Karadyzenat e komunitetit – Pamflet

Me do bidate me turlifarë emnash ishin turrë me u vu në ballë të ndryshimeve, pa mujt me ndryshue kurrë kostumin, tuj u sjellë nëpër salla si do teneqe zhurmuese, veç me mujt me ju afru sofres së nderit, kinse po bisedojnë me ndonjë përsonalitet të ransishem, me i marrë kartviziten dhe të nesermen me e thirr për do padi ordinere, tuj mendu se raporti i tyne do të ketë bereqet.

Nga PJETER JAKU

Pjeter Jaku

Pjeter Jaku

Fukurallëk hava,-  tha dikush, tek lëpinte kockat e një darke gjysëm te rjepur, duke parë karadyzenat tek kurdiseshin  si knusat për të mbajt fjalime. Qitapet me ngjyra patriotike dhe me disa defterë përmrena,sa krejt gjyksi i tyne, të linin me kuptue se akshami  po vinte si një karaqytyk  kryelmuet me një aparat pushtlliqesh, tuj rrotullue gjuhën në gojën e flliqun prej do fjalësh të çartallueme, bash si sytë e tyne të pshurrun prej një kohë të vranët.

Tuj lyp do lule dhe do f’mi të veshun kombtarisht, dhe tuj u shpurdh si pordha nëpër brekë, sic thotë populli, kinse po i hyn në qef presidentit ( të biznesit kuptohet ), vraponte pa e ditur se ku, si pula kryepreme. Sharlatanit me medalje për shërbime që u kishte ba tan sekretarve të byrosë, nja dy dritëshkurtër ia kishin dhanë dekoraten, tuj mendu se do bahej dikushi, edhe pse me rrakitizmin e  tij revolucionar karaqytiku ishte klasifikuar si një spiun i rrezikshëm i ish të dënuarve nga idhuli i tij. Njëri prej karadyzenave  shante ambasadorin pse paska guxue me  ndal nji mramje në nji kafe shqiptare, ndërsa shifte se mos dikush po i shifte tuj ba veprime kryekput prej manjakësh badihava, që gjithkuj du’n me i dalë përpara, gjoja se po e presin, gjoja se po ia japin një ndihmë me njoftë ata, që sipas tyne, po e ngatrrojnë komunitetin, pse nuk i lanë  (shumicen sipas tyne) me dirigjue turmat, pa asnjë të drejtë e mundësi përfaqësimi.  Pritësit dhe propozuesit e dekoratave ( sipas karadyzenave ) marrkan një randsi, që ata po i vritka ma keq se rrufetë e Zeusit e, per ma shumë kur haberet veç u japin gajret për  sabahun e nesërm.

Tuj u ra damllaja, përditë e ma shumë po u rrëshqiste gjuha prej mendjes e po lypnin bela në akordimin e telave, që asesi nuk nxirrnin tingull, veç si do gjygyma haramgji të mykun e pa namuz. Me teorinë e prehjes së lapsave u lëshuen me ndreq do punë në komunitet, pa pasë një cent një xhep, duke u turr si bishti mas spatës me kritikue e me dhanë mend nëpër do dallap mediatik. Teorinë e binasë ( vendit të dukshëm ) e kishte dhanë një ashikli e kalemxhi, që nuk ishte ma shumë se një ngatrrim zorrësh në nje bark që bante përpara, sa  herë u donte bytha kambve me leviz.

Të randë sa mendimet që i lëshonin përroit të kritikave, pa i lidh me asnjë llojë rrypi, pasi pantollonat, zakonisht i mërthenin veç me pulla, ndërsa deklaratat për mungesë portofoli i kishin dhanë prej kohësh, duke  qënë disi ma të lehtë pa peshën e  parasë dhe pa cicërimën e  celularit, pasi edhe ky alet u mungonte.

Ata po u binin do tupanave, që zani i tyne nuk u shkonte ma larg se te veshët, me mendimin se po i jepnin xhevap miletit.

Ata po i rrenonte tymi e qoftet e festave dhe, për ma shumë, kur këto baheshin në qendrat e fesë, pa menduar se emigrimi ato i ka të vetmet, ku mund të dallohet nacionaliteti e ku mund të ruhet  pak gjuhë e pa shkelun nga harresa.

Me do bidate  me turlifarë emnash ishin turrë me u vu në ballë të ndryshimeve, pa mujt me ndryshue kurrë kostumin,  tuj u sjellë nëpër salla si do teneqe zhurmuese, veç me mujt me ju afru sofres së nderit, kinse po bisedojnë me ndonjë përsonalitet  të ransishem, me i marrë kartviziten dhe të nesermen me  e thirr për do padi ordinere, tuj mendu se raporti i tyne do të ketë bereqet.

Mjaullima e kollareve bishtprerë dhe trokitja e këpucëve me majë nuk po i çonte ma larg se përfillja e askujt, edhe pse donin medeomos me ra në sy të gjithkujt.

Mos o Zot ma keq!

Në ndonjë rast rahmetlijtë u përballen edhe me ndonjë azgandajak në  filhall hyzmetin e xhullurdisë që kurdisën për të marrë një nga kalatë fetare të komunitetit.

Llahtar ushkurët serbes vihen përballë komunitetit të pa sabër dhe pa ra në ujdi me njani tjetrin, se kush do t’i printe kësaj zallamahie  për mosnjohjen e konsullit, thua se konsulli u kishte marrë hisen e diellit, siç do të thonte dikur Baca Adem! ( Adem Istrefi, poet). Disa prej  jazeklinjve  kopukë që kishin përfitu prej konsullit, dhe disa kohë më parë e mbronin si hyzmeqarë të pashoq, filluan sulmin me topanxhat e pa shenjestër, duke i rënë më shumë vetes se konsullit.

Mezallah se mirrnin vesh këta insane, me një masraf të ngutshëm donin me hek konsullin, biles dhe priftërinjtë që banin aktivitete kombëtare. Zullumqarët e padamshëm shkuan ma larg se kaq! Nuk po u pëlqente as ambasadori. Përpjekjet me ndrru ambasadorin vazhdojnë edhe sot. Thua se Ambasadori nuk asht njeri i lirë. Dhe ku?! Në vendin ma të lirë të botës. Problemi u ba pse ai na paska marrë pjesë në  dasmën  e një te riu shqiptar! Siç paraflitet, ai  nuk paska marrë pjesë në një takim pa krye të tyne, me ndonjë ftesë verbale të papërfaqësuar!  Aksham karadyzenat po i quajn ambasadorët lidërship artificial. Me një hyxhym yrysh të papamë e me një  halis të pashoq dhanë ide, se ku e si duhen ba aktivitetet e shqiptarëve, se kush mund të kishte tagër me i udhëheq ato, se si duhej me u ndërtu një Qendër Kulture e të tanë shqiptarëve. Sytë e mufatun u hanin sheshjollin nga nervat, derisa mbrriten te një dollap milet për me dhanë mend, sikur do të banin batërdinë në ata shqiptarë që nuk u bindeshin atyne. Edhe pse pak haber kishin në ato punë, hapnin sytë ka kryekaradyzeni, për të ndrruar temën e bisedës. Kryekaradyzeni  qerrata, kur e pa se po e tepronin me problemet komunitare, i çoi përnjëherë në Lazarat, ku një xhullurdi e pashoqe po bahej atje. Njëni, bajagi i ditun, përsëri doli  aty ku duhej; komuniteti!

Veç kësaj, veç vetes së tyne, tanë të tjerët ia  paskan me hile komunitetit, tuj fajësua emigrantët që u shkonin  mbrapa prijësve fetarë dhe konsullit.

Si zabitllarë të rënë nga fiku, kacavirreshin në “aftësitë”  për t’i treguar rrugën komunitetit e për t’i bindur se, pa qënë ata prezent, asgjë s’mund të bëhëj si duhej. Disa sish mburrin njëri-tjetrin për heroizma të  imagjinuar dhe epitete legjendare, duke mos menduar se dogri komuniteti i ka  parasysh bëmat e tyne.

Sahatmbetësit në kohën pa krye, me fortmençuninë e hallakatun, i binin legenit kulturor për mbosmbajtjen e aktiviteteve, askund tjetër veç në odat imagjinare, që  nuk mund t’i bajë askush në udhë kolektive, veç shtetit shqiptar, nëse do bindej  në fitimin ( mbasi të rregullonte Amabsaden ), ose ndonjë pasaniku  që do  ta merrte përsipër administrimin.

Afeder senez, por dikush duhet me ndreq një akllagi me t’hollue mendjet e tane kajmekamave  të emigrimit, kudo e cilëtdo  qofshin, që ta kuptojnë mediokritetin, për të mos e quajtur vlerë!

Ishalla u jep Zoti ymer  e ja bajnë hyzmetin mendjes me kuptue veten, se na, halia s’po mund i kuptojmë!

 

vazhdon….

 

Michigan,06 Gusht 2014(mbremje)

2 thoughts on “Karadyzenat e komunitetit – Pamflet

  1. Pjeter te lumte penda e arte Se shkrim shume I bukur , shume shkrim me shume kuptim per ata qe Dojne me kuptu, Se kto mbetyrina te fundit te Komunizmit po na qelbin Kete komunitet. Ky shkrim Karadyzenat e Komunitetit do te mbesin legjende edhe mbas 100 Viteve , e ky I fotove ka mbaru per Kete shekull , nuk ke cfare Ben komente per te Kur apartamenti I tij ka qene ne te njejtin pallat me Officerat e Sigurimit te asaj kohe ne qytetin e Shkodres, e sigurisht nga qe ju sherbente me fotografi e mbanin afer ne gjirin e tyre. Duke ju Pershendetur per punen tuaj Pjeter , e me ndihmen e Zotit Se kto mbetyrina te fundit te komunizmit duhet ti lini ne nje ane Se nuk mjafton te merresh me to.

  2. Pjeter, “Marku” paska ndrru mend e paska plan me ardh perseri me ta shblloku xhirizin. Te lutem trajtoje mire qe te mos merzitet si heret tjera 🙂 I paska ba efekt mbledhja e brigades… Nji rruge e dy pune ban zamet e lexoje shkrimin tim te fundit tek “Portali i Tyrpit”… Por kot te thash se gjaja par qe ti ban cdo dite asht ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *