Pak fjalë per librin poetik te Pjeter Jakut: “Të pakten, pak!”
NGA: RITA KALAJ SHKURTAJ
E privilegjuar si lexuese ta kisha në dorë këtë vellim poetic, në mënyre virtuale, i cili përligj më së miri titullin “Të pakten, pak”. Pak nga mundësitë e të paturit, shfletuarit dhe të shijuarit të kënaqësive që të ofrojnë këto poezi, në të cilat autori, veç mjeshtërisë së vargut në shtrirje, si një lumë fjalësh herë të qeta e plot nurë ndjenjash, mallë e magjepsje momentesh, e herë të ashpra e të vrullshme, duke hyrë e pershkuar kanjone frike, dhimbje e dëshpërimi pamundësishë, janë pa dyshim një pasqyre më vete e vetë realitetit social që na rrethon. Fjala në vargun poetik, është krejt e thjeshtë në të lexuar, por shumë domethënëse në të kuptuar, aq sa jo rrallë, duhej ta lexoje, ta rilexoje e pastaj ta përpunoje në mëndje, që ta gjykoje e vlersoje. Jam mahnitur gjatë gjithë leximit, pasi labirintet e fjalëve të rënditura nga autori dalin si oaze ngjyrash që nuk të lënë në batakun e habisë, apo të mërzitjes, por të pushtojnë për të kërkuar dhe gjetur veten në ato mendime, ndjenja e pasthirrma të shpirtit të autorit. E gjitha më ngjan me një revolucion ndjenjash, që marshojne pas penës së autorit, në kërkim të betejave, në luftë me veten dhe realitein, ideali i të cilit është dashnia për plotsi, për liri e për drejtësi ndaj dëshirave, veseve e, deri tek largpamsia dhe lëngimi ndaj nevojave të atdheut, bashkëkombasve dhe trojeve të t’parëve, të cilat keqmenaxhohen nga njerëz të vegjël, pa shpirt e dinjitet human. Në secilën prej poezive, autori është njekohsisht kallzuesi dhe kryefjala, që ia nxisin shpirtin të rend me vrap në errësira mendimesh, endrrash dhe shtigjeve të natës së pa hënë, si një maratonomak, që shperndan driten e të vërtetës, duke hyre nëpër dritehijet e kohës së pakohë, që mbollëm bashkarisht. “Të pakten,pak”, është një ëmbëlsirë pikante në duart e lexuesit, i cili gjatë shijimit do provoje frutin e kuq të qershisë, si simboli i jetës dhe dashurisë dhe piperin e zi, si simbol i herezisë shtypese të korrupsionit dhe padrejtesise së kohës. “Të pakten pak”, vjen në dorën e lexuesit si një pëndë e bardhë shpendi që na nxit ta mbajmë si suvenir personal me vlera kuptimplote pasi, siç thoshte i madhi William Hazlitt: “Poezia është gjuha universal, që zemra përdor me natyrën dhe veten”, të cilën autori Pjeter Jaku e ka shkri si valën mbi breg nga alfa te omega.
17 shtator 2021