Kush nuk ka qenë në Korenë e Veriut, e ka të vështirë të kuptojë se cila është jeta në një nga vendet më të izoluara në botë. Varfëria dhe ligjet që parandalojnë lirinë, krijojnë robotë nga njerëzit të cilët jetojnë vetëm për t’ju nënshtruar regjimit. Yeonmi Park ia doli të ikën nga atje dhe të fillojë një jetë normale.
“Jam rritur me besimin se Kim Il Jong është Zot, se ai mund të lexojë mendjet tona. Nga lindja jemi mësuar për ta adhuruar”, thotë ajo. “Askush nuk ankohej për asgjë që ai nuk lejonte. Duhej të ishim të kujdesshëm për gjërat që flasim, sepse spiunët ishin kudo”.
Ajo shpjegon se familja e saj nuk ishte e varfër si shumica, meqë babai i saj ka punuar për qeverinë. Megjithatë, thotë se hanin ushqim bajat dhe se kudo ecnin këmbë, sepse nuk mund të kishin veturë.
Ditët gri të jetës së saj u bënë tërësisht të zeza kur babai u arrestua gjoja për krim dhe u dënua me tri vjet burg. Siç është praktikë në Korenë e Veriut, familja e dënuarve dërgohet në kamp. Kështu, ajo dhe nëna e saj përfunduan në një kamp pranë kufirit me Kinën, raporton Independent, transmeton Telegrafi.
“Babai im u lirua nga burgu sepse ishte i sëmurë nga kanceri. Pastaj kemi vendosur të ikim në Kinë. Kemi kaluar lumin e ngrirë në dimër. Isha e frikësuar, sepse kur vërejnë se dikush po ikën, ata menjëherë fillojnë të shtënat”.
Ajo ishte 15 vjeçe atëherë dhe shumicën e kohës e kalonte e mbyllur në dhomë. Arsyeja është sepse nuk dinte kinezisht, e nëse zbulohej se ka ikur nga Koreja e Veriut, tërë familja do të ktheje prapa. “Babai vdiq shpejt pasi arritëm në Kinë. Pas një kohë takuam misionarë nga Koreja e Jugut të cilët na kanë thënë se mund të vijmë e të jemi të lirë”, thotë Park.
“ E kuptova se çdo gjë që besoja ishte gënjeshtër. Nuk isha person që mendoj, por e krijuar për regjim, që të shërbeja e të punoja për të. Sipas nevojës, duhej edhe të vdisja. Nuk isha qenie njerëzore. Nuk dija asgjë për lirinë. Më janë dashur tri vite që ta kthjelli kokën”, thotë Yeonmi e cila tashti është studente në Korenë e Jugut. “Në Korenë e Veriut fati im ishte i përcaktuar. Tash unë zotëroj jetën time”.
(e.m/tg/BalkanWeb)