Kremtohet në distancë 15-vjetori i themelimit të Shkollës Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” Rrëshen

Me moton “ Dashuria Edukon”,  kremtohet në distancë 15-vjetori i themelimit të Shkollës Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” Rrëshen.

 Reportazh

 Nga Lindita Kokaj

Shkolla e Mesme Profesionale “ Shën Jozefi Punëtor” në Rrëshen ka kremtuar ndryshe 15 vjetorin e themelimit të saj. Ashtu siç po zhvillohet mësimi në distancë për shkak të pandemisë nga Covid 19, edhe kremtimi i kësaj festë është bërë në rrjetet sociale. Ku krahas motos së shkollës “Dashuria Edukon” duke bashkëngjitur edhe “Bashkë do t’ia dalim”, drejtues, mësues, nxënës dhe prindër janë bashkuar më shumë se kurrë shpirtërisht pavarësisht distancës fizike për të përcjellë mesazhet e tyre duke vënë theksin në rëndësinë dhe misionin e kësaj shkolle për 15 vite jo vetëm për komunitetin e Mirditës , por të gjithë Veriut të Shqipërisë dhe më gjerë.

Shkolla Profesionale “Shën  Jozefi Punëtor” është themeluar në Rrëshen, në rrethin e Mirditës, në Verilindje të Shqipërisë, në shtator të vitit 2004, është në pronësi të Dioqezës Rrëshen dhe administrimi i saj i është besuar Kongregatës së Etërve Somaskë të cilët kanë qindra shkolla të tilla në shumë vende të botës . Në vitin 2013 është inaguruar struktura e 2-të e kësaj Shkolle me financimin e RENOVABIS-Gjermani, duke shtuar kapacitetin e klasave dhe laboratorëve.

Fillimisht funksionoi si Qendër e Formimit Profesional me kurse 4 mujore-1 vjecare, ndërsa në vitin 2010 mori Licensën e përhershme si Qendër shumëfunksionale.

Më datë 2 maj 2012, MASH (Ministria Arsimit dhe Shkencës) nëpërmjet QKL, liçensoi Qendrën profesionale për aktivitetin edhe si Shkollë e Mesme Profesionale Jopublike duke u futur në sistemin parauniversitar të Republikën e Shqipërisë.

Në këtë shkollë janë certifikuar 1050 kursantë, e ndërsa për vitet 2012-2018 në shkollen e mesme profesionale janë regjistruar 615 nxënës, në degët: Elektroteknikë, Hoteleri-Turizëm, Instalues i sistemeve termmohidraulike, Shërbimesh mjete transporti, Shërbime Sociale Shëndetësor, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi.

Ndërsa në vitin akademik 2019-2020 janë rreth 350 nxënës dhe 110 kursantë që vazhdojnë mësimin në këtë shkollë, aktualisht mësim në distancë që nga marsi.

Nëpërmjet një video-mesazhi Presidenti i Shkollës Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit Dom Gjergj Meta ka falenderuar themeluesit, stafin pedagogjik,nxënës dhe prindërit duke vënë theksin në përgjegjësinë për të formuar këta nxënës në mënyrë që ata të mësojnë një zanat, pastaj të hidhen në jetë për të vazhduar kontributin e tyre në shoqëri, në familje, në vendin tonë.

“ Kishim përgatitur një kremtim solemn në Dioqezen e Rrëshenit, një kremtim që ka të bëjë me 15 vjetorin e themelimit të Shkollës së Mesme Profesioanale “Shën Jozefi Punëtor”, për arësye që tashmë i dimë të situatës të krijuar nga pandemia Covid 19. Megjithatë nuk mund të rrimë pa falaenderuar zotin.

Më lejoni të nis falenderimin tim nga paraardhësi im i nderuar Cristofore Palmieri, i cili para 15 vitesh pati guximin, kurajon dhe largëpamësinë të hidhte në Rrëshen  themelet e një vepre, që do të rezultonte ndër vite një gjë e jashtëzakonshme. Sot ne krenohemi, që kemi një ndër shkollat profesionale më të mira në vend. Një falenderim për Etërit Somaskë, të cilët mes shumë sakrificash pranuan ta udhëheqin këtë shkollë dhe vazhdojnë të kujdesen për të. Kemi parë meshtarë të cilët nuk jetojnë më  dhe që sakrifikuan shumë për këtë vend, po ashtu edhe meshtarët e sotëm vazhdojnë në të njëjtën rrugë.

U dërgoj një  urim të veçantë mësuesve të kësaj shkolle. Është përgjegjësi e madhe, që ata kanë, pasi kanë në dorë formimin e nxënësve, jeten e tyre. Është një privilegj që u është dhënë për të punuar në atë shkollë, por sidomos është një privilegj, që u është dhënë nga prindërit e nxënësve. Duhet të jetojmë të gjithë këtë mission me sens përgjegjësie për fëmijët që na janë besuar dhe për edukumin e tyre në këtë shkollë.

Kjo vepër do të ishte e pamundur, pa bamirësit tanë , të cilët vazhdojnë ende të mbështesin shkollën në forma dhe mënyra të ndryshme.  Falenderimi i Zotit dhe falenderimi ynë për këta bamirës, Zoti ua shpërbleftë në familjet e tyre

Jo për nga rëndësia, urimi i fundit shkon për nxënësit dhe prindërit. Ne ndjehemi të privilegjuar dhe të nderuar që ju vini në shkollen tonë sepse ju keni besuar edukimin dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj. Ne do të mundohemi me mish dhe shpirt që t’u bashkohemi sakrificave të shumta , që ju bëni për këta fëmijë, në mënyrë që këtyre nxënësve të mos u mungojë asgjë, të formohen dhe të mësojnë një zanat, pastaj të hidhen në jetë për të vazhduar kontributin e tyre në shoqëri, në familje, në vendin tonë.”

Drejtues dhe mësues të shkollës gjithashtu kanë përshëndetur dhe uruar në këtë ditë të veçantë, e kremtuar në një mënyrë ndryshe nëpërmjet mesazheve dhe komunikimëve në distancë.

Drejtori i Përgjithshëm i Shkollës P. Michele Leovino: “Kur njerëzit për të mbështetur veten dhe familjen, kryejnë punën e tyre duke i shërbyer shoqërisë, me të drejtë mund të mendojnë se me veprimtarinë e tyre e vazhdojnë veprën e Krijuesit, kujdesen për mirëqenien e vëllezërve dhe u vijnë në ndihmë me kontributin e tyre personal që të plotësojnë planin hyjnor në histori”.

Fort të dashur të gjithë, që e lexoni këtë urim, me fjalët e Kishës që kam shkruajtur më sipër, dëshiroj t’ju uroj një ditë feste plot me gëzim dhe qetësi, akoma më të nëvojshme në këtë periudhë.
Në emër të bashkësisë somaske, ju uroj që puna juaj, cilado të jetë e kudo që e ushtroni, të jetë një nxitje e fortë për të lënë në botë një gjurmë pozitive, një shembull për t’u ndjekur, burim gëzimi për ju dhe familjet tuaja.

Gëzuar Festën e 15 vjetorit të shkollës “Shën Jozefi Punëtor “, duke kujtuar ata që na kanë mundësuar këtë eksperiencë të veçantë, ata që na e mundësojnë por edhe bamirësit e shkollës, me një bashkim të plotë mes nesh dhe me të gjithë”.

Mesazhi i drejtorit Didaktik Luigj Gjergji : “Për Shkollën e Mesme Profesionale me të njëjtin emër “Shën Jozefi punëtor”, është një ditë e veçantë në një vit të veçantë, pasi feston 20 VITE nga Themelimi i saj dhe 15 VITE nga fillimi i veprimtarisë së saj edukuese dhe formuese profesionale. Sigurisht, festa e dedikuar këtij përvjetori do të bëhet gjatë vitit shkollor të ardhshëm që do të nisë në Shtator, por, sot, me emocionet dhe ndjesitë më të forta mendore dhe shpirtërore, bashkëndaj me ju miq dhe kolegë, dhe me të gjithë ata që mund të më lexojnë,

URIMET MË TË MIRA NGA ZEMRA DHE MIRËNJOHJEN PERSONALE MË TË NDJERË:

* Për Themeluesit dhe ideatorët, për Dioqezën Rrëshen dhe për Ipeshkvinjtë e saj;

* Për çdo Institucion dhe çdo person, nga mbarë bota, që kanë financuar këtë Vepër;

* Për të gjithë donatorët që vazhdojnë të mbajnë gjallë këtë aktivitet të çmuar dhe shpresëdhënës për të rinjtë dhe familjet në Shqipëri;

* Për të gjithë partnerët në Shtete të ndryshme të Europës dhe në SHBA, për partnerët në Kosovë dhe për partnerët vendas në Shqipëri;

* Për secilin person që ka punuar apo që ka bashkëpunuar me këtë Institucion ndër vite, sidomos mësuesit, edukatorët dhe stafi i personelit ndihmës, ndër vite;

* Për secilin nxënës apo kursant që nga viti 2005 e deri më sot, kanë ndjekur dhe çertifikuar nivele të ndryshme profesionale të tyre, duke u bërë të suksesshëm në profesione të ndryshme ose duke vazhduar Universitetin, për të mirën e jetës personale, familjare dhe shoqërore;

* Për secilin prej 348 nxënësve të Shkollës dhe 110 kursantëve të Qendrës që aktualisht po ndjekin në këtë vit shkollor formimin dhe kualifikimin e tyre në degë dhe drejtime të ndryshme profesionale;

* Për çdo familje që ka besuar dhe që vazhdojnë të besojnë fëmijët e tyre tek ky Institucion edukues dhe formues, për promovimin e tyre njerëzor dhe social;

* Për secilin prej Etërve Somaskë, disa prej tyre tashmë në qiell, që kanë administruar dhe drejtuar këtë Institucion shumë të rëndësishëm për MIRDITËN, për mbarë Shqipërinë;

* Për Zotin, krijuesin dhe mbarështuesin e çdo vepre të mirë, që ka dashur të ndriçojë këtë zonë kaq të varfër dhe kaq të vuajtur, me një dhuratë kaq të vlefshme për jetën njerëzore dhe për shpëtimin e shpirtrave;

Me dëshirën më të thellë që së shpejti të mund të festojmë të gjithë së bashku në Rrëshen, pranë Shkollës “Shën Jozefi punëtor”, uroj për të gjithë, bekime prej Zotit për ditë më të mira, me shëndet e paqe për të gjithë! Zoti bekoftë punën e njerëzve!”

Urime dhe mesazhe nga mësuesit:

Mësuesi /Ingjinier Ndue Ndoj : “O të drejtohem ty ,shkolla ime ! 15 vite. Nga mosha dukesh adoleshente.Por nga hapat që ke hedhur, shpejtësia me të cilën rritesh,koherenca për ti ndryshuar gjërat,sidomos motivi që të udhëheq “Dashuria edukon”,të tregojnë të pjekur e të sigurtë. Motivi,më sjell ndërmend një shprehje që: – “Muzika,vera dhe dashuria nuk kanë nevoje për përkthim”.E vërtetë. Nuk lëndoj ndokënd nëse them që je krenaria e vendlindjes time,e cila ka një emër shumë të bukur përshëndetës “Mirdita”. Ti, ia ke rritur vlerat,ia ke lartësuar emrin. Sikur shteti dhe shoqëria në tërsi të njihnin sic të njoh unë, thënia e të madhit Linkoln :-“Mësoni fëmijët që të mos mësoni tërriturit”,nuk do të dukej si një dedikim për punen,vlerat shoqërore e sociale dhe synimin që ke,por do bëhej një lajtmotiv për më gjerë. Prindër,Ju jeni mbështetja dhe suporti ynë.Mos u pendoni që e keni sjellë fëmijen tek “Sheën Jozefi Punëtor” për të marr një profesion. Ndonëse ne i japim abc-në e profesionit,për një gjë të jeni të sigurtë,puna , përpjekjet dhe synimi ynë është që fëmija yt të bëhet njeri i mirë. Nxënës të dashur,ju që keni kaluar në bankat e kësaj shkolle,që jeni dhe ju që do vini,ne përkushtohemi tu mësojmë, por jo tu diktojmë se si të mendoni.Mbajeni mend dhe mos e harroni : “Mësuesi ju hap derën në të cilën ti duhet të hysh vete”. Kolege,kolektiviteti,harmonia,perkushtimi,dashuria per pynen fisnike që kryeni janë themele të sigurta për rritjen tonë të vazhdueshme.Nuk është e tepërt tu kujtoj atë që kanë thënë për ne :-“Kush guxon të japë mësim,kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari “. Drejtues të shkollës,vazhdoni të sfidoni kohën,e ardhmja ju buzëqesh! Unë erdha në këtë shkolle nga prodhimi, rreth 10 vite në ndërtimin dhe menaxhimin e ndërtesave për banim,e mbi 37 vite përvoje pune. Kisha vetëbesim se nga shkolla e eksperienca dija shumë gjëra.Por shpejt kuptova se isha i sfiduar,nuk dija shumcka. E habitshme,sa më shumë lexoj e mësoj,aq më pak më duket se di.Vazhdoj të mesoj nga drejtuesit,kolegët madje dhe nga nxënësit. Kam kuptuar,bkëtë e kam thënë edhe herë të tjera,që të jesh mësues, ta meritosh këtë emër është shumë e vështirë,ndoshta pamundësi, e megjithatë,unë e secili nga ju duhet ta synojë. Ta gëzosh datëlindjen shkolla ime,mesuesja ime”.

Mësuese Donika Dona : “E bukur festa e Shën Jozefit! I madh misioni që mbart! E pafund dashuria që dhuron! Largpamës vizioni i ideatorit të saj! Vizioni i Atij që deshi që ne të jetojmë me të rinjtë dhe për të rinjtë. E unë jam një copëzë tejet e vogël e saj. E zemra ime gëzon në këtë ditë të bukur tek sheh të realizuar ëndrrën. Ëndrrën të cilën kemi ëndërruar”.

Mësues Dedë Gjoka: “Falenderim për të gjithë ata që kanë bërë video e mesazhe vërtetë mbresëlënëse . Eksperienca tek Shën Jozefi është unike . Për mua ka qënë fat të jem pjesë e juaja. Një falenderim i veçantë për Padre Cristofo Palmieri si ideues, themelues, ndërtues e mbështetës në gjithçka për shkollen tonë .Respekt për Etërit Somaskë e të gjithë drejtuesit. Repekt për të gjithë donatorët e kontribuesit ndër vite .Një falenderim për të gjithë prindërit që na besojnë ne edukimin e fëmijëve të tyre”.

Mësuese Alma Gega:  “ Të nderuar Nxënës, Prindër, Drejtues dhe Staf pedagogjik. Në 15 vjetorin e hapjes së shkollës “Shën Jozefi Punëtor”ju përshëndes dhe ju uroj Gëzuar festën.
Prej 15 vitesh shkolla jonë vazhdon të nxjerrë specialistë të profesioneve të ndryshme të cilët me punën e profesionalizmin e tyre kanë nderuar shkollën,shoqërinë dhe familjen. Shkolla jonë në 15 vjetorin e saj gjendet e plotësuar me ambiente bashkëkohore ,bazë materiale mësimore dhe staf të kualifikuar e përkushtuar për mbarëvajtjen e proçesit mësimor. Mbyllja e këtij viti është e veçantë për shkak të pandemisë, por drejtuesit dhe stafi pedagogjik kanë bërë të mundur që nxënësit të marrin dijet e nevojshme me anë të mësimeve online,për një mbyllje të suksesshme të vitit shkollor. Uroj në këtë ditë të shënuar që shkolla “Shën Jozefi Punëtor ”të vazhdojë të jetë në shkollat elitë të arsimit profesional dhe një shkollë që përgatit profesionistë të aftë e njerëz të edukuar,kontribues në zhvillimin e vendit e rritjen e mirëqenies së familjes”.

 Mësuese Bruna Përdoda : “ Ju uroj të gjithëve që të festojmë ditë të tilla të rëndësishme, të bashkuar me zemër, dhe pse larg fizikisht. Asnjeherë nuk do të mund të na largojë as distanca dhe asgjë, duke patur moton”Dashuria Edukon”, mendjen, vullnetin dhe dëshirën për të arritur synimet tona të përbashkëta”.

Mësuese Albina Mrruku : “ Shtatori i vitit 2012…..Në oborrin e shkollës ishin nxënës, prindër dhe mësues. Mes tyre shoh një nënë që shoqëronte të birin e që vinte nga një fshat disa orë larg qytetit të Rrëshenit. Kishte dëgjuar për shkollën “Shën Jozefi” por kërkonte të dinte më tepër.
Mu drejtua: “Mësuese je ti?” Po, iu përgjigja. U pyetëm për familjen, shëndetin, punët dhe hallet. Kuptohej qartë që kishte një fare lumturie në sytë e saj, nuk ngurroi dhe e shprehu: “Desh i madhi Zot” dhe kishte një vend për djalin tim në këtë shkollë. Shprehja e kësaj nënë “Desh i madhi Zot” mu ngulit në mendje. Ajo e konsideronte veten me fat, e quante dhuratë të Zotit.
Mendova: Sa me fat duhet të ndihemi ne që punojmë këtu. Prindërit na besojnë driten e syve, ti edukojmë e ti përgatisim t’ia dalin në jetë. Dhe vërtetë kështu është, ndihem me fat për gjithçka kemi e gëzojmë në këtë shkollë e cila prej 15 vitesh pret e përcjell të rinj e të reja duke i mësuar me shumë DASHURI”.

Edhe nxënës kanë uruar e përcjellë mesazhe falenderuese, shprese dhe optimizmi.

 Nxënëse Ornela Lesi: “Asnjë njeri, që ka endra nuk është shumë i duruar për ti realizuar.Por ndonjeherë mosha të ben tëpresesh për zgjedhjet e tua. Dhe mua më duhej të prisja për shkollen e mesme që të zgjidhja atë që doja. Por rastësisht dëgjova që ishte hapur nje degë e re në Shkollen “Shën Jozefi”, dega ishte Shërbime Sociale & Shëndetësore.Ishte zgjedhja më e mirë. Kishte komente të ndryshme shumë pozitive për shkollen, por asnjë nuk e përshkruante këtë shkollë, sic është në të vërtetë. Pasi që nga dita e parë, kur shkova aty e deri më sot është shkollë e vecantë për mua dhe e di që nuk do të ndryshoj asnjëherë mendim. Nëse munda të mësoja gjerat, që pëlqeja dikur,e bëra në këtë shkollë. Të jesh nxënëse e Shkollës Shën Jozefi Punëtor, është fat”.

Ish-Nxënës Mark Gera & Grisild Gjinaj: “Përshëndetje ,, uroj të jeni mirë ! Me rastin e 15 vjetorit të themelimit të “Shkollë së Mesme Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” vendosa të hedh ca foto qe me kujtojne ditet e bukura dhe angazhimin per formimin profesional qe kane kushtuar mesuesit ndaj nesh dhe qe akoma vazhdojne ta bëjnë këtë gjë,,, i falenderojmë të gjithe stafin e shkollës dhe gëzuar 15 vjetorin nga ne”.

Emocionuese kanë qënë videomontazhet e realizuara në kushtet e shtëpisë nga nxënësit e shkollës duke u bërë pjesë e kësaj ceremonie solemne në distancë të kremtimit të 15-vjetorit të Shkollës së Mesme “Shën Jozefi Punëtor”, duke përcjellë mesazhe dashurie, besimi, shprese dhe optimizmi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *