Statuti themeltar i Mbretërisë Shqiptare Redaksia / May 26, 2012 Ahmet Zogu Mbreti nuk mund të qëndrojë jashtë Shqipërisë më tepër se tre muaj. Ai është komandanti më i lartë i forcave tokësore, detare dhe ajrore të Shtetit, të cilat i ushtron drejtpërdrejt sipas dispozitave të posaçme të titullit V të këtij Statuti. Mbreti shpall luftë në rast mbrojtjeje. Shpërblimi i Mbretit është 500.000 (pesëqind mijë) franga ari në vit. Të gjitha Forcat e Armatosura të Shtetit formojnë një trup dhe janë nën komandën e urdhrin absolut të Mbretit. Në ligjet e rregulloret e Shtetit, kudo që përdoret fjala “Republikë” zëvendësohet me fjalën “Mbretëri”. Statuti themeltar i Mbretërisë Shqiptare Ky statut është marrë nga faqja zyrtare e mbretit të vetëshpallur. Autenticitetit nuk mund t‘ i besohet, sepse nëse bazohemi në këtë, atëherë duhet të besojmë se mbreti fliste gjuhën letrare, që akoma nuk ishte kodifikuar (1972). Mund të merret me mend se janë ndryshuar ligje dhe i janë përshtatur kohës. Mirëpo, edhe ashtu si paraqitet në faqen zyrtare, flet për “mbretërinë”, qëndrimin skandaloz dhe zhmbretnimin e saj. Këtu mund të lexoni sa muaj mund të qëndrojë “mbreti” jashtë shtetit, sa duhet të fitojë brenda vitit, cila është detyra e tij në kohë lufte dhe a guxon të cenohet integriteti i vendit, madje edhe Betimin i tij para Kuvendit… Titulli l Dispozita të përgjithshme Art. 1. Shqipëria është Mbretëri (Royaume) demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme. Art. 2. Shqipëria është e pavarur dhe e pandashme; tërësia tokësore e saj është e padhu- nueshme dhe toka e saj e patjetërsueshme. Art. 56. Mbreti para parlamentit betohet si vijon: “Unë (……….), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh, se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”. Art. 63. Kur Mbreti vdes pa lënë trashëgimtar, por Mbretëresha në minutën e vdekjes së Tij është shtatzënë, e cila konstatohet me raportin e tre mjekëve të autorizuar prej Këshillit të Ministrave, formohet Këshilli i Regjencës përkohësisht, i cili ushtron Pushtetin Mbretëror deri në lindjen e foshnjës. Art. 65. Mbreti banon kurdoherë në Shqipëri; kur përkohësishtdeljashtë Shqipërisë, trashëgimtari i Fronit ushtron Pushtetin Mbretëror. Në qoftë se trashëgimtari nuk është madhor ose gjendet në pamundësi për të ushtruar pushtetin, Këshilli i Ministrave, nën përgjegjësinë e vet ushtron pushtetin në fjalë. Mbreti nuk mund të qëndrojë jashtë Shqipërisë më tepër se tre muaj. Ushtrimi i Pushtetit Mbretëror në raste të tilla, si nga ana e trashëgimtarit ashtu edhe nga Këshilli i Ministrave, do të kryhet sipas porosive urdhërore të Mbretit, të dhëna brenda kufijve të Statutit. Art. 71. Mbreti është kreu më i lartë i Shtetit; Ai zotëron gjithë kompetencat dhe të drejtat e Fronit, të dhëna në këtë Statut, të cilat i ushtron me anën e Ministrave, sipas dispozitave të këtij Statuti. Ai është komandanti më i lartë i forcave tokësore, detare dhe ajrore të Shtetit, të cilat i ushtron drejtpërdrejt sipas dispozitave të posaçme të titullit V të këtij Statuti. Art. 72. Mbreti është i pacenueshëm dhe i papërgjegjshëm. Ministrat e tij janë përgjegjës. Art. 76. Mbreti ka të drejtë të akuzojë Ministrat dhe t’i dërgojë në Gjyqin e Lartë. Art. 82. Mbreti shpall luftë në rast mbrojtjeje; shpallja e luftës jashtë kushtit të mbrojtjes dhe lidhja e paqes bëhen pas miratimit të Parlamentit. Art. 87. Shpërblim paguhet vetëm: për Mbretin, Nënën e Mbretit, Trashëgimtarin e Fronit, djemtë e mitur dhe vajzat e pamartuara ose të veja të Mbretit të vdekur, ashtu edhe për Regjentët në kohën kur funksionojnë. Shpërblimi i Mbretit është 500.000 (pesëqind mijë) franga ari në vit; kjo shumë mund të ndryshohet herë pas here me ligj. Sasia e shpërblimit të të tjerëve caktohet me ligj. Art. 97. Në rast lufte ose ndonjë situate luftësjellëse, në kohë kryengritjeje dhe mobilizimi të përgjithshëm ose fatkeqësie, Mbreti, nën përgjegjësinë e Kabinetit, ka të drejtë të shpallë shtetrrethimin pjesërisht ose të përgjithshëm. Art. 98. Mbreti mban titullin “Lartmadhëria e Tij” (Sa Majeste), Trashëgimtari “Princ i Shqiptarëve” Lartësia e Tij (Son Altesse), Nënë Mbretëreshë dhe Mbretëresha “Lartmadhëria e Saj”; Vëllezërit nga Ati dhe djemtë e Mbretit “Princ”, Motrat nga Ati dhe Bijat e Tij “Princeshë”; këta dy titujt e fundit nuk trashëgohen dhe në rast nevoje mund të hiqen me dekret Mbretëror. Përveç këtyre, as mund të akordohen, as mund të mbahen nga shqiptarët tituj fisnikërie në Shqipëri. PJESA A USHTRIA KOMBËTARE Art. 176. Të gjitha Forcat e Armatosura të Shtetit formojnë një trup dhe janë nën komandën e urdhrin absolut të Mbretit. Art. 177. Mbreti, në kohë lufte mund t’ia ngarkojë një oficeri me gradë të lartë komandën efektive te operacioneve. Kur Mbreti merr përsipër velë komandën e përgjithshme efektive, është drejtpërdrejt përgjegjës para Kombit për çka i përket zbatimit të operacioneve. Art. 178. Mbreti urdhëron thirrjen nën armë të rekrutëve dhe në raste të caktuara me ligj ose në raste të jashtëzakonshme, të rezervistëve; vetëm Ai rregullon dhe urdhëron mënyrën e ndarjes së forcave ndër vende të ndryshme; forcat nuk mund të lëvizin pa urdhrin e Tij, të komunikuar me anë të Komandës së Mbrojtjes Kombëtare. Art. 179. Mbreti, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, pa ndërmjetësi. i jep urdhra Komandës së Mbrojtjes Kombëtare. Art. 181. Gjithë trupat ushtarakë absolutisht janë të detyruar t’u binden urdhrave të Mbretit. Ky detyrim përmendet në betimin që bëhet përpara Flamurit Kombëtar. Titulli IX DISPOZITA TRANZITORE Art. 231. Në ligjet e rregulloret e Shtetit, kudo që përdoret fjala “Republikë” zëvendësohet me fjalën “Mbretëri”, dhe kudo që përmendet fjala “Kryetari i Republikës” zëvendësohet me fjalën “Mbret”. Pergaditi: Lis Bukuroca