TIRANE-Mbi Gabriel Garcia Marquez 85 vjec ka rënë hija e Alzheimer. “Nuk do të shkruajë më kurrë”, i vënë kapakun miqtë e ngushtë të tij. Lajmi shokues del në një intervistë, dhënë gazetës elektronike kolumbiane “Kien&Ke.com” nga miku i tij, Plinio Apuleyo Mendoza, me të cilin në vitin 1982 shkrimtari shkroi veprën “El olor a la Guayaba”. “Gabo nuk njeh më as miqtë më të afërt, – pohon Mendoza në intervistë, ribotuar sot nga Huffington Post, – jam shumë i shqetësuar, sepse nëna dhe vëllezërit e tij kanë vdekur të gjithë nga Alzheimer”.
Për të konfirmuar thashethemet mbi gjendjen e shëndetit të 85-vjeçarit me Nobel në letërsi, i konsideruar eksponenti më i madh i realizmit magjik në prozë, shfaqet biografi i tij zyrtar, Dasso Saldívar.
“Garcia nuk do të mund ta mbarojë pjesën e dytë të autobiografisë së tij “Vivir para contarla”, i ka deklaruar ai të përditshmes kiliane ‘La Tercera’.
Nuk është hera e parë, që rrethi i tij i tij i të afërmve dhe të njohurve shtrëngohet të shprishë murin e heshtjes me të cilin Marquez ka mbrojtur gjithmonë jetën e tij private. Dy vjet më parë, gjithmonë në faqet e ‘La Tercera’, ai u shfaq në një intervistë, ku agjentja e tij letrare, Carmen Balcells, shqiptonte trishtueshëm se “Garcia Marquez nuk do të shkruajë më kurrë”.
Tani për tani familja e shkrimtarit as i pohon dhe as i përgënjeshtron zërat për rëndimin e gjendjes shëndetësore të Marquez, i cili i mbijetoi një tumori në sistemin linfatik, diagnostikuar në 1999.
Në maj të këtij viti, autori i ‘Njëqind vjet vetmi’ dhe ‘Vjeshta e patriarkës’, qe viktimë e një shakaje shumë të hidhur, kur një faqe false në Twitter përdori emrin e Umberto Eco-s, për të dhënë lajmin e vdekjes së tij. Spekulimi bëri xhiron në web, duke detyruar Jaime Abello Banfi, drejtorin e “Gabriel García Márquez Foundation”, të publikojë një përgënjeshtrim zyrtar.
(d.b/BalkanWeb)