në lirinë ndaj presioneve politike dhe të drejtën për të vënë në pikëpyetje dijet dhe konkluzionet e teorive të ndryshme shkencore.
Progresi i dijes njerëzore, të paktën në pesë shekujt e fundit, nuk ka ardhur vetëm prej zbulimeve të reja shkencore, por shpesh është arritur edhe duke rrëzuar bindjet apo besimet e vjetra. Teoria e sistemit heliocentrik e Kopernikut, për shembull, që vendos diellin në qendër të sistemit tonë diellor, përmbysi besimin e deriatëhershëm që kishte tokën si bosht të gjithësisë. Kjo teori përbën një ilustrim të përshtatshëm të lirisë akademike të mendimit, që guxoi të ngrihet mbi dijet sunduese të kohës dhe të hapë horizonte të reja. Revolucione të tilla shkencore, qofshin ato në lëndët ekzakte apo shoqërore, janë të pakta dhe në përgjithësi dija njerëzore përparon duke evoluar gradualisht. Sidoqoftë, në qendër të këtij evolucioni qëndron sërish e drejta për të menduar ndryshe, për të vënë në provë të vazhdueshme postulatet e kohës, gjë që arrihet vetëm nëpërmjet lirisë akademike. Ekzistojnë, në fakt, ide të shumta dhe debate të ndryshme rreth lirisë akademike kudo në qarqet akademike, por parimisht, diskutimi për këtë çështje varet ndjeshëm prej dimensioneve që konsiderohen liri akademike dhe, në këtë kontekst, mund të thuhet se më shumë sesa tek forma e pronësisë, liria akademike varet apo ndikohet prej profesionalizmit të individit, aftësisë së tij/saj për të mirëpërdorur lirinë brenda “rregullave të lojës” dhe për t’u përditësuar me arritjet e shkencës dhe larmisë së profesioneve.
Kohët e fundit, në shumë media në Britani dhe SHBA ka pasur mjaft artikuj që trajtojnë shqetësimet e pedagogëve, studiuesve dhe studentëve për një gërryerje potenciale të lirisë akademike. Kjo, sipas autorëve, ka ndodhur kryesisht për shkak të një erozioni më të gjerë të të drejtave dhe lirive civile dhe të shtimit të masave të sigurisë në luftë kundër terrorizmit. Po ashtu, duket të jetë zvogëluar edhe mundësia e debatit publik rreth pakësimit të të drejtave civile. Kjo ka ndodhur për shkak të një tkurrjeje të numrit të rrjeteve mediatike, çka ka zvogëluar platformat nga ku mund të bëhej një përplasje mendimesh për këto çështje. Kështu, rreth 600 pedagogë dhe studiues në disa universitete në Britani kanë nënshkruar një mocion për mbrojtjen e lirive akademike. Shumë pedagogë kanë frikë, thuhet në mocion, se duke shprehur mendime kontroverse, do të ofendojnë menaxherët e tyre dhe politikanët. Duke pasur frikë të sfidojnë teoritë e pranuara botërisht, ata vetëcensurohen. Kjo ndodh sepse, sipas autorëve të mocionit, universitetet gjithnjë e më shumë po operojnë sipas parimeve të tregut dhe janë më pak të interesuara që të mbështesin ide kontroverse dhe studime shkencore kontroverse. Ky debat zhvillohet megjithatë në një mjedis tepër të konsoliduar, me traditë të shkëlqyer arsimore, me një kulturë dyshimi reflektiv, por edhe me një kuptim shumë të qartë të “publikes” dhe “privates” në sistemin arsimor.
Në rastin e Shqipërisë, liria akademike ndoshta duhet parë, në radhë të parë si liri nga presioni politik dhe universitetet private, ndryshe prej universiteteve shtetërore, dëshmojnë se janë mjedise plurale, të lira dhe të hapura ndaj çdo individi dhe pikëpamjeje. Në fushën shkencore, universitetet private edhe në Shqipëri janë ndoshta, në tërësi, të orientuara drejt “lëmive-fitimprurëse”, si ato juridike dhe ekonomike, megjithatë në shkencat shoqërore, ku ata konkurrojnë me universitetet shtetërore, universitetet cilësore private kanë një avantazh ndaj tyre, sepse nuk kanë të njëjtat pengesa burokratike dhe politike.
Mund të argumentohet se universitetet shtetërore shqiptare asnjëherë, as para viteve ’90-të, as sot, nuk u kanë dhënë studentëve profesion, por vetëm një formim akademik (përtej formimit ideologjik të kohës). Të paktën për profesionin e mësuesit kjo gjë është konstatuar, jo vetëm prej përvojave tona personale, por edhe nëpërmjet studimeve zyrtare në atë kohë dhe sot (ekzistojnë studime të tilla të realizuara në vitet 1988, 1989 dhe 2005 për këtë çështje). Këto studime janë diskutuar në nivele të larta dhe kanë nxjerrë në pah se formimi profesional rezultonte i cunguar, që do të thotë se mësuesit nuk fitonin kompetenca profesionale, por kryesisht vetëm njohuri. Ka dyshime gjithashtu se, me gjithë përfshirjen në sistemin e Bolonjës, përsëri vazhdon e njëjta gjendje në universitetet shtetërore, duke mos qenë të orientuar sa duhet drejt profesionit, por duke paraqitur më shumë një rigrupim lëndësh dhe ciklesh studimi.
Argumenti i diversitetit të programeve, kurseve, lëndëve dhe moduleve lehtësohet shumë prej sektorit privat të arsimit të lartë dhe kjo përbën një avantazh të këtij sektori. Universiteti privat është më i lirë dhe më i hapur në ofrimin e një larmie programesh të diferencuara, mbështetur në filozofinë e së ardhmes nga homo sapiens-njeriu që di, në homo faber-njeriu që bën. Po ashtu, kurset priren të përfundojnë drejt diplomave me dije më praktike, që të mund të çojnë drejtpërsëdrejti në një profesion të caktuar. Universiteti privat gëzon autonomi më të madhe për të përcaktuar përmbajtjen dhe formën e programeve të studimit, kushte komplementare për pranimin e studentëve, për strukturën organizative dhe administrative, drejtime bazë të kërkimit shkencor, por edhe më shumë liri substanciale për të menaxhuar aktivitetet e përditshme. Menaxhimi nëpërmjet parimeve private ka dëshmuar efikasitet në çdo ndërmarrje, përfshirë dhe sektorin privat të arsimit të lartë. Ky sektor inkurajon mekanizma të tregut, që rrisin pavarësinë dhe lirinë akademike dhe, në këmbim, kërkon prej tregut një reagim për dobinë dhe vlefshmërinë e diplomës së fituar.
Sektori privat i arsimit është më i shpejtë dhe më i drejtpërdrejtë në vendosjen e një partneriteti me tregun e punës. Për shembull, në UET janë ngritur pranë çdo departamenti Bordet e Tregut të Punës, me specialistë shumë të mirë të fushave të ndryshme, për t’u konsultuar me ta për programet, praktikat e studentëve, si dhe ecurinë e punësimit të studentëve të diplomuar. Në bashkëpunim me to, ngrihet korpusi i kompetencave që duhet t’u mësojë studentëve dhe mund të propozohen lëndë të reja drejtpërsëdrejti prej pedagogëve, për t’i përfshirë në programet përkatëse të vitit pasardhës. Kjo e fundit përbën shembullin më të mirë të konkretizimit të lirisë akademike në universitet. Përveç këtyre, universiteti privat dukshëm ofron shërbime më të mira arsimore, mjete didaktike të avancuara, laboratorë, teknologji më të lartë arsimore, që kontribuojnë në rritjen e performancës akademike të pedagogëve, mundësitë për më shumë kërkim dhe mendim kontrovers, duke ndikuar kështu drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë në arsim.
Në tërësi, sektori privat nxit më shumë konkurrueshmërinë sesa barazitizmin në sistemin e arsimit të lartë dhe, një ndër të mirat publike që krijon një universitet privat, janë stafet akademike shumë më ambicioze dhe të nxitura për përmirësim të vazhdueshëm, një tipar që rrit profesionalizmin, që, në kthim, ndikon tek rritja e lirisë akademike, frymës së debatit konstruktiv dhe bashkëkohor. Akademikët shprehin lirshëm opinionin e tyre intelektual, shkencor dhe profesional vetëm atëherë kur bëhen pjesë e debateve konstruktive në përmirësimin e shumë aspekteve sociale, politike dhe arsimore. Gjithashtu, kushtet mbështetëse për avancim në karrierë akademike nuk janë të sforcuara, por nën peshën e një ballafaqimi apo përballjeje mes kolegësh në ndjekje të ngritjes së vazhdueshme profesionale.
Si organizime më të lira dhe më të hapura ndaj mendimit kontrovers, më plurale si mjedise arsimore, më rezistente ndaj presioneve a ndikimeve politike, universitetet private në kontekstin aktual shqiptar kontribuojnë ndjeshëm në drejtim të forcimit të lirisë akademike.
*Rektori i Universitetit Europian të Tiranës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *