ABATI DIPLOMAT E GJENERAL I SKËNDERBEUT PJETËR PERLATI (DUKA)

 

Nga: NDUE DEDAJ


Është fundi i tetorit të vitit 1463. Martin Muzaka, edhe ndonjë milje nëpër det e do të ndalojë në bregun e këndejmë të Adriatikut, në limanin e Kepit të Rodonit. Do të qendrojë vetëm disa orë apo disa ditë (varet nga nënshkrimi i një letre të rëndësishme) dhe do të marrë prapë udhën e përtejdetit, për në bregun tjetër të Adriatikut. E ndien peshën e misionit të tij diplomatik. Ja dhe kështjella e kryezotit, Gjergji Kastrioti, ngulur në skajdet, me themelet gjysma në ujë dhe gjysma në tokë, si një shqiponjë e ulur nga kreshtat e maleve, që pas pak do të fluturojë. Kurse sipër në lëndinë është kisha e Shën Mërisë (që më pas do t’iu kalonte françskanëve, tue marrë emrin e Shna Ndoit), përndryshe “Kisha e Skënderbeut”, sa dimë e vetmja me këtë emër në Shqipëri… Ja, kështu mbase do të niste një reportazh i 560 vjetëve më parë në Rodon të Durrësit.
Pas 90-s në atë tempull shkoi dhe u mbyll murgu i fundit i “françeskanëve të mëdhenj” At Zef Pllumi. Askund më mirë se aty pena e tij nuk do të nxirrte kapitujt tronditës të veprës së mirënjohur “Rrno vetëm për me tregue”. Mundet që asnjëherë më parë në historinë e letrave shqipe nuk ishte shpallur si një urdhër “pleqërie” rrojtja e njeriut për të rrëfyer historinë e kohës së vet. Ngjan disi më priftin tjetër shkodran, Marin Barleti, i cili në ato mote të largëta e ndjente si detyrë historike të rrëfente për Skënderbeun, historinë dhe bëmat e tij, sa ato nuk ishin harruar. Kishte qenë pjesë e misionit të benediktinëve, françeskanëve, jezuitëve dëshmimi i së kaluarës, si dhe vrojtimi dhe përshkrimi i bashkëkohësisë, ku falë tyre kemi se ç’të themi sot.
Bashkënënshkrues i letrës drejtuar Papës,
në “Kishën e Skënderbeut” Rodon
Kisha katolike e Rodonit shërbeu dhe si një seli e Heroit Kombëtar, ku jo rastësisht është zbuluar “shqiponja e Kastriotëve e pikturuar në një afresk mbrenda tokës arbërore e jo në kancelaritë e arkivat e huaja, ku ruhen shumica e dokumenteve të historisë tonë”, shkruan studiuesi Jaho Brahaj. Prej saj ka dalë dhe një letër e Skënderbeut drejtuar Papa Piut II, më 29 tetor 1463, ndërkohë që korrespondenca mes dy autoriteteve të larta dhe kancelarive përkatëse kishte qenë e mëhershme. Përmes asaj letre Gjergj Kastrioti e bën me dije Papën se është i gatshëm të marrë pjesë në një takim të rëndësishëm që do të organizohej në Selinë e Shenjtë me princët katolikë dhe se për këtë ai mandatonte me të gjitha të drejtat diplomatin Martin Muzaka, këshilltar dhe zëdhënës i tij: “Ne, Gjergj Kastrioti Skënderbeg, zotëruesi i Shqipërisë, duam të numërohemi në radhët e të krishterëve, që të mund të jemi pjesëmarrës të së mirës aq të madhe dhe aq të meritueshme, plotësisht të bindur për legjitimitetin, ndershmërinë, urtinë dhe përvojën e Martin Muzakës, të cilin e caktojmë si nuncin (lajmëtarin) tonë special, që të paraqitet në emrin tonë para Papës, në takimin që do të organizohet, bashkë me princat e tjerë dhe atje të diskutojë për temat e asaj natyre, sikurse asht ndihma ndaj fesë sonë të krishterë, të propozojë, vendosë apo ratifikojë, si të jetë më e dobishme për një aksion aq të madh…” Muzaka autorizohet nga Skënderbeu “të japë pëlqimin dhe miratimin eksplicit në atë takim për çka do të vendosej”, për rolin që do të luante më pas vendi ynë dhe vetë Skënderbeu, duke vënë në dispozicion të asaj marrëveshje të gjitha pasuritë dhe tokat shqiptare, kështjellat dhe qytetet, fortesat, nënshtetasit dhe luftëtarët. Nisur nga një zotim i tillë merret me mend vlera e atij takimi në Vatikan me Papën, kardinalët dhe princërit katolikë, pas shumë dëmesh të shkaktuara “nga tirani turk Mehmed”.
Letra përmbyllet me emrat e të pranishmëve në hartimin dhe miratimin e saj, si të atit fort të nderuar në Krishtin, zotëri Pali (Engjëlli), argjipeshkv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirisë, të nderuarit Abat Pjetër Duka (Perlati), protosingjell i Shën Aleksandrit të Molendinit të Dioqezës së Arbnit, të nderuarit Fratel Vlashi, priorit i Kuvendit të Shkodrës të urdhërit të Predikatarëve dhe nuncit apostolik në Shqipëri, si dhe të nderuarit zotëri Kajan Çelnikut. (Letra e Skënderbeut për Papa Piu II, Rodon më 29 tetor 1463, dalë nga Arkivi i Vatikanit.) Mbasi të ketë marrë këtë letër, Martin Muzaka do të nisej drejt Romës.
Ky është vetëm një episod që lidhet me Pjetër Perlatin, ndonëse të dhënat arkivore nuk janë të shumta, aq më tepër për familjen e tij fisnike, gjenealogjinë brenda familjes së madhe të Dukagjinëve etj. Për Perlatët, kohë pas kohe, kanë shkruar dijetarë të shquar europianë, që e kanë përshkuar me pëllëmbë Shqipërinë, si Hahn, Shuflai dhe Ippen. Ky i fundit, në muret e kishës së moçme të Shna Premtes në Balldren, hasi një mbishkrim në të cilin thuhej se kjo kishë në Motin e Madh kishte qenë nën kujdesin e “zotërve të Perlatit”, që do të thotë se ata kishin dhe aty zotërime.
Abati i vetëm gjenernal në histori
Në shekullin XV kemi pasur disa prelatë katolikë që ishin njëherësh dhe diplomatë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Romë, Venedik, Raguzë etj., por kemi vetëm një të tillë që ka qenë dhe gjeneral e ky është Pjetër Duka – Perlati, komandanti mbrojtës i Sfetigradit në betejën e zhvilluar në ditët e para të Majit 1448 kundër Sulltan Muratit. Ka kaq shekuj që kjo figurë skënderbegiane udhëton mes legjendës dhe historisë, si shumë të tjera të mesjetës, që u mungon një “pasaportë” e mirëfilltë historiografike, që do t’i nxirrte nga jehona legjendare e do t’ia blatonte krejtësisht historisë, siç dhe kanë qenë. Nuk është vetëm një prelat i shquar kishtar i asaj kohe, por një “konstelacion” yjesh me veladon të Arbnisë në lëmë të diplomacisë e shkencës, si Imzot Pal Engjëlli, Gjon Gazulli, Pjetër Perlati etj.
Pjetri, me emrin e Shën Pjetrit, i përket derës (dinastisë) Perlatajt – degë e Dukagjinëve. Ata ishin nga Perlati i Mirditës, ku krahas Pjetrit kemi dhe një varg personalitetesh të tjerë të njohur me këtë mbiemër, si Pal, Ndre, Gjon e Tanush Dukagjini – Perlati, që dalin në dokumente që në vitin 1402. Marin Barleti është i pari që sjell portretin e kryepriftit (abatit) Pjetër Perlati, që shquhet për dije, oratori, virtyte etj., pra një figurë me peshë e shekullit XV, i denjë për të qenë protagonist i kohës së tij, në krah të Gjergj Kastriotit si diplomat, sipas gjithë gjasëve dhe i afërm i tij i gjakut. Në vitin 1445 abati diplomat është i dërguar i Skënderbeut te Papa Eugjeni IV dhe më 1447 përfaqësues i kryeprincit shqiptar pranë Alfonsit V, mbretit të Napolit. Dhe bash ky kryeprift e diplomat bëhet komandant i Sfedigradit. I këtij trungu fisnik arbënor ishte dhe luftëtari i përmendur i Skënderbeut, Gjon Perlati, njëri nga tetë kapedanët e masakruar për së gjalli, me urdhër të Sulltanit më 1464, teksa dy shekuj më vonë ipeshkvi shqiptar Pjetër Bogdani në Kosovë do të “masakrohej” për së vdekuri nga turqit sulltanorë.
Tërheq vëmendjen fakti se Pjetër Perlati në letrën e 29 tetorit 1463 drejtuar Papës përmendet si Pjetër Duka. (Ali Hashorva, në librin “Bashkëluftëtarët e Skënderbeut”, Tiranë 1952, saktëson se Pjetër Duka ishte abati i njohur në histori si Pjetër Perlati, që kishte mbrojtur kështjellën e Sfedifradit.) Studiuesi i njohur Aurel Plasari arsyeton kështu: “Përdorimi në këtë rast, nga ana e abatit Pjetër, i mbiemrit Duka dhe jo Perlati, mund të ketë të bëjë edhe me një arsye politike: me distancimin nga lidhja me Dukagjinët, të cilët – të mos harrohet – qenë ndër të parët zotër arbërorë që u morën vesh me turqit, qysh pas sulmit të parë turk në Arbërinë e veriut më 1387 kur këta depërtuan deri në grykën e Drinit, çfarë kuptohet nga rënia në ujdi me ta e vëllezërve Lekë dhe Pal. Edhe më vonë, ndërsa Pjetër Perlati, Gjon Perlati dhe ndoshta edhe të tjerë Perlatë mbështetnin Skënderbeun në qëndresën antiturke me armë e me diplomaci, Dukagjinët u dëftuan refraktarë, madje shpesh edhe sabotues të asaj qëndrese, çfarë do ta detyronte ndonjërin nga papët t’i kërcënonte deri me nxjerrje nga kisha, me shkishërim. Një arsye më shumë kjo për një benediktin, si abati Pjetër, për t’u distancuar jo vetëm nga politika e Dukagjinëve, por edhe nga lidhja me emrin e tyre si Perlatë-Dukagjinë duke t’iu kthyer mbiemrit fisnor Duka të Perlatit”. (A. Plasari, “Zotërit e Perlatit – një përkujtim historik”, “ExLibris”, 21 nëntor 2023). Pjetër Perlati del me mbiemrin Duka dhe më parë, si në mbishkrimin latinisht të kryqit e argjendët që princi Pal Dukagjini i dhuron Abacisë së Shën Llezhdrit në Orosh, me 7 gusht 1447, çka tregon se ai i mbante të dy mbiemrat. Ka gjasë që ai si abat përdorte mbiemrin Duka, kurse në misionin diplomatik e ushtarak mbiemrin Perlati.
Njerëzit me të drejtë mund të pyesin se si ka qenë e mundur që një klerik të bëhet gjeneral, kur diçka e tillë është e papranueshme për veladonin? Kjo mund të shpjegohet vetëm me rrethana të caktuara specifike të asaj kohe, pasi sa dihet Pjetër Perlati qe gjeneral vetëm njëherë, në Sfedigrad, në një betejë mbrojtëse të kështjellës, që do të thotë se “zanati” i tij nuk qe lufta, por paqja.
Kthella, në Mirditë, është e përmendur në histori krahas Selitës, Lurës, Rranzës, Matit etj. Perlati është i përfshirë në dhéun e Kthellës. Ka një vazhdimësi historike të Perlatëve, ku ndër të tjerë përmendet atdhetari Kros Gjet Maca në kohën Lidhjes së Prizrenit.
E para shtatore e Pjetër Perlatit në dhélindje
Nuk dimë nëse gjatë regjimit të kaluar, ka munguar dija historike rreth tij, apo Pjetri është çmuar si gjeneral e është nënçmuar si klerik, që nuk i është dhënë vendi i merituar në histori, çka nuk e ka as sot. Mirëpo nganjëherë atë që nuk e bën historiografia zyrtare, e bën gjeneza që vjen e rishfaqet si një thirrje kujtese te pasardhësit e Perlatëve, të cilët nuk janë pesëdhjetë a pesëmijë vetë, por mbase dhjetëfishi, në Mirditë, Krujë, Lezhë, Durrës etj. Njëri nga këta pasardhës, me vetëdijen e historisë, është avokati Alfred Duka, që sendërtoi në vendlindje një kullë – kështjellë munumentale me arkitekturë moderne, që synon jetëzimin e trashëgimisë historike të Perlatëve e më gjërë. Bash për këtë ai tashmë e çon jetës mes Tiranës dhe Perlatit. Kulla muzeale, turistike prej graniti të bardhë, krejtësisht e dallueshme për nga stili ndërtimor dhe sidomos nga kupola e saj autentike, lartohet thuajse në pikëpreje të Matit më Mirditën, ku fillon rruga për në Lurë.
Në të vërtetë ajo që ai po ngre hap pas hapi nuk është thjeshtë resorti i sipërthënë si ngrehinë, ku mund të pihet verë e mirë e të bisedohet këndshëm për historinë, letërsinë dhe filozofinë, por rikonfigurimi i “kullës” së padukshme të së kaluarës historike të Perlatit, si një nga qendrat e përmendura të Dukagjinëve. Asgjë folklorike dhe legjendarizuese nuk ka në sipërmarrjen e tij, por vetëm shkencore. Alfredi nxit kërkimin arkivor rreth kësaj dinastie duke ftuar historianët që të shprehën rreth pozitës së Perlatëve në histori, ku veçohet një artikull shkencor i profesor Aurel Plasarit, që u citua më sipër, si dhe artikujt e studiuesve të trevës, ku spikat Nikollë Loka, i cili rrok vijimësinë historike të Perlatëve deri në kohën e Rilindjes kombëtare, Gjet Ndoj që i sheh Perlatajt si një gur themeli në rrafshin arbënor, Julian Vlashi që i trajton ata në kuadrin e Dukagjinëve etj.
Para katër vitesh, më 29 tetor 2017, avokat Duka mblodhi Rodon një grup studiuesish, shkrimtarësh e gazetarësh, çka u përsërit prej tij dhe këtë tetor, për më tepër që në mjediset e kullës-resort në Perlat organizoi dhe një sesion shkencor. Me ideimin dhe financimin e tij, për herë të parë në Perlat vendoset një shtatore e abatit gjeneral e diplomat Pjetër Perlati, vepër e skulptorit të ri vendas Bernard Lekgega, që e nuk e ka më e pakta Kruja. Ndërkohë që më parë një bust i këtij prelati të historisë, vepër e skulptorit Vlash Kaçorri, është ekspozuar në qytetin e Rrëshenit.
Krujë, gjurmëve të Abat Pjetër Perlatit
Pjetër Perlati është njëri nga emrat e mëdhenj të Motit të Madh, abat i shquar, gjeneral dhe diplomat i lartë i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, çfarë mund të ishte njeriu më shumë? Alfred Duka, që flet për historinë si të ketë qendruar gjatë në bibliotekat e saj, na ka prirë në tetor për në Krujë, në lagjen Perlataj, që beson se lidhet me këtë figurë historike. Pjetri këtu ishte në shtëpinë e tij, jo vetëm si personalitet madhor i kohës, në bashkëveprim të ngushtë me Heroin Kombëtar, por dhe si njeri i tij i gjakut, ku si tillë, në korrik të vitit 1439 (bazuar në testamentin e lëshuar nga Gjon Kastrioti, me anë të të cilit i kishte lënë në kujdestari Vojsavën, Gjergjin e Jellën, si dhe përfitimet dhe detyrimet që ai kishte me persona apo subjekte të ndryshme) shkon në Raguzë për të përmbyllur detyrimet financiare që tregtarët e atjeshëm të drithit kishin ndaj Gjonit, prej dy vjetësh i ndjerë.
Vite më parë, në lagjen e epërme të Krujës, në krye të rrugës, ishte një tabelë ku shkruhej “Perlataj”, që kësaj here nuk e pamë, mbase ngaqë rruga ishte marrë nëpër dorë e bërë gati për asfaltim. Nuk është mirë të na bien nga pakujdesia tabelat e vjetra, aq më tepër që të moshuarit po shuhen. Bashkë me dy burra të lagjes Perlataj, Hasan Hoxhën, veteriner në pension dhe Bujar Llubanin, ekonomist, vemi si të thuash portë më portë në lagjen historike, ku duket se kanë mbetur pak njerëz, por kanë mbijetuar lulet. Ndalojmë dhe bëjmë fotografi aty ku ka qenë “Kroi i Perlatit”, shenjë e fortë e identitetit historik të këtyre banorëve, por që e kishte humbur ujin nga punimet e kryera për hapjen e një tuneli të Mbrojtjes pak më sipër, në rrëzë të malit.
Hasani thotë se i ati ka vdekur në moshën 106 – vjeçare dhe i kishte pas thënë se ai vetë dhe një i afërm i tij kishin punuar një herë e një kohë si furrëtarë (bukëpjekës) në Perlat të Mirditës. Teksa vërtitemi nëpër kala, flasim për Merlikajt, sidomos për Mustafa Krujën – Mërlika, ndërkohë që llagapi “Mërlika” haset si toponim në një kodër të Perlatit. Vetë Mustafa Kruja, në librin e tij autobiografik, shkruan se është nga Perlati i Kthellës, ku kishte dhe miq e të njohur. Të jenë rastësi këto përkime? Mundet që perlatasit e tërhequr nga Pjetër Perlati në shekullin XV erdhën e u ngulën këtu, duke i dhënë emrin e tyre kësaj pjesë të Krujës “antike”…
Dy abatë të shquar arbnorë në pesëqind vjet
Pjetër Perlati – Duka dhe Prend Doçi, nga i njëjti areal gjeografik e etnokulturor, i pari nga Perlati, i dyti nga Bulgëri (Rubiku). Abatët më të përmendur në historinë shqiptare. Të dy abatë të Shën Llezhdrit të Oroshit me rreth pesë shekuj në mes. Të dy diplomatë, njëri zyrtarisht (i Skanderbeut) e tjetri kulturalisht me Austrinë. Të dy dhe burra shteti. Të dy të shëtitur, njëri në Itali e Kroaci, tjetri në Itali, Kanada dhe Indi. Mbase ngaqë Mirdita që së hershmi ishte “Tokë e Katedraleve”…

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *