(Në promovimin e librit “LAPIS NIGER »të ELIANA EL PO e NICOLA SARACINO)
Atë pasdite të bukur maji u gjendëm në bar“MANGIAPAROLE”, në një nga rrugët e Romës. E kisha pritur me shumë kënaqësi ftesën e patriotes dhe mikes sime, poetes mirditore Eliana El Po, për të marrë pjesë në promovimin e librit të saj të ri poetik. Bashkë me mikun dhe kolegun Gjin Musa, u ndodhëm në atë bar me një pamje disi të veçantë. Vetë emri i tij “Fjalëngrënës”, na tregon se aty nuk konsumohen thjesht produkte si në çdo bar, por krahas një kafeje, një aperitivi apo një gote me verë, konsumohet letërsi e mirëfilltë. Muret e tij i ngjajnë pareteve të një biblioteke. Libra ngado, klientë që porositin diçka për të pirë e pastaj nisin e shfletojnë një libër, krijues që duket se njihen midis tyre e në këtë lokal gjenden si në shtëpinë e vet, nisin e diskutojnë për krijimet e tyre më të reja…Njëfarë klubi “Petëf”, i krijuar me idenë e vetë pronarit të tij, Marco Limiti. Ai është laureuar në vitin 2002 në universitet ku ka studiuar për letërsi, e meqë në kushtet e krizës nuk kishte punë në profesionin e tij, mendoi të shfrytëzojë barin që administronte familja për ta lidhur punën me pasionin për librin. E filloi të organizojë në lokal promovime librash, aktivitet që erdhi gjithnjë duke u rritur. Praktikisht tani bëhen aty mbi 100 promovime në vit, domethënë një në çdo tre ditë.
E në këtë pasdite është radha e librit të patriotes sonë. Libër që ka për autorë dy bashkëshortë, Elianën dhe Nicolan. Eliana nga Mirdita dhe Nicola arbëresh, nga jugu i Italisë. Pjesëmarrësja më e vogël në këtë promovim është vajza e tyre, Maria, dy-vjeçare, e cila rri në një kënd e merret me vizatime, ndërsa të mëdhenjtë diskutojnë për poezinë e prindërve. Edhe ky fakt ka brenda poezi, poezinë e jetës.
Eliana e Nicola janë dy poetë që kanë natyra disi të ndryshme në poezi, secili ka stilin dhe origjinalitetin e vet, por siç janë lidhur harmonishëm në familje, harmonikisht shkrihet edhe poezia e tyre brenda faqeve të vëllimit.Libri është në dy gjuhë, ship dhe italisht Edhe promovimin ata e kanë menduar bukur e me eleganzë. Nicola, mjaft ekspresiv e elokuent, flet për poezinë e Elianës, vë në dukje vlerat dhe veçanësinë e saj, i reciton ato me pasion e me një dritë të veçantë në sy . Është një dritë ku shkrihen në një dashuria për poezinë dhe bashkëshorten që e ka shkruar atë. Pastaj vjen radha e Elianës që të flasë e recitojë poezinë e Nicolas. E mirditorja di të flasë pak, por të shprehë shumë…
Midis pjesëmarrësve më tërheq vëmendjen një zonjë, me flokë të prera shkurt, e cila e ndjek tërë diskutimin me një përqëndrim të jashtëzakonshëm. Pastaj e merr fjalën e diskuton për poezinë me një thjeshtësi por edhe me një kompetencë që të befason. Ndalet në ndonjë poezi të Elianës apo Nicolas, duke shfletuar librin, dhe i komenton ato në një mënyrë origjinale, me dashamirësi e mprehtësi mendimi. U befasova kur më thanë që ajo ishte murgeshë. Një murgeshë që jo vetëm e donte poezinë, por kishte publikuar tre vëllime me poezi. Në fund të promovimit e takova dhe nisëm të bisedojmë. Quhet MARIA STELLA FABBRI. Me delikatesë më dhuron librin e saj të kohëve të fundit, të titulluar “Duke kërkuar praninë…” Shfletoj disa nga vjershat e shikoj që janë lirika të mirëfillta të një poeteje të vërtetë,ku nuk ka asgjë të përbashkët me jetën e një murgeshe. E në fakt ajo më tregon se bashkë me kolegen e saj që merr pjesë në këtë promovim, prej kohësh e kanë braktisur urdhrin zyrtar të murgeshave, por e ushtrojnë atë për banorët e zonës ku banojnë, në shtëpinë e tyre. Besimtarët shkojnë e i takojnë e në ato takime flitet jo vetëm për fenë, por edhe për poezinë.
Gjatë promovimit, një nga pjesëmarrësit është gjithnjë i përkulur mbi fletë vizatimi. Edhe ai është një artist që frekuenton klubin e bën portrete të çastit, të cilat i firmos me emrin Pablo.
Pasditja e këndshme rrjedh midis diskutimesh për poezinë e ndonjë aperitivi që ofrojnë pronarët e lokalit, që janë të okupuar sa në rolin e mikpritësit, aq në atë të reciuesit të vargjeve e të dashamirësit të poezisë. E promovime të tilla, padyshim që mbeten në kujtesë.
Ndue Lazri