Rrjedha ringjallëse e poezisë së Pjetër Jakut
Agron Tufa
Tekstura poetike e poetit Pjetër Jaku është e mbrujtur me melodi të thjeshtë, si këngëzim më vete, për vete, si të fërshëllyerit në një fragment udhe mes fushës, kur po ngryset, apo mes një pylli me lisa. Motivi lind natyrshëm, i beftë, si t’i shkrepet, për qejfin e vet, dhe në kulmin e qashtërsisë. Por gjithmonë, në zemrën e motivit, ashtu, organikisht e pa sforco, hapet njëfarë misteri, rrotullohet një enigmë, dhe çatis rrëmbimthi një shestim i vjetër, një brengë a një peng, që e ka gozhduar qenien e poetit me një habi të shtangët. Ai nuk e rëndon materien e lëndës poetike me asociacione të lodhshme libreske. Dëgjohen shpesh si frymojnë pauzat, si regëtin nervi i poezisë:
“Heshtja ma tendos shqetësimin /Si përplasja në breg e valëve…”
Enciklopedizmi dhe maniera për erudicion janë sëmundje që nuk e prekin rrjedhën e qetë të idileve, peisazheve, lirikave tëdashurisë apo nostalgjisë së topografisë ku u end fëmijëria me mitet dhe legjendat e saj. As llojin e poezive stigmatizuese. Por, në fakt, alergjia ndaj erudicionit demonstrativ nuk nënkupton pasurinë dhe referencat e shumta të kulturës amtare dhe universale në poezinë e Pjetrit. Pjetri është poeti i çlirimit të subjektit nga pesha e pengjevetë veta. Lira e tij lëshon vetëm tinguj të besueshëm dhe në melodikën e ritmikën e saj, vërshon zëri i adoleshentit-burrë dhei burrit-adoleshent, që sheh, mendon, ëndërron e filozofon me poatë habi të freskët e infantile, sikur t’i ketë zbuluar gjësendet përherë të parë:
Brenda syve të mi ka vdekur një kuptim
Që nuk thërret të djeshmen, as mendon për nesër
Apo për ndjesi të tilla:
Kur të preka m’u zgjua
Vetëm një deshirë
Të mbillja trëndafila
Në një kopësht të mirë!
Dy lloje të vargut e dominojnë thurimën poetike të Pjetër Jakut: vargu i rimuar, me kadenca ritmike herë si transfigurim i fermentit popullor, herë si jone e melos tradicional, klasik e neoklasik; dhe vargu i lirë i bardhë, si shestim meditativ, me ndonjë rimë a ritmikë spontane. Në të dyja format ka një unitet emotiv konseguent në kundrimin e botës: nostalgjia e pamort e një bote që iku, u largua dhe brenga që një pjesë e botës (ajo më brengosësja) nuk ndryshoi dot. Kjo sjell pezmatimin dhe kreshpërimin e subjektit lirik. Së këndejmi, kemi shpesh shpërthime shpirtlënduese, të cilët në fakt përbëjnë një grup më vete të ashtu quajtura stigmatizuese. Motivet e këtyre poezisve kryesisht përcillen përmes distancës së ironisë, paradoksit e groteskut. Duket se raportet e brengës së vjetër të poetit dominohen nga raportet e tij me atdheun, imazhin e të cilit e bart nëpër botë herë si një plagë të hapur, herë si një “dhimbë krenare”, por edhe si mallkim. Pafuqia përballë përkeqësimit të vazhdueshëm kalon nga ironia në satirë, tashmë përmes çromantizimit të traditës, siç është parodia mbi vargjet e Çajupit:
Shqipëtar, mos rri, po zhduku sa më parë,
Në Evropë, në Amerikë, në Australi!
Veç atje do jeshë e ndjehesh si shqip’tar,
Veç atje jeton më mirë se në Shqip’ri!
Pjesë e këtij zhgënjimi tronditës janë poezitë për vendlindjen e braktisur. Poezia përshkallëzohet në Të paktën, pak! një elegji depërtuese vajtimi nën peshën dërrmuese të alienimit. Poezia për fshatin e braktisur të lindjes kalon në metonimi, që përfshin krejt atdheun – më saktë, atë pjesë të gjallë të kujtimeve, që tashmë janë shndërruar në shenja të zbrazëta:
E bash aty ku ngrohu globin
Dashuria e një ofshame
Thurin rrjeta për të ftohtin
Mijëra fije merimange.
Poezitë e Pjetër Jakut janë të ngarkuara me diç të papërballueshme njerëzore në metamorfozën dhe tëhuajësimin e vet; por, njerëzore, tejet njerëzore, mbeten timbri, zëri i zvargur, intonacioni mirëbesues intim. Ato janë të ngarkuara me peshën e padurueshme të kohës, me fuqinë rrënuese të saj. Me atë se çfarë bën koha me njeriun më vrapin e saj shfytyrues. Por poeti ka rrjedhën e lumit të vet ringjallës, sikundër se është i shenjuar për regjistrimin e ekzistencës se vet në këtë rrjedhë. Për këtë e ka lënë veten peng poeti, si blatim i bukurisë dhe Logosit, ashtu siç thonë vargjet e Pjetër Jakut:
Më ka mbet mendja peng /Prej shumë vjetësh, /Në moshën kur marrin Zjarr fjalët!
Tiranë me 10 shtator, 2019
“ Të paktën, pak!” – nje thirrje origjinale e revoltes shpirterore
Nikoleta Kovaçi
“Te pakten, pak!” – asht poezia që sjell një frymë të veçantë në goditjen e dukurive që kanë zanë vend në gjithë shoqërinë shqiptare. Metafora e gjallë, që sillet në kufij qiellorë, duket si një shkëputje përjetësie nga gjithçka që ka kapur për fyti vendin e lindjes së autorit. Një klithmë e pashoqe origjinaliteti vjen në një sërë poezish të këtij vëllimi, ku fshikëllehet abuzivizmi në tërësinë e tij në Shqipëri. Marrja e këtij motive, që duket se rrok fatalitetin e qenies që jetën brenda kufijve, por edhe fatin e atyre që kanë ikur larg, sjell një varg të fuqishëm, që me natyrshmërinë e vet të jep, jo vetëm mësim, por edhe kurajo për të mundur të keqen, nisur nga vetja. “Te pakten, pak!”– asht` i gjithi revoltë, shpirt, ndjenjë dhe mendim! Asht’ poezia për mallin-malin, fjalën- ardhjen, ikjen-pritjen, zogun-korbin, lisin-prirësin… Pjetër Jaku me këtë vëllimm poetik i sjell lexuesit shqiptar kthjelltësinë e një bote shpirtërore të rrallë, me një përkushtim të pashoq për ndryshimin e fatit të kombit. Poezia e tij, veç mjeshtërisë dhe stilistikës, i bën nder letërsisë shqipe, konkretisht për origjinalitetin me të cilin shikon dhe trajton atë çka asht’ sot kryefjala e marrëmendjes sonë kombëtare!
Tirane,12 shtator 2019
PEISAZH
Peisazhe të çoroditura
Në perëndimin mendjemadh
Një konvertim rrezesh
Gati – gati zjarr
Në rrotullim të përjetshëm
Nga unë tek ti, nga ti tek unë
Duke i shtuar galaktikes
Planete pa fund !
LEVIZJE
Çerpikët e lisave
Nuk u mbyllen asnjëherë
Ata ngjiteshin lartësive
Me krye në humnerë!
Me urinë e gurëve
Ku pishat kishin rrënjët
Nje tufë bredhash
Si kalorës mjekërgjelbër
I printe drejt dritës
Udhëtimit tim
Të verbër!
Një pishë kockëfortë
Lëshonte rrënjë në mua
Duke më bërë
Një Promete natyror,
Kur rrokesha me vitet
Pa i takuar
Në shekullin tim shkëmbor!
Me emrin tim jam ndeshur
Udhëtimeve të drites…
… E SHKRUAR SOT !
Udhë të zvogëluara si shtigje
trembin imagjinaten time,
Ndërsa zmadhohen në ngjitje!
Male ngarkuar me pisha, shkëmbinj,
kroje e burime në levizje
Përshkojnë përfytyrimin tim
Duke parakaluar qiellit,
Kërrusur nga pesha e varreve
Tuj e ndrru ngjyrën sipas mendjes tone,
Një pyetje më vjen si rrufeja:
A e dinë ku shkojnë?!
Zjarre që fluturojnë në hapsiren blu
Hipërbola brilante të gjysheve të mënçura,
Qeshje gurgulluese të fëmijëve të shenjtë,
Lule që me hapsirën bashkëudhëtojnë,
Ngjitur pas deshires tonë;
A e dinë ku shkojnë?!
Fjalë shpuese si plumbi
Ngarkuar me lojna kobzeza
Me kryqe, minare e varreza
Jashtë logjikës së secilit prej nesh
Tek secili prej nesh veprojnë
Dhe unë serish pyes veten:
A e dinë ku shkojnë?!
Ura të kërrusura, ngarkuar me trena të rëndë
Mbi shina që arrinë në zenith, deri në fundin
E veshtrimit tone,
Ngarkuar dëng me dashuritë tokësore
Me shpejtësinë e dritës vrapojnë
Përherë më vjen e vetmja pyetje:
A e dinë ku shkojnë?!
Zëri ynë
Në një sekond përshkon fundin e botës,
Degjimi po ashtu
Sytë ia falem imagjinates
Në të gjitha mënyrat udhëtojnë dashuritë
Nga fjala te prekja, të nisura nga sytë
Asnjëherë me të njëjtin ton
E, unë për këto s’e bëj pyetjen:
A e dinë ku shkojnë!
Të gjithë e kemi një qiell të përbashkët
E të gjithë e shohim njëlloj
Imagjinaten s’e burgos asnjë ligj
Kur vetëm dhimbjet qëndorjnë
Peng i gjoksit tonë!
Dashuria, miliarda vjet e vjetër
Ma heq të drejtën të bëj pyetje tjetër!
14 Shkurt 2017
MUNGESE FRYMEZIMI
Ka muaj që fletët e mija
Kanë mbetur të bardha
Përrenjë të shtrembër
Vallëzojnë në luadhet
E gjelbërta…
Vezullojnë rrufe të kobshme
Në një kohë të plevitur.
Flladeve të penguara nga majat
U mungojnë flokët
Ndërsa unë
Hedhur në greminën e fjalëve
Po dukem tëpër i dobët
Hutimit të brigjeve
Për të gjetur një varg!
Krojet më bëhën shokë!
ATEDHEU IM
Renkon i rënduar nga mbretëri shushunjash
Trupit tënd të plagosur i kanë dhënë
Dhimbje fjalimesh të ndërtuara gënjyeshëm,
Si rrugët e vrara të fshatrave të plakur,
Të lëna përgjysëm!
Helmuara nga këmbë e duar të pista
Të gjarpërinjëve politikë
Mbjellur si droga në të gjitha
Pjesët e trupit tënd me shumë ligësi
Me ndalimin e lirisë ma të madhe;
Të dashurisë për ty!
Mbretëri pa krye që i drejton fitimi
Dhe i mbyt dielli i përkohshëm i parasë,
Ku monedhat e florinjta mbinë
Nga çdo bimë e helmuar, që toka ime po rrit,
Njerëzit e vendit tim kanë lindur në dritë
E po vetvaren në errësirë,
Prej qeverisjes së “mirë”!
Për një llampë të ndezur nga shumica.
Ndërsa për mijëraa llampadarë që ndizen
Pa u fikur kurrë, shteti s’ka gjuhë, as sy!
Një llampë sa një mushkonjë për
të ushqyer një fëmijë,
të burgos, të vetvret, të çmend, të nxjerr në rrugë
nga ca ligje për disa që u mungojnë trutë!
Kur në kaptinat e maleve , të rruara nga lisat
për bimë bolshevike fluturojnë helikoptera,
të na mbrojnë nga drogimi me një ligësi mendjemadhe,
pse indiferenca e çative nuk i vret,
qoftë edhe për një bletë që merr arratinë
si një ushtri fisnike, nga mosdurimi i përrallave
qeveritare për ligjëshmërinë e të bërit shtet!
Mjerë bletët që ikin nga lulja e vet, nga vendi vet
Ngarkuar me friken që diku larg kanë me dekë!
Politikanët si gjarpërinjët, të lënë lëkuren në dorë
E ngjiten shtigjeve të mashtrimeve, për një karrigë!
Ata s’i kapë fjala , as plumbi i turpit për ç’po
I bëjnë vendit tim!
Premtimet t’i lidhin litar në fyt,
Atyre s’ua vret ndjenja sytë!
TE PAKTEN, PAK …
Të paktën më dërgo pak qetësi
Këtë natë bubullimash pa shkak
Një tufë më fjalë të ëmbla m’i dërgo,
Të paktën, pak!
M’i nis dy tri vetëtima si të tuat
I meritoj dy tri puthje, i kam hak
Dy tri shpresa i pres sonte,
Të paktën, pak!
M’a nis një lajm të mirë nga Shqipëria
Jo veç fyrje, vrasje dhe gjak
Çdokush si unë pret më tepër
Por, të paktën pak!
Gusht, 2014
Interferencë
Moshën ma preu një lule
Zjarr u bë udha ime
Zjarr syri im.
Eca mbi flakë
E vitet u bënë dritë
Gjoksi im u bë digë!
Një lum i rrëmbyeshëm
Përshkoi damarët e mi
Brenda brinjëve
Rrotullohej një dallgë
Që zjarr ma bëri
Fytyrën e zjarrtë!
I vetmi që e bëra
Ylberin të flasë
I vetmi që i mora
Krahët e tij,
Për t’i fshehur
Ne gji.
Në gjoksin tim,
Skicova udhën
E damarve.
Por, ishte e
Pamundur
Që balli
Të m’u pri
Zjarreve!
NATE
Sa shumë i ngjanë
Shpritit të ish mikut tim,
Që fluturoi në
Madheshtinë hipërbolike
Të mediokërve…
Në turravrapin e vet
Sikur shkel mbi njerëz,
Mbi drita
Edhe mbi diellin vetë!
Sa keq që s’e din
Fatëziu i pafat
Problemin që ka
Me qiell- token e vet…
Sa keq,
Nëse shumë herë i takon
Të lutet e të lahet,
Në lumin e keqësisë
Së pashprestë!
VETETIMA PA EMER
Se nga erdh’ një bubullimë
Ç’dreqi e pru në vesht’ e mi
Para saj ca vetëtima
Se ç’m’u bënë zjarr në sy
E, askund nuk pati re!
Krejt tavani i kullës time
Sikur kishte rënë përdhe!
Sipër meje, poshtë meje
Po jetoja në dy kohë
Një kur gjyshja më k’shillonte
Një kur unë u bëra gjysh
Bubullima ka tani
Vetëtima at’heher’ kish
Kroi i kulles mbi oborr
Nuk u ndal asnjë moment
Tanimë unë s’kam shtëpi
Unë nuk kam tani askënd
Gjithësecila bubullimë
Ka një emër veç te unë
Vetëtmiat janë pa emër
Sepse janë ato aq shumë
Unë i ndez të gjithë
Shkëmbinjtë
Tërë përrenjtë
I vë në gjumë
Po s’jetova veç një ditë
Në bregoren ku kam lind
Do të bëhëm bubullimë
N’kry t’atyre që do lë
Ndaj, unë dua që tani
Të marr rrugen për atje….
Ku vallëzojnë vetëtimat,
Bubullimat bëjnë muzikë
Po mbaroj për të rilindur
Siç më thosh nëna,
nga brinjtë!
NGJITJE
Varem mjegulles që puth Munellen
I dehur si dita në mëngjes
Sikur të kisha fjetë me hënën
Nga froni ëndrrën mos ta zbres!
T’u ngjitem pishave gjer në majë
Mbi degë të bredhave të fle
Mbi supe natën do ta mbajë
Të mos pendohem për këtë.
Një ditë vere do trokas
Në gjoksin tim, ndoshta që nesër
Gjinkalla kokën do ta plasë
Në gjoksin zjarr të Munellës!
Të dehur ketrat nga bim’sia
Kur gurët nata s’i përgjumë
Do ndalen krojeve të jeshilta
Duke kërcyer udhë pa udhë!
Do t’i kreh pishat frymë e lehtë,
Kur merr Munellën për t’u ngjit
Nuseve në mëndje se ç’u shkrep
Ta shpallin shtratin Republikë!
TRADHETARET
Për hiçgjë i merr 23 thikat e Brutit.
Për një dekoratë, 30 monedhat e argjend’ta
që mori Juda,
T’i gjuajnë si plumba në fytyrë,
që ti të mos keshë,
qoftë edhe një lirë!
Judes, pabesia do t’i verë litarin në fyt,
Brutin do ta çojnë në ferr
si vrasës dhe si besëshkelë…
Pastaj, si Vidkun Quislingu
Më miku do të bëhët krah
me armikun tend,
për një ditë pushtet.
Ndërsa, Hanssen-janët
do të durojnë me vjet
për të shitur
çka njeriu s’e shet!