POEZIA KA FUQINË E LIRISË

Dr. Migena ARLLATI

Parathënie e vëllimit antologjik “VARGNIM GJAKOVE”

Teksa libri me poetët e Gjakovës bëhet gati të shkojë drejt shtypit, me përulësinë më të madhe dhe me një ndjenjë të pakufishme respekti, ulem të shkruaj këtë parathënie. Vetë emri Gjakovë është metaforë, është simbol i një sërë ndjesish të krijuara nga procese e ngjarje të ndodhura e të përjetuara nga njerëzit e Gjakovës në shekuj e dekada, ndjesi të cilat tashmë i rrinë këtij emri si një aureolë. Përgjithësisht, historia e çmon këtë vend me një konsideratë fisnikëruese që në fakt është një marrëdhënie mes gjithçkaje të ndodhur këtu në kohëra vlimesh e kthesash për popullin shqiptar. E sigurisht, një rol të pamatë kanë luajtur edhe njerëzit e pendës, të arsimit e të artit. Ata, si bashkëpërjetues të të gjitha dhimbjeve e lavdive në të panumërtat krajata, u bënë zëdhënës shpirtëror të lotit të lindjes a të vdekjes, të fitores a të humbjes, të tragjedisë a të ngadhnjimit mbi të. Duke sublimuar deri në caqet më të larta ndjesore emocionalitetin e popullit nga vinin e duke qenë në themel të komunikimit sa artistik po aq edhe human, artistët u bënë gjenerues të asaj energjie që përçon larg; larg në kohë e në hapësirë, për të bashkëndjerë e për të bashkëndarë si bashkëvendas pulsin shpirtëror në sfidimet e shumëfishta në përballje me okupuesit, në mbrojtjen e interesave kombëtare, në rropatjet ndaj ekzistencës, në frustrime kulturash e erërash epokale të cilat janë përplasur në trojet tona si dallgë të pamëshirshme.

Në këtë vëllim, janë veçuar qëllimshëm nga unë, letrarët, konkretisht poetët, që me vargjet e tyre i ngritën piedestal nocioneve të larta nacionale e humane. Me burimet e pashtershme të përjetimit dhe të fjalës, ata sollën përgjithësisht një krijimtari të dedikuar dhe të vetëkushtëzuar nga tematika kundërvënëse ndaj robërisë, tematika e mbrojtjes së dinjitetit dhe lirisë, e mbrojtjes së simboleve kombëtare, e fjalës së lirë të munguar etj. Prandaj poezia e tyre ka fuqinë e lirisë!

Zeja e poetit nuk është aq e lehtë sa duket. Sidomos në periudhën e paraçlirimit të Kosovës, para se të ngjyhej në bojë, pena duhej ngulur në mish; para se fjala të dilte, duhej guxuar e rrezikuar pasi fjala, vargu, arti ishin kthyer në armë. Poetët kishin vetëm një armë në këtë luftë të ashpër dhe në këtë ndeshje titane: vargun. E përveç gjithë të ligave të tjera, ata hapëronin me rrezikun se mund të anatemohen, të paragjykohen, të prrallen e të denigrohen, pasi makinacionet e shumëfishta nuk bënin gjumë as natë, as ditë.

Në rrugën e të bërit art, të afirmuarit është një proces i ngadalshëm e i përshkallshëm në të cilën krijuesi reflekton qartë dhe ndikon spontanisht. Ai i përcjell nën lëkurë ndryshimet në shoqëri. Adhurimi për autorë si: A. Çetta, E. Gjerqeku, D. Mehmeti, R. Hoxha, B. Bokshi, A. Musaj, S. Lokaj, M. Nura, A. Gjakova, A. Podrimja, T. Dërvishi, M. Kupa, M. Bobi, M. Saneja, S. Rexhepi, H. Haxhosaj, A. Byci, A. Deva, F. Brovina, A. Mala, F. Ymeri, F. Rexha etj., etj., vjen pas madhështisë që ata ndërtuan me krijimtarinë dhe ndikimin e madh të saj. Me shumë të drejtë quhen poetët e plejadës. Gjendja artistike që ata sollën ishte dëshirë për të frymuar lirshëm, nevojë për kacafytje me të pamundurën, këlthitje për çprangosje, dëshmim për të drejtat e mohuara, akuzë për krime të qëllimshme. Këta, e jo vetëm këta tema, u kthyen në një zakonshmëri për kohëshmëri të gjatë dekadash. Është e qartë se pjesa më e madhe e të pranishmëve në dy gjeneratat e para nuk janë thjesht krijues por personalitete të mirëfilltë të artit dhe mendimit shqip. Ata nuk ishin vetëm krijues por edhe veprimtarë të çështjes shqiptare, promovues dhe mbrojtës të hapur të të drejtave të popullit të tyre, gjë të cilën e bënin hapur jo vetëm në art.

Historia e re e Kosovës flet zëshëm për veprimtarinë e tyre, ndërsa poezia mbetet vetëm një pjesë fragmentare e kësaj veprimtarie. Sigurisht se trajtimi i mëtejshëm i krijimtarisë, gjuhës dhe stilit të përdorur kërkon një observim të thellë dhe përmbajtësor. Secili nga ta është unik, me përparësitë dhe me kufizimet e veta. Ndaj, edhe poezitë e përfshira në “Vargnim Gjakove” janë një reflektim i sinqertë për të kaluarën, një prani paqeje e dashurie në të tashmen dhe një shqetësim human mbi të ardhmen. Të gjitha këto të shtjelluara me një thellësi mendimi dhe lehtësi rrëfimi që rrallë haset. Ato jo vetëm që na ofrojnë kënaqësinë e leximit, por edhe na bëjnë të reflektojmë dhe të besojmë thellë për ideale të fuqishme.

Sot, autorët e lartpërmendur, rreshtohen në panteonin e poezisë shqipe, pasi koha nuk i ledhatoi e as fati nuk i kurseu. Mbeten të adhuruar për atë që sollën në poezi dhe jo vetëm në poezi.

***

Në vigjilje të përvjetorit të 60-të të Mitingut të Poezisë dhe në nderim të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, me një entuziazëm të pashoq, nisa të ideoj një përmbledhje me poezi nga poetët e Gjakovës. Mendimet që dalin nga zemra peshojnë e kanë shumë vlerë ndaj unë i dhashë jetë mendimeve të mia dhe i ktheva në një realitet. “Vargnim Gjakove” e quajta, me dëshirën më të mirë që secili prej poetëve të ketë vendin e tij në këtë rradhë poetizuese e cila më ngjan me një varg rruazash apo perlash ku secila prej tyre ka ndriçimin dhe bukurinë e saj.

Do ta quaja një vëllim festiv, dhuratë imja në përmbylljen e dekadës së gjashtë të Mitingut. Mitingu ishte mbajtur për herë të parë në vitin 1964, sipas idesë së Din Mehmetit dhe Enver Gjerqekut, me bashkëaktivizimin e miqve të tjerë poetë, për t’u institucionalizuar pak kohë më vonë me formimin e Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” (1967). Në vite e dekada, në të kanë marrë pjesë me qindra poetë nga e gjithë Kosova, me dhjetëra e dhjetëra nga Shqipëria e viset e tjera shqiptare, e po ashtu, me dhjetëra poetë të huaj pasi aktiviteti është i rangut ndërkombëtar.

Poetëve në vëllimin “Vargnim Gjakove” i paraprijnë pesë poezi nga personalitete përgjithësisht klerikë fetarë, poezitë e të cilëve datojnë nga shek. XVII e këndej: Y. Efendija (shek. XVII), Gj. N. Kazazi (shek. XVIII), T. ef. Gjakova (shek. XVIII), T. Zajmi (shek. XIX) dhe A. G. Bojaxhiu (shek. XX). Krijimet e paraqitura nga ta janë një pasuri e rrallë jo veç për vlerat artistike sa për humanitetin dhe origjinalitetin që na vjen i reflektuar aq bukur nga kohësi të largëta. Nuk ka asnjë mëdyshje që edhe këto figura i përkasin arealit të Gjakovës, bile edhe Nënë Tereza – mbesë Gjakove, e bija e Dranes së lindur në Novosellë.

Më tej, në libër renditen katër gjenerata poetësh: I (1920 – 1940), II (1941 – 1960), III (1961 – 1980), IV (1981 – 2010). Secili poet përfaqësohet me dy krijime (dy gjeneratat e para) dhe me një krijim (dy gjeneratat e dyta). Renditja është bërë kronologjikisht sipas vitit të lindjes. Fillohet me vargjet e Anton Çettës, pajtimtarit dhe veprimtarit të madh të besës e të fjalës dhe përfundohet me poeten e re 19 vjeçare, Olsa Domi, autore e dy vëllimeve. Përfshirja e poetëve i ka tejkaluar të gjitha paragjykimet personale e tejpersonale që te dikush mund të shfaqen qëllimshëm apo shkarazi, sepse në art nuk ka vend për lakmi e për zemërligësi. Për secilin krijues flet vetë arti dhe krijimtaria që ka sjellë në vite ndaj të gjitha diskutimet me sens inatçor dhe dashakeqës bien poshtë.

Ky vëllim i lë vend vetëm poezive, pasuruar dhe disajnuar me foto, pasuar nga disa fjalë në sensin biografik për secilin autor. Ndërsa vëllimi i radhës që kam në përgatitje e sipër është një studim letrar për këto individualitete krijuese.

E tani që “Vargnim Gjakove” me poetët e Gjakovës është i gatshëm, nuk është koha për të marrë lavde por është momenti i duhur për të dhënë nderime. Nderime për të gjithë ata që shpirtin e tyre e kthyen në varg e vargun në përkushtim shpirtëror për një pjesë aq të rëndësishme të qenies së njeriut, sikurse është vendlindja, fëmijëria, shtëpia e prindërve a trualli të cilit i përkasin, pasi njeriu pa këto do të ishte njeri pa atdhe. E një njeri pa atdhe është një njeri i mbetur pa asgjë.

Në fund, dua ta mbyll me ndjesinë e një njeriu që ka bërë punën dhe tashmë nuk i kanë mbetur më fjalë. Duke i mbyllur sytë dhe duke parë me dritën e shpirtin, diçka më pëshpërit:
Aty ku ka poezi ka emocion, dhe aty ku ka nderim për poezinë ka fisnikëri!

Gjakovë, 24.04.2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *