Krijimtari e porositur nga Portofoli

Esse/ opinion nga Raimonda Moisiu*

Ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e shkrimeve të kritikës letrare, për të njohur vlerat e vërteta të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshirë në gamën e gjerë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë. Ka një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë, sepse janë shtuar edhe njerëzit me strese. Disa shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por nuk kanë asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Të shkruara mjaft cekët nën nivelin e mesatares letrare e artistike, jepen më shumë pas sasisë së faqeve se sa pas cilësisë artistike e letrare, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren-“ shkrimtar, poet, autor dhe  shpërblimet letrare”.

Tjetër, c’ka shqetëson artin dhe letërsinë shqiptare,  janë disa të vetquajtur “shkrimtarë”, ca “krijuesë,”  mitomanë dhe grafomanë, aq të pagdhendur e të paditur, sa edhe kur publikojnë titullin e romanit, me  kokëboshësinë e tyre e shkruajnë gjysmake, analfabetce,  plot gabime ortografike. Sepse, ato

krijime, nuk janë krijime të tyre,  janë krijime plagjiaturë dhe letërsi artificiale, me porosi nga portofoli, sindroma e përfitimit të parasë dhe nëpërmjet saj blejnë reputacionin dhe karrierën, biles disa prej tyre e argumentojnë vetveten; “Rroftë Paraja”, – nëse je i pasur,- je “Shkrimtar i madh”- në Shqipëri, në trojet shqiptare deri në Kosovë, dhe “Gjeni” best-seller  i Barnes & Nobles në  Amerikë! – dhe kjo mendojnë se i ka bërë profesionistë!

Vlerësoj shumë realitetin e jetës kur shikoj shembuj të tillë dritëshkurtër duke trumbetuar krijimet e tyre dhe arrijnë deri aty sa të rrëmbejnë edhe çmime. Me duken të neveritshëm dhe ndjej keqardhje se sa poshtë kanë rënë dhe dyshoj shumë në ndershmërinë e tyre.

Ata janë të vetëdijshëm në mediokritetin e tyre që mund të përfaqësohen si dy dimensionale: shkrimtarë amatorë apo profesionistë!? Mitomanë apo Grafomanë!? Vlera apo Antivlera!?

Kjo racë shkrimtarësh që janë fenomene groteske, paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë e talenteve që bindin për të ripërcaktuar karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. Dhe është për të ardhur keq se në këtë  corbë të keqe; “Krijime me porosi nga Portofoli”, që është  bërë e modës tashmë, -janë përfshirë krijuesë me emër në letrat shqipe dhe shtëpi botuese me emër në Kosovë  dhe Shqipëri!

Unë i kuptoj fare mirë  ata  krijuesit me emër në letrat shqipe, të cilët shkruajnë bukur e profesionalisht, plot talent e pasion, por janë edhe të varfër dhe aq më tepër duan të botojnë  krijimet e tyre, apo të  pijnë qoftë edhe kafen! Shkrimtarët dhe Poetët janë vërtet të varfër! Pozita e tyre materiale e financiare u ka krijuar varësinë te krijimet me porosi nga portofoli! Tejet e dhimbëshme, e frikëshme, po vetvrasim e vetgjymtojmë letërsinë dhe letrat shqipe!

“Niveli monetar” nuk do të thotë asgjë në lidhje me nivelin letrar, artistik dhe standardin e krijimtarisë, por që gjithsesi për të fituar “shpërblime letrare” dhe “monetare”, famë dhe emër të madh si shkrimtarë bashkëkohorë, me egon e sëmurë,  me delirin e madhështisë, krekosjen dhe pompozitetin e Delirantit, Grafomanit e Mitomanit!

Pra jemi në një antitezë të freskët në këtë periudhë të antitezave dhe absurditetit më të madh, në planin e vlerësimit dhe kritikës letrare të kohës, në evidentimin e vlerave të vërteta letraro-artistike për mrekullitë, letërsinë, artin e të shkruarit dhe atë në përgjithësi.

Po kërkohet më shumë “nivel monetar” dhe jo artistik! Kemi parë gjithë dukurinë e një libri duke u bërë edhe “best-seller” apo fituar edhe cmim të madh. Shumë pak prej tyre kanë pika të vërteta artistike dhe vlera letrare, por kjo nuk ka rëndësi për ta sepse kënaqin oreksin e tyre vulgar “shpërblim letrar”, dhe ushqejnë krijimin në nivel monetar.

Vëmë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material, financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual. Mendimi im është për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara. Po “vdesin” poetët!!

Asnjë librari nuk pranon libra me poezi. Shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, sepse praktika i bën të përsosur. Nuk duhet të mendojnë se gjithçka që shkruajnë është mjaft e mirë për botim. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Nga ata kërkohet “nivel monetar,…”jo artistik, sepse ata nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Pra, kur them se shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, nënkuptoj që ata të botojnë veprat e tyre,  kur ato të vlerësohen nga një bord letrar apo kritika e kohës për cilësinë dhe nivelin letrar e artistik, dhe botuesit do të konkurrojnë pas tyre.

“Shkrimtari kur shkruan tradhton veten”, -ka thënë Gëtja.

Nëse shkrimtarët e rinj kanë pasionin dhe talentin e lindur në to, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin. Shkrimtari, poeti e artisti i shërben një periudhe të caktuar historike, një populli e një kombi të caktuar. Vërej që ka tre kategori opinionesh për njerëzit që shkruajnë e bëjnë art. Një kategori përbëhet nga lajkatarë, një tjetër nga smirëzinj e njerëz të rënë në dashuri me krijimet e veta, të dyja janë ego vetëgjymtuese e vetëvrasje intelektuale.

Kategoria e tretë është ajo e njerëzve të ndershëm, të pakët në numër e që sa vjen e po pakësohen. Asnjë shoqëri nuk është statike. Krijimtaria letrare, artistike dhe arti nuk duhen paragjykuar. Duhet kuptuar në kohën e kushtet kur është shkruar, ajo ka një emër të shenjtë; Arti i të Shkruarit. Ndërsa shkrimtarët e vjetër shpalosën ide të mëdha që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, do t’ia kalojnë të rinjve stafetën, të marrin përsipër luftën për ndryshim që është një luftë e vazhdueshme.

Shkrimtarin e vërtetë e shohim në reflektimin dhe mishërimin midis ndjeshmërisë së vetvetes dhe ndjeshmërisë kolektive, në unitetin e shpirtit të tyre të trazuar, me madhështinë dhe egoisten njerëzore, mes marrëzisë e të bukurës në jetën e përditshme. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër. Shkrimtari ngjyen penën në thellësitë e shpirtit, kujtesës, mendimit dhe përvojave jetësore të tij, çlirimin nga ngërçet e shoqërisë dhe ngre kasollen e shpirtit në kufijtë e filozofikes e artistikes. Pjesa më e vështira në artin e të shkruarit për një shkrimtar është kur dhimbjen dhe dashurinë, harenë e gëzimin ta kthejë në fenomen shoqëror apo historik, me eksperiencat e veta në katrahurën e jetës. Është ura lidhëse midis kulturës popullore dhe artit, konceptit intelektual, qytetar dhe mençurisë për të bërë grintën e fuqishme shpirtërore. Sigurisht gjetjet inteligjente dhe idetë origjinale, në për-afrimin e tematikës, e bëjnë më të lehtë për të qenë më pranë botës shpirtërore, mes përjetimeve konkrete, mes realistes e pragmatistes.

Dhe shpresoj se kjo do të vijë. Ndonjëherë ajo merr gjenerata, por ndryshimi vërehet.

Shkrimtari Stefan King i ndante shkrimtarët në katër kategori biles shkoi e më tej, ai vuri fotot e tyre në një piramidë: ku binte në sy që shumica e tyre ishin në kategorinë e fundit. Ai thoshte se askush nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i keq në një shkrimtar i aftë dhe nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i mirë në një Gjeni! Por vetëm me përpjekje dhe përkushtim, bëhet nga një shkrimtar i zoti në një i mirë. Shkrimtari kurrë nuk duhet të jetë i kënaqur me atë që shkruan, por ai duhet ta respektojë atë si ai fetari që respekton fenë e tij. Të jesh krijues sot i çfarë do lloj gjinie nuk është luks, është mëse art dhe njerëzore. Edhe diçka tjetër; shkrimtari i vërtetë bën kompromis vetëm me artin e për artin, përpiqet të qëndrojë sa më shumë larg politikës. Shkrimtari, artisti, poeti nuk është partizan i politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror. Një shkrimtar, artist apo poet mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar e artistik. Shkrimtari, artisti e poeti duhet të jetë vetvetja, brenda brishtësisë së individualitetit të tij.

Gjithkush prej tyre përballet me kufizime të shumta në shoqëri dhe është zhytur ose në kakofoninë e turmës ose mbizotërohet nga ligjërimi i pushtetit. Kjo është sfidë e frikshme për të shprehur pikëpamjet e dikujt në rrethana të tilla, një individ konfirmon ekzistencën e tij nëpërmjet një sfide të tillë nga mjedisi i tij. Duke e shikuar nga ky këndvështrim shkrimtari, artisti e poeti e dinë se letërsia nuk është armë për kritikë, por një dëshmi për ekzistencën. Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Shkrimtari, artisti e poeti e di se letërsia, vargjet poetike dhe peneli i piktorit janë më reale se historia, e cila është shkruar e shkruhet nën ndikimin e pushtetit politik. Dhe pena e peneli i botës së artit bën kompromis vetëm me idealin e lirisë, patriotizmit e dashurisë njerëzore. Dhe po e mbyll me një mesazh shumë domethënës e simbolik të nje publicist te njohur, i cili shprehet: “Artistët, janë kalorës të lirisë, “marothonomakë” vizionesh humaniste, pararendës të emancipimit dhe progresit njerëzor, rrëfyes të shpirtit njerëzor që lufton të Keqen. Shkrimtarët dhe artistët, në çdo kohë, kanë luftuar kundër tiranisë, mashtrimit, shfrytëzimit të njeriut, padrejtësisë, gënjeshtrës, dhunës dhe shkatërrimit. Ky është edhe një apel, për krijuesit dhe artistët e vërtetë të vendit tonë, të cilët kanë ç’të flasin e të mos heshtin rreth dramës shqiptare, duke u shkundur nga gjumi nën “kurorat e lavdisë”.

*Nga Raimonda MOISIU

Shkrimtare & Gazetare e Pavarur -Ish Kryetare e Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *