SKËNDERBEU “ATJE N`KASTËR ASHT SHENJUE”…
(Gjurmime rreth origjinës së Kastriotëve)
Poetët e Rilindjes: Gavril Dara dhe Zef Jubani
për origjinën e Kastriotëve nga Mirdita
Tek meditoja për 100-vjetorin e pavarësisë, për faqet me dritë të historisë së Shqipë risë, kujtesa më çoi një gjysmë shekulli më pare. Atëherë, kur u shpjegoja nxënësve të mi poemën madhore “Kënga e sprasme e Balës” të rilindasit të shquar Gavril Dara i Riu, më pati bërë përshtypje shënimi i tij autobiografik në hyrje të kësaj poeme: Duke kujtuar të parët e tij, të cilët u shpërngulën nga atdheu mëmë e u vendosën në Palac Adriano më 1480, ai shkruante: “Midis tyre, ndër të parët, ishin gjyshërit e mi, që emro hen gjer më sot, Mërkuri dhe Njani i Darenjëve, gjërinj (gjini, fis, gjak- shënimi im) të Kastriotit nga ana e Vojsavës, nënës së tij, që ishte e bija e princit të Mirditasve…”.
Ky pohim interesant më shtyni atëherë t`u them, si me krenari, nxënësve të mi:
“Këto fjalë të këtij poeti duket se flasin shumë. Ato sikur na thonë shkoqur se Gavril Dara i Riu paska qenë nga anët tona, nga Mirdita! Dhe jo vetëm kaq: Nga Mirdita jonë duket se e paska origjinën edhe Heroi ynë kombëtar-Gjergj Kastrioti, Skënderbeu; se princat, zakonisht, bijat e tyre i martonin në të njejtën trevë në shtëpitë e sojit të tyre.
Dhe atëherë, i frymëzuar nga këto ide, pata shkruar ca sonete kushtuar vendlindjes sime-Mirditës e, pothuaj pas një gjysmë shekulli, po përmend vetëm dy strofa të njerit prej atyre soneteve, në të cilin bëhet fjalë për Kuvendin e Dukagjinit, që u mblodh në kishën e Shën Aleksandrit në Orosh të Mirditës më 1602:
“Atje n`Shën Llezhdër burra t`rreptë po vijnë
Nga Vjosa plakë, Kosova e Kurbini;
Kërkojnë atje shtigje për lirinë
Dhe në kuvend ngrihet e flet Gjini:
“Ka vdekë ai që i doli zot ardheut,
Dragoi që lindi bija mirditore,
Po do të rrojë Shqip`ri e Skënderbeut…
Përpara, burra! Turkut s`i bjemë ndore”!
Pak vite më vonë, duke studiuar variatin e parë të “Historisë së Skënderbeut” të Fan S. Nolit të vitit 1921, më tërhoqen vëmendjen dy pohime të rëndësishme të këtij autori: Së pari, pohimi se “Thaloc dhe Jeriçek e quajnë përrallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre… tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri” dhe, së dyti, pohimi se “Fshatra me emrin “Kastër” ka sot në Shqipëri, një në Çamëri dhe një në Mirditë”.
Ja!-thoja me vete: Duket se takohen këtu edhe Thaloc e Jeriçek, edhe Fan S. Noli e Gavril Dara i Riu. Të gjithë këta, duke folur për vendorigjinën e Kastriotëve, na çojnë në fshatin Kastër të Mirditës, që bën pjesë në atë që quhet “Bajraku i Dibrit”, siç pohojnë historianë të ndryshëm. Dhe, tek po mendoja për këto, më erdhën ndërmend vargjet e një rilindasi tjetër-Zef Jubanit:
“Leu nji yll në Shqipni,
Me na shndritë, me na drejtue;
Me shumë dije e me trimni,
Andej Kastrit asht shenjue:
Gjergj Kastrioti këtij i thonë,
Skënderbeg shumëkush donë”!
Dhe, tek i rilexoja e i analizoja këto vagje, pyesja me habi: “Si është e mundur që të mos përmenden e përfillen këto pohime nga historiografia shqiptare, kur bëhet fjalë për vendorigjinën e Kastriotëve?! Se, edhe në qoftë se Thaloc dhe Jeriçek nuk mund të kishin të dhëna të sakta për këtë çështje, rilindasi Gavril Dara i Riu nuk mund të fanta zonte që Mirdita ishte vendorigjina e tij dhe e Kastriotëve legjendarë, pa u mbështetur në dokumente e në të dhëna të tjera. Se edhe Zef Jubani, para se të shkruante ato var gje plot frymëzim për Gjergj Kastriotin, do të ketë pasur të dhëna të sakta për Kastrin, që e “shenjonte” si vendin e Kastriotëve. Se poetët nuk luajnë me emra vendesh, kur është fjala për të vërteta historike!
Historianët: “Gjon Kastrioti… njihej si një nga princat
katolikë të rajonit të Mirditës”
Për Mirditën si vendorigjina e Kastriotëve, na vijnë në ndihmë edhe shumë doku mente të tjera, të cilat, çuditërisht, janë lënë në harresë jo vetëm gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet, por edhe në këtë fillim shekulli të ri. E tillë është edhe teza e At Athanas Gegës, një historian i mirënjohur i gjysmës së parë të shekullit XX, i cili, në veprën “Arbëria-Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, shkruante: “Kastriotët zotëronin… territoret e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren… Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve… Mbiemri “Kastrioti”, që ka mbije tuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin-shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit (bajrak i mëvonshëm i Mirditës), Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera që kanë të njëjtin emër”.
Këtë tezë Athanas Gega, të cilin Fan S. Noli e quante “njohësin më të mirë” të historisë së Skënderbeut, e hodhi në temën e doktoraturës që do të mbronte në Unive rsitetin e Luvrit. Dhe kushdo e kupton se ky dijetar me kulturë të gjërë nuk mund të stiste me fanrazinë e tij Kastrin në Vig të Mirditës si vendorigjinën e Kastriotëve, pa u mbështetur në dokumente historike, të cilat kishte mundësi t`i shtinte në dorë në kohën e tij.
Kështu, gjersa “sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes Shkodrës dhe Lezhës”, siç na kumton historiani Skënder Riza; gjersa, siç thekson A Gega, “sipas një dokumenti venecian të vitit 1439, pronat e Kastriotëve ishin fqinj me Shkodrën e Lezhën”; gjersa, siç thotë Fan S. Noli, “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti”, atëherë edhe Gjergji, i biri i Gjonit, në pronat e babait të tij do të ketë lindur, pra, në Mirditë! Dhe duket se kurorën këtij mendimi ia vë historiani turk Nuray Bozbora, i cili, në veprën “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osma ne”, shkruan: “Skënderbeu ishte më i vogli i tre djemve të Gjon Kastriotit, kreu i fami ljes Kastrioti, që njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”.
Ky pohim përbën një dokument që nuk mund të hidhet poshtë nga askush dhe, aq më shumë, të anashkalohet. Se historianët e dinë mirë që, në mesjetë, krahinat e ndry shme të Shqipërisë, veçanërisht ato të malësive të veiut, princat i kishin vendas. Ata nuk i “importonin”, siç mund të importohen në “kohët moderne”. Për rrjedhojë, nuk mund të mendohet që Gjon Kastrioti të ishte nga Hasi, nga Dibra a nga Mati dhe të vinte princ në Mirditë.
Për këtë të vërtetë bën fjalë edhe akademiku Dhimitër Shuteriqi, kur përmend një dokument të përcjellë edhe nga Fan S. Noli, sipas të cilit Gjon Kastrioti, “më 1407, pretendon të ketë kisha, të cilat… ishin pjesë e peshkopatës së Arbërit. Midis tyre është edhe Shën Mëria e Ndërfandës. Ai thotë se, prej 800 vjetësh Peshkopata e Arbërit vendosej në tokat e sunduara… prej tij”. Dhe këto dëshmi janë me shumë rëndësi, kur dihet se kisha e Ndërfandës gjendet në zemër të Mirditës.
Këtë çështje sikur e nxjerrin më në dritë edhe Milan Shuflai e Jeriçek. I pari pohon qartë se “Gjon Kastrioti shfaqet për here të pare në dokumente (1407) si protektor i Peshkopatës së Arbërit” (“Arbanum”), kurse i dyti thotë: “Për nga relata kishtare, vendi (Arbëria dhe pjesa në veri të saj-shënimi im) i përkiste pjesërisht Peshkopatës së Arbërit (“Arbanum”), pjesa tjetër kishës serbe”
Këto të dhëna kanë një rëndësi të veçantë për Mirditën, kur mbajmë parasysh se, siç thekson arkeologu i njohur Neritan Ceka “Mirdita dhe, më gjërë, lugina e Matit, e Fandit dhe e Drinit ishin boshti i Arbërit të hershëm”. Këtë pikëpamje duket se e miraton edhe prof. dr. M. Korkuti, kur shkruan se mbishkrimi në kishën e Gëziqit e mbështet tezën se “Mirdita ka qenë qendra e Shtetit të Arbërit”.
Edhe më i madhi historian i gjysmës së dytë të shekullit njëzet, Aleks Buda, edhe pse mbështeste tezën se vendorigjina e Kastriotëve duhet kërkuar në Has, duke iu referuar J. Radoniq, pohon qartë: “Sipas të dhënave të një marrëveshje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420), tokat që u përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit, nisnin (korsivi është imi) në perëndim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, dmth, përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën dhe Lumën”. Dhe pohime të tilla është vështirë të vihen në diskutim.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vë kurorë
në kishën e Vaut të Dejës
Përveç këtyre të dhënave me rëndësi, për një historian largpamës, edhe disa ngjarje të rëndësishme që lidhën me jetën dhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit sikur flasin në favor të tezës që e kosideron Mirditën etnografike si vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve. Se nuk mund të ketë vetëm një shkak që e bëri Heroin tonë Kombëtar ta organizojë besëlidhjen shqiptare pikërisht në Lezhë, afër Kastrit, ashtu si nuk mund të quhet si rastësi fakti që Skënderbeu u varros pikërisht në Lezhë.
Se ky kalorës i lirisë, si katolik që ishte, po të ishte nga Hasi, mund ta kishte lënë amanet që ta varrosnin në vendlindje. Të njëjtën gjë do të bënte, po të ishte nga Kastri oti i Dibrës, apo nga Mati. Dhe, për solemnitet, që e lakmojnë dhe e meritojnë figura si ai, Gjergji lavdimadh do të kishte lënë si amanet që ta varrosnin në kështjellën e Kru jës. Por ja që ai “zgjodhi” pikërisht Lezhën, të cilën rilindasi i njohur Preng Doçi e quante “cepin e Mirditës”.
Për në Kastër na çon edhe një moment tjetër i jetës së Gjergj Kastriotit-momenti i i martesës së tij. Për këtë historiani francez Markus Petërs, në librin “Përballja e histori së së kishës katolike shqiptare”, pohon: “Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri… ishte kisha në të cilën ishte martuar (kishte vënë kurorë-shënimi im) Heroi Kombëtar katolik Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
Dhe, po të pranohet si i vërtetë ky pohim i historianit francez, logjika e thjeshtë do të na bënte të medonim se Gjergj ynë nuk do ta kishte marrë një rrugë kaq të gjatë, po të ishte nga Hasi, nga Kastrioti i Dibrës, nga Mati, apo nga kështjella e Krujës, për të vënë kurorë në kishën e stilit gotik në Vaun e Dejës. Ai do të ketë qenë diku afër vend lindjes së tij: Në Kastër ose në Lezhë, që ishin në rrezen kishtare të Peshkopatës së Arbërit.
Johan Von Hahn dhe Falmerajer:
“Kastriotët ishin nga Kastri i Mirditës”
Për në Kastër, si vendorigjina e Kastriotëve, na çojnë edhe fragmente pohimesh të historianëve, albanologëve a studiuesve të ndryshëm, për të cilët flasin edhe historia nët shqiptarë. Kështu, nuk është e rastit që Kristo Frashëri e të tjerë përmendin që “…udhëtari frëng Ami Bue shkruante se kishte dëgjuar që Skënderbeu kishte lindur në fshatin Kastër të Mirditës…gjysmë ore larg fshatit të sotëm Vig”. Këtë ide na e thotë edhe albanologu gjerman Johan Von Hahn, kur flet për “zbulimin” e një “vendli ndjeje të re” të Skënderbeut”, diku afër një kështjelle të vjetër në fshatin Kastër të Mi rditës.
Dhe, duke i dëgjuar këta zëra që na vijnë nga mendje të ndritura të botës intelek tuale, i besojmë edhe historianit austriak Jakob F. Falmerajer, i cili, në librin “Elementi shqiptar në Greqi”, shkruan se “Kastriotët ishin nga fshati Kastër i Mirditës”, siç i be sojmë edhe francezit Ami Bue, kur na tregon se “Flamujt e Skënderbeut ishin të kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë, sikundër e kanë edhe mirditasit”.
Për këtë dëshmon edhe historiani Dr. Pal Doçi, kur bën fjalë për protestën e krye ngritësve mirditorë drejtuar Valiut të Shkodrës me 1901, në të cilën shkruhej se “Fla muri ynë do të jetë ai i Gjergj Kastriotit”, gjë që e dëshmon fakti se ky flamur, pothuaj identik me stemën e Kastriotëve, është gjetur pikërisht në fshatin Kashnjet, fare afër Kastrit, poshtë të të cilit është emri “Mirdita”.
Në këtë këndvështrim, si një argument në favor të idesë që e konsideron Mirditën si vendorigjinën e Kastriotëve, përbën edhe fakti që bashkëluftëtarë të Gjergj Kastrio tit në betejat legjendare kundër pushtuesve osmanë, përveç të tjerëve, ishin edhe Pal, Lekë e Nikollë Dukagjini, që i kishin zotërimet e tyre në trevat e Mirditës; Pjetër, Ndre e Gjon Përlati, nga fshati Përlat i kësaj treve; Pal e Gjergj Kuka nga fshati Shebe; Ko jë Zaharia-nip i Tanush Dukagjinit; vëllezërit e lavdishëm Gjon, Pal dhe Andrea Gazu lli-bij të fshatit Gazull, fare afër Kastrit në Vig të Mirditës.
Edhe shamia e zezë, që mbajnë gratë mirditore, kur është fjala për vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve, sikur i kalon caqet e legjendës. Se ato gra të bukura që e kanë ruajtur me besnikëri kostumin e lashtë ilirian, që është i bardhë si bora e malit, dhe i qendisur mjeshtrisht, shaminë e zezë thuhet se e përdorën kur vdiq prijsi legjen dar i shqiptarëve në shekullin e 15-të. Dhe e ruajtën këtë shami, krejt ndryshe nga kra ninat e tjera, siç ruajtën edhe katolicizmin-besimin e Heroit tonë Kombëtar.
* * *
Të gjitha këto çështje, që kërkojnë reflektime të thella e studime serioze, duket se i japin të drejtë historianit Moikom Zeqo, i cili, nëpërmjet ca pyetjeve që shtron, kur bën fjalë për Kuvendin e Arbërit, që u mblodh në Mërçi të Lezhës, jo larg Kastrit, më 1703, sikur na çon në të njëjtat përfundime si edhe shumë paraardhës të tij, lidhur me vendorigjinën e Kastriotëve legjendarë:
“Përse u zgjodh pikërisht fshati Mërçi pranë Lezhës, pyet autori, si vendi më i për shtatshëm për Kuvendin e Arbërit? Pse pikërisht ky vend dhe jo ndonjë vend tjetër? A ka të bëjë zgjedhja e këtij vendi historik – vazhdon studiuesi – me evokimin e mrekullu eshëm e të paharruar të Atletit të Krishtit, Gjergj Kasriotit-Skënderbeut, që i mbylli sy të pikërisht në Lezhë?! Dhe përgjigjet nënkuptohen.
Mbi këto dëshmi historike duket se hidhte dritë edhe poeti i Rilindjes sonë kombë tare Risto Siliqi, kur këndonte:
“O Mirditë! O trimnesh` e dheut!
I Arbnisë fis i kryekreut!
. . . . . . . . . . . . . . . . . .
Vuejte prova, por s`i mbete shtegut
Dhe ja mbajte jazin Skënderbegut”!
*Autori është poet, publicist dhe studiues. Idetë e këtij shkrimi ai i ka trajtuar gjerësisht në librin e tij “Polemika për Kastriotët” me parathënie të Akademik Mark Tirta