E fshehta: Koncepti i së përjetshmes në poezinë “ Ëndërrimet” e Naim Frashërit

Blerina Harizaj (Tiranë)

 

Çështja që ka të bëjë me të fshehtën, si koncept në poezinë “ Tahajjulat” të Naimit, duke u nisur nga fakti që universi në tërësi për poetin tonë, shfaqet si një mister në kohë dhe hapësirë. Gjithçka në natyrë që e habit dhe e mrekullon është një e fshehtë për poetin, dhe përpjekjet e kërkimet e tij për të zbuluar atë janë të parreshtura.

 

Natë e qetë, hëna e bukur plot me dritë

Fllad i ëmbël, toka e hapur ka stolitë

 

Zogu i mendjes, po më sulet drejt nga qielli

N ‘ hapësirat plot me afsh e dritë dielli

 

Kjo natyrë dhe ky det, burim i jetës

Këto ligje, këto pamje të së fshehtës

 

Poeti ynë, përsiatjet e veta për të zbuluar të fshehtën i nis nga qielli, dhe si kohë të përshtatshme, ai sheh mesnatën dhe  mëngjesin, nga ku merr hov udhëtimi i tij meditativ (shpirtëror), drejt shtigjeve të së panjohurës. Ai i lutet zogut të mendjes (mendimeve) që të sulet drejt qiellit për të zbuluar misterin e natyrës. Fuqia e mendjes në procesin e njohjes së botës, natyrës apo atë hyjnore, njihet që në antikitet, ku më vonë e huazon edhe filozofia e mesjetës. Le të përmendim Platonin, dhe pikërisht te Fedri,  i cili i vë krahët shpirtit( mendja ose arsyeja), që më lehtë t’u afrohet ideve të tij, që gjenden në qiell. Apo edhe filozofi, Xhon Loku, ku theksonte se njohja e Zotit dhe e botës del nga vetë natyra e arsyes njerëzore.Duket qartë që Naimi del si ithtar i kësaj filozofie, dhe pikërisht në momentin që ai i kërkon ndihmë mendjes, në përpjekjen e tij për të gjetur të vërtetën, sepse e fshehta për poetin është e vërteta dhe thelbi i gjithçkaje në univers.Shohim se ai i drejtohet qiellit (hapësirës me afsh dhe me dritë dielli), i cili e sheh si hapësira, ku është vendosur Zoti( hidh një sy nga qielli lart që të gjesh fron e madhështisë së llagartë), si një hapësirë që është universale, e përjetshme dhe e pandryshueshme, por reflektohet edhe si imazh i përsosmërisë hyjnore.Një arsye tjetër që shpjegon faktin se përse Naimi i drejtohet qiellit për të zbuluar aty, thelbin  e botës, ka të bëjë me ndikimin që poetët sufitë persianë kanë

patur në poezinë e tij, dhe pikërisht në përshkrimet që sillnin dalldisjen e tyre për t’u ngjitur lart në qiell, ku si model është marrë ngjitja e profetit Muhamed, në qiell një natë prej xhamisë së shenjtë në një xhami tjetër. Ky motiv kuranor është përpunuar nga tradita poetike persiane. Madje dhe frekuentimi i dukurive kozmike nga ana e poetit shpjegon ndikimin e poezisë persiane, dukuri të cilat janë evidente te kjo poezi. Ezoterikja gjithmonë e ka tërhequr poetin, i cili me magjinë e fjalës, kërkon të futet në skutat më të errëta të botës, madje të shkrihet në njësinë harmonike të saj, të zhduket në të fshehtën dhe të bëhet njësh me të vërtetën hyjnore. Kjo zhdukje ekzistenciale, në një shenjtërim shpirtëror të poetit e ka burimin nga sufizmi, i cili përsosmërinë shpirtërore të njeriut ata e shihnin vetëm te unifikimi i tyre me Zotin dhe te braktisja përfundimisht  i gjërave materiale të kësaj bote. Por për poetin ndodh ndryshe, shkrirja në njësinë harmonike të natyrës sjell dhe njohjen e së fshehtës, të së vërtetës(se çdo të bëhem pas kësaj më s’di ç’të them, pas kësaj ah s’do të jem…), d.m.th tretjen në Zotin, ku sipas, të cilit nuk është e prirur të kapet prej mendjes së hallakatur, e cila gjithnjë e më shumë e fut në dyshime atë, për mundësitë e saj të pakta në njohjen e së fshehtës së universit. Poeti arrin në përfundimin se edhe me anë të të filozofuarit, nuk mund të arrihet në njohjen e së vërtetës, duke vënë në pikpyetje edhe rolin e filozofisë në gjetjen e atyre rrugëve që të mundësojnë në arritjen e saj. Në një kuptim figurativ, këtë e  shohim në poezinë e Mevlana Rumiut si edhe te njohësit persianë përgjithësisht. Mevlana Rumiu akuzon filozofët, kur thotë:

Këmbët e filozofëve prej druri janë

Dhe këmba e drurit e paqëndrueshme është

Prandaj, poeti duke parë pamundësitë njohëse të mendjes, si e paaftë në perceptimin e së fshehtës dhe duke mos besuar më në fjalët boshe dhe në të filozofuarit, pasi ky i fundit errëson njohjen e së vërtetës, shprehet: “Thelbin tënd s’e di njeriu moj natyrë, edhe pse thellë kësaj fushe i ka hyrë”. Poeti sheh zemrën, si të vetmen rrugë që njeriu të arrijë në njohjen e së vërtetës, e cila kjo e fshehtë absorbohet nga kristalizimi e zemrës, pastrimi i saj nga të këqijat, dhe vetëm në këto kushte vetëpastrimi, ndërluftimi me të keqen, ai mund të zbulojë esencën e universit.

Të lexoj “ Fytyrën” e Zotit ke aty

                Dhe selinë të zbulojnë këta sy

Shprehja që përdor poeti në këtë varg, “fytyrën e Zotit ke aty”, është pjesë e një ajeti kur’anor dhe ka kuptimin që kudo që vështroni( universin) do të shihni aftësinë e Zotit e madhështinë e Tij. Thelbi është se poeti, me fjalët “gjersa sytë e mi të zbulojnë selinë e Tij”, nuk ka kuptimin e njohjes filozofike. Ai ka parasysh mbërritjen në përsosmëri e njohje: në atë njohje që e dëshiron qenia e tij dhe në fuqizimin e forcës së dritës së tij; të shohë madhështinë e krijuesit në zemrën e tij.Njohja e së fshehtës është njohja e së përjetshmes, hyjnores, largimi nga kjo jetë(botë) dhe bashkimi( fuzioni) me Zotin, kthimi te origjina e tij. Dhe kjo finalizohet përmes këtyre strofave: “Shpirti im-o hapi krahët përsëri Lart në qiejtë, drejt nga Zoti sulu ti”.

Bashkimi me Zotin është për poetin çasti më i bukur që reflekton atë tendosje dhe qetësi shpirtërore që është atribut vetëm i mëshirës së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *