Në Amerikë ka një komunitet shqiptar të mrekullueshëm

Bisedë me Ambasadorin  e Shqipërisë në Washington, Gilbert Galanxhi

 

  • Tashmë ka kaluar më shumë se një vit nga

marrja e detyrës dhe mund t’ju them se marrëdhëniet me Administratën

Amerikane janë mjaft intensive dhe dinamike, por mbi të gjitha, janë shumë

miqësore, inkurajuese, të hapura dhe dashamirëse ndaj Shqipërisë.

  • Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sa dyfishi i Bashkimit

Europian; ndërkohë që diaspora shqiptare këtu është e shtrirë/përqëndruar në

të paktën 6-7 shtete (sa Franca, Zvicra, Austria, Belgjika, Hollanda, Anglia të

marra së bashku).

 

Pyetje: I nderuar Gilbert, jeni në vitin e parë të punës Tuaj si Ambasador i

Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A ndjeheni i

priviligjuar, pasi shqiptarët e kanë Amerikën ëndërr?

Përgjigje: Në radhë të parë dua t’ju falenderoj për mundësinë që më jepni për

të komunikuar me bashkë-atdhetarët këtu në Amerikë nëpërmjet faqeve të

Revistës tuaj. Mund t’ju them se ndjehem i vlerësuar për detyrën që më është

ngarkuar për të përfaqësuar Shqipërinë në vendin më demokratik dhe më të

fuqishëm të botës, dhe njëkohësisht një mik parimor dhe tradicional i

shqiptarëve dhe Shqipërisë. Njëkohësisht, ndjej përgjegjësinë për një punë sa

më profesionale, cilësore dhe dinjitoze, që bashkë me ekipin që drejtoj të

përmbushim të gjitha objektivat. Tashmë ka kaluar më shumë se një vit nga

marrja e detyrës dhe mund t’ju them se marrëdhëniet me Administratën

Amerikane janë mjaft intensive dhe dinamike, por mbi të gjitha, janë shumë

miqësore, inkurajuese, të hapura dhe dashamirëse ndaj Shqipërisë.

Përveçse i vlerësuar, ashtu siç edhe ju pyesni, ndjehem vërtet i privilegjuar, pasi

më është dhënë mundësia që jo vetëm të punoj në një vend që është mik i

madh i shqiptarëve, por edhe ku ka një komunitet shqiptar të mrekullueshëm,

patriot dhe atdhetar. Në vlerësimin tim personal, mund të them se ky

komunitet ka merita të padiskutueshme në ndërgjegjësimin e Administratës

Amerikane për shumë çështje madhore që kanë patur dhe kanë lidhje me

kombin shqiptar dhe shqiptarët kudo ku jetojnë.

Pyetje: Siç e dimë, biografia Juaj është e pasur si një diplomat i kompletuar në

shkollat e perëndimit. A mund të dimë rreth punëve që keni kryer para se të

vini në këtë detyrë?

Përgjigje: Një CV e përmbledhur mbi shkollimin dhe punët që kam kryer është

e publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës, por unë do të doja të veçoja disa

prej momenteve që kanë lënë gjurmë në formimin tim.

Pesë vitet e para mbas diplomimit kam punuar si mësues i gjuhës angleze

(1986 – 1991) në një zonë rurale vetëm 15 km larg qendrës së Tiranës. Nuk do

të mund kurrë të heq nga kujtesa varfërinë ekstreme të banorëve të asaj zone,

sidomos të vogëlushëve e vogëlusheve që nuk mund të krahasoheshin as me

personazhet e Migjenit. Asnjëherë nuk e kisha kuptuar Ekonominë Politike të

Socializmit, por atje u binda se hipokrizia e rregjimit kishte arritur kulmin dhe

se ai sistem ishte totalisht i dështuar.

Me ndryshimet demokratike të viteve ’91-’92, edhe kariera ime profesionale

mori një drejtim të ri, fillimisht në Departamentin e Marrëdhënieve me Jashtë

të Partisë Demokratike dhe në fund të vitit 1994 m’u besua posti i Zëdhënësit të

Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Përgjegjës për Departamentin e Shtypit

dhe Informacionit. Për mua ishte një sfidë e vërtetë, pasi intensiteti i punës dhe

komunikimit me shtypin vendas e të huaj, me përfaqësitë tona dipolomatike, si

dhe me vetë institucionet e shtetit, ishte jashtëzakonisht i madh. Ju kujtoj se

në këto vite nuk posedonim lehtësirat e teknologjisë që janë sot.

Dua të përmend edhe dy ngjarje që për mua janë të rëndësishme: shkollimin

pasuniversitar për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Zvicër (1994)

dhe SHBA (1995). Mund të them se ishin dy shkolla me metodikë krejt të

ndryshme nga njëra-tjetra, por që kanë plotësuar shumë mirë njëra-tjetrën tek

unë. Në terma të thjeshta do të thoja se janë një kombinim perfekt i teorizimit

europian me prakticitetin amerikan.

Gjithashtu, një shkollim i gjithanshëm praktik për mua ka qenë eksperienca e

punës në Misionin Policor të Bashkimit Europian (PAMECA), ku vërtet

zbatoheshin në praktikë të gjitha teoritë e manaxhimit modern të një

organizate/institucioni, me një disiplinë reale (jo fromale) të modelit gjerman,

ku gjithkush vlerësohej për punën dhe jo për nacionalitetin apo emrin.

Në vitin 2007 u riktheva në Shërbimin e Jashtëm dhe m’u besua posti i

Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të

Bashkuara (OKB) dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë

(OSBE) në Vjenë, Austri. Ky emërim përkoi me evenimente shumë të

rëndësishme për kombin shqiptar. Dua të veçoj këtu Pavarësinë e Kosovës,

pasi shpesh kjo ishte një teme e nxehtë në mbledhjet e përjavshme të OSBE-së,

dhe interesat e Kosovës janë mbrojtur me fanatizëm nga delegacionet e

Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dukej sikur ishim një

delegacion i përbashkët, pasi në sallën e mbledhjeve ishim të vendosur pranë

njëri-tjetrit. Më lejoni të falenderoj këtu kolegët amerikanë, si dhe ata të

Bashkimit Europian gjithashtu, për mbështetjen e vazhdueshme dhe

bashkëpunimin e shkëlqyer në mbështetje të Pavarësisë së Kosovës.

Pyetje: Në vitin që vjen kemi zgjedhjet politike, mendoni se demoktratët do e

fitojnë edhe një legjislaturë?

Përgjigje: Zgjedhjet politike janë një instrument demokratik për të zgjedhur një

qeverisje legjitime që të jetë në shërbim të qytetarit. E rëndësishme është që

vullneti i çdo individi, shprehur nëpërmjet votës së lirë, të lexohet dhe

respektohet. Unë jam një diplomat në detyrë dhe etika profesionale nuk më

lejon të bëj parashikime politike. Mendoj se vullneti i votuesve duhet

respektuar në mënyrë demokratike e nëpërmjet institucioneve dhe

instrumentave demokratike. Duhet të fitojë ai që ofron alternativën më të mirë

në dobi të kombit dhe të qytetarëve.

Pyetje: Zgjatja e reformave, shkak dhe përgjegjësi e kujt është?

Përgjigje: Kjo mbetet një pyetje interesante, sidomos po të vësh re se edhe

vende mjaft të zhvilluara dhe demokratikisht të përparuara, si Gjermania,

Italia, Franca, etj. flasin për “reforma” brenda sistemeve të tyre plotiko-ekonomike.

E vërteta e vetme absolute është se, çdo gjë ndryshon dhe është në

ndryshim çdo ditë, çdo minutë. Fatkeqësia e Shqipërisë vjen nga ajo që kam

përmendur që në fillim: varfëria ekstreme me të cilën hymë në “garën e

demokracisë”, qoftë edhe me fqinjët tanë lindore, apo ata që dolën nga

shpërbërja e Jugosllavisë. Jam i bindur se në asnjërin prej vendeve të ish-bllokut

komunist nuk do të mund të kishit gjendur fshatra aq të varfëra sa ne

kishim vetëm 15 km larg kryeqytetit tonë, Tiranës.

Po të shohim se ku ishim në vitin 1992 dhe ku jemi tani, besoj ndryshimi është

pozitivisht i madh dhe i lavdërueshëm. I diskutueshëm mbetet debati: A mund

të ishte bërë më shumë, më shpejt dhe më mirë? Edhe mund të ishte bërë më

shumë, më shpejt dhe më mirë, por duhet të jemi realistë dhe të kemi kurajon

të bëjmë ndryshimin. Në fund të fundit, faktori “njeri” mbetet kyçi i zgjidhjes së

problemit dhe duhet menduar e investuar për mbajtjen e “trurit” brenda

Shqipërisë, pasi fatkeqësisht një pjesë e konsiderueshme e “trurit shqiptar”

kontribuon në shtete të tjera. Personalisht, mendoj se ka më shumë rëndësi të

planifikohet e ardhmja, nëpërmjet konkurimit të alternativave më të mira, sesa

të humbet kohë me debate pa fund dhe “pa bukë” për të gjetur se kush e “dogji

kulaçin”. Një thënie e famshme e Shekspirit është: “Çfarë u bë nuk çbëhet më”

(What is done, cannot be undone).

“Zgjatja e reformave” mbetet një term relativ, pasi gjithmonë do të ketë reforma,

gjithmonë do të ketë ndryshim. E rëndësishme është që Shqipëria të jetë një

shtet kompatibël me demokracitë perëndimore dhe ta masë veten dhe

zhvillimin me metrin e këtyre demokracive. Anëtarësimet në OSBE, në Këshillin

e Europës (të cilin aktualisht e drejtojmë), në NATO, etj. janë tregues i

orientimit të qartë dhe në kahun e duhur të historisë, ndaj kam besim që edhe

treguesit e tjerë do vijnë gjithnjë në rritje.

Pyetje: Megjithëse në qeverisjen demokratike janë të gjitha arritjet e këtyre 20

viteve, a mendoni se ka diçka për të ndryshuar në shtabin qeveritar?

Përgjigje: Sërish po më pyesni si të isha politikan dhe jo diplomat.

Pyetje: Si i ardhur nga politika?

Përgjigje: Një Ambasador ka një madat nga qeveria e tij për të përfaqësuar Shtetin Shqiptar, dhe unë i mbetem besnik këtij mandati për sa kohë Shteti Shqiptar ma beson

këtë detyrë. I takon politikës dhe politikanëve të vendosin prioritetet e

qeverisjes së vendit, si dhe mjetet e mënyrat për realizimin e këtyre

prioriteteve. Për rrjedhojë, një Ambasador i mirë zbaton me devotshmëri dhe

profesionalizëm prioritetet e politikës së jashtme që i janë ngarkuar. Në terma

manaxherialë, do të thoja se ndryshimi është i domosdoshëm dhe i mirëpritur

sa here që kërkohet të përmirësohet performanca. Çdo projekt shkruhet “me

laps me gomë”, që të kesh mundësinë ta përmirësosh atë sa herë që të

nevojitet.

Pyetje: Presidenti ndjehet fare pak në jetën politike shqiptare, a mund të kemi

një zgjidhje për vitet që vijnë? Pothuajse e njëjta zhurmë bëhet çdo pesë vjet,

kur zgjidhet Presidenti. Si e mendoni Ju Presidentin: a) Politikan, b) Akademik

c) Njeri i kultures?

Përgjigje: Komenti im i mësipërm vlen edhe në përgjigje të kësaj pyetje.

Megjithatë, më lejoni t’ju theksoj se institucioni i Presidentit është mjaft i

rëndësishëm në Shqipëri dhe i kompletuar me kompetenca. Personalisht unë

gjithmonë do të preferoja një president politikan, të zgjedhur në zbatim dhe

përputhshmëri me ligjin themeltar të shtetit, që është Kushtetuta, dhe që të

jetë i aftë dhe me integritet për ta zbatuar Kushtetutën. Në fund të fundit, ky

është një post politik që, në çdo vend demokratik, i takon forces politike

fituese. Një shtet demokratik operon mbi bazën e ligjit, dhe zbatimi i saktë e

rigoroz i ligjit për çdo individ, qoftë ky edhe Presidenti i Republikës, është

treguesi më i mirë i funksionimit të demokracisë. Për analogji, edhe një lojë e

thjeshtë sportive ka rregullat e veta, që duhen zbatuar me përpikmëri. Mendoni

për një çast një ndeshje futbolli, ku njëri ekip kërkon të luajë me rregullat e

futbollit europian dhe ekipi tjetër me rregullat e futbollit amerikan, se cfarë

katastrofe do të ishte.

Pyetje: Gjatë kësaj periudhe që punoni në Amerikë, por në të njëjtën kohë

mbuloni edhe tri shtete afër Amerikës, a keni arritur të krijoni njohjen e

diasporës?

Përgjigje: Duket qartë se, si nga përmasat gjeografike, ashtu edhe nga ato

demografike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sa dyfishi i Bashkimit

Europian; ndërkohë që diaspora shqiptare këtu është e shtrirë/përqëndruar në

të paktën 6-7 shtete (sa Franca, Zvicra, Austria, Belgjika, Hollanda, Anglia të

marra së bashku). Siç kam përmendur edhe më sipër, intensiteti i punës së

Ambasadës (që ka staf pothuajse të njëjtë me secilin prej shteteve të

lartpërmendur) në marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë, Senatin, Kongresin,

Departamentin e Shtetit, etj. është i madh dhe merr pjesën më të madhe të

kohës. Por, kjo nuk më ka penguar të vendos marrëdhënie me diasporën,

ndonëse jo në nivelin që personalisht do të dëshiroja. Mungesa e mundësisë

për të qenë më shpesh dhe më afër bashkë-atdhetarëve që jetojnë e punojnë në

shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më krijon një

boshllëk të pariparueshëm, pasi koha ecën dhe nuk ke mundësi ta kthesh

prapa për të plotësuar mungesat në aktivitetet e shoqatave shqiptare, gëzimet e

përvjetoret, takimet e debatet. Nga njëra anë jam i kënaqur, se nga shumë e

shumë kontakte individuale që kam, shqiptarët në Amerikë kanë treguar vlerat

e tyre dhe janë integruar shumë mirë; kanë rregulluar ekoniminë e tyre

familjare, kanë shkolluar më së miri fëmijët, kontribuojnë në shoqatat lokale,

etj. Por, gjithashtu vë re me keqardhje se ka shumë të tjerë që akoma kanë

probleme, probleme nga më të ndryshmet e imagjinueshme. Mund t’ju them me

përgjegjshmëri se çdo 2-3 minuta marrim telefonata nga bashkë-atdhetarë që

kanë nevojë për ndihmë, dhe gjej rastin të falenderoj ekipin tim për

gatishmërinë dhe përkushtimin për të ndihmuar cilindo që “troket në dyert” e

Ambasadës.

Pyetje: Ndonjë aktivitet që u ka mbetur në mendje?

Përgjigje: Janë të shumtë. Mund të përmend përvjetorin e Revistes “Kuvendi”

në Detroit, pritjen që m’u rezervua në “Kishën e Fan Nolit” në Boston, 100-

vjetorin e “Vatrës”, festimet e “Ditës së Flamurit” dhe Pavarësisë së Shqiprisë dhe Kosovës në

Detroit, Cleveland, Boston, New York, Philadelphia, Washington DC, etj.

Pyetje: Jemi në 100-vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarët në Amerikë po përgatiten

të festojnë këtë ngjarje historike ndër më të rëndësishmet e Shqipërisë, si do t’i

mbështesë Ambasada dhe kë?

Përgjigje: Mendoj se është përgjegjësi e të gjithëve ne që ta festojmë në mënyrë dinjitoze

100-vjetorin e Pavarësisë me aktivitete të koordinuara e në bashkëpunim

dhe harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Këtu kam parasysh se shqiptarët janë të

vendosur/grupuar në disa shtete kryesore të Shteteve të Bashkuara të

Amerikës. Aty ku kemi Konsuj Nderi, të gjitha shoqatat shqiptare duhet të

koordinojnë dhe bashkëpunojnë me Konsujt e Nderit. Sigurisht që mbështetja

dhe prezenca e Ambasadës nuk do të mungojë sa herë që të jetë e mundur.

Preludi i aktiviteteve për 100-vjetorin e Pavarësisë i takon aktivitetit në Shtëpinë Muze të Presidentit Wilson, mikut të madh e të paharuar të Shqiptarëve. Ky aktivitet u pasua nga një aktivitet i mirëkoordinuar midis Ambasadës dhe Muzeumit të Kujtimit të Holokaustit në Washington DC, ku “Besa” shqiptare dhe virtutet më të mira të Kombit Shqiptar u transmetuan artistikisht dhe mjeshtërisht tek një auditor i larmishëm politiko-shoqëror. Në të dy këto aktivitete patëm fatin dhe kënaqësinë të kishim të pranishëm Kryeministrin Berisha, përfaqësues të rëndesishëm të Departamentit të Shtetit dhe Administratës Amerikane, përfaqësues të Kongresit Amerikan dhe të diasporës shqiptare në Amerikë.

Në bashkëpunim dhe koordinim me shoqatat shqiptare do të organizohen

aktivitete promovuese për Shqipërinë gjatë gjithë gjysmës së dytë të këtij viti, të

cilat do të kulmojnë me festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë në 28 nëntor në

Washington DC.

Pyetje: Festën e Flamurit e kujtojnë çdo vit shoqata, institucione fetare dhe

grupacione të pavarura. Në këtë rast Flamuri është Flamur, por edhe biznes.

Ju kë mbështesni?

Përgjigje: Për mua, si përfaqësues i Shtetit Shqiptar në Amerikë, Flamuri

gjithmonë mbetet Flamur, dhe Dita e Flamurit një Ditë e Shenjtë që na jep

krenarinë e të qënit Shqiptar. Në këtë 100-vjetor, por edhe çdo ditë e çdo vit

duhet të jemi bashkë, duhet të jemi të bashkuar për t’u përfaqësuar sa më

denjësisht, për të treguar se në Amerikë kemi një komunitet atdhetar, mbi çdo

interes tjetër të çastit.

Pyetje: A keni një kalendar të koordinimit të aktiviteteve të këtij viti jubilar?

Përgjigje: Ambasada ka përpiluar një kalendar të koordinimit të aktiviteteve

dhe mundohet të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat shqiptare

kudo ndodhen, pavarësisht vështirësive praktike që kemi. Pjesa më intensive

është parashikuar të jetë në muajt shtator, tetor, nëntor. Por, mund t’ju them

se edhe gjatë muajve qëndrorë të vitit ka pasur dhe do ketë aktivitete në

funksion të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Pyetje: Si edhe vitet e tjera, Ambasada do e festojë vet Ditën e Flamurit, a

do ta mundësoni pjesëmarrjen Tuaj në ndonjë shtet tjetër?

Përgjigje: Do të mundohem të marr pjesë kudo që do të ma lejojë axhenda, dhe për këtë

do të intensifikojmë kontaktet me shoqatat shqiptare për të koordinuar dhe

evituar përplasjet dhe mbivendosjet e datave të festimeve.

Pyetje: A do të mendoni që me rastin e kësaj feste dikush të nderohet nga

Presidenti ose Qeveria Shqiptare?

Përgjigje: Padyshim. Ka plot personalitete të diasporës shqiptare në Amerikë

që e meritojnë të nderohen për kontributin e tyre të çmuar në dobi të Atdheut

dhe Kombit.

Përfitoj nga ky rast që më jepet që t’i bëj thirrje të gjitha shoqatave shqiptare në

Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të dergojnë propozime të argumentuara

pranë Ambasadës, në mënyrë që të jemi në kohë për fillimin dhe finalizimin e

procedurave.

Bisedoi: Pjetër Jaku

Michigan, 20 Qershor 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *