Diskutimi nëse gjenden sot universitete të shu-mta joshtetërore (private) nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit. Ky rajon, në fakt, ka prodhuar një boom universitetesh të reja shtetërore dhe joshtetërore, veçanërisht gjatë dekadës së fundit. Kështu ka ndodhur në Maqedoni, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë (madje kjo e fundit më shumë se dy të parët sa u takon universiteteve shtetërore, edhe mbi baza kantonale apo të entiteteve), Kosovë etj..
Në përgjithësi, në një vend ku raporti i të diplomuarve universitar është poshtë mesatares evropiane, ideja e avancimit të arsimit të lartë është një ide iluministe dhe parimisht hap rrugën edhe për mbështetjen e universiteteve private. Do të ishte kufizim i madh nëse dikush, mbështetur në pasion, sakrificë e vizion të mos bëjë diçka të mirë dhe të avancuar në këtë drejtim. Shoqëritë e tregut të lirë dhe konkurrencës janë përcaktuese për të strukturuar të ardhmen tonë, për të shprehur potencialin individual dhe njerëzor dhe për të krijuar besim në progres e zhvillim. Shoqërisë, në thelb, nuk i bëhet mirë prej mungesës së konkurrencës dhe kjo fatkeqësisht ndodh sot në sistemin universitar në Shqipëri, midis universiteteve shtetërore dhe joshtetërore. Në çdo fushë a drejtim të jetës, çdo gjë që shkon drejt përzgjedhjes mbi bazën e konkurrencës është pozitive për vetë shoqërinë. Në këtë kontekst, disa prej universiteteve private janë tashmë në rrugën e duhur, për t’u konsideruar si stacione serioze të arsimit të lartë.
Në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri në dhjetë vitet e fundit, ka pasur një shpërthim të numrit të universiteteve private dhe është krijuar ideja se ka një mbingopje të tregut. Megjithatë, vendet e Ballkanit, edhe pas hapjes së universiteteve private, vazhdojnë të kenë një përqindje më të ulët të numrit të studentëve në krahasim me vendet perëndimore. Shqipëria ka një numër edhe më të vogël, madje edhe në raport me vendet e rajonit. Për shembull, në 100 amerikanë, të paktën 42 prej tyre kanë një diplomë të shkollës së lartë; për 100 europianë, përafërsisht 32–36 kanë një diplomë të tillë; kurse në Shqipëri më pak se 10 veta, ose nën 9 për qind, nga 100 njerëz, kanë diplomë universitare. Kjo do të thotë se ka ende vend për zhvillim, për një analizë tërësore të gjendjes së arsimit të lartë në vend, si dhe të gjendjes së tregut të punës. Për këtë duhet t’u referohemi praktikave më të mira, më cilësore dhe më të avancuara të sistemit të arsimit të lartë. Universitetet e hapësirës anglo-saksone ofrojnë dukshëm modelet, praktikat e mënyrat më të suksesshme të menaxhimit të tyre. Këtë e dëshmojnë më së miri tri renditjet e organizuara nga “Universitas 21”, “Shangai Ranking” dhe “Times Higher Education”, për vitet 2010-2012, ku universitetet e kësaj hapësire janë në top 20, nisur nga rezultatet e kërkimit shkencor, burimet, lidhjet, mjedisi social dhe gjeopolitik etj..
Më konkretisht, aleanca e universiteteve angleze (një grup prej rreth 30 universitetesh) analizon çdo vit gjendjen e arsimit të lartë në Britaninë e Madhe dhe aftësinë e tij për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës. Kjo është shumë interesante, sepse parashtron edhe një model për gjendjen e tregut të punës në këtë vend. Për t’iu referuar tregut të punës në Britaninë e Madhe, përdoret sistemi hourglass (orë rëre qelqi), kurse për universitetet sistemi piramidik. Është nevoja e tregut të punës ajo që kushtëzon deri diku edhe prodhimtarinë e universiteteve, sepse përherë ngrihet pyetja nëse ekonomia e vendit ka nevojë për gjithë këta studentë. Sipas sistemit të tregut të punës hourglass, Britania e Madhe, me 40 për qind të maturantëve që shkojnë në universitete, nuk ka mbiprodhim studentësh, por, në fakt, në krahasim me vende të tjera të zhvilluara, pranohet se mbeten prapa, për shembull, në raport me Kanadanë, Korenë e Jugut dhe SHBA-të, ku mbi 50 për qind e maturantëve shkojnë në shkollë të lartë. Kjo për arsyen se sistemi i sotëm i tregut të punës, i cili dominohet nga teknologjitë e reja, ka nevojë gjithnjë e më të madhe për profesionistë me arsim të lartë, por që kërkojnë edhe paga të larta.
Sistemi hourglass mendohet si dy piramida të vendosura mbi njëra- tjetrën dhe të bashkuara në kulm. Në piramidën e parë, me bazën në tokë, janë punonjësit e kualifikuar me arsim profesionit ose të mesëm, por jo të lartë. Këta përbëjnë shumicën e punëtorëve të krahut, ose të punëve “blue collar”, të zanateve etj.. Sa më lart ngjitesh në këtë piramidë, aq më të kualifikuar janë punonjësit. Në krye të saj qëndrojnë ata me arsim të lartë në vende pune menaxherimi të mesëm, në zanate të vjetra me ditë pune monotone. Më tej, po sipas këtij sistemi, ky grup profesionistësh sa vjen dhe ngushtohet, sepse natyra e punës së tyre po ndryshon për shkak të ndryshimeve në ekonomi dhe teknologji. Mbi këto qëndron një shtresë profesionistësh e punësuar në kompani të teknologjive të reja, ku dita e punës është kreative, jo monotone, por e paguar shumë mirë. Kjo shtresë sa vjen e shtohet dhe për këtë arsye ajo qëndron në majë të piramidës së parë, e cila në këtë rast është dhe kulmi i piramidës së dytë të përmbysur si hinkë. Në këtë piramidë, të punësuarit janë me arsim të lartë, të punësuar në zhvillimin e teknologjive të reja, si ato kompjuterike, kërkimore shkencore, mjekësore dhe shumë fusha të tjera ku Perëndimi dominon në know-how. Ky sistem kërkon që universitetet të vazhdojnë të prodhojnë studentë të kalibrit të lartë, por që universitetet të jenë në krye të studimeve shkencore, që të përballojnë konkurrencën për të kualifikuar studentë të tillë.
Për këtë arsye, sistemi i punës hourglass i vë universitetet para një kërkese të lartë llogarie, për të nxjerrë numër të madh studentësh, por të një cilësie shumë të lartë. Për ta kuptuar më thjesht, modeli hourglass mund të shihet edhe si një cilindër që ngushtohet gjithnjë e më shumë në mes. Ky model nuk kërkon reduktimin apo seleksionimin menjëherë, pa i vënë në provë, universitetet, qofshin ato shtetërore ose joshtetërore, por konkurrueshmëri për tërë sistemin, reformë financiare dhe garantimin e cilësisë.
Mbështetur në këtë model, ngrihen dy çështje të rëndësishme për situatën në Shqipëri, për të cilën ka ende pasiguri. Së pari, përqindja e saktë e maturantëve që shkojnë në universitet; së dyti, modeli i tregut të punës që ka Shqipëria, nëse është orë rëre e qelqtë (hourglass) apo sistem arsimor piramidal. Me shtimin e shtresës së mesme në Shqipëri, ndoshta mund të thuhet se është krijuar një sistem më shumë trapezoid, që do të thotë me një pllajë të sheshtë në krye, ku qëndron një numër i mirë profesionistësh me arsim universitar dhe pasuniversitar, me përvojë të huaj dhe të paguar shumë mirë. Kjo ndodh sot në disa universitete private (joshtetërore) në Shqipëri, ku përfshihet dhe UET-i.
Por, a ka, në fakt, shumë universitete në vendin tonë? Në pamje të parë, natyrisht që ka, si numër, edhe pse për këtë duhet bërë seleksionimi i duhur, me procedura të hapura, transparente dhe të ndershme, nëpërmjet kompanive të mirënjohura, qofshin edhe të huaja, me qëllim që të garantohet cilësia, por numri i universiteteve nuk mund të kriminalizojë sektorin privat të arsimit të lartë. Për shembull, mendohet të jenë rreth 48 licenca sot në Shqipëri, 11 prej të cilave, duke mos raportuar asnjë student, kanë mbetur tashmë de facto jashtë sistemit. Po ashtu, rreth 20 të tjerë janë me një numër të kufizuar programesh (degësh), ose thjesht me një departament apo program, duke mos gëzuar kështu statusin e universitetit, sipas ligjit. Pra, gjenden vetëm 10–15 universitete që të kenë strukturë të plotë, prandaj dhe ligji i ka ndarë qartësisht ata në universitete, shkolla të larta, kolegje etj.. Një saktësim i tillë është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për komunitetin e prindërve dhe publikun e gjerë.
Nuk duhet harruar fakti që iniciativa private dhe universitetet kanë sjellë revolucionin industrial dhe zhvillimin modern në botë. Në dhjetë vitet e fundit, në vendet në zhvillim, përfshirë dhe Shqipërinë, vihet re një situatë e tillë, ku një numër gjithnjë e më i madh profesionistësh super të kualifikuar qëndrojnë në krye të një piramide të përmbysur punonjësish me arsim të lartë, por punësim të nivelit të mesëm. Në këtë kontekst, tregu i punës kërkon jo pakësim të numrit të studentëve në arsimin e lartë por shtimin e tyre, si dhe rritjen e cilësisë së mësimit dhe të kërkimit shkencor në universitetet që i përgatisin. Edhe pse qeveria shqiptare duket se ka fituar sfidën e masivizimit të arsimit të lartë, shtetëror dhe joshtetëor, në raport me vitet e kaluara jemi ende larg raportit të të diplomuarve për numrin total të popullsisë.
Si përfundim, trajtimi i këtyre çështjeve do të krijonte një ide më të qartë të gjendjes së arsimit të lartë në Shqipëri dhe do të jepte përgjigje më të argumentuar nëse ka një numër të tepërt universitetesh në vend ose jo. Po ashtu, duhet thënë se, para se të hamendësohet nëse sistemi i arsimit të lartë është i mbipopulluar ose jo, duhet parë se çfarë karakteristikash ka tregu i punës. Në fund të fundit, suksesi i universiteteve bazohet në cilësinë e tyre, duke e garantuar atë nëpërmjet standardeve të njohura akademike, kryerjes së projekteve studimore, kërkimit etj.. Në këtë kontekst merr rëndësi ajo çfarë ka deklaruar Presidenti amerikan, Barack Obama, se: “Arsimi i lartë nuk është luks, por një domosdoshmëri imperative”.
*Rektor i Universitetit Europian të Tiranës