Me vatranët në Detroit

 

Me vatranët në Detroit

( 100 vjetori i Federates Panshqiptare “Vatra” )

Pjetër Jaku

Në kohën e mosmarrveshjes së  Vatrës në Boston, për dy vjet “Vatra” veproi paralelisht edhe në Detroit. Në Michigan u botua Gazeta “ Dielli” e këtu u bë pothuajse gjithë veprimtaria e  Vatrës, njërës nga federatat më të njohura Panshqiptare në gjithë botën.

Emigracioni shqiptar ka pasë shumë vatra, nga të cilat zjarri i tyre ka ndriçuar atdheun. Janë të njohura shoqëritë kulturore të Bukureshtit e të Stambollit, por asnjëra prej tyre nuk pati ndriçimin dhe jetëgjatësinë e Vatrës së Amerikës. Asnjë grupim shoqërorë, ku ka më shumë se dy vetë nuk mund të shkojë perfekt, por asnjë grupim shoqëror i ndërtuar jashtë dhe larg atdheut, ku rrymat kundërshtare janë të shumta, nuk  mund të ketë jetëgjatësinë e një organizate kombëtare si “ Vatra”.  Çdo lëkundje është e pranueshme, kur mendimet rrahin në një kahje, në drejtimin e shumëpritur të lirisë së atdheut, prej nga kishin ardhur vatranët.

Vatra nuk qe asnjëherë  Kisha Autoqefale e Bostonit e as e barazuar me një ose dy përsona. Ajo qe Vatra e shqiptarëve, ndaj edhe mundi të vinte deri këtu, duke zbatuar vetëm një kushtetutë, e cila nuk u ndryshua që nga viti 1926. Vatren e ka mbajtur dhe mund ta mbajë vetëm ideali dhe idealistët, që kurrë nuk vunë interesin e tyre mbi atdhun. Vatranët, kur merrnin vetëm 7 dollarë në javë e bënë gazetën “ Dielli” të përditshme, i dhanë shtetit shqiptar 197 mijë dollarë hua, që atë ditë e sot nuk i janë kthyer, i dhanë shtetit shqiptar veten e tyre duke shërbyer si ushtarë, i dhanë atdheut tërë njohjet dhe mundin e tyre, që të pranohej në Organizatën e Kombeve, i dhanë  atdheut të tyre shpresën se një ditë  Shqipëria do të ishte vend i lire. Atdheut të tyre  i dhanë frymën e tyre, për të mos patur frikë, i dhanë guximin për t’u matur me shtete të organizuara e të djallëzuara, që historikisht punuan e punojnë në dëmin tonë, i dhanë gjithë ç’kishin nga vetja e tyre e mirë, si e si  vendi i tyre të mos vuante nëpërkëmbjen shekullore të armiqëve të pandryshueshëm.

Vatranët në Detroit janë ndër të parët që e përkrahen këtë Federatë, duke parë punën e saj të mirë në favor të çeshtjes kombëtare, duke ndjekur vazhdimisht  aksionet e saj politike, ku asnjëherë nuk mungoi përkushtimi atdhetar në nivlein maksimal. Kujtojmë takimet më Presidentët Amerikan, sigurimin e ndihmës së tyre, kongresmenë e senatorë të shumtë që u thirren në ndihmën tonë dhe punuan për çeshtjen shqiptare, kur shteti shqiptare as që kishte lindur. Kujtojmë këtu se edhe Pavarësia nuk zgjati shumë e mëkëmbës të huaj zbarkuan në qytetet tona, duke e bërë vendin tonë  një vasal të të huajve, ndërsa “ Vatra” asnjëherë nuk e ndryshoj flamurin shqiptar, që kur u krijua e deri më sot. Në Vloren heroike, ku u vendos  flamuri me shqiponjën dykrenare në  28 Nëntorin e 1912-tes, pas dy vjetësh u rivendos përsëri flamuri turk.

Për dy vjet në Detroit u botua Gazeta “ Dielli” dhe u zhvendos qendra e Vatrës nga Bosotoni, ku ishte dhe qendra e saj historike. Në Detroit u bë një Kuvend  nga më të rëndësishmit e “ Vatrës”, ku fjalimin kryesor e mbajti  aktivisti i njohur, Julian Çefa, i cili i ka kujtimet e freskëta dhe flet me shumë emocione për këtë ngjarje, si dhe veprimtarinë  patriotike e historike të Vatrës. Ishte viti 1984 kur u bë ky Kuvend dhe kryetar i Deges së Vatrës në Detroit ishte një nga demokratët e njohur Gjon Kelmendi, ndersa sekretar, i palodhuri, i ndjeri Fehmi Kokalari.

Në këtë rast, Kuvendi i Vatrës u shoqërua edhe me 75 vjetorin e daljes së gazetës “ Dielli”. Disa ditë para zhvillimt të Kuvendit dhe  festimit të 75 vjetorit te “ Diellit”, një grup prej katër vatranësh, konkretisht; Fehmi Kokalarit, Petrit Butkes, Vasel Ujkajt dhe  Meleq Kapllanit, anëtarë të kryesisë së vatrës Dega Detroit, shkuan  në një takim të veçantë me Majorin e Detroitit Coman Ayong, i cili i vuri në kalendarin e qytetit, dy ditët e këtij aktiviteti, si  ditët më të rëndësihme të këtij qyteti në respekt të shqiptarëve dhe historisë së Vatrës.

Në Degën e Detroitit punoi editori i njohur i Gazetës “ Dielli” Refat Gurazezi. Ishin vite të vështira, – thotë veterani vatran Vasel Ujkaj, por ishin idealistë dhe atdhetarë të mirë ata që punonin për Vatren e me Vatren. Me Vatren nuk punonin vetëm të zgjedhurit, por shumë prej tyre që nuk u zgjodhen kurrë dhe nuk e kërkuan një “priviligj” të tillë. Më kujtohet Fehmi Kokalari, – vazhdon biseden Vaseli, – ai përherë punoi njëlloj si i zgjedhur, edhe kur ishte vetëm anëtar i Vatrës.”

Genc Korça duke përshëndetur në rikrijimin e Degës së Detroitit. Në të majtë të tij aktivisti i njohur Vasel Ujkaj, në të djathtë Gjevalin Gegaj. I pari djathtas Dr Gjon Bucaj, Kryetar i Federates Panshqiptare “ Vatra”

Foto: Paulin Palushi, 28 Janar 2012

 

Vatranët ishin shumë në Detroit. Vetëm gjatë viteve 1968- 1984 kanë qënë afro 200 anëtarë. Nga këta 153 të regjistruar në regjistrin e Degës dhe afro 50 mbanin lidhje direkt më Qendren, një normë kjo e lejuar në Kanunoren e kësaj Federate. Kjo shihet më së miri nga numri i delegatëve që përfaqësonin Degën 33 të Detroitit, që shkonte në 13-të. Nga ky numër, (numri i regjistrave të Degës së Detroitit)  rezultojnë 46 anëtarë të Vatrës nga Malësia në Degën e Detroitit, çka bie ndesh me disa psherëtima të zvetnuara, se malësorët nuk e kanë përkrahur Vatrën! Edhe pjesa e paregjistruar, më së shumti ishin malësorë, pasi kishin mundësi të ndihmonin më shumë se kuota e caktuar prej 15 ose 20 dollarësh në vit, shumë në të cilën përfshihej edhe abonimi i gazetës “ Dielli”. Le të kthehemi në ato vite, kur punëtori merrte jo më shumë se 2.5 dollarë në një orë pune!

 

 

 

 

 

Njëra nga listat e regjistrimit

 

Vatranët Marash dhe Marije Dushaj, Kolec Pikolini, Gjon Lulgjuraj, Mark Sinishtaj, Vatë Gjokaj, Franz Grishaj etj, të cilët prej dhjetra vitesh  punuan e punojnë me Vatrën, duhen nderuar e respektuar vazhdimisht.

Nuk duhet harruar puna e madhe e vatranëve, Tahir Markaj, i cili e ktheu resorantin e tij në qendër të Degës së Vatrës në Detroit, Din Toptani, ku edhe ai e vuri në dispozicion të Degës së Vatrës  resoratin e vjehrrës së tij Hava Kelcyra në Vernon, por as Tajar Shaska,  Xhevdet Hoxha, Kamber panariti, Bajram Çunmulaj, Prenk Gruda, Ahmet Dervishi. Ali Orham, Petrit Butka e dhjetra vatranë, të cilët nuk kursyen asgjë për çeshtjen kombëtare.

 

Fundi i vititi 90-të dhe fillimi i vitit 91 pati jehonë të madhe edhe në shqiptarët e  emigracionit, sidomos në Amerikë, ku ishin emigrantët më të organizuar politikisht. Duke ardhë nga kjo shtresë, Kujtim Qafa u angazhua shumë edhe me demokracinë shqiptare në atdheun e tij. Levizjet u bënë të shpeshta dhe ndihma konkrete e detyroi të ndihmoi në fushatat politike më të rëndësishme, sic qe ajo e viti 1992, ku edhe fitoi Partia Demokratike  shqiptare, duke rrëzuar nga qeverisja pas 48 vitesh komunistët. Veç kësaj, Kujtimi është angazhuar vazhdimisht për Pavarësinë e Kosovës.

Puna me Vatrën u mbajt ndezur, por nuk iu fry zjarrit aq sa duhej për ta mbajtur gjithëmonë të pashuar, edhe pse misioni i saj politik, pothuajse mbaroi por, në të njëjtën kohë u shtua emigracinoi shqiptarë, jo vetëm në Amerikë.

 

Pas aktivistëve Gjon Kelmendi dhe Gjekë Gjelaj që e drjejtuan Degen e Vatrës në Detroit rreth viteve 90-te dhe pas viteve 90-të, pati përpjekje për ta riorganizuar këtë degë nga aktivistët Kujtim Qafa, Fran Gjoka dhe Gjevalin Gega. Në vitin 1997 arrin të riorganizohet, ku në Detroit ishte i pranishëm Kryetari i Vatrës Agim Karagjozi. Kryetari i Degës së Detroitit të asaj periudhe, Kujtim Qafa thotë se u ngarkuan Genc Korca dhe Gjevalin Gega të merreshin me studimin dhe përshtatjen e ndonjë amandamenti të Kanunores së Vatrës me kohët që kishin ardhur, duke u bazuar kryesisht në programet e Partisë Demokratike dhe  asaj Republikane në  Amerikë. Sipas Kujtimit, të ngarkuarit punuan  afro një muaj dhe seriozisht për të bërë një Kanunore të pranueshme, punim i cili iu dorëzua Qendres.

Pikërisht për këtë, Kanunorja e Vatrës kishte nevojë  të përshtatej me ndryshimet që rrodhën në historinë e vendit tonë. Kujtimi ende sot është nga më aktivët dhe mendon se Vatra duhet të marrë detyra të reja në kohë të reja, duke qënë  një nga këshilltaret kryesore dhe me të mirë të qeverive shqiptare, si dhe lobusja kryesore në qeverinë amerikane, gjithnjë me mendimin që të bëhët pikërisht ashtu siç ka emrin PANSHQIPTARE!

 

Pas disa takimeve, me 28 Janar 2012 në Detroit u rikrijua Dega e Vatrës për të tretën herë. Kryetari i zgjedhur i saj, “Pishtari i Demokracisë”, poeti dhe publicisti Alfons Grishaj me kryesin e Degës, për vetëm dy muaj arriten ta çojnë këtë Degë në afro 40 anëtarë, me perspektiven për të bërë aktivitete  patriotike dhe atdhetare me vlera edukuese në shërbim të emigracionit të tanishëm. “Në të gjitha takimet e kryesisë së kësaj dege, – thotë Alfonsi, – jemi përpjekur t’i thirrim për mendimin e tyre edhe ata që nuk janë zgjedhur, por që për vite  kanë qënë aktiv dhe asnjëherë nuk janë lodhur për çeshtjen kombëtare. Veç aktivit, Dega e Vatrës ka  bashkëpunim të mirë me qendrat e njohuar fetare, që njëkohësisht janë dhe qendra patriotike e atdhetare, dhe drejtuesit e tyre si: Xhaminë Shqiptare me një histori prej më shumë se 70-të vjetësh dhe detjuesin e saj Imam Shuajb Gerguri, Kishën e njohur të Shën Palit dhe famullitarin e saj, Don Fran Kola, Teqen Bektashiane dhe Dervishin e ri, Dr. Elidon Pashai, Kishën “ Zoja Pajtore e Shqiptarëve” dhe drejtuesin e saj Don Ndue Gjergji, me përsonalitete të njohura si Ekrem Bardha, Konsull Nderi në Michigan, Genc Korca aktivist i njohur, shoqatat më aktive në jetën kumunitare, si: Shoqata Atdhetaro – Patriotike “Malësia e Madhe” me kryetar Gjergj Ivezaj, Shoqata “ Kastrati” me kryetar Nikoll Vneshtaj, Shoqata Dukagjini me kryetar Nikolin Shyti etj…”

Projektet e kësaj Dege për të mundësuar së shpejti një qendër të saj, gjithnjë në zbatim të normave kanunore dhe udhëzimeve të Qendres, ndoshta për herë të parë në historinë e vet, janë drejt finalizimit. Veç kësaj, Dega e Detroitit  do t’i propozojë Kryesisë së Federates  që të ketë Kongresin e   saj vjetor, duke qënë themeluese e këtij Kongresi të Diasporës, në krye të të cilit të jenë problemet kombëtare, tashmë të  “dy” Shqipërive. Duke parë nevojen  e një jete sa më aktive, së shpejti do të funksionojnë edhe seksionet e kësaj dege.

 

Pjesëmarrës në rikrijimin e Degës së Vatrës në Michigan, 28 Janar 2012

Foto: Paulin Palushi

 

Vatra duhet të jetë ashtu siç edhe ka emrin një Federatë Panshqiptare, në finale të së cilës duhet të jetë një Kongres vjetor përfaqësues, me miqtë e shqiptarëve që janë në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Ende janë shumë punë për të bërë në drejtim të çeshtjes kombëtare, të cilat, sado që të bëjmë nuk kanë të mbaruar. Ndoshta vjetërohen format me të cilat punojmë, por asnjëherë problemet. Fokusimi në ruajtjen e identitetit tek brezat që po vijnë, është një nga problemet  e rëndësishme, që duhet të diskutojë në të arthmen kjo organizatë, pervec lobimit që duhet të përfaqësojë deri në zgjidhjen e shumë problemeve shqiptare. Besimi që ka ai tek të rinjët është për t’u admiruar. “Të rinjët që i janë afruar kësaj Dege, – thotë Alfonsi,-  janë një shans i mirë për të arthmen, si fjala vjen: Enita Hajdari, Monela Jaku, sekretari i kësaj dege Mondi Rakaj, Petrit Doda, Vjola Tamburi, Anni Sharp, Valentin Pllumbi, Klementina Sula etj, forcojnë besimin e një të arthmeje të mirë.”

 

Michigan, Prill 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *