
Një receptim modern e lirikës së Fishtës, në poezinë “Nji lule vjeshtet”.
Kjo ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’ atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem. Mbas mendimit tim Poeti në ketë karm – në ketë trajtë si paraqitet sot hartimi – nuk pat nji vehtje të caktueme. Ai ndoshta – shka ka të gjitha gjasët – së parit desht të shprehë ndiesit e dhimbjës për këtë apo atë vehtje të caktueme, por, në përshkrim të hartimit, erdh tue e çveshë prej çdo veçansije, e kështu e idealizoi aq sa, ai Shpirt i lum, për të cillin s’ ishte kenë toka por Qielli, i bahet qendër n’ atë ravë të thepisne, qi shekulli e nji dishir Lirijet ia kishin shtrue gjallimit të tij. N’atë vorr zemra do t’ i ndezej, si Lekës së Madh në vorr t’ Akilit, kah punët e mbara e kah burrnija, e prej, se kishte me shkepun hovin kah punët e mëdha. Engjulli i Zotit, qi brij vorrit do t’ i sillte fuqitë mizore, do t’ ishte njiheri edhe Zana frymzuese e Poetit. E atëherë, pa u frigue do të prehte zhgjetat e zjarrta, për t’ ia lëshue njerzimit kundër vesit, e do të ndertojë kangët kreshnike për t’ i diftue botës se shka vlejnë armët në dorë të Shqiptarit. Kështu, shohim se me kangë të veta do të ndertojë mbi atë vorr nji përmendore vertetë të madhnueshme, së cilës nuk do të kishte se shka me i ba rryma e moteve. Zanat do t’ ia rrethojshin vorrin me lule e do të rritshin për rreth selvija. Shtegtari i lodhun, ulë me pushue do t’ i uronte paqë e qetësi e do t’ u flitte për té të bijvet, qi kanë me nxjerrë kangë e me i gdhenun emnin mbi lisa, tue e ba kështu të pavdekëshme. At Viktor Volaj O.F.M. (1941)
***
N’ atë rrahe t’vdekunve mbrenda vorrit t’
errshem
Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errë,
Ku qiella prirej me sa hana e diella
Terthores s’ eper m’ sharte vrejnë t’ njerzimit!
T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai zâ t’ asht kputë, i cili bite n’ zemer
Si kumbë liret t’ tingllueshme, qi prej s’ largu
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e mësueme!
Ehu! Po; “vdekja, qi baras n’ derë t’ pallateve
Trokllon, si n’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera
T’ troklloi, e ti kalove, porsi vesa
E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë
bijtun
Hithat e madergona! Nji Kryq dëllijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë ta vu té kryet,
Nder to ka humb, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’ a zbutë, posë vajit t’ trishtueshem
Të hutit t’ natës, qi nëpër curra t’ malit
Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjëmue!…
Ai grumbull gurësh, qi n’ vorr t’ randon persipër,
Vetë gjaksorit t’ pashpirt, qi mbyti nieriun,
Lugat i duken, n’ hikje kah t’ bjen nget vorrit,
Edhe t’ përqethët atë
botë, i shkon n’per zemer.
Po,
a thue, krejt vdekja n’ asgjasend t’ përpini
E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhun,
Nuk t’ la tjeter? Jo! N’ prehen t’ Amëshuemit
Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue
Me gzue n’ dritë t’ qiejvet, ku pushon dëshiri
I njeriut t’ drejtë, si drita m’ sy të kthjellët.
Po, po, se pertej vorrin shpirti i njeriut
Gjallon perjetë! Ky mendim i ambel
Vdekjen e zbutë e vorrin ban t’ pelqyeshëm.
Kur zemren faji s’e grisë. Prej këtij mendimi
As vetë per ty s’ lotova shumë, kur ndjeva
Se vdiqe: Se n’ ma t’ miren lule t’ motit
E le ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta
E paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’ vese sod me dorë dhunuese
Vesin shinon me Theta
t’ zi, e selija
N’ rrashta t’ pergjakshme t’ njerzvet n’ kambë,
ku mbahet.
Ehu! Po, se Shpirti i yt, i kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kur bora dehet, s’ mujt me e bajtë qelbsinen
E randë t’ ktij sheklli t’ zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Ai qi rruzullimin
N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’ qerpikut:
Amshon n’ lumni shka Atij t’ i ket perngja.
S’ kjé toka, jo, per ty kjé qielli!
E tash, qi vetë jam tue ravisë këto karta,
Ti, kushedi, nëpër vërrije t’ amëshueme
Shkon tue kerkue per lila e drandofille,
Qi s’ dinë me u fishkë e ndreq me ta kunora,
Per me u lulzue; mandej, nder t’ zjarrtat valle,
Qi nëpër vërrije rrinë tue këndue t’ Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjëj,
Këndon Zotit lavde nëpër ylbera t’ qiellit;
A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit,
Porsi m’ pasqyrë t’ kulluet shqyrton shestimin
E rruzullimit, vu prej s’ eprës Mendje,
E cila n’ t’ kenun sendet thirri t’ tana
Prej hijeve t’ thellueme t’ asgjasendit,
kur bani Ajo furinë me heshtë t’ thellimit,
E me ‘i fuqi t’ pamatun prapi terrin
E pakthellimit, qi atje n’ t’ skajshmet megje
T’ këtij shekulli ndihet tmershem tue gjëmue,
Kah per ledhe plandoset t’ rruzullimit.
E aty, n’ atë dritë plot ambelsim dashunije,
Qi porsi lum‘ i kjartë prej Atit t’ Dritave
Gjithkah dikohet nëpër verë t’ Parrizit,
Shpirtnat e lum krejt n’ rreze tue përshi,
T’ kthiellta ti i prirë t’ vertetat, t’ cilat Hyji
Deshi t’ muzgëta njeriut me ia lanun t’ shkrueme
Nder fletë t’ hyjnueshme t’ t’ amëshuem Ungjillit.
Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,
E tjeter s’ ndihet, veçse rryma e përronit,
Qi përmallshem gurgullon nëpër rrâjë e curra,
Unë, lodhë mbi letra t’ t’ dijshemve t’ kahmotit,
Mbas t’ cilve fjalen rrij tue lëmue shqiptare,
Dal në dritare me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,
E këqyri hyjt, qi thue, se aq sy Zotit
Flakojnë mbi dhé – kushdi, per me felgrue
Nierin, qi egrue ma fort prej tmerrit t’ territ,
Perbluen punë t’ mbrapshta: – e atë botë mendoj per ty.
E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhëllue
Nji yll, aty selinë unë them me vete,
Ti do t’ a késh, e sytë m’ atë yll pa nda
I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emën
Unë t’ thrras atë botë nëper terr. Nji vaj bylbylit,
Qi permallshem nder gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zogjt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket
Se bisedoj me ty!.. Nuk vdiska i miri,
Jo kurr; e sidomos nja’, i cili nji zemer
E len mbrapa m’ e ankue. Prej vorrit t’ errët,
Gjumin e vdekjës ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambël edhe na nzitë kah punët e mbara,
E n’ mendjen tonë gjallon. – Kur Aleksandri
Prej Bregut t’ Matës ngallnjyes u kap kè vorri,
Ku shuen idhnimi i Prijsit t’ Mirmidonëve,
Qi atje nën Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.
Mbi atë vorr, po, u betue me ngulë flamurin
N’ skaj t’ dheut, e prej selisë me i zdrypë mbretnit;
E atëherë perpara tij tanë bota shuejti.
Mue edhè, qi shekulli e nji dëshirë Lirie
T’ thepisun raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po edhe zemra mbi vorr tand t’ pervujtun
M’ ndizet kah punët e mbara e kah burrnia.
Permbi vorr t’ and, po, nxâ të fortë me e
mbajtun
Besen e dhanun – e miqesin e zanë;
Per Fé e per Atme n’ ballë me i dalë rrezikut:
Të ligështit doren me ia ngjitë e t’ fortin
Mos me e gledhue; kur t’ jet me u thanë e
drejta.
Mos me i shmangë sytë prej cakut, n’ t’ cilin mendja
Dishron me u kapë, as kurrë mos me u ligshtue
Nder sa t’ vishtira, qi t’ na sjellin motet.
Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun
Hovin kah punët e mëdha. Ai Kryq dëllijet,
Mneren e vorrit qi ta zbutë, Ai qanderr
Ka me m’ kenë nder salvime; Engjëlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqit t’i pruen mizore,
Gjumin e vdekjës në vorr mos me t’ turbullue,
Dér qi të shkimen n’ qiellë e hana e dielli
E t’ ngele moti e shekulli mbarë t’ rroposet,
E t’ vijë dita e gjyqit t’ rruzullimit,
Ai ka per t’ m’ kenë Zana. E atëherë, pa u tutë
Zgjetat e mprehta e t’ zjarrta kam me i mprehë,
Qi kundra vesit do t’ ia lëshoj njerëzimit:
Atëherë unë kangët kam me i ndertue kreshnike,
Me t’ cilat botës unë do t’ ia la të shkrueme
Se shka vlejnë armët besnike n’ dorë t’ Shqiptarit.
E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshëm
N’ vorr tand kam per t’ ndertue, të cilin moti
Me fletë të ngrita kot ka per ta rrahë;
Pse, si curr, qi n’ mes t’ detit rreh tallazi,
Edhe ai ashtu do t’ mbesë nder gjire t’ motit
Qi bumbullojnë mbi faqe t’ rruzullimit.
E atëherë prej bjeshkve kanë me u djergun
Zanat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’ vallue, e kanë me rritë
Me shumë kujdes per qark selvia t’ blerta;
E shtegtarit mundqar, qi n’ ato hije
Ka me zanë vend, me ndalë pak gja t’ dihamet.
Kanë me kallzue se sa pjesë qielli vrâni
Vdekja n’ atë vorr. E atë botë i largët shtegtari
Të lehtë dhéun ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta
Shinat e boren: e, kur n’ male t’ veta
T’ dredhojë ké stani, fëmijës ka me i kallzue
Shka ndjeu per ty. E fëmija e tij asobote
Emnin tand kanë per t’ këndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambël prej emnit tand kanë me jehue.
Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’ njohtne veç e prej barijve:
Kanë me u rritë lisat, perse sopata as rêja
S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emen:
E tue u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kështu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetëve
Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni,
Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.
1909.
Fishta njihet si poeti më i lexuar dhe më i komentuar deri tani. Pothuasje e gjitha kritika e ka rrokur aq përimtësisht veprën e tij , për gati një shekull, (gati katër breza lexuesish), duke e shkoqitur deri në genin e tij mëpërtej Atit të Dheut, të Hyjit, dhe Poetit gjenial, dhe i gjithë universi letrar fishtian, shpaloi gjenezën e kombit shqiptar, duke zhveshur të gjitha lëkurët, që nga thellësitë e paganizmit, tek moderniteti, me paradigmën e tij letrare: Atme e Fè. T’i qasesh Fisht-ës në mënyrë moderne, është një sfidë letrare, sepse arti dhe vepra, kanë tejkaluar kohën, duke u universializuar. Por, do të sprovoj veten time. Qasja ndryshe ndaj poezisë “Nji lule vjeshtet” e Fishtës, padyshim është një ndër më të diskutuarat, përmes thënieve dhe kundërthënieve, por e vërteta e pamohueshme, se kjo poezi është poezia më lirike e poetit të madh. Dialogu elegjaik i autorit mes vdekjes dhe pasvdekjes, ndoshta e ka fillesën që nga Egjipti i lashtë me “libri i të vdekurve” të (Azem Qazimi-t), ku tipologjia e lirizmit fishtian, ligjërimi i brendshëm nëpërmjet diskursit të gjuhës, larg mitizimit të atdheut, ky tekst përshkruan:
- ndjenjën e mallit dhe dhembjes,
- ndjenjën e mërzisë së thellë,
- humbjen e bukurisë (si lule vjeshte), që sipas studiuesit (Aurel Plasari), ka një ravgim për
një femër të humbur, “si ligjërim dialogues dhe monologues, për të dashurën e humbur që nuk kthehet më”, por përfaqësia e tij fetare, na diaologon me një marrëdhënie metafizike me vdekjen , ku shenjon:
- shenjat tekstore të objektives dhe subjektives,
- tipose të lirikës personale dhe autoriale,
- dëshmia letrare mes fizikes dhe metafizikes, që edhe sikur “të mos e kishte pengue, zhguni
i fratit, Fishta shumë-shumë do të kishte ndërrue objekt… por kurrë qëndrimin e vet subjektiv”, shkruan në vitet ’30, (Mark Ndoja). Figuracioni dhe stili shpalojnë një topos tematik, se vetë poezia është një përsiatje për të bukurën, vdekjen, mallin, mungesën, për moralin dhe përjetësinë, për artin e fjalës dhe (për)jetësimin e vdekjes , për të arritur pavdeksinë, (nëpërmjet testamentit letrar) se lidhja me unin poetik, është simboli i qenies së dashur, bëhet e amëshueme, duke qartësuar më shumë simbolikën e lirikës, si shkak dhe qëllim, se “lirika”, në një pikëpamje është biseda e poetit me pasvdekjen”, për prof. (Ali Xhiku-n), jo vetëm rrafshina mes dy botëve po edhe monologu dhe dialogu, vertikaliteti dhe horizontaliteti në hapsirën boshe të varrit, tingëllon si një thirrmë: n’ atë rrahe t’vdekunve mbrenda vorrit t’ errshem/Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errë,/Ku qiella prirej me sa hana e diella/Terthores s’ eper m’ sharte vrejnë t’ njerzimit!/T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti, kacafytja mes madhështisë dhe përjetësisë, jetës kalimtare dhe vdekjes absolute, përmes alter egos, duke kaluar shkallët e për(tej)jetës , sipas kritikut (Sabri Hamiti) “lufta kundër harrimit, kundër kalueshmërisë”, është fuqia e emocionit të veçantë që përçon kjo lirikë e fishtës, si më të mirat dhe më të fuqishmet e letërsisë tonë shqipe. Për (At Viktor Volaj-n), “asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’ atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem”. Nëse duhet të nisemi për (mos)përcaktesën që shkruan Volaj, se subjekti është i pacaktuar duhet fuqia e emocionit të veçantë që përçon kjo lirikë, si më të mirat dhe më e fuqishme e letërsisë tonë shqipe, duket si një “ngatërresë” apo “hutim” i kritikëve, se vargjet: e vorrit nuk t’ a zbutë, posë vajit t’ trishtueshem/Të hutit t’ natës, qi nëpër curra t’ malit/Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjëmue!…, nuk e zvogëlojnë dhimbjen për dikë, duke qartësuar subjektivitetin dhe forcën e tropeve gjuhësore, që nëpërmjet gjallërisë së figurave, aftësia e vetëdijes shkruese, në mënyrë specifike, mvishet me përceptim ndiesor dhe shqisor. Nocionet “figura” dhe “simbole” , në kontekste të ndryshme kanë një lakore brenda lëvizjeve brendatekstore por jashtëtekstore, lëvizjet e figurave lart-poshtë dhe brenda-jashtë, “simboli është gjithashtu edhe nga sinominet e “fesë” – simboli i besimit”, për (Wellek dhe Waren), është një analogji me shenjës dhe asaj çka shenjohet prej saj, si një mënyrë shprehje me shenja të caktuara, kur simbolet fetare mbeten në lidhje të brenshme, midis “shenjës” dhe objektit të “shënjuar”siç janë : varri, vdekja, jeta, amëshimi etj., aftësia e Fishtës sipas (Giuseppe Gradilone-s) “ për të asimiluar më shnumë së jashtmi sesa së brendshmi” .
- Diskuri biblik, si shenjë e një “simbolizmi të pastër”, vjen nga nocioni “diskurs” (nga
lat. discursus) e ka kuptimin e endjes, bredhjes, shpërndarjes, sipas (Mikel Ndrec-ës), “ky nocion konceptohet si bisedë, apo si shkoqitje logjike”, por shenjat e “diskursit biblik” për kritikun (Ndue Ukaj-n), është qartësisht e dallueshme simbolikat fetare, figurat ndiesore të formuluara dhe të zhvendosura në një sitë të caktuar shenjash dhe figurash, që qëndrojnë si një raalitet trashedental mes rrafshit moral dhe filozofik, ashtu si edhe “diskursi personal” duke ruajtur shenjat e psalmeve, nëpërmjet vargjeve: ai Kryq dëllijet,/Mneren e vorrit qi ta zbutë, Ai qanderr/Ka me m’ kenë nder salvime; Engjëlli i Zotit . Interpretimi letrar në letërsinë shqipe ka shenja të elementeve të diskursit biblik, që ndërlidhin sistemet e veçanta të interkomunikimi, jo vetëm si situata të veçanta shkrimore të letraritetit, por edhe si mënyrë e ndërtimit dhe ligjërimit letrar, sipas (Roland Barthes) “teksti është një endje citimesh që vijnë nga mijëra kultura”. Kur studiuesi (Stefan Çapaliku) shtron për diskutim frymëzimin kristian në letërsinë shqipe, frymëzimi që ndërlidhet me kodet biblike, është përqasja jo vetëm e ndërtekstorisë biblike, por edhe të një lloji poezie varrezash, sipas (Jolanda Kodrë-s), “Nji lule Vjeshtet, kjo kangë tejet e gjallë e Fishtës, ban pjesë n’atë lloj poezije vorrezash, që aq përkrhaje gjet n’ angli prej Young, Gray, Hervei e Poupe, e prej së cilës n’Itali u frymzue prej Pindemontes, Foscolo e Leopradi”, me një leksik të pasur biblik, se lidhet me qenien dhe përjetësinë e njeriut, me vdekjen dhe jetën, padyshim diskursi i krishterë nuk mund të shmaget, pavarësisht se struktura ligjërimore dhe esenciale si tekst, për (Kujtim Shalë-n), stuktura e “Nji lule vjeshtet” mbështetet në strukturën e “inter/shenjave, të simboleve në rikualifikimet e domethënieve”.
- Kodimi/(de)kodimi biblik me elementet dhe strukturat “semio-narrtaive të (Algirdas
Greimas-it), zbulojmë subjektin e ndjesisë, na pasqyron me tregimin autobiografik, që përshkruan vdekjen e tjetrit, ose që quhet ndryshe, thanatografi, duke shenjuar jo vetëdijen e tjetrit, por vetë enigmën e vdekjes, bashkë me modalitetet e qenies, që kanë të bëjnë me një marrëdhënie të qëllimshme mes jetës dhe vdekjes, mes fizikes dhe metafizikes që shenjohen në tekst, nëpërmjet vargjeve: qi nëpër vërrije rrinë tue këndue t’ Parrizit:/Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjëj,/Këndon Zotit lavde nëpër ylbera t’ qiellit;.A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit, relativizimi mes simbolikës së vërtetë dhe përdorimi konstant i metaforave simbolike, duke afruar tropet e poezisë , me (nën)ndarjet: figurat e afrisë dhe figurat e ngjashmërisë, sipas logjikës asociative apo edhe personifikimit, se poezia fetare katolike, duhet të jetë për (Middleton J. Murry-en), “medomos metaforike” në formën e himneve fetare të neoklacizmit: metaforat simbolike të vdekjes: [t’vdekunve mbrenda vorrit t’ errshem/! Nji Kryq dëllijet, N’ prehen t’ Amëshuemit/ Engjëlli i Zotit,/ nget vorrit,/krejt vdekja/ se pertej vorrin/ Vdekjen e zbutë/ N’ vorr tand/ Vdekja n’ atë vorr, 16 herë fjala vorr dhe 8 herë fjala vdekje, 13 fjalë, për Hyjin, Parrizin, Kryqin, etj].
- Kodimi/(de)kodimi i ligjërimit personal, rrok rrafshet tërësore të kohës letrare, jo si
mungesë receptimi, me gjurmë autobiografike, por me “kontratën autobiografike” të ( Philippe Lejuene-s) rrëfimi autentik, shtegon katërcipërisht në humnerën e kujtesës me “aktin autobiografik“, të ( Elisabeth W. Bruss-it), aq përmallshëm deri në Zenitin e të gjithë qiejve për Ringjalljen Hyjnore, nëpërmjet shkrimit: se e para ishte Fjala, si një besatim i vjetër biblik, ku njeriu e sprovoj me humbjen e pavdeksisë, ( duke ngrënë pemën e gabuar të Dijes), por me forcën e fjalës së thënë sipas Fishtës, se “gjuha nuk ekziston e ndarë nga kultura, domethënë nga mbushja e trashëguar shoqërore e përvojave dhe besimeve që përcaktojnë thurjen e jetës sonë” për (Eduart Sipar-in) është brenda të njëjtit projekt autobiografik. Fishta, si frat françeskan, si polotikan, kritik, poet, patriot, ashtu si shumë modele të tjera të letërsisë shqiptare, ka të bëjë me vërtetësinë e natyrës njerëzore, me kodime dhe (de)kodime që shënojnë disa modele të letërsinë tonë bashkëkohore, që identifikon vetveten sipas (Lili Sulë-s) “herë mes shenjave indentifikuese edhe autoriale e pikërisht personale”, me qendërzim vetë-përcaktues të vetëdijes, duke sfiduar një lloj “cogito-je” term kartezian, me “elemente postmoderniste”, të (Linda Hacion-it), janë një postalterego e teorisë së intertekstualitetit në tërë rrafshet e shkrimit letrar të Fishtës, ka një nyje lidhëse aksiomatike, që ndërlidh dy kohë, dy botë, dy realitete, që lidh vdekjen dhe Amëshimin.
- Diskursi atdhetar as nuk mitizon as nuk çmitizon atdheun, poeti këmbëngul më tepër
për metaforizmin e brendshëm të tekstit artistik, duke përsëritur elementet e tekstit, që lexuesi duhet ta kuptojë ose shoqëria në epoka të ndryshme, si çështje artistike dhe çfarë nuk është, se për (Juri Lotman-in), “teksti është artistik pse përmban karakteristika që e bëjnë të tillë,” që nënkutohet nga vargun: mue edhè, qi shekulli e nji dëshirë Lirie/ Besen e dhanun – e miqesin e zanë;/Per Fé e per Atme n’ ballë me i dalë rrezikut, duke përshkallëzuar;a) çmitizimin e atdheut,
b) çmitizimin e heroit, nëpërmjet vargut; se shka vlejnë armët besnike n’ dorë t’ Shqiptarit., motivet e veçanta që anojnë nga e çuditshmja dhe befasuesia, nga mishërimi i të vërtetës kristiane, “nga e afërta tek e largëta” nëpërmjet analogjisë së të përditshmes, nëpërmjet figurave intensive, përmasa e zvogëluar e dukurive të jetës, nëpërmjet përkëmbimit të metaforave , simboleve, epiteteve, duke bashkuar tri kategoritë e figurave: figura e thellë, figura radiklae, figura ekspansive.
- Diskursi mitologjik, nëpërmjet miteve dhe perëndive që shkrihen në mitet e heronjve, çon
në “zhvendosjen e mitit” të (Northop Fraj-it) nga interesi parësor (ideja e mendimit poetik), në eposin e vargut, për të gjetur lidhjet asociative, lidhjet tingullore, lidhjet dykumtimësore, që mbartin edhe peshën e diskusit mitologjik, tashmë të njohur të Fishtës, të krijimit të mitit vetiak, ose (mitit fishtian i ngjashëm me përmasën e Dantes), për (Friedrich Nietzsche-n), “pa mitin, çdo kulturë e humbte karakterin e saj të gjallë krijues, humbte forcën e vet të natyrshme” . Në pamundësi për të shmangur vargu: ai ka per t’ m’ kenë Zanaapo Eposin e Kreshikëve, atëherë unë kangët kam me i ndertue kreshnike bashkë me vargun tjetër: e atëherë prej bjeshkve kanë me u djergun Zanat, poeti ka ndërtuar një galeri, epitetesh, enumeracione, përsëritje, similituda, krahasime , metafora, anafora, kosonanca, asonanca etj:[ sa hana e diella /curra t’ malit/ ky mendim i ambel/ kur bora dehet/ si rrezja e diellit/ per lila e drandofille/ nder t’ zjarrtat valle/ nëpër rrâjë e curra/ vaj bylbylit/ n’ qiellë e hana e dielli/ e t’ paqta e t’ buta/ shinat e boren/ e vrrini e bjeshka/ shkrue mbi lisa etj].
- Diskursi neoklasik, një lloj tjetër qasjeje që ka afruar poezinë e tij me poezinë neoklasike
të Mjedës, duke dalluar mënyrën osianike e të kënduarit, fundja tendencat neoklasike , janë një imitim i vetëdijshëm i shkrimtarëve Augustianë të vjetër, Virgjili dhe Horaci , një rend moral dhe racional i kuptueshëm në univers, duke demostruar modelin providencial të Zotit, prapëseprapë kjo vjershë lirike për (Tonin Çobani-n), se për Fishtën “Një lule vjeshtet” “është një këngë heroike”, me një numër frazeologjik, ku në [{160 vargje janë 11 njësi frazeologjike}: T’ janë sosun fjalët/ ai zâ t’ asht kputë/ Me lot njomë buken,/ permbi vorr t’ kanë bijtun/ nji dorë ta vu té kryet/në rreze t’ hanës rrin tue gjëmue/ i shkon n’per zemer./ kur bora dehet/ perbluen punë t’ mbrapshta/Gjumin e vdekjës/kah punët e mbara].
- Diskursi kritik ti qasesh Fishtës në mënyrë kritike, nuk është e lehtë, pasi Fishta është
një ndër poetët më të njohur brenda një kohe shumë të shkurtër.
Shumë ese, shënime kritike janë shkruar për një periudhë gati 10 -vjeçare, por me vendosjen e komunizmit, anatemizmi dhe ndalimi i tij, si bashkëpunëtor i fashizmit dhe letërsia e tij u etiketua “reaksionare” dhe “klerike” apo edhe një poet i folklores. Pas viteve ‘ 90-të, receptimi masiv i Fishtës deri në tekste shkollore, kur “çmenduria” e dashurisë kolektive shqiptare arriti deri atje, saqë, teksti fishtian u standardizua në bazë të normës së gjuhës së sotme shqipe, por a mund të ndryshohet areali i gjuhës së Fishtës, âmza e shijes së gjuhë së tij, tingëllima e âmël e gegnishtes?! Një dështim total, që specialistët e kësaj fushe janë po aq fajtorë, për heshtjen, fajtore është po aq dhe kritika po ashtu, duke shprishur rendin e harmonisë tingëllimore të polifonisë së kryeveprës fishtiane. Sa për receptimin modern e ndërtojmë në bazë të emrave të mëdhenj të kritikës europiane:
- Sipas Eco-s, teksti është i thurur me shenja e hapësira të bardha që duhen mbushur dhe ai
që ka krijuar parashikonte, që ato të mbusheshin dhe i ka lënë të bardha për dy arsye; para së gjithash sepse teksti është një mekanizëm dembel (ose ekonomiqar) që jeton me vlerën e shtuar të kuptimit që i futet nga marrësi, së dyti, ndërsa kalon dalëngadalë nga fiksioni didaskalik në atë estetik, një tekst di t’ia lërë lexuesit iniciativën interpretuese . Një tekst kërkon “që dikush ta ndihmojë të funksionojë” sipas (Maria Pia Pozzato-s), dhe kjo lloj strategjie nuk kuptohet më si qëllim i autorit empirik po si një marrëveshje tekstuale, që quhet Autori Model (Fishta dhe lexuesi empirik), në lëvizjet e tekstit të shkëputura nga leximi empirik, të para si lëvizje të brendashkruara, të parashikuara në tekst, përputhen me atë që Eco e quan Lexuesi Model dhe mungesa kohë/hapësirë, krijon:
- autorin empirik, në terma të strategjisë tekstuale , formon Lexuesin Model
- lexuesin empirik, në terma të strategjisë tekstuale, formon Autorin Model.
Duke parë këtë strategji të Eco-s, do të ndërtojmë një grafik të një Lexuesi dhe Autori Model për lirikën e Fishtës :
Autori emplicid =
LEXUESIN MODEL
LIRIKA e FISHTËS
(“Nji lule vjeshtet”)
Lexuesi emplicid =
AUTORI MODEL
Një tjetër koherencë e Eco-s është e ashtëquajtura veprueshmëri (veprimtari) e tekstit ndaj lexuesit. Në fakt, autori jo vetëm e parashikon Lexuesin Model, por edhe e ndërton atë. Të parashikosh Lexuesin tënd Model, nuk do të thotë, të shpresosh të ekzistojë , por edhe të lëvizësh tekstin në mënyrë të tillë që ta ndërtosh atë, një tekst, jo vetëm pushon, por edhe jep kontributin e tij në ndërtimin e një kopetence.
KOPETENCA AUTORIALE NË LIRIKËN E FISHTËS = PROJEKTIM I LEXUESIT MODEL
AUTORI = TEKSTI = LEXUES
- Përsa i përket “teorisë së receptimit të Iser-it”, sipas teoricienit (Wolfang Iser)
në vitet ’60-të, në të gjitha sferat e teorisë se receptimit, teksti letrar ka lloje të tjera ligjërimi dhe në marrëdhënien tekst-lexues shumë herë merret si e mirëqenë. Procesi i leximit, për Iser-in, ka “dy pole” brenda një teksti letrar: poli artistik i referohet tekstit të krijuar nga autori, poli estetik i leximit, realizuar nga lexuesi. Që të përmbushet akti i të lexuarit, lexuesi i nënkuptuar është aktiv dhe pasiv, aktiv sepse nxjerr përfudimin sipas teoricienit tjetër (Roman Ingarden),“ku lexuesi qartësish nxit imagjinatën ose “plotëson rrjeshta bosh” të pathëna nga autori” në strukturat e tekstit, që drejtojnë lexuesin drejt një “leximi” shterues dhe jo anasjelltas. Teksti është lënë në duart e lexuesit për të marrë fatin e tij. Meqenëse asnjë lexues nuk do të ketë “pamje të njëjtë”, teksti është i detyruar të interpretohet në mënyra të ndryshme, gjë që i mundëson çdo studiuesi përshirë edhe kritikën, se teoria e receptimi të veprës e bën të qartë, se në tekst, nuk zhvillohet vetëm sfondi socio-kulturor, por dhe ideo-shoqërore, përsëri për (Roman Ingarden-in), është procesi “midis interpretimit-brendisë-shprehjes-kuptimit, si një vendosje të autorit brenda procesit të traditës”, ku edhe veprimtaria intelektuale dhe emocionale e manifestuar në procesin njohës të tij, (në bashkëkohësi) akti i leximit, me të vërtetë ndikon në ngritjen e vetëdijes, që zhvillohet përmes procesit të leximit.
- Koncepti “horizonti i pritjes” i (Robet – Hans Jauss-it), se recetimi i mëvonshëm i një
vepre letrare, është matja e një “distance estetike” për një vepër letrare, nga një brez tek një brez tjetër lexuesish, duke sjellë përshtypje krejt të tjera në kohë të ndryshme, për Fishtën nuk qëndron. Nërthurja e kohës së shkuar, me lexuesin e ri mund të përmbushë konceptin e “horizontit të pritjes”, që për poetin është koha posturne, që fatmirësisht pati kohën e leximit, të njohjes, të receptimit, duke kuptuar që vepra është e pakohë ashtu si emri i Fishtës i gjithkohshëm në majën e epërme të letërsisë shqipe.
BIBLIOGRAFIA:
- Barthes, Roland: (2008), Vdekja e autorit, “Rozafa”, Prishtinë.
- Bruss Elisabeth W. (1976), Autobiographical Acts: The Changing Situation of a Literary Genre. Baltimore, London: Johns Hopkins Univ. Press.
- Çobani, Tonin: (1999), Miti dhe antimiti fishian, Lezhë.
- Fraj, Northop. (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë
- Gradilone Giuseppe: (1983) L’influenza del classicism sull’opera di Gjergj Fishta, La letteratura albanese e il mondo clasiso , “Bulzoni”, Romë
- Greimas, Algirdas. (1966): Semantique structuarle, Larouse, Paris
- Hacion, Linda: (1989), A Poetisc of Post- modernism: History, Theory, Fiction, Toronto.
- Hamiti, Sabri: (2009), Letërsia modrene shqipe, Tiranë.
- Ingarden,Roman. (1973): The literary work of Art, Evanston, III.
- (1973): The Cognition of the Literary ork of arts, Evanston, III.
- Ise Wolfang. (1978): The Act of Reading: A Theory of Aesthetic Response (Baltimore and London: Johns Hopkins University Press, 1978). Hereafter cited as AR
- Jauss , Hans-Robert. (1982):Toward an Aestheticn of Receprion, Brighton.
- Kodra, Jolanda: (1943), Atë Gjergj Fishat, 1871-1949, “Luarasi”, Tiranë,
- Kujtim M. Shala: (2004), Fishta përballë Fishtës, Buzuku, Prishtinë.
- Lejuene, Philippe: (1975), Le pacte autobiographique, Nouvelle Edition Augmentèe, Seuil.
- Mark Ndoja: (1943), Idealet karakterizues në lirikën e At Fishtës, (shënime të shkrurta kritike), At Gjergj Fishta (1871-1940), “Luarasi”, Tiranë
- Murry, J.Middleton: (1931): “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London.
- Nietzsche, Friedrich: (2001), Lindja e tragjedisë, përkth: Jorgji Doksani, “Eugen”, Tiranë.
- Ndue Ukaj: (2004), Diskursi biblik në letërsinë shqipe, “AIKD”, Prishtinë.
- Plasari Aurel: (1996), Fishta i dashuruar, Tiranë.
- Pozato, Pia Maria: (2005), Semiotika e tekstit, (metoda, autorë, shembuj) , SHBLU, Tiranë.
- Qazimi, Azem;: (2011), Libri i të vdekurve “Zenit” , Tiranë.
- Sapir, Eduart. (1949), Culture, language and Personality, University of California Press.
- Sula, Lili: (2012), Poezia e Fishtës, (për mbrotjrn gradës “doktore e shkencave letrare”), Tiranë.
- Volaj,Viktor: (1941), Gjergj Fishta: mrizi i zanavet, komentuem për At. Viktor Volaj OFM , Shkodër.
- Wellke, Waren. (2007): Teoria e letërsisë, përkth: Abdurrahman Myftiu, “Onufri”, Tiranë.
- Xhiku , Ali: (2004), Letërsi shqipe si polifoni, “Dituria”, Tiranë.