Zgjedhja e Presidentit të ri të shtetit shqiptar, duke qenë se institucionalisht është simboli i unitetit dhe i vazhdimësisë së Shtetit, që do të gjykojë dhe moderojë në pesë vitet e ardhshme të Shqipërisë, funksionimin e rregullt të institucioneve, figura që merr mbi vetë përfaqësinë më të lartë të shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, do të duhej të ishte një moment i rëndësishëm i përuljes me nderim të politikës ndaj Publikut dhe ndaj interesave të Shtetit, dhe jo komedia e radhës ndaj një populli që ende vuan pasojat e dramës së madhe që komunistët shqiptarë luajtën mbi fatet e të ardhmes së tij.
Një moment kaq i rëndësishëm historik për shtetin 100 vjeçar të qytetarëve shqiptarë, po shndërrohet në një proces të papëlqyeshëm, të dirigjuar në mënyrë të parafinuar makiaveliste nga politika shqiptare, i cili po tregon gjithnjë e më qartë se sa të padenjë po e paraqesin padrejtësisht Shqipërinë tonë, të gjithë ata që kanë në dorë fatet europiane të vendit tonë.
Institucioni i Presidentit në Republikën parlamentare të Shqipërisë është përshtatur posaçërisht nga hartuesit e Kushtetutës, si një organ monokratik, i paanshëm dhe apolitik, që nuk ushtron funksione aktive të qeverisë, por ka detyrën për të vëzhguar mbi të gjitha pushtetet, për të kontrolluar dhe për të garantuar respektimin e ekuilibrave të parashikuara nga Kushtetuta në mes organeve të ndryshme të Shtetit, me qellim që asnjë të mos mbivendoset mbi të tjerët, të verifikojë që janë të kontrollueshme parimet dhe vlerat themeltare të sanksionuara nga vetë ky dokument themeltar i shtetit, një institucion që do të duhet të drejtojë me përgjegjësi të lartë politike, juridike dhe patriotike, pushtetin e dhënë në ushtrimin e funksionit juridik.
Mirëpo, ndryshe nga fryma e Kushtetutës, në mënyrë të vetvetishme apo të qellimshme, po vijon më ngulm në fakt, procesi i nisur me ndryshimet konstitucionale (të vitit 2008), të pangjashme në një vend perëndimor, i shndërrimit përfundimtar të postit presidencial, në një institucion pak përfaqësues dhe të zhveshur nga çdo pushtet themeltar, drejt një figure simbolike kryetari, në një insitucion të “specializuar” si mjeshtër i madh i ceremonive shtetërore, i mbyllur në kafazin e rehatshëm të Presidencës, që do të firmosë pa ngurrim çdo shkresë dhe emërim me kundërfirmë ministeriale që i ofrohet, dhe do të pranojë në heshtje çdo letër porosi që i vihet përpara në emërimet e sistemit juridik dhe të sigurisë shtetërore.
Me një presion të pangjashëm u arrit në nulifikimin faktik të funksionit veprues presidencial në përiudhën e mandatit të fundit, duke bërë të heshtë institucionin që nuk do të duhej të heshtte në mbrojtje të Kushtetutës dhe të institucioneve të ndërtuara nga ajo, pa arritur dot në fakt t’i imponojnë atij posti të nderuar të shtetit, përuljen përfundimtare, që do të kishte qenë fatale për zhbalancimin e plotë institucional të vendit dhë rrënimin e pariparueshëm të sistemeve kontrolluese.
Pavarësisht nga përparimet e spikatura të arritura në dekaden e fundit, Shteti shqiptar në këtë 100 vjetor, në ditët kur pret të ketë një President të vertetë të lartësisë së Ismail Qemalit, e Etërve të medhenj të shtetformimit, të shkëputur tërësisht nga e kaluara e djeshme diktatoriale, vuan ende: 1. nga mungesa e një Arbitri të brendshëm mes aktorëvë të rënduar emocionalisht të politikës shqiptare; 2. nga një zhbalancim i rëndë raportesh mes institucioneve; 3. nga mospasja e një sistemi të shendetshëm të drejtësisë; 4. nga pesha e rëndë e mos pasjes së një sistemi efikas të sigurisë publike; 5.nën peshën e pamatë që të krijojnë disa burokraci të pakalueshme administrative; 6. nga ç’orientimet dhe spontaneiteti i linjave strategjike të politikës së jashtme; 7. nga mossendërtimi i një opozicioni real, në shërbim të publikut dhe Shtetit, organizuar si ‘Shadow Cabinet’ në përfeksionim profesional, të imponuar jo vetëm nga vullneti individual politik, por edhe nga legjislacioni shtetëror; 8. nga deformimi i formës së qeverisjes parlamentare të racionalizuar, që është karakteristika e sistemit tonë qeverisës, për shkak të denigrimit deri në harresë të disiplinës së detyrueshme të raporteve të ndërvarësisë mes ekzekutivit dhe legjislativit, sa herë që ka arsye të dukshme paqendrushmërie politike (Instituti i Besimit është mungues në aspektin ligjor dhe zakonor procedural); 9. nga një klasë politike që harron shpesh herë që është në shërbim të Publikut dhe jo në shërbim të pushtetit, një klasë politike që është shkëputur nga Atdheu Real dhe që e ka reduktuar Atdheun Legal në një bashkësi interesash private, individuale dhe partiake të përqendruar vetëm ne kryeqytet; 10. nga mungesa e një ligji të efektshëm të organizimit politik që do të transformonte partitë politike, nga llogore interesash individuale, në organizata politike në të mirë të interesave të publikut; 11. nga një pengim i funksionimit normal të Gjykatës Kushtetuese, si garantuese e zhbllokimit të konflikteve të mundshme mbi kompetencat në mes pushteteteve të shtetit, dhe e zgjidhjes së ngërçeve të pritshme, edhe në rastin në fjalë; 12. nga një sistem elektoral që deformon qartazi përzgjedhjen politike të elektoratit dhe nuk siguron stabilitetin e kollajshëm të qeverisë, nepërmjet krijimit të shumicave qartësisht të dallueshme. 13.nga mungesa e procedurave të qarta deri edhe në zgjedhjen e Presidentit të Republikës sonë.
Për të gjitha këto, në fakt, vendi ka nevojë për një marrëveshje të madhe historike, që do të duhej të korigjonte thellësisht, njimendësisht dhe në frymën e parimeve demokratike, zbrazëtirat e sistemit tonë parlamentar, zbrazëtirat procedurale në zgjedhjen e institucioneve të larta shtetërore dhe mënyrës së sjelljes e këtyre institucioneve, që kanë prodhuar një demokraci të brishtë, me rrugë të paqarta, me shtet të dobët, me funksionin jo efikas të ligjit dhe të së drejtës, me barazi plotësisht të deformuar të qytetarëve para ligjit, dhe me siguri publike jashtë standardit të kërkuar për një vend të perëndimizuar. Shteti ynë ka nevojë urgjente të zhdukë nga skena e sjelljes politike shqiptare gjurmët e trashëgimisë komuniste (një proces real dekomunistizues) që po rendojnë mjaft mbi interesat e Publikut, me keqkuptimin e thellë dhe të dëmshëm të demokracisë dhe të mënyrës së ushtrimit të përgjegjësisë shtetërore.
Kjo marrëveshje korrigjuese e sistemit nuk do të mund të ishte e suksesshme në qoftë se para së gjithash Shqipëria nuk do të kishte një garant të brendshëm, të paanshëm e të besueshëm, luajal ndaj publikut dhe interesave të kombit, përparimit euro-atlantik dhe europianizimit institucional të shtetit. Zakonisht, ky garant i brendshëm, në vendet demokratike, mishërohet në figuren e Kreut të Shtetit. Kësisoj hapi i parë do të duhej të ishtë përzgjedhja e një presidenti që gëzon hipotetikisht besimin e pritshmërinë e Publikut, merr përsipër të garantojë dhe t’i qendrojë besnik interesave të Publikut, që do mbetet jashtë, por jo indiferent ndaj ballafaqimeve politike që rëndojnë mbi sistemin dhe do të merrte përsiper nismën legjislative për korigjimin themeltar të sistemit të drejtësisë dhe ushtrimin e besueshëm të funksionit balancues dhe kontrollues ndaj institucioneve.
Thënë ndryshe, Shqipëria sot ka nevojë për një President/Presidente të fortë (gjithnjë brenda Republikës Parlamentare) dhe jo për lojcakë tradicionalë, për një President të vendosur, jo për një marionetë në duart e forcave politike, që do të rikthejë, jo vetëm ligjërisht, por edhe faktikisht, funksionin monokratik të Kreut të Shtetit, një kryetar shteti që do të garantojë ruajtjen e limituar në kufijtë e ligjes së pushteteve në shtet dhe do të ndërhyjë sa herë që ka prirje për tejkalim të pushteteve, një kryetar shteti që do të ndihmojë në përkryerjen e reformave procedurale munguese në sjelljen e institucioneve, do të ndihmonte në përkufizimin e politikave strategjike të vendit, do të ndihmonte në përkryerjen e reformave legjislative të munguara dhe adoptimin e rregullimeve të nevojshme, do të nxiste vendimarrjen për operimin e shërbimeve publike, do të orientonte qartësisht politikat e jashtme kombëtare, drejt integrimeve të sinqerta perëndimore. Dhe e gjitha kjo nuk mund të arrihet pa një konsensus të plotë historik, që starton me zgjedhjen e një Presidenti të besueshëm, që do i përmbahet besimit ndaj SHTETIT dhe do vijojë më rregullimet plotësuese të sistemit. Këto rregullime plotësuese nuk mund të jenë më lëvizje me llogari përfituese individuale, por lëvizje praktike që do të duhet të mbështeten thellë vetëm në teorinë, që i bëri të suksesshme demokracitë liberale perëndimore.
Më së pari, Shqipërisë i duhet një President që të ndërtoje nga e para, proceduralisht (në mënyrë që funksioni të mos ketë më prapësim), punen e detyrueshme dhe të vlefshme të Kreut të Shtetit si ndërmjetësues institucional. Vdekur pa e parë mirë dritën e shtetit shqiptar, procedura e brendshme ndermjetesuese ndër-institucionale dhe ndër-politike, është një domosdoshmëri për garantimin e funksionimit pa tronditje të mekanizmit të prodhuar nga Kushtetuta. Bashkëngjitur me këtë dhe në mënyrë të pandashme, po aq urgjente do të kishte qenë rregullimi i zbrazëtirave ligjore që krijuan impasse në rindërtimin automatik të institucionit të Gjykatës Kushtetuese, që besoj e ka të nevojshmë një ligj organik rregullues, që do të shmangte me përgjegjësi, stuhitë partiake mbi këtë organ jetësor të Shtetit, do të siguronte vazhdimësinë normale të punës dhe do të shmangte rastet e konfliktit të interesit.
Së dyti, Presidenti i Republikës mund të bëhet nismëtar i procesit të munguar të demokratizimit të mënyrës së funksionimit dhe strukturave të brendshme të partive politike, nepërmjet ndërmarrjes së nismave legjislative që parashikojnë detyrimin për t’iu përmbajtur Statuteve Modele që rregullojnë e organizojnë edhe mënyrën e funksionimit të punëve brenda partive politike të një vendi demokratik.
Hapi i tretë i rëndësishëm që e pret Presidentin e ardhshëm të Shqipërisë do të duhet të jetë ndihmesa e kërkuar nga publiku për të qartësuar tipin e sistemit parlamentar shqiptar, në mënyrë që ai sistem serish të mos ndodhet në impasse të tilla institucionale që çojnë në sorollatje dhe ç’orientime të sjelljeve institucionale dhe politike. Ndarja e prerë e mendjes në mes një sistemi parlamentar me spikatje asambleare dhe atij me spikatje të ekzekutivit, tashmë do të duhet të ndodhë në Shqipëri. Në qoftë se ne do të duhemi të priremi, siç është më logjike dhe më e provuar, drejt një sistemi parlamentar me spikatje të Ekzekutivit, për shkak të stabilitetit që krijon dhe shmangies së lojës së partive të vogla një apo më shumë vendëshe, kjo do të kërkonte njëkohësisht së pari korigjimin e sistemit zgjedhor, serish drejt sistemit mazhoritar një emëror, me një raund dhe sëndërtimin e sistemit të koalicioneve bipolare parazgjedhore. Paralelisht më këtë do të duhej të racionalizohej me ligj organik, d.m.th. të disiplinohej juridikisht sjellja institucionale e Ekzekutivit, Legjislativit dhe një rimodelim në këtë drejtim i funksioneve balancuese, ndermjetësuese dhe kontrolluese të Kreut të Shtetit, mbi bazën e shembujve procedurale të vendeve me demokraci të konsoliduar.
Me një ndërhyrje të tillë, Shqipërisë do t’i shkurtoheshin kostot e ardhshme jetësore që i prodhon çdo muaj politika, dhe vendi do të shmangej nga përsëritje ciklike të krizave të ngjashme.
Tiranë, më 07.06.2012 Romeo Gurakuqi
Instituti i Historisë Bashkëkohore
Universiteti Europian i Tiranës