(Koha moderne ka gjuhën e vet muzikore)
Në qytetet e vogla shohim shpesh spektakle të tipit oriental. Shfaqje publike, kinse artistike, si një reminishencë e viteve ’60-’70 të shekullit të shkuar, kur folku shqiptar njohu kulmin e tij në të gjitha krahinat e vendit dhe festivalet u kthyen në një ritual kombëtar. Folku është i pranueshëm po të përdoret me vend e për nevoja të turizmit, por jo sa herë në sheshet e qyteteve tona ka ngjarje, sidomos me të huaj, ku kërcet “dyzeni” që në orët e para të mëngjesit, si atëherë kur nga qendra e zërit nisnin aksionet për hapjen e kanaleve e korrjen e mistrit. Duket sikur në këtë anë koha ka ngecur atje, në “folklorizmin” e hareshëm masiv. Ndërkohë që në qendrat urbane në provincë koncerte me muzikë klasike apo moderne jepen vetëm kur vjen ndonjë grup nga Tirana, Shkodra, Korça etj. Ka mangësi formimi dhe kultivimi muzikor, në orët e muzikës në shkollat e zonave rroftë magnetofoni, ashtu si në orët e edukimit fizik, që si shpëtim është gjetur topi i futbollit. Nuk mësohet solfezhi në klasë, nuk ftohen kompozitorët të flasin për prirjet dhe rrymat e reja muzikore etj. Qendrat e ndryshme kulturore janë të vakëta dhe përgjithësisht pa specialistë të muzikës, koreografisë, skenografisë, regjisë etj. Natyrisht që autori i këtyrë radhëve ka vlerësimin më të lartë për folkun shqiptar, bardët e tij të mëdhenj ndër shekujt, qysh nga Eposi i Kreshnikëve, visarin kulturologjik të shpalosur në kalanë e Gjirokastrës për vite e vite, e gjer në Dizhon të Francës duke rrëmbyer trofeun e tij në ’70-n etj. Por tjetër është miniera e trashëgimisë sonë popullore dhe tjetër ngecja të “dyzeni” i gjyshit sot. Ngjet ndonjëherë që sheshet festive të qyteteve i ngjajnë një furgoni të stërmadh që të mbyt me muzikë turbofolk e tallava. Si të mos mjaftonin dasmat zhurmuese gjatë verës, kur duhet të mbyllësh dyert e dritaret për të mos u shurdhuar nga muzika konglomerat në kupë të qiellit. Dhe jemi përshtatur me këtë “kulturë masive” jo pak vulgare. Edhe kur hapen fushatat elektorale, edhe kur venë mes popullit liderët politikë, sajdisen me spektakle popullore në rrugë e sheshe njëlloj si në kohën kur këndohej: “Dilni se erdhi Enveri”. Mirë që puna nuk ka shkuar deri aty sa të prisnim me aheng Tirane dhe zotin Fyle, të mërkurën në takimin e radhës lidhur me statusin e vendit kandidat për në BE.
Natyrisht jo të gjithë mund të jenë të një mendimi përsa po themi, ama një gjë nuk mund të mohohet, që ne nuk po dëshmojmë kulturë europiane në shpalimin muzikor publik. Dhe ato pjano, fisarmonika, kitara që ishin në pallatet e kulturës së qyteteve kanë dalë jashtë përdorimit, kanë mbetur vetëm një dorë çiftelish të ronitura. Në Tiranë, apo Shkodër, është kënaqësi kur në urbanin ku ti udhëton, hipin e zbresin nxënës me violinat në këllef që venë në koncerte, kurse muzike, studio televizive etj. Por pak e has këtë dukuri në rrethe. Në Fushë-Arrës zhvillohet prej 11 vitesh festivali mbarëkombëtar i interpretuesve të rinj të folkut, për ta mbajtur gjallë në breznitë e reja interprerimin në veglat popullore, që meriton të përgëzohet dhe për faktin se për tre ditë i jep kuptim një qyteze të largët me vlera turistike, veçse në të ardhmen ky festival mund të fitonte tone dhe më profesioniste në përgatitjen e talenteve konkuruese të Shqipërisë, Kosovës etj. Gjithsesi fjala në këto radhë është më shumë për ato qendra kulturore modeste, që në mungesë të profesionistëve të muzikës dhe të artistëve të mirëfilltë interpretues, improvizojnë koncerte gjysmërapsodike, apo hanë “dhjamin” e vjetër të viteve të shkuara, shpesh duke u bërë bajat para publikut më të njëjtat këngë sot e mot. Vërtet e duam lahutën, sharkinë e çiftelinë, fyellin e pipzën, por koha moderne ka gjuhën e vet muzikore. Thënë ndryshe, ka dhe një anë negative kjo puna e çiftelisë së shumëdashur, ajo sikur ka eklipsuar (në trevat ku bie) veglat e tjera të muzikës bashkëkohore. Është mirë kur shohim formacione të rinjsh që e kanë përzemër këtë vegël, në festivalet e interpretuesve të rinj, por mbetja vetëm aty është një prirje “rurale”. Kemi pak nxënës të shkollave në këto anë që mësojnë t’i bien violinës, pjanos, kitarës, kontrabasit, violinçelit etj. Ky është njëlloj ngerçi muzikor që organet arsimore, kulturore dhe specialistët lypet ta kapërcejnë. Mbajtja gjallë e traditës është një anë, kurse ushtrimi në muzikën moderne është një tjetër. Kemi bërë hapa prapa më duket. Në vitet ’70 kishte kurse muzike, ku nxënësit mësonin gjithë llojet e veglave muzikore, pasi në qytete kishte muzikantë profesionistë që kishin kryer licetë artistikë dhe Akademinë e Arteve. Nganjëherë nga vendorët shfaqje të tilla të “gatshme” prej tridhjetë vitesh gjenden si rruga më e lehtë, ani se të rinjtë, thënë shqeto, nuk është se e pëlqejnë dhe aq këtë gjë. Ata janë të dhënë pas ritmeve muzikore moderne dhe jo pas kinse shfaqje që nuk sjellin asgjë të re, veçse ripërtypin të njëjtat motive popullore. Natyrisht ata dinë të çmojnë këngët qytetare me frymë popullore që këndohen nga artistë të lindur, si Shkurte Fejza, Merita Halili, Artiola Toska, Bujar Qamili, Eli Fara etj; ashtu si artistë të rinj të talentuar i kanë bërë vend folkut deri në muzikën e xhazit.
Shpalimi i koloritit popullor, muzikor, kostumografik është i mirëpritur në ditët e shënuara të motmotit, siç ka qenë traditë, bie fjala, Elbasanit i ka hije veshja tradicionale e krahinës në Ditën e Verës, kur të ardhurve për festë iu serviren ballokumet i shijshme; Malësisë së Madhe kur organizon në Alpe “Logun e Bjeshkës” dhe vashat ngjajnë me orët e zanat e malit; Dropullit në kremtimet e ndryshme karakteristike të zonës. Veshja e vet, meloditë e veta atentike, i kanë hije Korçës, Mirditës, Ulqinit, Tetovës, Gjakovës, Janinës etj., në ditët me shenj, ku popullorja ndihet në vendin dhe në kohën e duhur e jo duke krijuar dekor festiv fals pa vend. Përndryshe, edhe në ditët e karnavaleve mund të përdorën kostumet dhe veglat e muzikës popullore!?
Ja, ky është një rast për t’u kujtuar për civilizimin tonë dhe për të ikur nga shpërdorimi i traditës e improvizimi, ndonjëherë dhe në media. Është koha për t’u tërhequr jo-zanatlinjtë dhe për t’ua lënë vendin mjeshtërve. Kujtoni paksa odat e burrave në malësitë tona në ditët e dasmave, kur çiftelinë në dorë e merrte vetëm ai që dinte me ia luajt gishtat. As regjisori më i madh nuk do të kryente më mirë përzgjedhjen që bëhej në këto raste nga vetë bardët. Pa folur pastaj për ritualin e jashtëzakonshëm të këngëve të vajit, me një traditë qysh antike. Njerëzit e dinin gjithnjë rendin e fjalës, të këngës dhe jo si sot, hajde të dalim në shesh me kostume popullore… e dixhej që na furnizon me muzikë elektronike (!) Nuk na lejohet ta shpërdorojmë këtë pasuri që na e kanë lënë të parët, me që kemi shpërdoruar shumë vlera të tjera, si fjalën në Parlament e gjithandej, po vrasim natyrën dhe mjedisin me duart tona, po na shkatërrohen kalatë dhe kullat monumente ditën për diell. Të shpëtojmë të paktën, këtë shpirtëroren, pa e përdhosur. Se po kultivojmë te fëmijët dhe të rinjtë një shije vulgare. Dikur të huajt që vinin ishin albanologë të shquar dhe iu rregjistronin lahutarëve të Malësive jo vetëm fjalët e këngëve epike, por dhe lëvizjet e buzëve gjatë interpretimit, kurse tani ata të huaj që vijnë si turistë ka rrezik të ikin me përshtypjen se ky vend për traditë ka patur këtë folkun e rremë të sotëm. Ende ka studiues këtu dhe në Kosovë që rendin pas “fosileve” muzikore të shekujve, një lloj arkeologjie e admirueshme e fjalëve, lëvizjeve, tingujve e ritmeve, por kush me mirë se ata dhe pedagogët e fushës duhet t’u thonë amatorëve e menaxherëve të sotëm kulturorë se nuk e keni mirë këtë shfytyrim të folkut, duke regjistruar e leçitur këngë popullore çdo kthinë që e quan vetën studio muzikore. Liçensat këtu duhen dhënë me kritere më të rrepta se për ndërtuesit e pallateve shumëkatshe, noterët, avokatët, auditët etj. Mbase antropologët social-kulturorë duhet të na thonë se cili është modeli kulturor që mbizotërn sot në Shqipëri, nga spektaklet e mëdha televizive, te koncertet e 1 Qershorit të shkollave, ato të qendrave kulturore të bashkive, shoqatave artistike, grupeve muzikore etj.