ZËRI I KRIJUESVE SHQIPTARË, NË MALIN E ZI

(Veprimtari përuruese,  në Bibliotekën Kombëtare)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Tashmë, është e njohur se Bashkësia Shqiptare në Republikën e Malit të Zi është mjaft aktive dhe zhvillon një jetë të pasur e të gjallë arsimore, kulturore e shkencore etj., duke ruajtur e zhvilluar më tej traditat atdhetare e liridashëse, si dhe në fushat, që përmendëm më lart. Janë të shumtë shkrimtarët e poetët, studiuesit e publicistët, të cilët gjurmojnë e mbledhin pasuritë shpirtërore të popullit tonë. Me përkushtim e pasion, ata ulen e shkruajnë tema studimore dhe i paraqesin në veprimtari të ndryshme, ato i publikojnë në gazeta e revista që kanë çelur, por dhe në libra të veçantë.

Edhe nëqoftëse na kërkohet një gjë e tillë këtu, është e pamundur t’i përmendim të gjithë këta autorë, por as drejtuesit e gazetave e revistave të Bashkësisë Shqiptare të asaj treve. Megjithatë, ishte rast i veçantë dhe, ndoshta, shumë i rrallë, që disa prej tyre erdhën sot në kryeqytetin tonë. Nismëtarë ishin Biblioteka Kombëtare e Tiranës, Akademia e Arteve dheShkencave të Shqipërisë (ASHASH), në bashkëpunim me Bashkimin e Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi. Pra, me këtë rast, u organizua një veprimtari përuruese, për revistat dhe botimet kulturore-shkencore, të shqiptarëve në Malin e Zi.

Në sallën e leksioneve të Bibliotekës Kombëtare ishin të pranishëm: shkrimtarë, poetë e publicistë, mësues veteranë, studiues e botues dhe bibliotekare, nga organizatat shoqërore dhe fusha të ndyshme të jetës, në kryeqytet e në Shqipëri, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e të ftuar tjerë.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Prof. A.Plasari. Ai ua uroi mirëserdhjen botuesve shqiptarë, nga Mali i Zi dhe nënvizoi se veprimtari të tilla, me bashkëkombësit tanë, i shërbejnë afrimit tonë të mëtejshëm, shpirtëror e kulturor. Pastaj foli kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Shqipërisë, prof.M.Spiro. Me interes u ndoq përshëndetja e dr.Gani Karamangës, në emër të Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë, në trevat e Malit të Zi dhe e prof. E.Lafes, në emër të organizatorëve të kësaj veprimtarie përuruese.

Pastaj, të pranishmit patën kënaqësinë të dëgjonin për punët e bëra dhe historikun e revistave, që publikohen nga krijuesit shqiptarë atje. Kështu, për redaksinë e revistës “Buzuku”, foli dr.Simë Dobreci; për Qendrën Kulturore të Ulqinit dhe revistën “Lemba”, dr. Nail Draga dhe për bibliotekën e këtij qyteti, Ardita Rama. Në vazhdim, të pranishmit ndoqën informacionin e paraqitur nga Ali Salaj, për“Art-Klubin” në Ulqin e gazetën “Koha javore” dhe Gazmend Çitaku, për revistën “Dija”, organ i krijuesve shqiptarë në Malin e Zi. Në pamundësi ardhjeje, u lexuan të dhënat e dërguara nga Nikë Gashaj, kryeredaktor i revistës së njohur kulturore, shkencore e shoqërore,“Malësia”.

Pjesëmarrësit në këtë veprimtari mbresëlënëse vizituan një ekspozitë, që ishte çelur në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, me revista e botime tjera të autorëve shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në Malin e Zi ose e kanë origjinën nga ato vise.

Mendimi i përgjithshëm ishte se kjo veprimtari e parë, që u organizua në Tiranë, është mirë të pasohet me të tjera, në të ardhmen dhe në mënyrë të ndërsjelltë. Është e udhës që edhe organet e larta shtetërore përgjegjëse t’i vlerësojnë më shumë ato, jo si në rastin e sotëm. Në këtë mënyrë, do t’i shërbejmë më mirë edhe njohjes nga afër të krijuesve e botuesve tanë, që jetojnë, punojnë e botojnë jashtë kufinjëve të Republikës së Shqipërisë. Sigurisht, me bashkimin tonë shpirtëror, arsimor e kulturor etj., do të arrijmë në integrimin e plotë të shqiptarëve, në Europën e Bashkuar.

Tiranë, 8 prill 2014

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *