Sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë ka të bëjë, përveç të tjerave, edhe me përshtatjen me modelin, praktikat apo konceptet më të avancuara në botë për sistemin universitar dhe, në këtë kontekst, hapësira anglo-saksone duket të jetë më e mira. Për shembull, për vitin 2011 (sipas renditjeve të njohura të Times-it dhe Shangai-t), nga 50 universitetet më të mira të botës, 45 prej tyre kanë formën e pronësisë publike në kuptimin anglo-sakson, ose private dhe vetëm 5 prej tyre janë shtetërore. Po ashtu, si shpërndarje gjeografike, 45 prej tyre gjenden në hapësirën anglo-saksone, në Angli, SHBA, Zelandën e Re, Australi dhe vetëm 5 në pjesën tjetër të botës, në Kinë, Japoni, Francë, Zvicër etj..
Çfarë është sistemi anglosakson i sektorit universitar?
Sistemi i arsimit të lartë në Britaninë e Madhe nuk është unik, por i ndarë sipas vendeve që e përbëjnë atë. Kështu, mund të flitet për sistemin anglez, skocez, të Uellsit dhe Irlandës së Veriut. Të katër sistemet janë të pavarura prej njëri-tjetrit nga ana organizative dhe administrative, si dhe dallime edhe në funksionimin e tyre.
Arsimi i lartë në Angli është tërësisht shtetëror. Megjithatë, në tri vitet e fundit, me ndryshimet që janë bërë në financimin e tyre, qeveria atje ka hequr pothuajse të gjitha subvencionet dhe barra financiare u ka kaluar studentëve. Deri tani studentët paguanin 3000 sterlina, ose 3600 euro në vit. Duke filluar prej tetorit të këtij viti, 2012, kjo tarifë do të trefishohet, por universiteteve angleze u është dhënë e drejta të vënë një limit tavan për tarifat vjetore, deri në 9000 sterlina, ose 10,800 euro. Shumica i kanë vënë çmimet nga 6000 deri në 9000 sterlina, në varësi të kurseve dhe cilësisë së universitetit. Por, studentët nuk i paguajnë këto para paraprakisht. Ata i marrin borxh prej shtetit me një përqindje të ulët dhe fillojnë ta shlyejnë kredinë pas mbarimit të universitetit, nëse fillojnë punë me një rrogë mbi 21,000 sterlina në vit (paga mesatare vjetore në Britani është 26,000 sterlina, ose mbi 31,000 euro). Meqenëse arsimi i lartë zakonisht është 3 vjet, atëherë studentët që mbarojnë dalin me borxhe të paktën 27 mijë sterlina, ose 32,500 euro. Kjo shifër nuk përfshin koston e jetesës, që shkon nga 500-700 sterlina në muaj dhe të cilën studentët duhet ta paguajnë vetë. Pra, kostoja e një diplome universitare, tarifë plus kosto jetese, shkon deri në 48-49 mijë sterlina, ose mbi 58 mijë euro. Në këtë kuptim, nga ana financiare mund të thuhet se universitetet angleze janë të gjitha private, natyra e menaxhimit është private.
Interesante është këtu, se këto tarifa stratosferike, në fakt, u rritën nga qeveria konservatore, me shumicë dërrmuese të arsimuar privatisht. Për shembull, David Cameron, zëvendëskryeministri Nick Clegg dhe ministri i Financave e shumë ministra të tjerë, arsimin e mesëm e kanë kryer në shkolla private dhe pastaj kanë shkuar në Oxford ose Cambridge. Vetëm 7 për qind e nxënësve në Angli shkojnë në shkolla të mesme private, por gjysma e studentëve në Oxford e Cambridge janë prej shkollave private. Pra, këtu shfaqet dukshëm dallimi!
Arsimi i lartë në Skoci është disi ndryshe. Një nga të veçantat ekscentrike të Britanisë së Madhe është dhe dallimi midis Anglisë dhe Skocisë. Përveç sistemit të veçantë juridik apo policor, Skocia ka dhe sistem të veçantë arsimor, I cili është më afër, në fakt, atij kontinental europian. Nëse sistemi anglez e vë theksin në përgatitjen e specializuar, ai skocez është më i gjerë. Diplomat universitare zgjasin katër vjet dhe studentët rezident në Skoci nuk paguajnë tarifa. Por, për të gjithë studentët e tjerë të Britanisë së Madhe apo të huaj, universitetet skoceze aplikojnë të njëjtat tarifa si ato angleze. Këtu bëhet një përjashtim për studentët me pasaporta irlandeze, të cilët nuk paguajnë tarifa (kjo për shkak të lidhjeve historike mes dy vendeve). Për këtë arsye, shumë anglezë/britanikë po zbulojnë se u ka lindur një dëshirë e madhe për të pasur pasaporta irlandeze. Edhe në këtë vend nuk ka universitete private.
Më tej, Uellsi ka pak a shumë sistemin anglez, por studentët rezidentë paguajnë vetëm 1250 sterlina në vit, kurse pjesa tjetër mbulohet prej shtetit. E njëjta gjë ndodh edhe me Irlandën e Veriut, e cila i ka ngrirë tarifat e universiteteve, në 3500 sterlina në vit, ose 4200 euro. Arsimi i lartë në Angli mund të quhet gjysmë privat, por dallimi i vërtetë midis universiteteve nuk qëndron në pagesën, por në mënyrën e menaxhimit dhe në cilësinë e tyre.
“Universiteti publik” dhe “universiteti privat” në Shqipëri
Në Shqipëri universitetet janë shtetërore dhe joshtetërore. Nuk ka universitete publike, sipas modelit anglosakson të mësipërm, pasi ka një keqkuptim në lidhje me kuptimin real të publikes dhe privates në sistemin universitar. Ato që quhen universitete publike në Shqipëri, janë, në fakt, shtetërore, sepse varen tërësisht nga MASH-i, qeverisen sipas ligjeve të buxhetit të shtetit, rrogat përcaktohen prej shtetit, numri i studentëve (kuotat), si dhe çështje të tjera që lidhen me normat, numri i stafit për t’u rekrutuar çdo vit, ngarkesat etj. Kjo, pak a shumë, ndodh si në Europën kontinentale, në shumicën e universiteteve në Francë, Itali, Spanjë etj., por këta të fundit kanë një autonomi shumë më të madhe se universitetet shqiptare. Universitetet publike, në kuptimin anglosakson, kanë një formë tjetër juridike, as shtetërore, as private, por janë organizma të pavarura, menaxhohen sipas mekanizmave të tregut dhe në mënyrë private, por, mbi të gjitha, nuk kanë apo shpërndajnë fitim. Ky është kuptimi i privates që ka vlerë të madhe publike dhe anasjelltas.
Kjo ngre një pyetje apo dilemë sesi duhen financuar studentët te ne, apo si duhet vepruar me ata studentë, të cilët nuk kanë mundësi ekonomike për të vazhduar studimet e larta, që vijnë prej familjeve të varfra, që nuk mund t’i krijojnë vetes mundësi për vazhdimin e shkollës së lartë etj. Në të kaluarën, siç dihet, nuk kishte kredi studentore, por kishte politikë bursash, edhe pse aspak transparente dhe mbi bazë kriteresh kryesisht ideologjike, të fabrikuara apo të sajuara.
Një prej vlerave themelore të demokracisë është barazia, në kuptimin që të garantohen shanset e barabarta, të mos imponohet barazia e kushteve dhe të ardhurave, gjë që ka qenë qëllim i regjimeve komuniste dhe shumë komuniteteve ekstreme egalitariane. Konformiteti dhe uniformiteti i detyruar, i imponuar nga qeveritë totalitare, përbën një formë të korruptuar të barazisë. Parimi i drejtësisë kërkon që çdo individ të ketë mundësi të barabarta për të qenë i lumtur dhe për të gëzuar të drejtat e tjera natyrore. Kjo është rruga drejt barazisë, drejt shanseve të barabarta. Në këtë kuptim, askush nuk duhet të mbetët pa shkollim për shkak të statusit ekonomik, pasi qeveria në një shoqëri demokratike ka autoritetin të ndërhyjë për të mbrojtur të drejtën e çdonjërit për shans të barabartë. Në fushën e arsimit, përveç masivizimit, duhet të ndërhyhet me kredi të lehta, me politika bursash etj… Po ashtu, të tjerët që mund të përballojnë vetë shkollimin e tyre, mund të paguajnë për një shkollim shumë të mirë, në vend ose jashtë shteti. Zgjedhja tashmë është e lirë.
Cili sistem na përshtatet
Në përfundim, sistemi që përdor Anglia për financimin e studimeve duket i përshtatshëm dhe favorizues për studentët, pasi jep mundësi e garanci për këdo, në kohën e duhur. Duket sikur edukimi universitar në Shqipëri, në universitetet shtetërore merret falas, sepse paguhet prej qeverisë, por kjo është diçka e gabuar, pasi, në të vërtetë, ato janë taksat tona, kështu që shqetësimi duhet të jetë nëse financimi që bëhet është financimi i duhur, ose jo. Për shembull, a jemi në gjendje të themi sot se ku shkojnë realisht paratë e qeverisë për edukimin universitar, ku shpenzohen rreth 100 milionë euro në vit, por destinacioni mbetet i paqartë. A shkojnë ato, në fakt, te studenti, me qëllim që ai/ajo të jetë i përgjegjshëm e të vendosë vetë ku t’i shpenzojë, në cilin universitet shtetëror ose joshtetëror, si dhe cilin program të zgjedhë? Nëse studenti paguan vetë, ai/ajo bën një presion më të madh pozitiv për arsimim më cilësor, më bashkëkohor, për kushte më të mira shërbimesh etj.
Kësisoj, duhet të vijojë në vendin tonë debati për një reformë tërësore (e premtuar) të arsimit të lartë, përmes një roli tjetër të shtetit, ku paraja publike nuk ndjek më institucionet, por, mbështetur në praktikat më të mira të huaja, veçanërisht ato anglosaksone, të ndjekë studentin. Thënë këtë, universitetet private mund të kthehen më pas në organizata jofitimprurëse, në institucione publike, joshtetërore, por me kushtin që i gjithë sistemi, ose një pjesë e rëndësishme e tij, të përfshihet në këtë transformim, duke filluar në radhë të parë nga një autonomi shumë më e gjerë për universitetet shtetërore dhe konkurrencë reale të të gjithëve në këtë sektor. Rrugët dhe modalitetet e këtij transformimi janë pastaj pjesë e një debati shumë më të gjerë dhe mes teknikësh e profesionistësh të arsimit të lartë dhe atyre të politikave publike.
*Rektor i Universitetit Europian të Tiranës.