POEZI QË TË MBETET NË KUJTESË

Shenim per librin poetik ”asgja përtej andrrës” të Hekuran Kokës

Pjetër Jaku

Poezinë nuk mund ta futesh në korniza , apo në ndarje strikte me cikle përmbajtësore! Ajo është krejt përmbajtje, për ata që dinë ta shkruajn poezinë! Poezia nuk shkruhet, as nuk lexohet për engledisje! Ajo është një pjesë e materies shpirtërore, që matet si ajri, që leviz brenda nesh, si çdo gjallesë tjetër fluturuese, bash si bleta shkon e ulet në lulet më të mira dhe, në fund në dhimbjet më të forta! Të shkruash, teorikisht, për pozinë është e lehtë, por të shkruash poezi emocionuese, është tepër e vështirë! Ka poetë e poete që përshkruajnë çfarë shohin, ndërsa ka të tjerë që gdhendin në krijimet e tyre çfarë ndjejnë. Të dyja ndihmojnë krijuesin në realizimin e artit që ngjit, që mbahet mend, në rast se, edhe objektet i konsiderojmë qenie prej fryme, gjallesa frymëmarrse! Poezia asht një andërr e bukur, kur poeti di të ëndërroj, kur poeti i jep andrrës jetë, kur i prek andrrat, kur ato i bëhën fëmijë, i bëhën dashuri, i bëhen frymëzim! Zakonisht, jo për çdo libër të lexuar shënoj diçka nga mbresat e leximit, por në ndonjë rast, mezi pres të shkruaj! Kjo më ndodhi sot, me librin më të ri, të Hekuran Kokës! Nuk e lexova shpejt, se më mbajti gjatë. Libri fillon me konstatimin poetik “ Kam nisë të plakem”. Ndjesia njerëzore e bën poezinë. Përherë e ma shumë poeti struket në prehërin e atyre që ka pranë:

“ Tash po e kuptoj që jam vetëm/ dhe se kam më shumë nevojë për njerëz! Ndoshta, se s’kam pasë mjaftueshëm kohë për ledhatime,/ a, mjaftueshëm njerëz me m’përkëdhel!/ dhe, strukem përditë e më shumë,/ në prehrin e atyre që kam pranë, që s’kanë kohë të merren me koken time të madhe, a u duket vetja të mëdhenj për ledha!”

Më parë se të zbres këtu, ai radhit një sërë faktoresh, për të ardhur te ky konstatim dhe për të vijuar me të bijen:

Ime bijë do të lozë me mjekren time / do të më puthë njëmijë herë,/në ballë, në sy, në gushë…/E unë, kam frikë t’i fal kaq shumë dashuri, se dhe ajo do të nis të plaket një ditë…)

Autori, më pas do të jetë i mbeturi  peng në fëmijëri, duke mos  qënë i ineteresuar për muhabetet e të mëdhenjëve, sidomos për luftrat, për politikat e shtetit, po as për filozofi, gëzohet përherë si fëmijë, për vendin e tij, për pemët që kanë shpëtuar, për lumenjtë e tërbuar, për të gjitha pranverat fëminore, që e mbushnin me lumturi.

Poezia “ Një andërr” është nga më të realizuarat. Dasma e poetit zgjat deri tani. Ende ushtojnë daullet në mendjen tij, në përfytyrim i vijnë çorapet me lule, që nuk dihet cila nuse i ka bërë, tufa e dhënve, bjeshka dhe dëbora.

Thjesht,

në dasmën time do t’u biem lodrave deri n’agim,

tri ditë resht…   përfundon poezia.

Poezitë  „Ringjallje“ dhe “ Edhe nanat harrohen“ e para i kushtohet dashurisë në gjithë dimensionet e saj.

Të pazemër!

Jemi të pazemër

Si mund të më kërkohet të vras dashurinë,

e të dashuroj përsëri?!

Ndërsa te e dyta, poeti shqetësohet për mosradhjen e nanave në andrra.

Edhe nanat harrohen

Nisin mos me ardhë përnatë në andrra,

kur ti bahesh prapë fëmijë,

e harrohesh në lojna.

Autorin e grin deshira për bukën e gatuar nga duart e nanës, “për bukë shpie“ siç shprehet me nostalgji. Në ekranin e memories së tij, do t’i vijnë dredhëzat, që edhe t’i mbledhesh kërkojnë durim, edhe netët me një errësisë që bie gjithëkund, edhe në deshira, edhe në trup, kur edhe ëndrrat bahen bajate, sidomos:

 “ ç‘trishtim, kur askush s’të do!…

Poezitë që vijojnë, veçanërisht Mështenkat, Zheg, Kanga n’kafaz, Prag gjumi, Kështjella ime, Të dua, Dimër, Kokteile e poezi, si dh  disa të tjera, nuk mund t’i kalosh pa shënime. Le të ilustrojmë Kokteile dhe poezi me ndonjë varg:

Jam strukë në një qoshe,

Nën hijen e një ullini,

e shoh ata që kujtojnë se poezi lexojnë

Po poezia je ti, Lulije!

E Ku ti s’je, s’ka poezi.

Unë e ullini,

mendojmë,

se asht ngushtë në qytetet e mëdha…

rranjët nuk ke ku hedh…

Në poezinë e Hekuranit, ( Lanit ) ka edhe poezi të tjera, të cilat të mbesin në kujtesë, siç janë poezitë Edhe unë, Përtej dashurisë, Pangopur, Mesdhe, Pogradec, Në Malësi etj…

Unë jam i ardhun, asht një ndër poezitë, me një përfundim aq të dhimshëm, që simbolizon njeriun e ditëve të sotme:

Ku-ku!

Ku-ku për mue!

Si nuk dita me kanë vendali kurrkund!

Fenomenet e ditëve të sotme, sidomos me të rinjët, janë të pranishme dhe të thëna bukur, në krejt krijimtarinë e librit “ asgjë përtej andrrës“ te Hekuranit. Në krijimtarinë e tij  spikat tema sociale e thënë mençurisht dhe figurshëm. Të shkruarit në varg të lirë, nuk e ka çlirue asnjëherë nga rimimi i  mrenshëm e kadenca poetike, në përthyerje të motivuara. Poezia  “Mall“ është gjithashtu një nga më të realizuarat. Rrefen artistikisht dhimbje në nevojën për të qarë. Malli asht gjithandej i pranishëm, por mungojnë lotët. Ata kanë mbetur në fyt, zemra gjithë blana i dhëmb, çka tregon plagët e saj, ka nevojë për një palë gishta, për në flokët e ti e shumë e shumë, duke qendru përfundimisht te nevoja për të qarë, e mendimin se, si e si etjen me shu, duke iu lutur natës të mbaroi sa më shpejt:

Lotët e shëllirtë

Më japin etje,

e nuk po di me qa,

as etjen si me shu,

o natë, sosu!

Urime Lanit për librin! Urime poezisë për një krijues të mirë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *