Kur shenjat e pikësimit, “ushtrojnë” mungesë

Mendime mbi Letërsinë.

Nga: Armela Hysi

 

Shumë shpesh kam dëgjuar të diskutohet për poezitë pa shenja pikësimi, duke qenë se poezia ime është një krijimtari e tillë, jam dhe një nga pranuesit e mirëfilltë të komenteve, hezitimeve e ideve mbi të, nga shumë bashkë-lexues ose dhe krijues, ndaj dhe është dhe një e drejtë, apo detyrë e imja të shprehem mbi temën. Është e qartë plotësisht që nuk mund të mendohet se ndikimi i tyre orientues në leximin saktë të një teksti, nuk ka një rol primar në komunikimin e autorit me lexuesin.

Në një nga shkrimet e mi në lidhje me poezinë e poetit Stefan Martiko, shkruaj se “…kemi poezinë tashmë të konsoliduar ku shenjat e pikësimit janë pothuajse në tërësi të reduktuara dhe mendimi rrjedh i urtë e i qetë brenda një udhie të përcaktuar nga poeti me stilin e tij, por me një hapësirë të pacaktuar brenda kufijve. Thuhet se 93% të tërësisë së komunikimit të përditshëm të njerëzve nuk e përbëjnë fjalët, por mënyra e të shprehurit, intonacionet e zërit, ironia, pasthirrmat apo pasazhet e pauzat ndërmjet fjalëve, mimika, grimaçat, përgjithësisht gjuha e trupit, vështrimi etj. etj. Po kështu, në komunikimin e shkruar, shenjat e pikësimit janë ato që na ndihmojnë për të perceptuar tekstin dhe kuptimin (kush nuk e mban mend anekdotën e pusullës mbretërore – në klasën e parë – ku për një presje nuk dinin t’i pritej apo jo koka rebelit të dënuar në gijotinë; apo aludimet që bëjnë fetarët me “beso – jo – kontrollo”). Poezia është ndërkaq një organizëm i gjallë që i zhvilluar në, tashmë, shekuj; ka mbushur hapësirat e të gjitha rrymave për t’i dhënë rëndësinë primare asaj që që në zanafillë është quajtur me të drejtë perëndi: fjalës.

Poezia e gjallë nuk ka nevojë për gjeste, nuk ka lëvizje nevrike duarsh për të kërkuar shembullin më të mirë për të të kuptuar njeriu përballë që, zaten që në fillim e ka përcaktuar se e do elitar e të kualifikuar në leximin e poezisë së tij. Perëndia e poezisë nuk është zemërake dhe shpaguese, sepse është filozofike, e urtë dhe, megjithëse e shumë ditur e e pleqëruar, ka ndjeshmërinë dhe ndjesinë e një vere të vjetër. Asgjë e shtuar nuk do ta bëjë më të mirë, por do t’i hiqte diçka nga të gjitha ato aromat, përvojat, fermentimin e më pas qetësimin që kur të zbulohet të jetë e njehsuar me artin e vërtetë, me linja të vërteta klasike në gjithë risinë e saj moderne”. Ky kontest pra është në bazën e një ideje të tillë të konsoliduar, sipas meje, por për fat të mirë s’është vetëm kjo dhe siç dhe pothuaj se përherë poezia (art dhe filozofi) di shumë më tepër se ne, s’jemi veç hulumtues të disa nga ato kënd vështrime që mund të prekim, a simbolizojmë nëpërmjet saj. E thënë ndryshe dhe në përputhje me tërë substancën e koncentruar të gjallnimit, – pasqyrimi ideal i të cilës është vetëm dhe në çdo kohë, arti – jeta gjithmonë na jep, atë që duhet për t’u rritur, grishur mendimin e emancipuar dhe nxjerr mësime urtësie, apo jo? Njeriu në shekuj ka zhvilluar artin e shkruar, akustik e viziv si një pjesë e bukurisë që vijon në ato çaste krijuesi konkret, personalisht apo në trajtë kolektive, por dhe akoma më qartë si një udhëzues për deshifrimin e përvojave të veta, për të pagëzuar ndjenjat, për t’i komunikuar ato duke pritur, formuluar dukshëm dhe përcjellë tek individët e tjerë, njësoj aktiv, apo disi më pasiv në këtë fushë, të shoqërisë. Bukuria e artit nuk do të thotë se përvoja që ai po vijon në të gjitha rastet është e bukur, përkundrazi, por duke u mbështetur në bukurinë e artit (pasqyrimit ideal, siç e cilësova më sipër), ai arrin të mbijetojë nga përvoja. Ai arrin ta filtrojë atë, ta bëjë të tretshme pjesë-pjesë pasi arrijnë të formoj atë që ndjen në një trajtë të prekshme për të gjithë, energjinë në materie; hormonet, fermonet a substancat e tjera që turbullojnë a orientojnë kimikisht lidhjet e sinapset elektrike të trupit të tij, në vibrime të zërit, në mesazhe kinitike simbolike, të përcaktuar që më parë e të kthyera në traditë, apo të zbuluara atë çast, që do të përbëjnë artin e tij, vallen, luajtjen e një organi, shprehjen e një pikture, skulpture, poezie njësoj siç të gjithë ajo supë fizike e brendshme kthehet në lot, në djersë, në akt erotik, në lëvizje të trupit dhe frymëmarrjes e të tjera, e të tjera. Ai njehsohet me ndjenjën për ta ngurtësuar në pa-harrim, për ta kthyer në material për veten dhe të tjerët në kohëra të tjera, e kthen në ushqim, në mësim, në koncentrim, në përvojë të gjallë dhe për ata që s’e kanë provuar.

Misioni i artistit ka qenë përherë i njëjtë: të mishërojë vetveten dhe kohën e tij, tek të tjerët, bashkëkohës, a vijues të historisë njerëzore. Psiko-sintezën, mendimin, pamjen. (Presupozoj se mbijetesa e tij selektive nga sita e kohës mund të jetë si për çdo gjallesë, përshtatja dhe rastësia; heshtur, uroj, shpresoj dhe dua të besoj, se hierarkia e cilësisë ka bërë përzgjedhjen e vet të dallueshme. Me pak fjalë, për shembull tragjeditë antike që erdhën në ditët tona fal «antologjive shkollore» të dy-tre shekujve të parë në Evropë, e depërtimit të tyre në gjithë botën e banuar, në vazhdim, shpresojnë të jenë dhe më të bukurat, prandaj dhe u mblodhën, e për rrjedhojë prandaj mbijetuan. Por kjo ndoshta është thjesht dëshirë naive për të bërë humbjen kolosale më ngushëlluese.)

Në kohët e lashta arti duhet të hapte bazat e interpretimit të vetes dhe natyrës, të stimulonte virtytet e fuqinë e njeriut deri sa të zbulonte pas madhështisë së perëndive, madhështinë e këtij vetë. Të shkruante historinë e njerëzimit sa më thjesht që të ishte e mundur për t’u përcjellë brez pas brezi me çdo material e mundësi të disponueshme dhe të qëndrueshme në shekuj, përderisa koha e njeriut qe më e shkurtër dhe distancat gjeografike, shumë më të largëta se të sotmet. Në kohët e errëta, arti i rikujtoi njerëzimit dritën; në çastet e ndalesave ose më saktë “ngecjeve” në baltë, ai mori përsipër të bëj zgjimet, të tregojë trupin e njeriut përtej mbulimit të betonuar detyrueshëm, të ballafaqojë nevojën e këmbimit të ndjenjës erotike, tej asaj materiale, praktike e vrazhdësisë së skamjes të shumanshme. Mori përsipër të simbolizoi mitet me shkollimin e drejtpërdrejt, skenën me respektin e informimit filozofik, politik, shoqëror e psikologjik. Siç mori përsipër përherë, paraqitjen identike të gjithë sa ishte e nevojshme të mbetej me pamjen ekzistente; le të themi rastin e figurave historike, cilësi që na bënë jo thjesht të larmishëm me ilustrime muzetë dhe librat e historisë, por dhe na japin dhjetëra informacione sociale që s’do të kishin ardhur gjer tek ne ndryshe, ose së paku, jo në të njëjtën mënyrë. Arkitektura, gjeneologjia, biologjia, mësimet anatomike, etj., etj. inxhinieria e çdo plani të ndikimit njerëzor, që nga ajo e veshjes dhe modës së përgjithshme e deri tek njohuritë specifike shkencore, janë zhvilluar falë këtyre informacioneve e të dhënave që njeriu të ecë përpara e të mos zbulojë si foshnjë veç ato që është i detyruar të zbulojë e perceptojë në ecurinë e jetës së tij natyrale. Me zhvillimin e fotografisë, teknologjisë së riproduktimit të pafund të zërit dhe kameras për pamjet lëvizëse, arti mori përsipër të bëjë atë që gjithkush e di në mendimin e tij të thellë, por harron shpesh ta vërë në pikësynimin e vet kryesor. Përveç se të paraqes brendësinë e njeriut, ta detyrojë atë të përqendrohet. Arti i vërtetë e detyron sot njeriun të bëjë atë që nuk e detyron jeta mekanike dhe me lehtësira të përditshme, të jetë në ndërgjegje. Të mos abuzojë me shqisat duke i rezultuar “të ngopura”. Në kohën e sotme kriza nuk është ekonomike, a politike – camon! kur ka pasur planeti i njerëzimit tonë (të faktuar) kaq bollëk, lehtësi jetese, jetëgjatësi masive, akses në teknologji e shërbim mjekësor, begati në njohuri dhe informacion, kur ka qenë kaq afër e kaq lirë sa sot çdo kontinent për t’u vizituar brenda një njësie ditore, kur ka qenë kaq i pranishëm njeriu «i thjeshtë» në debatet kolektive, në pjesëmarrjen në qeveri, shkollim e kohë të plotë mbi pasionet e tij, natyrale a të stimuluara? Kur ka pasur të shenjtin libër më pranë e me bollëk se sot? Kur ka qenë më shpejt i lajmëruar, a paralajmëruar se sot? Kriza e vërtetë është kriza e ndërgjegjes, dhe e papërgjegjësisë, si asaj të thjeshtës, të përditshmes që vjen nga mos përqendrimi, mos analizimi, mos perceptimi i plotë i jetës dhe marrëdhënieve të çdo lloji me të tjerët, botën dhe natyrën, ashtu edhe asaj të mos mbajtjes së përgjegjësisë analoge të peshës së përzgjedhjeve të çdo niveli, individual, personal, familjar, shoqëror, profesional, social etj. Jemi bërë të llastuar më tepër seç duhet si racë. (Mos-përfillja, – më duket mua se lexohet kjo, e vërteta është, – e planetit, e kohës dhe kapacitetit të plotë vetjak).

Përpos çdo zhanri, letërsia në përgjithësi dhe poezia në veçanti, është ajo që kërkon ta interpretoj vetë lexuesi pra. Ta bëjë të vetën, ta ndjejë se ka rol, po ashtu. Kërkon të përqendrosh gjithë sa të përkasin, njohuri, perceptim, qejf për lojë, por përherë me respektin e mirësjelljen e “Përfilljes”. Një poezi pa shenja pikësimi është një tekst i pa “zbutur” për përdorim të shpejt. Kërkon lexues, jo konsumator. Detyron përuljen legjitime dhe të falet veç kur “e meriton”. Të zgjon të kesh vëmendjen.

Arti si vetë jeta të jep në çdo moment atë që ke nevojë të evolosh, të kalosh në dimensionin e ri, të mbizotërosh mbi hipnozën mekanike, të kuptosh gjallnimin, të jetosh me çdo sens. Duke kuptuar atë, ke kuptuar vetveten, prandaj përmasat e shërbimit janë të pallogaritshme, por për të gjithë ata që e duan vërtetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *