Prag vere. Mëngjes. Moti ka filluar të ngrohë. Rikthim i natyrës në jetë: thonë librat e shenjtë. Elbasani i luleve. Ato kanë filluar të çelin në oborrin e shtëpisë dhe të kujtojnë pafajësinë, bukurinë që na rrethon. Botën. Shpresën e re. Po lind edhe për ne krijesat e lënduara nga “çlirimtarët”. I lutemi Perëndisë me tërë shpirt ta hedhim pas të keqen. Ka gjithmonë një rreze drite edhe gjatë dimrit më të errët të jetës.
– U bënë dy javë.
Nëna mbledh bukën me gazetë. Ajo krijon hartë vaji. Vezë e fërgur.
– Jepja të voglit.
Babai u nis të kapë autobusin. Për Cerrik.
Në shkollë ishte mbajtur një mbledhje urgjente. Thellimi i luftës së klasave. Syri i mprehtë i “pushtetit” të punëtorëve dhe fshatarëve kishte zënë mësuesen e klasës së parë fillore.
– Suzana ka ardhur një kërkesë nga Komiteti i Partisë për t’iu pushuar nga puna.
Shupeja, sekretari i partisë, buzëqeshi. I kënaqur. Vendin do ta zinte e motra.
– Ç’kam bërë?
Nëna e tronditur mblodhi gjërat mbi tryezë. Ditarin, abetaren… Duart i dridheshin. Nuk hapte dot zinxhirin e çantës të dalëboje.
– Burokracia.
Zëri u ashpërsua. Urdhërues. Mësuesi më i paaftë i shkollës. E kishin zgjedhur në parti për punë të liga.
– Përse… jam… vij nga larg… pa gdhirë në Cerrik dhe kthehem… Ngryset… në shtëpi.
Zëri iu drodh. Në korridor u duk Shpresa. E kishte klasën ngjitur me nënën.
– Je sëmurë Suzana?
– Po, nuk ndjehem mirë.
Shpresa, pozitive, e virtytshme, puritane, e shoqëroi jashtë shkollës.
Në mesditë troket me forcë dera e kopshtit.
– Suzana, Suzana! Jam Shpresa!
Nëna na vështron me sytë e skuqur. Nesër nis java e tretë. E papunë. Nga dera e vogël hyn Shpresa Bulçari. Shoqe e afërt. Në kohë të rëndë. Antinjeriu.
– Ruan virtyte të larta. Siç ka emrin është. E besës, bamirëse, këmbëngulëse për të ndihmuar.- I thoshte nëna babait një ditë.
Me djalin e saj, Hasanin, jam mik. Shpresa përqafon nënën. Ashtu me duar të shtrënguara futen brenda.
– Erdha nga dera e kopshtit që të mos më shohin hafijet e lagjes.
– Të kanë parë. Por, çfarë t’më bëjnë tjetër? Ulu të pimë kafe.
– Ç’kafe më thua? Ëmbëlsirë moj!
Syskuqur nëna nxjerr nga bufeja pakon me llokume.
– Suzana, që ditën… nuk iu ndava vëllait të kunatës, Shyqeriut. Shoqen time do ta sjellësh i kërkoja. E prisja pa hyrë në zyrë.
Shyqeri Leka është njëri prej sekretarëve në Komitetin e Partisë.
– Sot në mëngjes më tha që të mos i dal më përpara se punën e kreu. Suzana do të vish prap në punë, motër. Bashkë.
E përqafon dhe të dyjave u lagen sytë.
Shpresa u largua e bardhë nga kjo jetë. Atje lart në qiell, pranë Krijuesit, na vështron e gëzuar, që në kohën e Neronit, kur errësira kishte mbuluar vendin, ajo solli dritë.
Ne foto: Shpresa dhe Hasani