WEST BLOOMFIELD, (Michigan)
Emri i Genc Korçës gjendej në bllokun tim të shënimeve që prej katër vjetësh, ndonëse nuk isha takuar asnjëherë me të. Ndodh shpesh që për disa njerëz, edhe pa i takuar, të krijosh një farë përfytyrimi në bazë të asaj që të kanë folur të tjerët për ta.
Në mbrëmje, pesë minuta para orës gjashtë, kur e kishim lënë për t’u takuar, Genc Korça erdhi në shtëpinë e Ekrem Bardhës, në lagjen e pasanikëve në West Bloomfield (Michigan). Mërgimi, vëllai i tij dhe miku i tij Ekremi, thanë se Genci i tillë ka qenë tërë jetën, i përpiktë në punë dhe në takime me njerëz.
Biseda nisi rrjedhshëm me ngjarje të përjetuara nga ai, i vëllai dhe miku i tij i vjetër. Ato herë puqeshin e herë ndaheshin për t’u bashkuar sërishmi, larg e afër në histori, para e pas Luftës së Dytë Botërore, si në filmat me seri.
Vëllezërit Korça, të dy inxhinierë të njohur, kishin jetuar për shumë kohë larg njëri – tjetrit: njëri në Shqipëri e tjetri në Amerikë. U takuan vetëm pas katër dekadash në Michigan, kur në vendlindjen e tyre u hapën dyert pas rënies së komunizmit.
Biseda merr udhë: ndarja, bashkimi, rinjohja vëllazërore. Ndarja me tokën e lindjes ndodhi në Shkodër, shtatë dekada më parë. Viti 1924 është viti i lindjes dhe i arratisjes së Genc Korçës nga Shkodra. Thonë se në librin e gjendjes civile në Shkodër, emri i tij është i pari. Disa muaj pas lindjes së Gencit, i ati Xhevati, themelues dhe drejtor i gjimnazit të Shkodrës, bashkë me të dhe zonjën u arratis në Beograd. Genc Korça tregon se, për shkak të kontradiktave që kishte familja Korça me mbretin Zog, i ati i tij rastësisht i shpëtoi një atentati nga malësorët, që kishin ardhur me sopata te dera e afër dritares, për t’i marrë jetën. Familja Korça më 1927, nga Beogradi arratiset në Vjenë të Austrisë, ku Xhevat Korça kishte kryer studimet e mbrojtur doktoranturën me temë historike mbi jetën dhe bëmat e Skënderbeut. Ai kishte përkthyer në gjuhën shqipe disa shkrime me interes historik.
Xhevat Korça
Më 1936 Xhevat Korça shkoi në Fiume të Italisë, ku jetoi deri më 1939. Më 1937 – 38, një grup emigrantësh shqiptarë arritën një marrëveshje me qeverinë italiane për përmbysjen e Zogut me kryengritje të armatosur. Italia do t’i ndihmonte me armatime.
– Në çastin e fundit, marrëveshja dështoi ngaqë Musolini invadoi Shqipërinë, – thotë Genc Korça. – Në prill 1939, babai i shkroi një telegram Zogut: “Harroji mosmarrëveshjet që patëm, na lejo të kthehemi, të luftojmë kundër Italisë”.
Xhevat Korça u kthye në Shqipëri në gusht 1939, ndërsa i biri, Genci, qëndroi në Itali për të mbaruar liceun.
– Babai në atë kohë kërkoi të riemërohej drejtor i gjimnazit të Shkodrës. Po atë vit e emëruan këshilltar shteti. Në janar 1942, pranoi të bëhej ministër i Arsimit, me kusht që të hiqej gjuha italiane nga shkollat fillore e të ktheheshin profesorët e internuar në Ventotene. Mirëpo, italianët nuk i mbajtën premtimet. U vra heroi Qazim Koculi. Kryetari i Qeverisë, Mustafa Kruja, dha dorëheqje. Në dhjetor 1942 dha dorëheqje edhe babai nga posti i ministrit të Arsimit, – thotë Genci.
Më 1945 Xhevat Korça u dënua me burg të përjetshëm nga komunistët, me akuzën se “kishte bashkëpunuar e bërë propagandë për fashizmin”.
Biri i tij, Mërgimi kujton ato vite të tmerrshme.
– Në gjyqin special të Tiranës, im at mohoi shpifjet që iu bënë dhe kërkoi t’i gjenin qoftë edhe një shkrim apo fjalim të tij në favor të okupatorit. Ai kishte folur i mllefosur, duke përmendur para trupit gjykues kërkesën e njerëzve profashistë që i kishin thënë se do ta paguanin pesë napolonë për çdo artikull që të shkruante në favor të pushtimit italian. Mos harrojmë se kjo qe një shumë e madhe. Rroga e këshilltarit të shtetit ishte 16 napolonë, – tregon Mërgimi.
– Pendën e kam thyer më 7 prill 1939, ditën që hynë italianët në Shqipëri, – tha im at në gjyq.
Xhevat Korça vdiq në grevë urie, në burg, duke sfiduar kështu me jetën e vet regjimin komunist.
Genc Korça (majtas) me vëllain Mërgimin.
Mërgim Korça rrëfen, siç ka dëgjuar prej atyre që kanë qenë me të atin, në çastet e fundit të jetës. Një prej tyre ishte Xhevdet Kapshtica, avokat, bashkëvuajtës, që i qëndroi pranë Xhevat Korçës deri në minutën e fundit. Që t’ia lehtësonte sadopak vuajtjet, ia lagte me ujë buzët shkrumb. Shokët e burgut e lutnin: “Aman, hiq dorë nga greva!” Por ai kishte vendosur të vdiste e kurrsesi të hiqte dorë nga greva. Ishte betuar. U thoshte bashkëvuajtësve: “Doni të bëhem gazi i komunistëve që të thonë pastaj: “Ja edhe Xhevati u dorëzua, u tërhoq nga greva?”. I sollën priftin Patër Meshkalla. Menduan se do ta dëgjonte fjalën e tij, ngaqë me të kishte muhabet më shumë se me të tjerët. “Mos ia fal jetën shejtanit”, – i lutej prifti. Xhevat Korçës po i dilnin lotët. Në atë gjendje urie, ishte ngritur në këmbë dhe e kishte përqafuar. Nga goja mezi mundi të nxirrte fjalët: “Të dua si vëllaun, po s’mund të mohoj veten, betimin. Kam vendosur të qëndroj deri në vdekje. Unë kam pritur që ti të ma forcosh vendosmërinë e jo të më bësh thirrje për tërheqje, tani që jam lodhur e dobësuar dhe vdekja po më qaset afër”.
Pak para vdekjes, drama jetësore po zhvillohej edhe jashtë mureve të burgut, jashtë derës së hekurt. I biri i Xhevat Korçës, Mërgimi, bashkë me nënën kishin shkuar ta vizitonin. Të burgosurit, që po i numëroheshin çastet e fundit të jetës, i kishin dhënë lajmin: “Kanë ardhur të të shohin gruaja dhe djali. Hiq dorë nga greva!”.
– Kam një lutje, – mezi i dilnin fjalët nga goja. – Para se të jap shpirt, lermëni t’i shoh njerëzit e mi!
Po ata ishin të pashpirt e nuk u dhimbsej njeriu…Kjo ishte lutja e tij e parë dhe e fundit. Xhevat Korça vdiq më 1960, pas 15 vjet vuajtjeje në burg, me dëshirën peng që ta shihte komunizmin e vdekur e të përqafonte për herë të fundit bashkëshorten, fëmijët e gjithë të afërmit.
Xhevat Korçës nuk i dihet varri. I biri i tij, Genci, kur ishte për vizitë në Shqipëri më 1992, i propozoi Ministrisë së Arsimit që të themelohej një bursë për shkollim me emrin e të atit.
– Kam edhe një propozim, – u tha ai zyrtarëve të asaj kohe. – Çdo vend në botë ka varrin e ushtarit të panjohur. Shqipëria le të bëjë varrin e të burgosurit të panjohur. Nuk është vetëm babai im. Sa të burgosur vdiqën në burgje e nuk u dihen varret?
Mbyllet kapitulli i një jete. Pas heshtjes biseda sikur e ka vështirë të rimëkëmbet. Pak nga pak kalojmë në një temë tjetër, po nga Lufta e Dytë Botërore, kur Genc Korça ishte anëtar i Ballit Kombëtar.
Faktet përsëriten: vëllavrasja, Konferenca e Mukjes, ku u vendos që të gjitha forcat të bashkoheshin në një log për një Shqipëri të bashkuar dhe në fund tradhëtia e komunistëve.
Ishte një batalion i Ballit Kombëtar që vajti në Kosovë të shpëtonte vëllezërit në anën tjetër të Shqipërisë, nën udhëheqjen e Seit Kazazit. Genc Korça rrëfen për vrasjen e një bashkëluftëtari në Qafë të Morinës.
– Ishim rreth njëqind vetë. Armiku na sulmoi. Hamit Troplini po vraponte me arkën e municionit për të furnizuar mitralozin e togës. Në një çast u dëgjua fërshëllima e predhave të mortajave, që fluturonin drejt batalionit. Të gjithë ranë barkas e Hamiti ra mbi arkën e municionit. Një predhë e goditi në kokë dhe e la të vdekur. Ra hero për lirinë e Kosovës, të Shqipërisë, në duel me forcat serbo – malazeze, – kujton Genc Korça.
– Cili qe qëndrimi i nacionalistëve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore?
– Nacionalistët shqiptarë e luftuan okupatorin, qysh më 7 prill 1939. Balli Kombëtar e bëri luftën për Shqipërinë entike. Ai luftoi okuaptorët, Italinë dhe Gjermaninë, për shkak se kishin shkelur tokën tonë dhe i kishin shpallur luftë botës së lirë. Nacionalizma shqiptare e kishte luftuar Italinë edhe më 1920 në Vlorë, kur ky shtet nuk ishte fashist. E luftoi prapë më 1939, kur ushtritë e Musolinit shkelën Shqipërinë. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore qenë nacionalistët ata që e luftuan okupatorin, kurse komunistët qëndruan duarkryq, deri sa gjermanët sulmuan Bashkimin Sovjetik. Vetëm atëherë udhëheqësit komunistë i hodhën forcat e tyre në luftë, se rrezikohej Bashkimi Sovjetik dhe ideologjia komuniste. Ky ka qenë ndryshimi midis nacionalizmës shqiptare dhe Enverit me shokë, – shpjegon Genci, ish luftëtar në radhët e Ballit Kombëtar.
Kur përfundoi lufta, komunistët, me të marrë pushtetin, filluan t’i ndiqnin kundërshtarët. Genc Korça u mbajt 13 muaj në burg. Ata që i dënonte diktatura, pas burgut, jetonin me damkën e “armikut”, pa punë, pa shoqëri, në rreth të mbyllur. Genci trokiti në shumë dyer të zyrave të punës, por përgjigja kudo qe ajo: “S’ka punë për armiqtë e pushtetit e të popullit”. Më në fund, në Spitalin Ushtarak të Tiranës i dhanë një punë, meqë kishte studiuar për mjekësi në Itali. Pas dy vjetësh e pushuan nga spitali dhe e çuan ndihmës mjek në Dukagjin, ku qëndroi një vit. Më vonë u transferua në Shkodër, në sektorin e shëndetësisë. Por, pas dy vjetësh e pushojnë, duke e dënuar me punë të detyruar në gurore. Vriste mendjen vazhdimisht se si të dilte nga ai ferr. Por si? Nga t’ia mbante?
Nëntë herë kishte tentuar të kalonte kufirin, por pa sukses. Herën e dhjetë, më 2 janar 1953 arriti të kalojë kufirin me ndihmën e Pjetër Qafës dhe dy shoqëruesve të tij. Pasi qëndroi disa muaj në Kosovë, në qershor të atij viti shkoi në Austri, pastaj në Itali e Greqi. Në fund arrin në Amerikë.
Genci, me të ardhur në Amerikë, hyri në shkollë. Më 1956 regjistrohet në “Wayne State University”, në Detroit dhe diplomohet më 1960 në degën e kimisë. Më 1972 kreu specializimin në fushën e higjienës industriale. Gjatë kësaj kohe, edhe punonte. Pas specializimit punoi në fillim në një fabrikë çeliku e më vonë në shoqërinë e njohur të automjeteve “General Motors”, në Detroit. Kjo shoqëri kishte 700 mijë punëtorë e nëpunës e rreth 200 fabrika në gjithë botën. Genci punoi aty 29 vjet, derisa doli në pension.
– Zura punë në degën e higjienës industriale. Më vonë më emëruan menaxher e pastaj drejtor të sektorit të higjienës industriale. Më 1984 u zgjodha president i Shoqatës Amerikane të Higjienës Industriale, ndërsa më vonë president i Akademisë Amerikane të Higjienës Industriale, – thotë Genci.
Akademia e Higjienës Industriale të Amerikës ka pesë mijë anëtarë, ndërsa Shoqata e Higjienës Industriale ka 12 mijë anëtarë.
Higjiena industriale merret me të gjitha pasojat e mundshme negative shëndetësore nga puna si zhurma, pluhuri, lëndët kimike, nxehtësia, të ftohtit etj.
Genc Korça ka botuar artikuj shkencorë mbi higjienën, ka ligjëruar për pasojat e dëmtimit nga puna në Amerikë dhe shtete të tjera. Është anëtar nderi i katër shoqërive, duke përfshirë edhe Shoqërinë Italiane të Higjienës.
Genc Korça ka qenë president i Akademisë Amerikane të Higjienës.
Më 1992, për herë të parë që nga koha e arratisjes, shkoi në Shqipëri.
-Si t’u duk vendi i lindjes? – e pyes.
– Më keq nga ç’ e prisja. Unë shkova të takoja njerëzit e mi dhe njëkohësisht të shihja si mund të ndihmoja. Zemra më qau kur e pashë se në ç’gjendje e kishte katandisur Shqipërinë komunizmi. Kushtet higjienike të punëtorëve ishin të mjerueshme. Në Berat, ta zëmë, nga 500 punëtorë që kishte një fabrikë akumulatorësh, 170 kishin shkuar në spital, për shkak të helmimit nga plumbi. Në fabrikën e çimentos në Fushë – Krujë, po ashtu gjendja shëndetësore e punëtorëve ishte për t’u vajtuar. Qeveria komuniste e Shqipërisë thoshte se nuk kishte marrëdhënie me Perëndimin. Kjo ishte gënjeshtër. Kam fakte për këtë. Në një mbledhje në Las Vegas më 1985, një industrialist më tha se po shiste mallëra në Shqipëri.
– Bën shaka, – i thashë.
– Jo, – ma ktheu. – Kemi përfaqësuesin tonë në Itali, i cili shkon në Shqipëri dy herë në vjet. Në Shqipëri autoritetet e çojnë në hotel që të mos e shohë kush dhe, në mënyrë të fshehtë, bëhet tregëtia.
– Cila mund të jetë ndihmesa juaj për Shqipërinë në këtë kohë? – e pyes Genc Korçën.
– Më kanë ftuar në Shqipëri që të jap ndonjë ndihmesë të mundshme. Mirëpo, kushti i parë, që të shkoj atje, është: sa janë të vendosur shqiptarët të bëjnë diçka? Duhet të kesh një mbështetje, para se të fillosh. Iniciativat duhet të jenë serioze. Apatia më është dukur një nga simptomet më negative në Shqipëri. S’bëhet gjë duke shikuar tjetrin në stilin: “Bëj ti, shoh unë”, – thotë Genci.
Ai ka tre fëmijë, nipa e mbesa dhe jeton me zonjën e tij në Shelby Township të Michigan-it.
(Marrë nga libri “Shqiptarët e Amerikës)
Prill, 1995