Fragment nga libri “STINA E KUJTESES” te Pjeter Jakut

Publicistike jeteshkrimore

MOLLE KUQE – FSHATI IM I LINDJES

Gjithëkujt i pëlqen dhe i fiksohet vendlindja e tij, por Molla e Kuqe, ishte në të vërtetë, një mrekulli e zorshme. Ndahej nga një kodrinë mes dy pllajave, që zbriste nga Suka e Gjatë si një krye burri,  ku mjekra i zbriste te Kroi i Lacit. Në pllajën verilindore ishte  “ Vathi i Halilit” çka deshmonte se dikur, ndoshta më pak se 100 vjet, kishte pasur banor të besimit myslyman, ndoshta të ardhun nga Kosova, sidomos Gjakova ku, edhe kishin marrëdhanie mallrash. Shkëmbenin pezhven me misër. Pezhvja ishte një llojë grasoje e zezë, që nxirrej si rakia nëpër kazana, ku digjeshin pishat dhe, langu vicioz i tyne, përdorej për të lye rrotat e qerreve dhe vegla të tjera prej hekuri. Disa të dhana më të sakta për Mollën e Kuqe, i ka kushrini im, tekniku Jak Çupi. Livadhet e vogla ishin zanë nga barinjët e ardhur nga Domgjoni me stane, në levizjet e para. Pak nga pak filluan të çliroheshin, për mungesë tokash e, kasollet ( stanet ) t’i bënin shtëpi njëkatëshe  e më vonë kulla. Barinjët vinin nga disa fise. Ata filluan ta banojnë, pasi krejt pak dallonte me klimen e Domgjonit. Të dyja ishin në rrazë të Munellës, vetëm se Molla Kuqe ishte një zbulim i udhëtarëve, për t’u lidh me krahina të tjera  në Juglindje të Domgjoni. Toponimet, se aty kanë jetu pa dallime fetare besohen, megjithëse pas vitit 1900, aty kanë jetuar vetëm katolikë. Të tjerët, bashkë edhe me disa familje katolike, u ulen për të banu në disa fshatra, afër qytetit të Gjakoves, megjithëse nga Molla e Kuqe në Gjakovë ishte ma shumë se një ditë udhë në kambë. Një emër tipik, ashtë ai i fshatit Bizhtazhin, pasi ky mbartëte një pjesë të një katundi të Bajrakut të Fanit.

Maja e Munellës. Pjesa që shihet nga fshati im.

Të shkonin e të vinin shpesh në Domgjon, ishte afro tri orë në kambë, ndaj edhe vendosen  e fillun me ngrit shpi për banim të përhershëm. Fillimisht, fshati u ngrit nga tre-katër shpi, që ma vonë u banë dyzet, për të mos thanë dyzet kulla. Pllajat filluan t’i punonin, fillimisht për kopshte, sidomos për patatet. Por, duke pa se ajo mund të prodhonte edhe drithnat, veç grunit, që nuk kishte kushte klimaterike të favorshme në ato zona, për shkak të ngricave dhe temperaturave shumë të ulta. Misri , fasulja, kungulli, të gjitha perimet, qershitë e manat, thanat e rrushi, dardhat e ftonjët piqeshin në kohë e ishin prodhime shumë cilësore. Arrat ishin ndër frutat më të pëlqyeshëm e më të shnetshëm. Nuk dihet me saktësi, se kush ishte familja e parë, që e filloi jetesën në Mollë të Kuqe, pasi ajo nuk mund të ketë qënë një e vetme. Një familje nuk mund ta përballonte dimnin e gjatë dhe vetminë vrastare, tepër të vështirë. Livadhet, e më vonë tokat, të ndame në ara 2 deri 4 dynimshe u shtuan. Fundarave u banë mure me gurë të thatë, duke mundësu që dheu të mbështetej e të mos tretej në përrua. Me shtimin e familjeve, u lindi nevoja të kishin edhe një vend të caktum për takime, këshillime e ndamje punësh. Kodrina mes dy pllajave ishte vendi ma i përshtatshëm dhe u thirr “ KODRA E KUVENDIT.”  Në lindje ishte  MUNELLA, një majë  afro 2 mijë metra mbi nivelin e detit, në Verilindje ishte Kodra e Kryqes (Kodra e  Krisë, thirrej ),   si vendpushim, kur ktheheshin nga Fani. Atje ishte vu një Kryq i madh prej druni dhe kishte një shesh pushim për ma shumë se 20 vetë. Në Juglindje ishte  Laku i Drenit, edhe ajo kodër pushimi dhe udhë e ardhjes nga fshatrat e Spaçit, ndërsa perëndimi, ishte një grykë e hapun, që shkonte, deri ku nuk kapte syni, gati në Shmri të Kuksit. Në mëngjes herët, fillimisht dielli kapte zonën  Verilindore dhe, pak më vonë  Juglindjen. Nuk kishte shumë orë dielli, pasi ishte një luginë e thellë rrethu në tri anë me male.  Në dimër nuk kishte  ma shumë se katër orë diell. Përroi i Bardhë, zbriste në Verilindje, krejt afër kullës tonë, ku i kishim nja dy arra të mëdha dhe një man të zi, bash afër tij, që ia lagte rranjët, ndërsa bash në përrua ishte një gur i madh, që perimetri i sipërm ishte sa një sofër. Se si kishte ardhë e zanë aty, nuk dihej. Ai nuk levizte asnjëherë. Në pranverë kercenin kecat sipër tij, kurse gjatë kohës së lirë, fëmijët e kishin si objekt lodrash, kur u vidheshin prindërve. Pak përtej Kodres së Krisë, baba ishte sëmu në një rast tek kthehej nga Lokaliteti. Duke qënë se vinte nga Fani, rreth tri orë rrugë, kishte pi ujë shumë të ftohtë nga Mrizi i Madh dhe, sa kishte dalë te Shkalla e Mrizit, kishte vu armën në gjunjë dhe kishte mbetë, derisa, rastësisht e ka gjetë Zefi i Ndue Frrokut, pa ndjenja. Ka njfotu fshatin, dhe ashtu e kanë marrë. Që nga ai “aksident” babës i mbeti plagë në fytin e ushqimit, të cilen e ka vuajt gjithë jetën. Në Kodren e Krisë pushonin dasmorët dhe njoftonin fshatin, se nusja po vinte, ashtu siç shërbente edhe në raste fatkeqësishë. Të njëjtin shërbim kishte edhe Laku i Drenit. Edhe sot mund të shkoj symbyllur në ato shtigje, se udhë nuk mund të quhen! Deri mbas Luftës së Dytë Botënore, fshati ishte një katund krejt i vogël, ku nuk kishte as varreza, as shkollë. Në të gjitha rastet, banorët ishin shumë unik. Përnjëherë i gjendeshin pranë njani-tjetrit. Dielli e mbushte katundin, në të dyja anët e përrenjëve, si me zjarr, jo veç me dritë, ndërsa hana e bante natën me borë, shumë ma shumë të bardhë, edhe shumë ma shumë të ndjeshme. Edhe levizjet e maceve nigjoheshin, nga shpia e parë, deri te e fundit. Krejt çka flitej nëpër shpia nigjohej, aq e pastër dhe e kullume ishte natyra.

Nga e djathta në të majtë: Llesh Jaku ( babai ) Ndue Marka Çupi dhe

Gjpn Ded Tuci ( 15 nentor 1957

Pak nga pak, fshati filloi të merrte frymë e t’i realizonte shërbimet sociale të tij, me ndihma vullnetare. Ndërsa Gjyshi dhe nana e tij, janë varrosur në Dogjon. Para mesit të shekullit XX, u ndërtun varrezat e para dhe një Lter i mbuluar, për t’u lutë, në shpatin përtej Shkollës. Shpia ma e sipërme në anën Veri-Lindore ishte ajo Marka Ndue Çupit, ndërsa e fundit ajo Preng Ndue Fushes, e cila jetohet edhe sot. E vetmja shpi, edhe pse shumë e varfën, jeton aty ku kanë jetuar prej gati 150 vjet. Nga  JugLindja, shtëpia në krye të lagjes është ajo e Ndue Marak Bibës dhe në fund të kësaj ane, shtëpia e Ndue Nikollë Prengës. Fisi ynë, me të njajtin mbiemer kishte tokat në të dy anët e fshatit, pothuajse midis gjeografisë së tij. Pothuajse të gjithë kishin tokë të barabartë. Gjyshi i babes, Jak Çupi ishte vet’i treti vëlla, bashkë me vëllezrit Ndue dhe Ndrec Çupi. Jaku dhe Ndreca patën nga një djalë, ndërsa Ndoi pati tre djemë. Ndoi dhe Ndreca kishin pak tokë, ndërsa Jaku ( baba i gjyshit tim, bleu dhe një arë ma tepët, Aren e Nikoll Markut, për të cilën, në dokumentin e saj kanë nanshkru me gisht  njëmbëdhjetë deshmitar. Qeveritë Lokale të para Çlirimit dhe ma  pas, nuk i kanë ba regjistrimet serioze dhe të sakta, të atyne mikroarave, për të cilat sot ka shumë probleme. Bashkë me arat, ndaheshin edhe pyjet, ku përdoreshin për blegtorinë, sidomos dhitë, që rriteshin në atë zonë.      

Krejt fshati përbahej prej katër fiseve; Gjokëkolaj, Lalaj, Kolëgjokaj dhe Margjegjaj. Të gjithë ishin kushri, ose kumbarë me njani-tjetrin. Kumbara konsiderohej si vëllai, ishte i pranishëm në të gjitha gëzimet e shqetësimit, që kishin anasjelltas. Kumara i pagëzimit, do të interesohej për fëmijën që kishte mbajtë në Kishë, si të ishte fmija i tij. Ndërsa, për njerëzit brenda gjakut dihen detyrimet, në raste ku kërkohej ndihma e tyne, duhej të ishin të pranishëm me çka të mundnin. Harta e udhëve për në krahinat e tjera, tashma ishte mësu nga të gjithë banorët e rritun, mbi 17 vjeç, mosha që të cilësonte i rritur e mund të mbaje armë. 

Pamje e një pjese të Mollës së Kuqe

Kulla ku kam lindur unë, pothuajse e shkatërruar.

Duke ngjitur shkallët vëllai im, i ndjeri Tonin Jaku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *